Doktrina ideologjike sunnite shoqërore reformuese në tefsir, e personifikuar në mendimet e hoxhës dhe mendimtarit HAFIZ ALI KORÇA

0
684

 

Doktrina ideologjike reformiste tek intelektualët shqiptarë ka qenë fenomen origjinal dhe i përhapur. Kjo doktrinë fetare reformiste që ishte formuar gjatë kohës së pushtetit osman, kishte depërtuar edhe në tokat shqiptare e boshnjake dhe në tërë Ballkanin, gjë që vërehet qartë në tefsirët, shkrimet dhe përkthimet e librave dhe artikujve që shqyrtonin çështje të kohës, dhe ide të mendimtarëve të njohur që kryesonin shkollën reformiste intelektuale, si p.sh., Shejh Mustafa Meragi, shkrimtari i njohur Muhamed Ferid Vexhdi, Shejh Xhemaludin Afgani, Shejh Reshid Rida, etj.

Arsyeja e përhapjes së këtij fenomeni intelektual fetar te shqiptarët qëndron në faktin se një numër bukur i madh i tyre kishte studiuar fenë në  Al Az’har dhe në Indi, duke filluar që nga gjysma e dytë e shek. XIX e deri më sot. Një numër bukur i madh shqiptarësh dhe boshnjakësh kanë diplomuar në ato vende të lartëpermendura, dhe kontakti këtyre studentëve me profesorët e tyre, ka ndikuar që të bien nën ndikimin e mendimeve dhe ideve të tyre, dhe një gjë e tillë është plotësisht normale, ngase siç dihet, studentët janë nën ndikimin e profesorëve të vet, ashtu siç janë fëmijët nën ndikimin e prindërve. 

Ndikimi i shqiptarëve nga metoda e shkollës reformiste intelektuale ishte shumë i madh, saqë nëse i hedh një vështrim të shpejtë natyrës së hulumtimeve dhe artikujve të shkruar e të botuar nëpër revistat shqiptare islame që botoheshin edhe nga Këshilli i Lartë i Çështjeve Islame në Shqipëri në fillim të shek. XX, do të vëresh se ata shqyrtonin probleme dhe çështje fetare e të rëndësishme që ishin aktuale në kohën e tyre, si p.sh.: Çështja e ekzistimit të Zotit të Madhërishëm, çështja e nevojës për fe dhe devotshmëri, çështja e qytetërimit dhe civilizimit islamik, çështja e ballafaqimit me sfidat evropiane, çështja e emancipimit të gruas dhe aktivizimi i saj në punë e funksione, çështja e të drejtave të njeriut në shoqëri, çështja e laicizmit dhe ndarjes së fesë nga shteti, çështja e tolerancës fetare dhe solidaritetit në mes ithtarëve të feve dhe popujve të ndryshëm, çështja e ateizmit, komunizmit, kapitalizmit, socializmit, etj.

E tërë kjo na bën që të bindemi se lëvizja fetare reformiste kishte depërtuar në trurin dhe në zemrat e dijetarëve shqiptarë në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX. Në këtë studim nuk mund të flasim për aktivitetet dhe mendimet e të gjithë dijetarëve shqiptarë, por do të mjaftohemi që në këtë kapitull të studiojmë vetëm një shembull konkret, i cili konsiderohet prijës i njohur shqiptar i shkollës reformiste, e që ka ide të qarta të shkollës racionale reformiste, qoftë në ligjërata, në shkrime fetare apo në tefsirin e tij. Tefsiri i tij në tërësi është zhdukur dhe ka mbetur vetëm një pjesë prej tij, ndërsa disa punime të tij mjerisht janë djegur. 

Falënderoj Zotin e Madhërishëm që pata mundësi të gjej një pjesë të tefsirit të këtij dijetari të shquar shqiptar dhe ta studioj në këtë disertacion. Prijësi i kësaj doktrine është, siç thash edhe më parë, dijetari dhe hoxha i njohur Hafiz Ali Korça (Zoti e mëshiroftë!). 

