Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe rëndësia e saj historike (1877-1885)

0
986

 

Themelimi dhe formimi i Lidhjes

Si pasojë e Krizës Lindore, Fuqitë e Mëdha evropiane, që tentonin të siguronin pavarësinë e shteteve sllave që ishin fqinje me shqiptarët si p.sh. Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë, Maqedonisë etj., kishin planifikuar Kongresin e Berlinit [1] dhe Marrëveshjen e Paqes së Shën Stefanit,[2] ku ato i kishin vulosur kërkesat e serbëve dhe malazezëve që tokat shqiptare të copëtoheshin dhe t’u dhuroheshin atyre principatave sllave, duke i realizuar kështu synimet e tyre shekullore për okupimin e këtyre vendeve dhe për asimilimin etno-kulturor dhe religjioz të shqiptarëve. Prandaj situata ishte aq e vështirë sa që u vu në pikëpyetje nëse shqiptarët të ekzistonin apo të zhdukeshin nëpërmjet metodave edhe mjeteve që ishin në disponim.

Kur t’i kemi në konsideratë këto rrethana politike dhe ndërkombëtare dhe rrezikun etnik, fetar,[3] gjeografik dhe politik të shqiptarëve, atëherë mundemi ta kuptojmë më mirë rëndësinë e këtij revolucioni të gjithëmbarshëm shqiptar, rëndësinë[4] e kësaj Lidhjeje Shqiptare, vlerën e kësaj rezistence dhe të rebelimit të shqiptarëve ndaj Perandorisë Osmane.

Kjo rezistencë, edhe pse dështoi në realizimin e synimeve të saj dhe u shua nga ushtria e Perandorisë Osmane me metoda dhe mënyra të ndryshme, qofshin ato militare, propaganduese, diskredituese, ideale etj., megjithatë e pati efektin e saj deri-diku dhe, për mendimin tim, nuk ishte e nxitur prej shteteve katolike apo ortodokse si ato rezistencat e mëparshme gjatë shekujve. Po ashtu, kjo Lidhje apo rezistencë kishte deri-diku edhe karakter fetar. Më poshtë do të njihemi me themeluesit kryesorë të kësaj Lidhjeje, me synimet, kërkesat dhe aktivitetet e tyre në pika të shkurtra.

Për historikun e kësaj Lidhjeje, kryesisht do t’i referohem historianit dhe dijetarit shqiptar, Prof. Dr. Skënder Rizajt. Sipas tij dhe sipas disa studiuesve anglezë që ka përmendur ai:

 

“Në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit ka shumë të krishterë si edhe muslimanë. Ata  janë si vëllezër dhe se nuk ka kurrfarë dallimi në mes tyre. Ata, në radhë të parë, janë shqiptarë e pastaj gegë e toskë.”[5]

Për ta arsyetuar disi ekzistencën e elementit të krishterë në themelimin e Lidhjes, prof. Skënderi përmend edhe studiuesin e krishterë libanez, Georges G.,Corn, i cili në disertacionin e doktoratës së tij, të mbrojtur në universitetin e Sorbonës në Paris, me titull: “Bashkësitë multikonfesionale – Multikonfesionalne zajednice,” ka thënë se: “…Lëvizja kombëtare filloi në vitin 1878, e udhëhequr nga personalitetet islame [nga haxhi sheh myderriz Ymer Prizreni] dhe Lidhja e Kuvendit të Shkodrës, e udhëhequr nga personalitete të krishtera [Prenk Bibë Doda]. Ata e shpallën origjinën e vet të përbashkët etnike, me ç’rast ndryshimi fetar ishte i parëndësishëm. Ky zgjim kryesisht shpjegohet me renesancën kulturore dhe gjuhësore, të trimëruar nga veprat e shqiptarëve në diasporë [të SHBA-së, Italisë, e veçanërisht të Egjiptit]. Në atë zgjim, në masë të barabartë, morën pjesë edhe të krishterët edhe muslimanët, të cilët duke i kapërcyer rrethanat e veta fetare e gjetën përsëri përkatësinë të përbashkët etnike…”[6]

Megjithatë, për mendimin tim, ky arsyetim apo argumentim nuk qëndron i fortë për disa shkaqe. Në rend të parë, numri i të krishterëve, në krahasim me atë të muslimanëve, ka qenë shumë i vogël. Kjo është e dëshmuar edhe historikisht. Në rend të dytë, ky informacion u ka shkuar dhe u shkon për shtat historianëve marksist-leninistë dhe historianëve ateistë, qofshin ata nga perëndimi, sikurse ata anglezë, apo nga Libani, sikurse ai studiuesi i krishterë.

