KUSHTET E MUFESIRIT NË PERSONALITETIN E HOXHË HAFIZ ALI KORÇËS

0
732

Dhe në fund, pas këtij rrugëtimi shkencor që e kalova me hoxhën e nderuar Hafiz Ali Korça dhe, para se të gjykoj për suksesin apo dështimin e tij, dëshiroj që t’i përgjigjem një pyetjeje shumë të rëndësishme: “A i posedonte ky mendimtar shqiptar kushtet dhe kualifikimet e mufessirit, komentuesit të Librit të Zotit të Madhërishëm, dhe nëse i posedonte, atëherë cili ishte niveli i tyre?”

Pa kurrfarë hiperbolizimi të gjërave përgjigjja është:

Siç duket, pas studimit të mendimeve të këtij thirrësi në fe dhe metodës së tij, ai posedonte pasuri të madhe dhe të mjaftueshme të shkencave islame (falënderimi i qoftë Zotit!) për të pasur kapacitete dhe mundësi që ta komentojë Librin e Zotit të Madhërishëm, dhe kjo pasuri shkencore e tij karakterizohet me këto dimensione:

  • Hifzi, leximi dhe texhvidi i Librit të Zotit të Madhërishëm, dhe ky fenomen siç thamë edhe më parë, ishte shumë i përhapur në mesin e dijetarëve shqiptarë në të kaluarën, ndërsa sot, ka një ekzistencë relative;
  • Njohja e tij e gjuhës arabe në mënyrë të gjerë dhe të thellë, përkatësisht njohja e thellë e gramatikës, retorikës, stilistikës e veçanërisht e prozodisë, ngase ai ishte edhe profesor i letërsisë;
  • Njohja e tij e Synnetit, dhe njohja e haditheve të vërteta nga të pavërtetat;
  • Njohja dhe diapazoni i gjerë në shkencat e Kur’anit, si p.sh.: Njohja e ajeteve mekase, medinase, shkaqet e zbritjes së Kur’anit, nasih, mensuh, mutlak, mukajjed, am, has, stilet retorike të Kur’anit, zbritja e parë dhe zbritja e fundit, muhkem, muteshabih, etj.;
  • Morali i lartë i tij islam dhe edukata e shëndoshë islame që posedonte, bënin që ai të mos ketë gjuhë triviale e as të fëlliqur, përpos kur i kritikonte ashpër hebrenjtë dhe të krishterët dhe pa kurrfarë ngurrimi referonte për intrigat e tyre gjatë historisë njerëzore e deri në ditët e sotshme. 

Të gjitha këto njohuri të ndryshme shkencore që i posedonte ky mendimtar i shquar islam dhe që i mundësuan të merret me komentimin e Kur’anit Fisnik, i kanë ndihmuar që në mënyrë precize të kuptojë Librin e Zotit të Madhërishëm, dhe besoj se me sukses e ka kryer këtë mision sublim. 

Këtë dhunti Zoti ia jep kujt të dojë dhe vetëm Atij i takojnë Vlerat dhe Virtytet e Larta dhe të Përkryera!

 

ASPEKTET E PËRBASHKËTA NË MES MENDIMEVE TË HOXHË HAFIZ ALI KORÇËS DHE PARIMEVE TË SHKOLLËS REFORMISTE

Në këtë pikë dëshiroj të theksoj në mënyrë shumë përmbledhëse disa mendime të hoxhë Hafiz Ali Korçës me parimet dhe elementet e shkollës reformiste:

  • Thirrja e tij në korrektimin dhe reformimin e metodave edukativo-arsimore në përgjithësi dhe atyre fetare në veçanti,  që në të vërtetë ishin të njëjtat parime për të cilat thërrisnin edhe prijësit e shkollës reformiste, gjegjësisht reformat në metodat e Universitetit të Az’harit;
  • Mësimi i lëndëve shkencore krahas lëndëve fetare në mënyrë precize dhe hapja e fakulteteve të posaçme për qëllime të tilla;
  • Korrektimi i metodave të mësimit të gjuhës arabe, dhe në këtë kontekst, hoxhë Hafiz Ali Korça preferonte metodën franceze në mësimin e gjuhës;
  • I ftonte hoxhallarët që të pajiseshin me njohuri shkencore, ashtu siç kishin vepruar ithtarët e reformizmit fetar arab klasik dhe modern, si p.sh.: Imam Gazaliu, Xhunejdi, Ibni Sinâ, Muhamed Abduhu, Xhemaludin Afgani, etj.;
  • Refuzimi kategorik i israiliateve dhe mospranimi i tyre në mënyrë të prerë, si dhe kërkesa e tij e vazhdueshme që të jemi të kujdesshëm në këtë çështje;
  • Refuzim kategorik i imitimit të verbër;
  • Qëndrimi i tij ndaj ngjarjes së sihrit të Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe mospranimi i hadithit të vërtetë (sahih);
  • Përqëndrimi i tij në çështje kombëtare dhe politike botërore;
  • Përcjellja e ngjarjeve që ndodhnin në Indi dhe masakrimi, vrasja e maltretimi i muslimanëve në kohën e sundimit të tiranit Mahatma Gandi, dhe përqëndrimi i tij në aktivitetet e Ahmed Ebu Kelamit (i njohur me nofkën Sir. Ahmed Han);
  • Mos brengosja e tij e madhe nga rënia e shtetit osman dhe mos hulumtimi i tij për ta shpëtuar nga shkatërrimi. Ky qëndrim ekzistonte edhe në mesin e prijësve të shkollës reformiste në Az’har, madje disa prej tyre deklaronin prioritetin e hilafetin kombëtar arab dhe përparësinë e tij!!! 

I mbështetemi Zotit të Madhërishëm të na mbrojë nga kjo ide, e cila nuk ka fare dyshim se kishte gjurmë negative, e që ishin rezultat i fanatizmit racor e nacionalist.

SHEMBULL NGA HORIZONTI FETAR REFORMIST KOMBËTAR NË MENDIMIN E HOXHË HAFIZ ALI KORÇËS

 

Kjo e vërtetë vërehet në kujdesin e tij të posaçëm për mbrojtjen e parimeve të Islamit në Shqipëri, dhe në kujdesin për t’u mbrojtur nga intrigat e kundërshtarëve. Ky kujdes i tij specifik vërehet në letrën e tij të gjatë e të hapur drejtuar vëllezërve të tij dijetarë e hoxhallarë të Shqipërisë. Ne këtu do t’ju ofrojmë një ilustrim të shkurtë nëpërmes disa citateve nga letra e tij:

“Zotërinj, dijetarë e hoxhallarë, nëse dëshironi të përfitoni respektin e popullit ashtu si paraardhësit tuaj, atëherë duhet t’i përgatitni fëmijët tuaj me të njëjtën armë me të cilën ishin të armatosur paraardhësit tuaj, gjegjësisht me armën e diturisë dhe shkencës, ngase kjo është trashëgimia jonë dhe këtë trashëgimi duhet t’ua lëmë fëmijëve tanë… Populli nuk mund të dëgjojë më trillime, israiliate dhe fjalë boshe. Turp për ne është që të krenohemi me paraardhësit tanë kur ne jemi lakuriqë dhe nuk posedojmë asgjë. Çfarë dobie do të ketë shteti nga ata të cilët edukohen jashtë vendit tonë?! (Ka për qëllim intelektualët që studionin në Perëndim, H. Hoxha.)

Vëllezër e zotërinj, dijetarë e hoxhallarë!

Nëse keni dashuri dhe ashk ndaj Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) mos rrini në gjumë dhe patjetër të mendoni për gjeneratat e ardhshme si dhe medoemos të koncentroheni dhe të keni kujdes ndaj këtyre gjërave:

  1. Mos dorëzohen të rinjtë dhe të rejat në duart e misionarëve dhe të atyre që i bëjnë të krishterë;
  2. Leximi dhe mësimi përmendësh i Kur’anit të jetë për çdo fëmijë, qoftë djalë apo vajzë;
  3. Obligohemi që të dërgojmë në shkollën fetare çdo fëmijë që ka mbushur trembëdhjetë vjet;
  4. Çdo thirrës në fê patjetër të ketë më së paku një fëmijë në shkollën fetare që të bëhet trashëgimtar i tij;
  5. Çdo musliman dhe çdo muslimane duhet të sakrifikojë çdo gjë që e posedon në përmirësimin dhe zhvillimin e shkollës fetare që të ketë nivelin e merituar;
  6. Dijetarët dhe hoxhallarët duhet të udhëtojnë nëpër fshatra e qytete për ta nxitur popullin që të ofrojë ndihmë dhe ta përkrahë këtë projekt;
  7. Të pasurohet buxheti i shkollës, të sigurojmë profesorë dhe hoxhallarë specialistë për çdo lëndë; dhe:
  8. Nëse nuk ndodhë kështu, interesi i dijetarëve dhe hoxhallarëve për gjendjen e Ummetit, do të humbë dhe kjo do të ishte arsyeja kryesore e rrënimit dhe shkatërrimit të Islamit. Këto janë sëmurjet tona dhe kjo është mënyra e shërimit në këtë situatë mjekësore. Në kohën e abasidëve, dijetarët dinin gjashtë ose shtatë gjuhë, ndërsa ne sa gjuhë njohim?