Hoxhë Hafiz Ali Korça konsiderohet personalitet i njohur shkencor me njohuri të mëdha kulturore, poet, letrar, shkencëtar, komentues i Kur’anit, trim dhe një ndër dijetarët e mëdhenj shqiptar që jetuan në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe në gjysmën e parë të shek. XX. Ai kishte harmonizuar aktivitetet politike e fetare pa bërë ndonjë dallim në mes fesë, politikës dhe interesit shtetëror.

Biografia e Hoxhës

Hoxhë Hafiz Ali Iljaz Kadiu, i njohur si Hafiz Ali Korça, mbiemër të cilin e mori sipas qytetit të Korçës, u lind në vitin 1873, diku thuhet në vitin 1870, në Korçë, në Jug të Shqipërisë. Ai rrjedh nga një familje fetare e intelektuale që i donte dijetarët dhe shkencën, dhe për këtë edhe vetë vazhdoi rrugën e prindërve dhe gjyshërve të tij në shkencë dhe dituri. 

Qyteti i Korçës ka luajtur rol të madh në shek. XIX në sferën ekonomike, edukative e letrare në mbarë Shqipërinë, ngase ka pozitë mjaft të rëndësishme gjeostrategjike në jug-perëndim të vendit, që e lidhë Shqipërinë me Greqinë dhe Ballkanin në përgjithësi. Në këtë qytet u hap edhe shkolla e parë shqipe që punonte me alfabetin latin dhe ishte qendër e aktivistëve politikë shqiptarë, që punonin në Rumani, Bullgari e vendet tjera fqinjë. 

Shteti grek i krishterë, Korçën e konsideronte si qendër të saj për përhapjen e misionarizmit dhe kolonializmit helmues kundër kulturës islame shqiptare, në këtë qytet p.sh. Greqia kishte 126 shkolla misionare krishtere, ashtu siç kishte edhe në qytetin tjetër shqiptar të Beratit. Zoti i Madhërishëm deshi që ky dijetar u lind në këtë qytet që t’iu kundërvihet dhe t’i mjerojë jobesimtarët.

Sa i përket kohës në të cilën jetoi, disa burime konfirmojnë se hoxhë Hafiz Ali Korça, ka jetuar në kohën e lëvizjes dhe zgjimit kombëtar shqiptar. Lëvizja letrare islame shqiptare ishte në kulmin e vet, por e margjinalizuar nga elita intelektuale komuniste, të cilët nuk i jepnin fare rëndësi pasurisë së tillë shkencore.

Nga personalitetet që krijuan studime letrare të ndryshme në gjuhën shqipe, perse, turke e arabe në mërgim ishte hoxhë Hafiz Ali Korça. Biografia intelektuale e hoxhë Hafiz Ali Korçës ishte e pasur me ngjarje të rëndësishme. Ai, tërë jetën ia kishte kushtuar rrugës së Zotit dhe rrugës së çlirimit të vatanit nga kolonializmi. Ai thërriste me zë të lartë dhe ftonte në rëndësinë e formimit të vetëdijes fetare islame dhe kombëtare, në rikthimin e të drejtave të vjedhura e të humbura dhe në lirinë fetare krahas lirisë atdhetare dhe pavarësisë nga dora e kolonizatorit. Kërkesa për liri fetare dhe liri të shtetit ishte pjesë e aktiviteteve të të gjithë hoxhallarëve shqiptarë në kohën e re deri më sot, dhe kjo vërehet qartë në shkrimet, ligjëratat dhe artikujt, si në të kaluarën ashtu edhe sot.

Arsimimi

Në mesin e valëve të tilla politike e fetare, u lind, u zhvillua, u arsimua dhe u formua personaliteti i hoxhë Hafiz Ali Korçës (Zoti e mëshiroftë!). Kur’anin Fisnik përmendësh e mësoi në moshën dymbëdhjetë vjeçare. Burimet historike nuk përmendin emrin e atij që ia mësoi hifzin e Kur’anit Fisnik. Me mësimin e hifzit të Kur’anit filloi hapat e parë në drejtim të Islamit. Mësimet fillore i kreu në vendlindje, ndërsa studimet universitare i vazhdoi në Universitetin e Stambollit, ku edhe i mësoi shkencat islame, gjuhët orientale, gjegjësisht gjuhën arabe, perse, turke dhe frënge. Gjatë qëndrimit të tij në Stamboll, mësoi nga literatura themelore arabe, perse e turke dhe u mahnit nga mendimet e filosofëve dhe letrarëve të mëdhenj, siç ishin p.sh.: Ibn Rushdi, Ibni Sinâ, Ibn Rumi, Omer Hajami dhe letrari persian Saa’di Shirazi, etj. Ai i studionte veprat e tilla dhe furnizohej me të dhëna intelektuale e trashëgimore kulturore. 

