Prejardhja e popullit shqiptar

 

Për prejardhjen dhe lashtësinë[1] e popullit shqiptar është folur, diskutuar dhe shkruar shumë nga autorë dhe historianë të ndryshëm shqiptarë dhe të tjerë. Për shkak se nuk ekzistojnë[2] kurrfarë dokumentesh apo shkresa të shkruara prej vetë ilirëve të hershëm në mënyrë që të jemi më afër burimeve të sakta, historianët, dijetarët dhe analistët e mëdhenj janë detyruar të bazohen në kanale dhe burime të tjera bindëse dhe plotësuese gjatë studimeve të tyre. Gërmimet dhe zbulimet arkeologjike kanë luajtur një rol të pakontestueshëm rreth këtij problemi dhe kanë dhënë një ndihmesë të madhe për këtë çështje tejet serioze. Po ashtu edhe studimet komperative të gjuhëtarëve dhe linguistëve të ndryshëm ndërkombëtarë kanë kontribuar shumë në këtë fushë të historisë.

Ne, më së pari, do të përqendrohemi në studimet dhe analizat e historianëve tanë e pastaj me radhë. Historiani dhe dijetari i famshëm shqiptar prof.dr. Muhamet Pirraku thotë: “ Shqiptarët “siç dihet janë” pasardhësit e ilirëve të vjetër. Në viset ballkanike, ku u shtrinë në periudhën parakombëtare, ata janë autoktonë dhe vjetërsia e tyre shtrihet së paku deri në periudhën historike mediterane[3] pellazgjike, përkatësisht epike homerike..[4]

Është i vërtetë fakti se informatat dhe të dhënat historike për këtë popull të lashtë nuk mjaftojnë dhe janë të pakta, kështu që prej këtyre të dhënave nuk të nxirren konkludime dhe rezultate definitive dhe të prera. Këtë realitet e pohon edhe historiani i përmendur kur thotë: “…Të dhënat për kulturën shqiptare të periudhës ilire janë të pakta dhe ato që janë i përkasin kryesish sferës së kulturës materiale e onomastikës… Por gjatë kohës së robërisë romake e bizantine këto të mira materiale të shkruara u zhdukën sepse të huajt synonin asimilimin e plotë të popullsive ilire.[5]

Për lashtësinë e popullit shqiptar,[6] respektivisht të ilirëve, flet edhe prifti Gjergj Gashi, i cili thotë: “Po ashtu është vërtetuar se arbërorët janë trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të ilirëve, çka do të thotë se historia e tyre është shumë mijëvjeçare, dhe se ata radhiten si një nga popujt më të lashtë të Evropës dhe Ballkanit.”[7]

Se sa problematike dhe e diskutueshme është çështja e etnogjenezës shqiptare, shihet edhe nga studimi i historianëve tanë dhe debatimi i tyre rreth kësaj çështjeje në librat e tyre, në të cilat ata kanë paraqitur disa mendime dhe teza rreth këtij problemi nga studiues të ndryshëm.[8]

Para se të shqyrtojmë tezat e ndryshme rreth problemit të etnogjenezës së popullit shqiptar, është me rëndësi edhe mendimi dhe analiza e mendimtarit, shkrimtarit dhe historianit-historishkruesit tonë shqiptar, Sami Frashërit. Gjatë elaborimit të tij rreth çështjes së pellazgëve, që ishin banorët e parë të Evropës e që ishin vendosur përtej Adriatikut edhe në Itali dhe rreth detit Egje dhe në krahinat[9] Jugore të Ballkanit para helenëve, ai pohon se: “Shqipëri i thonë gjithë atij vendi, tek rrinë shqiptarët (të cilët) janë m’i vjetri kombevet t’Evropëse. Duket që këta erdhën më parë se gjithë prej mezit t’Azisë[10], n’Europë, edhe këta prunë në këtë vend ditjen’ e të bërit shtëpi me mur si dhe diturin’ e të lëruarit, të mbjellit e të korrurit; se ata njerës, që gjendeshin më parë tyre n’Europë, ishin t’egër e rronin nëpër pyje e nëpër shpella duke ushqyer me pemra t’egëra e me mish gjahu..”[11] Siç vërehet qartë  prej dëshmive dhe pohimeve të Sami Frashërit, shqiptarët kanë ardhur prej Azisë së Vogël,[12] domethënë prej Anadollit, gjë që pajtohet me faktin se gjuha e shqiptarëve – siç pohojnë linguistikët dhe historianët – bën pjesë në familjen[13] e madhe të gjuhëve indo-europiane,[14] ku përfshihet shqipja, indishtja, iranishtja, greqishtja, latinishtja, gjuhet romane, gjuhët gjermanike, gjuhët sllave, gjuhët baltike etj.[15]