Sipas prof. S. Rizajt, elementi i krishterë ka qenë i paevitueshëm në Lidhje, me qëllim që të formohej një forcë më e madhe rezistuese. Edhe kjo dëshmi e kronistit turk Mehmet Ali Ayni, që përmend prof. S. Rizaj, tregon shkakun e lindjes së Lidhjes Shqiptare:

Si pasojë e luftës ruse-osmane (1877), shtetet ballkanike do të zgjeroheshin në dëm të Shqipërisë. Kjo situatë i shtyri shqiptarët të mendojnë për ardhmërinë e vet. Nëse do të rrënohej Perandoria Osmane, cila do të ishte gjendja e tyre? Si do ta pranonin robërinë e grekëve dhe të sllavëve? Prandaj ata formuan Lidhjen Shqiptare, me qëllim që në Shqipëri të formonin qeverinë kombëtare shqiptare dhe  ta shkëputnin Shqipërinë nga qeverisja osmane.” [7]

Pra, si po shihet deri tani, dhe ashtu siç kemi treguar edhe më lart, gjendja e shqiptarëve në përgjithësi rrezikohej prej shteteve fqinje sllave në çdo aspekt. Mirëpo përkundër ekzistimit të elementit të krishterë, duhet të kihet parasysh fakti se numri i atyre personave mund të numërohej me gishta. Prandaj elementi i krishterë duhet të merret në një dimension shumë të ngushtë, sepse vetë historia e së kaluarës së tyre dëshmon për këtë bashkëpunim të vogël dhe të ngushtë me shqiptarët muslimanë.

Po ashtu, ai përmend edhe raportin e konsullit anglez në Prizren, St. Johan, në të cilin thuhej: “Komiteti i Lidhjes Shqiptare, i përbërë nga 36 anëtarë, prej të cilëve 2/3 janë klerikë muslimanë (myderrizë, myftilerë, kadilerë), dje mbajtën mbledhjen ku përpiluan peticionin për Sulltanin në lidhje me formimin e republikës shqiptare… Në këtë republikë, të gjithë banorët, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare, do të jenë të barabartë dhe nuk do të lejohet që t’u bëhet asnjë zullum të krishterëve…”[8]

Për rëndësinë historike që ka peticioni i shqiptarëve, jam i mendimit që ai të shënohet më poshtë. Aty thuhet:

Populli shqiptar, në memorandumin e vet, në mars të vitit 1878, ndër të tjera, ka nënvizuar se në qoftë se Evropa do ta miratojë vetëvendosjen e sllavëve për shtete të pavarura apo autonome, është e qartë se shqiptarët nuk mund të kënaqen me një administrim aq të kalbur dhe të keq, siç është ai në të cilin kanë qenë gjer me sot. Ata janë të bindur, në të njëjtën mënyrë sikurse edhe shtresat e tjera të perandorisë, se pushteti osman s’do dhe as që ka mundësi t’u japë atyre një gjë më të mirë… Po qe se, pra, Bullgaria, Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, do të shkëputen pak a shumë nga Perandoria dhe do të vetëvendosin si të dëshirojnë, për sa u përket interesave të tyre nacionale, nuk ka asnjë arsye që t’i detyrojnë shqiptarët që të heqin dorë nga përparësitë e një qeverisjeje autonome apo nga dëshira për të parë depërtimin e një rrezeje të qytetërimit në atdheun e tyre, të cilin injoranca dhe keqpërdorimi e kanë mbështjellë në hijen e mjerimit dhe të degradimit… Të gjithë shqiptarët kanë vendosur t’i këpusin zinxhirët që i kanë lidhur me Perandorinë Osmane dhe kërkojnë një qeveri të ndarë, e cila do të jetë në harmoni me kërkesat dhe traditat e tyre; ata kërkojnë të drejtën për të hyrë në gjirin e familjes së madhe evropiane së cilës i përkasin për nga raca dhe farefisnia…”[9]

Shpresoj se në fund të këtij vështrimi, lexuesi do të ndahet i kënaqur me punën tonë. Nëse ia kemi qëlluar, kjo është nga Allahu Fuqiplotë, e nëse nuk ia kemi arritur qëllimit tonë, kjo është pasojë e mendimit tonë dhe e lusim Allahun për falje.

 

B-Rëndësia e Lidhjes

Për rëndësinë[10] e madhe historike, politike dhe fetare që ka kjo Lidhje, do të ndalemi më gjatë se sa për ngjarjet e tjera.

Si pasojë e Tanzimatit[11] administrativ shtetëror në Perandorinë Osmane ishte edhe krijimi, formimi dhe themelimi i kësaj Lidhje Shqiptare, me seli në Prizren. Kjo Lidhje erdhi si reagim i shqiptarëve ndaj qeverisë osmane që kishte marrë tatëpjetën e saj dhe, po ashtu, për shkak se çështja e identitetit shqiptar kishte arritur kulmin e rrezikut: të ekzistonte ky popull apo jo?