Hoxhë Hafiz Ali Korça gjatë qëndrimit të tij në Universitetin e Stambollit, kishte rënë nën ndikimin e njerëzve të tillë të mëdhenj nga atmosfera e re shkencore që mbizotëronte aty, e cila dukshëm ndikoi në formimin e personalitetit të tij edhe në ngritjen e nivelit të tij.

Familja

Familja e hoxhë Hafiz Ali Korçës ka jetuar në qytetin e Shijakut, Shqipëri. Ai ka pasur pesë djem dhe dy vajza. Djali më i madh që quhej Mexhdudin dhe i dyti Bahrudini vdiqën që në moshën e rinisë në një aksident, ndërsa djali i tretë Iljazi, i cili kishte kryer shkollën fetare në Tiranë, ishte dënuar me 25 vjet burg në kohën e diktatorit komunist shqiptar, Enver Hoxha, por pas kalimit 15 vjet në burg lirohet në vitin 1968 dhe vdes pas disa vitesh, përkatësisht në vitin 1975. I biri i tij Iljazi ishte trashëgimtar i vërtetë i diturisë së hoxhës Hafiz Ali Korça, por deshi Zoti që të mos jetojë gjatë. Djali i tij i katërt, Salahudini kishte kryer Akademinë Ushtarake në Itali dhe kishte punuar si mësues në Oborrin Mbretëror Shqiptar, përkatësisht si instruktor i oficerëve të rinj.

Pas luftës së Dytë Botërore, kishte dhënë dorëheqje nga kjo punë dhe në vitin 1944 u dënua me vdekje, ndërsa pas vdekjes, ish presidenti i Shqipërisë e dekoroi pas me titullin “ Dëshmor i demokracisë ”. Salahudini kishte një fëmijë që quhej Mexhdudin, i cili aktualisht jeton në ShBA. Djali i tij i pestë, Alaudini, po ashtu kishte diplomuar në Akademinë Ushtarake në Romë dhe ishte kthyer në Shqipëri me ftesë të babait, për t’i shërbyer vendit dhe t’ua mësojë bashkëvendësve të vet parimet ushtarake, por pas një kohe edhe ky u kap nga pushteti komunist dhe u dënua me katër vite burgim, dhe pas daljes nga burgu vdiq në vitin 1982. Njëra vajzë e hoxhës jetoi në Tiranë, ndërsa tjetra në Durrës.

Pozitat shkencore dhe fetare

  1. I është ofruar ftesë zyrtare për pritjen e Princ Vidit, kur erdhi nga Austria në vitin 1914 për t’u bërë Mbret i Shqipërisë. Hoxhë Hafiz Ali Korça lexoi fjalën përshëndetëse në frëngjisht me rastin e ardhjes dhe caktimit të Mbretit të ri.

 

Princ Vidi

  1. Në vitin 1916 u caktua Drejtor i Arsimit për disa qytete të mëdha në Shqipëri.
  2. Nga viti 1918 deri në vitin 1924 ka qenë Kryetar i Këshillit Suprem Islamik në Shqipëri.
  3. Nga viti 1924 deri në vitin 1949 punoi arsimtar në shkollën e madhe fetare të Tiranës (Medresenë), ku ligjëroi lëndët: gjuhë arabe, tefsir, logjikë, dhe disa lëndë tjera.
  4. Nga viti 1924 deri në vitin 1938 punoi vetëm në tefsirin e Kur’anit Fisnik për revistën islame shqiptare “Zani i Naltë”, dhe konsiderohej komentues i vetëm në atë kohë.
  5. Nga viti 1949 deri në vitin 1959 qëndroi në internim dhe punoi fshehurazi arsimtar në qytetin e Kavajës.
  6. Punoi këshilltar i Ministrit të Arsimit në Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë.