Këto janë burimet për të cilat folëm. Dërgoni fëmijët tuaj trembëdhjetë vjeçar për të mësuar te ne dhe unë ju siguroj, me lejen e Zotit, se pas tre vjetëve ata do të kenë mundësi të flasin arabisht, persisht dhe frëngjisht, si dhe do të mësojnë disa lëndë shkencore e artistike. Ne do të përpiqemi që të mos turpërohemi para Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) në Ditën e Gjykimit dhe nëse nuk na ndihmoni në atë që thamë më lartë, do të përgjigjemi para Zotit në Ditën e Kijametit.

Si t’i armatosim dhe përgatisim fëmijët tanë?

Krahas gjuhës amtare dhe gjuhës arabe, secili obligohet të mësojë një gjuhë të njohur botërore dhe të armatoset me armën e diturisë në bazë të nevojave të kohës dhe ardhmërisë, ngase në të kundërtën do të jemi të vdekur në çdo aspekt…”

Zoti e mëshiroftë Hafiz Ali Korçën!

Sa e madhe është nevoja e Ummetit islam për këto këshilla këtyre ditëve…

S’ka fuqi më të Madhe se Fuqia e Zotit të Madhërishëm!

 DISA LËSHIME METODOLOGJIKE DHE FETARE TË HOXHË HAFIZ ALI KORÇËS

 

Të nderuar lexues!

Po e përfundojmë takimin tonë me këtë dijetar të madh (Zoti e mëshiroftë!), duke i theksuar disa lëshime të tij metodologjike e tematike:

  • Në shumë raste vërej se ai (Zoti e mëshiroftë!) nuk e tregon faqen apo vëllimin prej të cilit citon;
  • Detaje mbi të dhënat e burimeve dhe literaturës së përdorur nuk ekzistojnë, por i thekson vetëm titujt e librave;
  • Mbështetje e kufizuar në hadithe të vërteta profetike (sahih) gjatë argumentimit në artikuj dhe shkrime;
  • Refuzimi i autenticitetit të ngjarjes së sihrit që është transmetuar në “Sahihun” e Imam Buhariut dhe Muslimit, dhe në këtë mënyrë thumbon librin më autentik pas Kur’anit Fisnik, gjegjësisht librin për autenticitetin e të cilit i gjithë ummeti ka qëndrim unanim. Mendoj se hafizi i nderuar, është dashur që të jetë i kujdesshëm para se të gjykojë për të. Ky ishte lëshimi më i madh metodologjik dhe fetar që kishte bërë hoxhë Hafiz Ali Korça, dhe do të ishte më mirë për të sikur të kishte folur në përputhje me hadithin e refuzuar, i cili kishte të bëjë me sihrin;
  • Nuk i thekson numrat e ajeteve që i komenton;
  • Në të shumtën e rasteve neglizhon tekstin e Kur’anit në gjuhën arabe, duke theksuar vetëm në përkthim e komentim pa e pasur përpara tekstin arab. Në raste të tilla, përparësi ka teksti arab, pastaj përkthimi dhe komentimi; dhe:
  • Në shumë raste nuk dallon mes përkthimit dhe komentimit të tekstit, dhe kështu, lexuesi i rëndomtë nuk mund të dallojë nëse është ajeti i përkthyer apo i komentuar. Preferohet dhe më me prioritet do të ishte sikur të përkthente ajetin dhe pastaj ta komentonte e sqaronte.

Këtë e vërejta gjatë studimit tim të këtij personaliteti dhe mufessiri të njohur intelektual shqiptar reformist, dhe ky studim më duhet të pranoj, se më mori shumë kohë, duke tubuar material nga burime të ndryshme e të ndara.

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE
(SHEK 19-20)