Është e udhës të shohim se çka na thotë studiuesi Dr. Ismail Bardhi rreth rrethanave dhe planeve ndërkombëtare në kohën kur u formua kjo Lidhje. Siç thamë më lart pyetja ishte se:

“…Të ekzistonte ky popull apo jo? Shumë strategë të ndryshëm, psikologë, sociologë, politikanë etj., janë marrë me shkrime për çështjet e shqiptarëve në Ballkan…Në dekadencën dhe tatëpjezën e Perandorisë Osmane, padrejtësi e madhe u bë muslimanëve, si në aspektin gjeografik, ashtu edhe politik. Një ndër padrejtësitë kryesore ndaj shqiptarëve ka qenë edhe ajo në fund të shek. të XIX-të  në konferencën e Berlinit, ku ata u konsideruan si turq për shkak të përkatësisë së fetare islame. Kjo konferencë ishte si parapërgatitje për spastrimin e shqiptarëve prej territoreve të tyre, ashtu si janë spastruar muslimanët nga vendet e tjera. Kështu, në Konferencën e Londrës, u mor vendimi që trojet shqiptare të ndahen mes disa shteteve fqinje. Një pjesë e trojeve iu dha Greqisë,[12] një pjesë Maqedonisë, një Serbisë, një Malit të Zi, ndërsa vetëm një pjesë mbeti e banuar në Kosovë, dhe kjo e fundit u desh të jetë përbrenda mbretërive serbe-jugosllave. Në konferencën e Varshavës, më 1919 dhe të Parisit, kjo çështje u bë më shumë evidente. Po ashtu edhe me konferencën e Dejtonit shqiptarët u lanë anash…Sa herë që shqiptarët kanë tentuar të bashkohen me ndihmën dhe përkrahjen e të huajve, ata i ka goditur tragjedia dhe dëmi i madh[13]

Me historikun e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila ishte edhe organizatë politiko-ushtarake, parti politike, lëvizje kombëtare shqiptare etj.,[14] janë marrë shumë studiues shqiptarë dhe të huaj. Mirëpo mua më ka pëlqyer studimi dhe monografia e Prof. Dr. Skënder Rizajt, me të njëjtin titull (Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1877-1885), për shumë arsye, e ndër to veçojmë:

1-Se autori, gjatë ish-Jugosllavisë, në kohën e Titos, ka qenë një prej profesorëve, këshilltarëve, osmanologëve më të njohur dhe më të mëdhenj të Kosovës dhe të botës shqiptare (dhe është ende).

2-Se autori është njohës i mirë i disa gjuhëve dhe sidomos asaj të osmanishtes. Fakti tjetër është se ai ka punuar një kohë të gjatë (dhe ende punon me sa di unë) në arkivin qendror të Stambollit. Po ashtu, ai iu është referuar arkivave të ndryshëm botërorë dhe është konsultuar me burime të ndryshme të publikuara dhe të papublikuara osmane, angleze, gjermane, frënge, serbe, ruse, italiane dhe shqiptare. [15]

 

C-Faktorët që ndikuan në lindjen  dhe veprimtarinë e saj

Sipas S. Rizajt, në formimin dhe veprimtarinë e Lidhjes kanë ndikuar katër faktorë kryesorë:

  1. Konfliktet dhe interesat e fuqive të mëdha imperialiste, në dëm të interesave shqiptare
  2. Reformat politiko-shoqërore administrative të pushtetit qendror të Perandorisë Osmane, në dëm të interesave shqiptare
  3. Dëbimi me dhunë i një numri të madh të shqiptarëve nga vatrat e tyre
  4. Nevoja e domosdoshme për pavarësi apo autonomi…etj. [16]

Në fund besoj[17] që ky prezentim i thuktë i historisë sonë antike dhe moderne nga këto këndvështrime islame, ojektive, shkencore, globale, metodologjike na mjafton për argumet që kjo histori është e sëmurë, pa vlerë, jo objektive, një anshme…etj, dhe se dëmshpërblimi i këtij ushqimi akademik të helmuar për gjeneratat që kanë shkuar është: që kjo histori të rishkruhet rishtazi, tekstet shkollore dhe univerzitare të përpilohen rishtazi nga fillimi i kapitullit të parë gjer në halkën e fundit të saj. Përndryshe; këtë gabim shkecor, akademik, politik dhe fetar; nuk da ta fal populli shqiptar, e as Allahu i Lartëmadheruar, në këtë jetë e as në Ahiret-botën tjetër.