 

Pasojat nga ktivitetet patriotike e politike

Hoxhë Hafiz Ali Korça rrëfen disa ngjarje nga jeta tij dhe thotë se shumë herë ka përjetuar maltretime. Këtu do të rrëfejmë vetëm një ngjarje, për shkak të natyrës së kufizuar të këtij punimi. 

Ditën e hënë, më 18. 02. 1910, në orët e paraditës, ishin tubuar një grup i madh njerëzish (sipas një verzioni afro 12.000) dhe kanë filluar ta gjuajnë shtëpinë e tij me gurë, për shkak të disa qëndrimeve të tij kombëtare, që nuk përputheshin me xhonturqit, të cilët përpiqeshin ta ringjallin doktrinën nacionaliste turko-osmane dhe të cilët mendonin se çdo banor i shtetit konsiderohet osmanli, dhe në këtë kontekst të gjithë konsideroheshin osmanlinj. Kjo lëvizje e nxitur dhe përkrahur nga hebrenjtë cionistë, synim të vetëm kishte rrëzimin e shtetit osman. S’ka dyshim se ky qëndrim krijoi reaksion nga elita intelektuale shqiptare dhe nga elita fetare.

Hoxhë Hafiz Ali Korça rrëfen se kishte njerëz që e kritikonin atë, por në të njëjtën kohë kishte edhe njerëz që e përkrahnin dhe që e ndihmonin, saqë një ditë ithtarët dhe simpatizuesit e tij e kanë hipur mbi kalë dhe kanë filluar të bërtasin:

”Rroftë gjuha shqipe dhe rroftë i ati i gjuhës shqipe!”

Pas një kohe të shkurtër disa intelektualë mbajnë fjalime, e pastaj i vjen radha që të mbajë fjalim edhe hoxhës, Hafiz Ali Korça, dhe ky, pasi e përfundoi fjalimin, i lutet Zotit të Madhërishëm në tri gjuhë: Në arabisht, turqisht dhe shqip, pastaj i falënderohet Zotit për të mirat që ia ka dhënë dhe për krijimin e popujve të ndryshëm, që flasin gjuhë e dialekte të ndryshme, dhe më tej vazhdon duke thënë se kjo nuk nënkupton që ne ta urrejmë arabishten, ngase në gjuhën arabe mësojmë Kur’anin, por pasi që me ligjin e ri të Turqisë të shpallur në vitin 1908, lejohet një gjë e tillë, atëherë edhe ne me padurim dhe me gëzim të madh do ta mësojnë gjuhën tonë amtare dhe alfabetin, dhe nuk ka asnjë forcë që mund të na pengojë në këtë çështje. 

Pas kësaj pushteti osman fillon ta akuzojë Hafiz Aliun si latinxhi, përkatësisht si hoxhë perëndimor, apo me mendime vesterniane, në kuptimin e sotshëm, ngase në raport me alfabetin arab sipas tyre, Hafizi preferonte alfabetin latin, të cilin e përdorim edhe sot. Për këto qëndrime të tij, ai kërcënohej me vrasje dhe internim, por ai shumë herë, nuk hezitonte t’ua sqaroj faktin se çdo gjuhë ka karakteristikat dhe rregullat e veta, dhe meqë gjuha shqipe është gjuhë indoevropiane, atëherë edhe ajo duhet t’i ketë edhe karakteristikat e veta dhe kjo gjë, nuk ka të bëj fare me rrëzimin e halifatit ose me distancimin nga ai. Shkronjat e gjuhës janë instrumente shkrimi, nuk janë as besimtarë e as jobesimtarë, ashtu sikur nuk mund të trajtohen as si muslimanë e as si jomuslimanë.