Unë personalisht nuk pajtohem me parimin dhe teorinë[16] e studiuesit N. Malcolm i cili thotë: “…se kush ka ardhur i pari në një vend s’kanë asnjë rëndësi kur vjen puna për të vendosur për të drejtat ose gabimet e një situate të sotme politike. Burimet për zhvendosjet më të hershme të popujve ose të fiseve të çojnë në përfundim të gabuar...”[17], sepse gjendja aktuale politike në disa vende të botës si p.sh. në Palestinë dhe situata politike momentale tek ne në Kosovë ka dëshmuar dhe ende dëshmon për dobësinë dhe mosqëndrimin e kësaj teorie. Të gjitha ato masakra që u bënë nga dora gjakatare serbe dhe nga regjimi bolshevik dhe sllavo-helenist i Serbisë në Kosovë ishin arsyetim i teorisë në fjalë, se kinse Kosova është toka e bekuar dhe e premtuar e Serbisë! mu ashtu si është Palestina për çifutët sionistë, prandaj kjo tokë e bekuar për çifutët duhet të rikthehet në çdo mënyrë, ashtu sikurse toka e Kosovës iu duhet kthyer serbëve! “Larg, tepër larg është ajo që ju është premtuar” – [Kur’ani i Madhëruar, pjesa 18, suretu El Mu’Minune, ajeti 36].

 

Siç u tha edhe më lart, është e vërtetë se të dhënat historike antike për popullin apo fisin ilir janë të pakta. Historianë të ndryshëm të periudhës bizantine dhe romake, të vendeve të tjera, janë marrë me studimin e zanafillës dhe të etnogjenezës së popujve dhe fiseve të hershme Ballkanike. Shumë studiues, të kategorive dhe niveleve të ndryshme, kanë bërë spekulime historike dhe nuk kanë qenë fare objektivë.[18]

Edhe sa i përket çështjes së etnogjenezës së shqiptarëve, nga të parët tanë është trashëguar shekuj me radhë se stërgjyshërit tanë kanë qenë ilirët[19] dhe se ata kanë qenë të ndarë në shumë fise dhe vendbanime të ndryshme. “…Mbi bazën e të dhënave dhe burimeve arkeologjike, gjuhësore dhe antropologjike është arritur në përfundimin se kultura dhe etnosi (populli) ilir kanë origjinë autoktone (vendase). Ata lindën dhe u formuan në bazë të një procesi të gjatë dhe të pandërprerë, gjatë mijëvjeçarit të dytë dhe të parë para erës së re[20]

Nuk e di se kujt i shërben konkludimi i studiuesit N. Malcolm kur pohon: “…edhe njëherë, pra, do theksuar se një histori kaq e lashtë nuk mund të ketë implikime në politikën e sotme. Megjithatë, ideja se ilirët dardanë ishin stërgjyshërit e shqiptarëve mund të ketë një interes sentimental për shqiptarët e sotëm të Kosovës.”[21]

Këtë teori mund ta konfirmojmë përsëri edhe me pohimin e studiuesit dhe historianit, Edwin Jacques E., i cili pohon: “… Se pellazgët kanë emigruar në Ballkan në kohën parahistorike… se ata kanë qenë paraardhësit e ilirëve…, se ilirët janë paraardhësit e shqiptarëve të sotëm… dhe se gjuha e tyre quhej apo ishte gjuha barbare.[22] Pastaj, në vijim, ky historian përmend studiues të ndryshëm albanologë dhe linguistë të shquar botërorë të cilët, gjatë studimeve dhe hulumtimeve të tyre shumëvjeçare, kanë ardhur në konkludime shkencore që konfirmojnë lashtësinë e gjuhës shqipe dhe lashtësinë e etnogjenezës sonë. Ndër ta mund të veçojmë konsullin austriak të Janinës, Johan Von Hahn (1811-1869) i cili, plot dyzet vite, ka shërbyer në Shqipëri dhe ka bërë disa punime linguistiko-historike të cilat flasin dhe konfirmojnë se shqiptarët janë pasardhës të pellazgëve.[23]