Në fund të këtij studimi lus Allahun Fuqiplotë që këtë vepër ta pranoje nga unë dhe shpërblimin e saj të ma reservojë për atë ditë-Ditën e Gjykimit- kur nuk do të ket dobi dhe vlerë asgjë te Allahu xh.sh, në përjashtim të veprave të sinҫerta dhe atyre robërve të Tij që kanë qenë të sinqertë dhe me zemër  të bardhe e të pastërt. Amin

 

Doc.Dr.Hfz.Hajredin Hoxha
Vështrim islam rreth faktorit fetar në historinë shqiptare moderne dhe antike


[1] Këtë e vërteton edhe studiuesi serb Branislav Nushiq, i cili thotë: “Më 1878, me rastin e përfundimit të marrëveshjes së Berlinit, shqiptarët ngritën krye sepse në atë marrëveshje ishte dashur të zvogëlohej toka e tyre: një pjesë Serbisë, një pjesë Malit të Zi, një tjetër Greqisë…” S. Rizaj, f. 109.

[2] Rreth themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Traktatit të Shën Stefanit shih edhe: Historia e Shqipërisë, vëll. 2, f. 197-209.

[3] Frika nga sllavizmi dhe serbizmi që u kanosej shqiptarëve me besimin musliman dhe katolik. S.  Rizaj, f. 108.

[4] Rreth lojërave të shteteve të mëdha evropiane dhe tregtisë së tyre me tokat shqiptare në Kongresin e Berlinit, shih edhe: Tajar Zavalani, Historia e Shqipërisë, (Phoenix, Tiranë, botimi i 2-te, Soros- Mendimi Shqiptar), f. 170.

[5] S. Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, f. 20;  T. Zavalani , Historia e Shqipërisë, f. 175

[6] S. Rizaj, f. 24

[7] S. Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, f. 115; marrë nga Mehmet Ali Ayni, Milliyetcilik, f. 279-280.

[8] Po aty, f. 27.

[9] S. Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, f. 24; marrë nga: The Public Record Office, London, F.O. 78/2784: The British Library, London, AAP(38)LXXXII, 298-302

[10] Shih: Muslim Identity and the Ballkan State, f. 142-143.

[11] Mehmet Maksudoglu, Ottoman History…, f. 344.

[12] Fanariotët grekë, për shekuj me radhë, e kanë keqpërdorur patriarkanën e Stambollit për t’i helenizuar popujt e tjerë jo ortodoksë, si shqiptarët, romët, vllahët etj., sepse kjo patriarkanë e kontrollonte sistemin e mileteve në Perandorinë Osmane…Shih Muslim Identity and the Balkan State, f. 17. Për masakrat, gjenocidin, grabitjen dhe plaçkitjen e pasurisë së muslimanëve shqiptarë në Greqi, deportimin masiv të tyre, fushatat e pushtetarëve shqiptarë athino-fanaritë, vërshimin masiv të të krishterëve grekë mbi tokat e shqiptarëve muslimanë në Çamëri, Janinë, Pogon, Konicë etj. rekomandohet të lexohet libri i historianit dhe studiuesit shqiptar musliman nga Çamëria, Ibrahim Daut Hoxha, me titull: Viset kombëtare shqiptare në shtetin grek, (Shtëpia Bot. Hasan Tahsini, Bot. i parë,Tiranë, 2000), të cilin e pata nderin ta vizitoja në shtëpinë tij modeste, në Tiranë, së bashku me Dr. Ramiz Zekaj, më datën 15.08.2001. Më ka lënë përshtypje të madhe në zemër dhe në mendje për atë dituri, histori, moral dhe mikpritje të shqiptarit musliman që kishte. Allahu e shpërbleftë, i ndihmoftë dhe më mundësoftë që të përfitoj më tepër prej diturisë së tij herëve të tjera kur ta vizitoj in sha’Allahu Teala.

[13] Më gjerësisht shih artikullin e lartpërmendur në internet në gjuhën angleze: Brief Survey of the Religious Situation and Games within the Albanian Ethnicum, në: www.http://msanews.mynet.net

[14] S. Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, f. 107.

[15] S. Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, f. 8.

[16] Po aty, f. 8.

[17]  Kritikat objektive jo tendencioze, jo efenduese, te bazuara në fakte historike dhe logjike, të histories së përgjithshme njerzore, shqiptare dhe asaj islame; janë të mirseardhura dhe I marim parasysh dhe përfitojmë nga ato. Ne këtë prezentim të shkurtë nuk e kemi ndjek rrugen e ofendimve personale apo fetare në mënyrë paushalle. Ҫdo mendim, fakt historik e kemi bazuar në referenca përkatëse dhe kjo ështe mjaftë e  pranueshme shkencërisht dhe akademikisht. As profeti Muhamed a.s. nuk ka shpëtuar nga kritikat.