Çështja e alfabetit latin shqiptar ka pasur dimensione politike, fetare e edukative për të gjithë shqiptarët e të gjitha feve. Unifikimi i gjuhës shqipe, kishte rëndësi të madhe si për hoxhallarët, ashtu edhe për disa shqiptarë muslimanë dhe të krishterë, që jetonin në egzil, përkatësisht në vende të ndryshme të botës, si në Rumani, Bullgari, Greqi, Turqi, ShBA, etj. Zgjimi shqiptar në atë periudhë kishte për qëllim bashkimin e shqiptarëve të ndarë nëpër botë dhe i ftonte që të rikthehen në vendlindje për shpëtimin e Shqipërisë nga copëtimi dhe ndarja nga shtetet fqinje. Situata dhe rrethanat politike në të cilat jetonin shqiptarët, nuk premtonin shpresa të mira për shkak të ambicieve gllabëruese të shteteve të fuqishme.

Ky ishte edhe shkaku dhe arsyeja më kryesore sipas historianëve të njohur shqiptarë, që i shtyu hoxhallarët të pranojnë alfabetin latin, ngase, në të kundërtën ata edhe më tej do ta kishin përdorur alfabetin arab në shkrimin e gjuhës shqipe pa kurrfarë problemi, kjo gjë vërtetohet me faktin se letërsia shqipe islame sufiste dhe sunite gjatë shekujve XVIII dhe XIX është shkruar me alfabetin arab, ngase njerëzit e njihnin dhe shkruanin në këtë alfabet në mënyrë krejtësisht të rëndomtë. Kolonializmi perëndimor evropian dhe sllav ishte ai që i nxiti intelektualët të ringjallin idenë e alfabetit latin si hap i parë për shkatërrimin e Islamit dhe devijimin e Kur’anit, duke u përqëndruar në përdorimin e dialekteve në vend të gjuhës letrare, dhe një gjë e tillë vërehet mjaft qartë, në shkrimet e hershme dhe të vonshme të disa orientalistëve bashkëkohorë.

Qëndrimi i studiuesit dallon nga ata që vendosën të pranojnë alfabetin latin në vend të alfabetit arab i cili njëherit ishte alfabeti i Kur’anit Fisnik dhe Hadithit të Pejgamberit a.s.(Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) Përveç kësaj, me plot të drejtë shtrohet pyetja: Çfarë e dëmtoi Japoninë, Kinën, Tajvanin, Korenë dhe shtetet e tjera në rrugën e tyre drejt progresit dhe zhvillimit industrial e teknologjik, kur dihet se këto shtete akoma sot e kësaj dite vazhdojnë të përdorin alfabet interesant që ka simbole të posaçme dhe një intonacion që i ngjanë alfabetit arab?! 

 Sipas mendimit tim, pa marrë parasysh se çfarë forme ka alfabeti, ai, nuk mund ta pengojë kursesi progresin, por në fakt ekzistojnë faktorë tjerë konkretë dhe abstraktë që çojnë popujt kah progresi e përparimi ose kah prapambetja dhe regresi.

Reagimi ndaj akuzës për ndarje nga halifati osman

Hoxhë Hafiz Ali Korça është akuzuar për aktivitetet e tij kombëtare patriotike dhe për pranimin e alfabetit latin, dhe kinse ai është përpjekur të ndahet nga halifati osman. Mirëpo, akuza e tillë ndaj hoxhës nuk është e vërtetë për disa arsye:

  1. Shejh Hafiz Ali Korça kategorikisht refuzonte këtë akuzë, sidomos ndarjen nga kalifati osman, madje kjo vërehet qartë edhe në reagimin e tij kundër guvernatorit, Talat Pasha, i cili kishte mendim të ngjashëm me të akuzuesit. Në këtë kontekst, Hafizi i thotë: “Shqipëria ka ofruar dhe flijuar shumë burra dhe trima për shtetin osman dhe asnjëherë nuk dëshiron të ndahet”.
  2. “Populli shqiptar është i zhytur në injorancë dhe analfabetizëm dhe për të dalë nga kjo injorancë e të mësojë, duhet ta pranojmë këtë alfabet”. Në këto fjalë guvernatori, Talat Pasha, reagon duke i thënë: “Shqiptarët e njohin gjuhën turke dhe s’kanë nevojë për gjuhën shqipe”; në çka hoxhë Hafiz Ali Korça reagon: “Si mund të përparojë e të lulëzojë një popull që s’ka gjuhë, dituri, industri, e pasuri? Turqia s’ka dobi prej një populli që jeton jetë mizore e të egër në xhunglat e Afrikës. Nëpërmes këtyre shkronjave, mësimit të gjuhës dhe shkencës populli mund të përparojë e ta shpëtojë veten dhe të tjerët”.