Po ashtu edhe studiuesi Nicolas J. Costa e konfirmon lashtësinë e popullit të Shqipërisë, tokës së shqiponjave dhe burgut pa mure, si dhe faktin se shqiptarët janë kombi i vetëm musliman në Evropë, me mbi tre milionë frymë, që ishin të ndarë në dy fise të njohura, Gegët në veri dhe Toskët në Jug dhe se ata kanë qenë një popull i vuajtur shumë.[24]

Mjaft serioze dhe shkencore kanë qenë edhe konkludimet e shkencëtarëve dhe linguistikëve të famshëm botërorë në lidhje me çështjen në fjalë se: gjuha shqipe e sotme është gjuhë e ilirëve të hershëm dhe bën pjesë dhe është anëtare e gjuhëve indo-europiane.

Sa për ilustrim, këtu mund të radhitim edhe disa shkencëtarë dhe albanologë të tjerë:

1-Filozofi Godfried Wilhelm Leibnitz, (1646-1717)

2-Albanologu gjerman Hans Erich Thunman, (1746-1778)

3-Linguisti Franz Bop, (1791-1867)

4-Filologu italian Demetrio Ccamarda,

5-Prof. austriak Gustav Meyer, (1850-1900)

6-Shkencëtari francez Edouard Schneider,

7-Studiuesi italian Jeronim De Rada (1814-1903)

8-Linguisti dhe qeveritari i Libanit gjatë perandorisë Osmane, Vaso (Basil) Pasha

9-Albanologu, filologu dhe linguisti kosovar Eqrem Çabej (1908-1980), historiani, shkencëtari kosovar dhe punëtori i palodhur M. Pirraku

10-Albanologët nga Tirana: Aleks Buda, Shaban Demiraj e shumë të tjerë.[25]

 

Doc.Dr.Hfz.Hajredin Hoxha
Vështrim islam rreth faktorit fetar në historinë shqiptare moderne dhe antike


[1] Po ashtu shih: Historia e Shqipërisë, vëll. 1, Tiranë, 1959, Universiteti shtetëror i  Tiranës, Instituti i gjuhësisë dhe i historisë, të hartuar nga:  Selim Islami dhe Kristo Frashëri, f. 9

[2] Shih Piraku, Muhamet, Kultura Kombëtare Shqiptare deri në lidhjen e Prizrenit, 34. Edwin E. Jacques, The Albanians-an ethnic history…, f. 11

[3] Mendimi i historianit Mehdi Frashëri, në librin e tij:  Historia e lashtë e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, është krejt i kundërt me teorinë e pellazgëve dhe ai e konsideron të gabueshme dhe të kundërt me shkencën (shih faqet: 54-55), po ashtu edhe se ata janë një popull me origjinë thrako-iliriane, (f. 58) dhe se gjuha jonë, nga pikëpamja linguistike, është gjuhë thrako-iliriane ( f. 59).

Është e udhës këtu të përmendet edhe mendimi i këtij historiani se: “Shqiptarët e vjetër ndahen në katër pjesë: ilirët-maqedonasit-thrakasit-frigiasit…”, f. 53. Po ashtu, shih: Sami Frashri në: “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të  bëhet” f. 26. 

[4] Muhamed Pirraku, Kultura kombëtare shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit, (Prishtinë, Instituti Albanologjik, botimi i parë 1989), f. 13. Po ashtu, shih: J. Swire, Albania-the rise of a kingdom, (Arno Press @ the New York Times- New York, 1971), f. 4.

[5] M. Pirraku, Kultura kombëtare shqiptare, f. 34. Po ashtu edhe historiani Petrika Thëngjilli, kur flet për popullin shqiptar dhe etnogjenezën e tij, thotë se historianët këtu ndahen në dy grupe të kundërta. Grupi i parë mendon se shqiptarët janë të ardhur në trojet ku banojnë sot, për arsye se mungon dokumentacioni historik dhe shqiptarët shikohen si të ardhur me anë të dyndjeve të ndryshme, ku ka edhe historianë që mendojnë se ata janë të ardhur nga Skocia e sotme. Midis autorëve që mbrojnë këtë tezë është edhe studiuesi:Gaston Miller me veprën: Hulumtime mbi historinë e hershme të shqiptarëve. Karakteristika kryesore e këtyre tezave është mohimi i vazhdimësisë iliro-shqiptare. Në këto teza ekzistojnë mangësi metodike dhe, pos kësaj, te disa autorë fshihet synimi politik i maskuar i pansllavizmit të vjetër si p.sh. Selishe, Popoviq, Zaimov etj. Ndërsa grupi i dytë përkrah tezën se shqiptarët janë pasardhës të Ilirëve dhe banorë autoktonë. Për shkak të mosekzistimit të dokumenteve, ata janë bazuar në rezultatet e një vargu disiplinash, si arkeologjia, gjuhësia, etnografia, folklori, antropologjia etj… Më gjerësisht shih: Petrika Thëngjilli, Historia e Popullit Shqiptar – 395 –1875, Botimi Toena, Tiranë, 2000, f. 20.