Ekziston edhe një arsye tjetër që hoxhën e ka shtyrë të pranojë një gjë të tillë, dhe kjo qartë vërehet në veprat e tij. Sipas tij, Shqipëria është vend me disa fê dhe kombe, dhe për të mbizotëruar toleranca fetare dhe paqja në mes njerëzve, për t’i mënjanuar faktorët që krijojnë urrejtje e përçarje në mes feve të ndryshme, përkatësisht në mes të krishterëve ortodoksë e katolikë dhe muslimanëve, si dhe për t’u larguar nga nxitjet e tilla fetare në mesin e të gjithë banorëve, ai preferoi që në Shqipëri të ketë një alfabet që i bashkon të gjithë.

Qëndrimi i tillë i Hafiz Ali Korçës vërehet qartë edhe në dialogun e tij me Ministrin osman për Arsim në Shqipëri, guvernatorin, Emrulla Beu. Burimet historike theksojnë se Ministri i ka thënë atij: “Ju, nëpërmes kësaj kërkese dëshironi ta braktisni Kur’anin Fisnik e të largoheni nga gjuha turke dhe kështu do t’i lini fëmijët tuaj pa fe (ateistë)”. Në këto fjalë Hafiz Aliu ka replikuar:

“Asnjëherë, ne kurrë nuk do të largohemi nga Kur’ani, e as nga gjuha turke, e nëse dëshironi ta fusni  këtë ligj në kodeksin e ri ligjor të Kushtetutës e shtetit, futeni. Nëse hapen shkolla shqiptare në Shqipëri, ju do të mund t’i kontrolloni shkollat, mund të dërgoni inspektorë, e nëse zbulohet se në ndonjë shkollë nuk mësohet as Kur’ani e as gjuha turke, mbylleni atë menjëherë”.

Pastaj hoxhë Hafiz Ali Korça vazhdon e thotë se i ka dërguar një letër Shejhul-Islamit, me të cilën e ka informuar për dialogun në mes tij dhe ministrit të arsimit, dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar prej Shejhul-Islamit që t’i bindë dy guvernatorët Talat Pashën dhe Enver Pashën për një gjë të tillë. Dhe vërtetë, Shejhul-Islami kishte biseduar me Talat Pashën dhe e kishte bindur, ndërsa Enver Pasha kurrë nuk ishte bindur për një gjë të tillë. Shejhul-Islami i kishte dhënë përkrahje të plotë Hafiz Ali Korçës, dhe e kishte nxitur që të shkruajë artikuj e t’i botojë në gazetat turke, ngase ai ishte habitur me stilin e bukur të shkrimeve të tij për lexuesit…

Qëndrimi i tij ndaj kësaj çështjeje të ndjeshme vërehet qartë dhe dukshëm në vargjet poetike:

“Shkronjat ngjyrë feje s’kanë, vegla për të shkruar janë;

Gjuha me çdo shkronja shkruhet, kjo hallall kjo haram s’thuhet

Kot e bëni vegël fenë, na turbulloni atdhenë…”

Mendoj se kjo që u tha deri më tash mjafton për të argumentuar se qëllimi i hoxhë Hafiz Ali Korçës nuk ishte të ndahej nga pushteti osman, as të demonstrojë kundër këtij shteti dhe e as të braktisë mësimin e Kur’anit Fisnik. Qellimi i tij reformist ishte pranimi i alfabetit latin për shqiptarët.

Vdekja

Shejh Hafiz Ali Korça jetoi në internim në qytetin e Kavajës, Shqipëri, ku edhe u sëmur nga ethet të shoqëruara me dhimbje të forta, derisa vdiq më 31.12. 1956. (Zoti e mëshiroftë!) Xhenazen e tij e ka larë dhe ia ka falë në prezencën e shumë besimtarëve muslimanë, nxënësi i tij, ish Kryetari i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, hoxha i nderuar Haxhi Hafiz Sabri Koçi (Zoti e mëshiroftë ).

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE
(SHEK 19-20)