[6] Shih edhe: The Peoples of Europe- Illyrians, John Wilkes, f. 3. Është shumë me rëndësi dëshmia e tij se, një mijë vite para ardhjes së sllavëve në Ballkan, ilirët kanë banuar në ato troje (pjesa veriore dhe qendrore e Shqipërisë që janë okupuar prej Jugosllavisë). Po ashtu, shih edhe artikullin e gazetës gjermane: Hamburgische coresponents, 15 tetor 1878. (Çfarë kanë të përbashkët me orientalët, kur dihet se janë populli më i vjetër i Ballkanit.) Marrë nga Skënder Rizaj- Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1877-1885, (shtypi Drita – Krushë e Madhe, Prizren, 1998), f. 24. Po ashtu në f. 25, flitet për lashtësinë tonë dhe qëndrimit tonë para çdo sundimi: romak, sllav etj…

[7] Gjergji Gashi, Vatikani dhe Arbëria, Onufri publishing house, Tiranë, 1998, f. 7.

[8] Shih ‘Historia e Popullit Shqiptar’, vëll. I, f. 21.

[9] Fjalor i gjuhës së sotme shqipe, (i hartuar nga një grup autorësh, A. Kostullari etj.), botim i parë, Rilindja, Prishtinë, 1981, f. 1396.

[10] Po ashtu dhe studiuesi N. Malcolm, e ka përmendur në fusnotën e librit të tij, f. 378 (fusnota: 26), se: “është edhe një territor i njohur për gjeografët klasikë si Albania në Kaukaz: disa autorë të hershëm, si p.sh. diplomati francez De Pukvil, supozojnë se shqiptarët e Ballkanit kanë ardhur nga ajo anë, megjithëse nuk ka kurrfarë lidhjesh ndërmjet këtyre dy trevave.” Po ashtu krahaso edhe me: Historia e lashtë e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, Mehdi Frasheri, Phoenix, 2000, Tiranë, f. 64-65. Po ashtu shih: Sami Frashëri, vepra 9 – Personalitete shqiptare në: Kămûs-al-a’lăm, Logos-A Shkup, 1994, Mehdi Polisi, f. 24

[11]  Sami Frashëri, Shqipëria ç’ka qenë, ç’është, e ç’do  të bëhetë, Prishtinë, “Dija”, 1999, f. 17-20.

[12]   Sami Frashëri, Shqipëria ç’ka qenë, ç’është, e ç’do të bëhet, f. 19. Po ashtu shih: J. Swire, Albania-the rise of a Kingdom, Arno Press and New York Times-New York Times-New York,1971, f.(4-5) ribotim

[13] Shih: The peoples of Europe-the Illyrians, Johr Wilkes, f. 3.

[14] Ose gjuhë ariane ose hindogjermane, Mehdi Frashëri, Historia e lashtë e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, f. 52, dhe se shqiptarët i përkasin kësaj fare, e jo semitikëve ose turanëve. Po ashtu shih: Personalitete shqiptare në Kămûs-al-a’lăm, të Sami Frashërit, f. 23-24. Është karakteristike se në këtë vepër Samiu përmend se shqiptarët kane ardhur prej Azisë Qendrore, ndërsa në një libër tjetër përmend: Azia e Vogël, e me sa di unë ekziston një dallim në mes dy Azive…

Samiu përmend edhe mendimin e disa historianëve që pohojnë se shqiptarët kanë ardhur prej një vendi që quhet Albana në Kaukaz-d.m.th. Dagistanit (f. 23, po aty) dhe mendimin tjetër se shqiptarët kanë ardhur prej një fisi nga Arabia (f. 23, po aty). Mirëpo, ai, më pas, përmend studimet e linguistikëve evropianë që kanë bërë studime komperative në mes gjuhës shqipe dhe gjuhëve të tjera ariane ose arianite (po, aty, f. 24).

[15] Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, vëll I, f. 720. Po ashtu, shih: Noel Malcolm,  Kosova një histori e shkurtër, përktheu nga angl. Dr. Abdullah Karjakdiu, Botim i dytë, Koha-Prishtinë, 2001, f. 31.

[16] Për këtë shih edhe: John Wilkes, The peoples of Europe-The Illyrians, (Blackwell Publishers, Ltd, Oxford, UK, 2000), f. 10, ku edhe autori i librit në fjalë potencon qartë rëndësinë e hulumtimit etnik të një populli për arsye se orientimet politike aktuale po zhvillohen mbi ato premisa që një popull mendon dhe beson bindshëm dhe thellë për vetveten.

[17] Po aty, f. 22.

[18] Për këtë shih më gjerësisht Noel Malcolm, Kosova një histori e shkurtër, f. 34.

[19] Sami Frashëri thotë: “…Pa fije dyshimi është konstatuar se ilirët janë gjyshërit e shqiptarëve të sotëm. Janë ruajtur (regjistruar) me saktësi ngjarjet që kanë rrjedhur që dymijë vjet, kurse në këtë kohë nuk mbahet në kujtesë se një popull ka ardhur nga jashtë dhe është vendosur në trojet e shqiptarëve (në Shqipëri)...” Sami Frashëri, vepra 9, f. 27.

[20] Historia e popullit shqiptar, vëllimi 4,  për vitin e katërt të shkollës së mesme të përgjithshme, shtëpia botuese e librit shkollor, ribotim, 2000, shtypshkronja: Guttenberg-Tiranë, f. 7. Po ashtu shih: The Albanians-An Ethnic History from Prehistoric Times to the present, Edwin E. Jacques, Mc Farland and Company, Inc. Publishers Jefferson, North Carolina and London, 1995, f. 28.

[21] M.N.Kosova, f. 41.

[22]Edwin E. Jacques, The Albanians – An Ethnic History from prehistoric Times to the present, Mc Farland & Company, Jnc. Publishers Jefferson, North Carolina and London, f. 39.

[23] Po aty, f. 39. Po ashtu shih: Historia e popullit shqiptar, vëll. I, f. 21. Po ashtu, shih edhe: Sami Frashëri, Personalitete shqiptare në Kămûs-al-a’lăm, f. 25. Dijetari Sami Frashëri e përkrah dhe anon nga kjo ide e pellazgëve dhe mundohet t’i japë një kuptim etimologjik në gjuhën shqipe fjalës ‘pellazg’.

[24] Shih: Albania-A European Enigma, Costa, J. Nikollas, Columbia University Press, New York, 1995, f. 5-6. Po ashtu, shih: Gjergj Gashi, Vatikani dhe Arbëria, f. 7.

[25] Për më gjerësisht shih: Edwin E. Jacques, The Albanians, f. 30. Po ashtu shih: Nicolas J. Costa, Albania-A European Enigma dhe konkludimin e autorit anti-jugosllav Milovan Ajilas, që pohon se: “Shqiptarët janë populli më i lashtë i Ballkanit; ata janë më të lashtë se sllavët dhe grekët”, f. 1. Po ashtu shih: Historia e popullit Shqiptar, vëll. I (grup autorësh), f. 21-46. Po ashtu shih: Kultura kombëtare shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit, M. Pirraku, f. 33.

 

 

Related Stories

Na ndiqni në Youtube

spot_img

Tema të tjera

قضايا دينية، اجتماعية، سياسية معاصرة في ميزان القرآن: قراءة...

قضااي دينية اجتماعية سياسية معاصرة يف ميزان القرآن قراءة حتليلية يف تفسري األستاذ سيد قطب ورقة...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح القاضي مع الأستاذ إغناز غولد:...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث: التجربة الكوسوفية...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث التجربةالكوسوفيةمع الصربنموذج ورقة علمية قدمت في املؤتمر العاملي بعنوان: "...

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام ورقة علمية معدة للندوة العلمية يف امللتقى...

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية د/خيرالدين خوجة(الكوسوفي)

دراسات لأسلوب القرآن الكريم

سلسلة عرض وتقديم أعلام الدراسات القرآنية (3) دراسات لأسلوب القرآن الكريم للشيخ الأستاذ الدكتور محمد عبد الخالق...

Kategoritë më të popullarizuara

Comments