Shqyrtimi i disa çështjeve të mëdha akaidologjike në tefsirin e Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut si dhe sqarimi i qëndrimit të tij ndaj tyre

0
519

Komentuesit dhe problemi i komentimit ( El Muev-vilune ve Ishkalijetu – Ta’vijl )

Para se ta shtjellojmë këtë çështje të ndjeshme akadiologjike, dhe para se të sqarojmë qëndrimin e Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut ndaj këtyre çështjeve përmes shembujve konkretë që theksohen në tefsirin e tij, e që përputhen me doktrinën e tij maturidite, them se ne duhet të mbështetemi në fjalën e Zotit të Madhërishëm dhe në Sunnetin e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe në fjalët e dijetarëve të mëdhenj për ta kuptuar të vërtetën e problematikës dhe për të marrë qëndrimin tonë ndaj saj që të jetë peshojë – me të cilën i matim mendimet dhe medhhebet akadiologjike, të cilat i shtjellon Shejh Hafiz Ibrahim Dalliu në tefsirin e tij.

Një ndër problematikat e tilla të mëdha është ajo e komentimit të teksteve kur’anore e pejgamberike që flasin rreth Cilësive të Zotit të Madhërishëm,( تأويل الأسماء والصفات )(Te’vijlul Esmai ves- Sifat ) e të cilat sipërfaqësisht duket se iu ngjajnë cilësive të krijesave.

Shumë pak nga komentuesit dhe dijetarët e të kaluarës dhe të tashmes, ashtu siç theksohet në disa studime e hulumtime të fundit, kanë pasur mundësi të shpëtojnë nga problematike. Komentimi i ajeteve të Cilësive të Allahut ishte përafërsisht fenomen e përgjithshëm ndër mufessirët, apo sipas tyre ishte nevojë e domosdoshmërive të tefsirit ! Me plot, kjo çështje nuk është ashtu siç thoshin dhe këtë do ta shqyrtojnë në bazë të argumenteve të Sheriatit e intelektit.

Këtu nuk dua të sqaroj aspektin etimologjik dhe terminologjik të fjalës komentim – Te’vijl e as që kam ndërmend ta sqaroj çështjen e përdorimit të tij në gjuhën arabe a është përdorur apo jo, ngase kam për qëllim që të thellohem drejt në thelbin e problematikës, për shkak se natyra e hulumtimit nuk lejon të zgjerohem më shumë se kaq.

Në botën islame shumë dijetarë të mëdhenj, të sinqertë, e precizë janë munduar tepër që të na sqarojnë çështjen dhe thellësinë e kësaj problematike si dhe rrezikun e saj. Ne mendojmë dhe besojmë bindshëm, pasi që çështja e komentimit te Cilësive të Allahut është prej çështjeve të mëdha dhe të ndjeshme akadiologjike e metafizike, të cilat nuk mund të jenë objekt i shqisave njerëzore, pasi që cilësitë janë pjesë e bisedës rreth Qenies së Shenjtë të Lartë e të Madhërishëm, për hir të mbrojtjes së besimit dhe të imanit tonë nga kundërshtimet, devijimet dhe kontradiktat, më mirë, më shëndoshë, më e urtë dhe më saktë do të ishte që për këtë çështje të mbështetemi në fjalët e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), i cili na tregon për Zotin e Madhërishëm si dhe në biografinë e sahabëve fisnikë, të cilët dëshmuan shpalljen dhe ishin prezent gjatë shpalljes së mesazhit.

Pra, si mbështetje kryesore në këtë çështje janë fjalët e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe fjalët e sahabëve fisnikë, të cilët nuk kanë bërë komente ( Te’vijl ) në qështjen e Cilësive te Allahut, por u kanë besuar ashtu sic nënkupton ajo ana formale e tyre, dhe se domethënien e tyre të vërtetë  e din vetëm Allahu i Lartë Madhëruar. Dijetarët e të kaluarës dhe të tashmes e kanë shqyrtuar këtë çështje ne detaje, dhe disa prej tyre ia kanë qëlluar realitetit ne këtë çështje  ndërsa disa jo. Lus Zotin e Madhërishëm që t’i shpërblejë hulumtuesit që e kanë qëlluar me dy shpërblime, ndërsa ata që kanë gabuar me një, ngase të gjithë megjithatë janë përpjekur ta gjejnë të vërtetën.

Unë po ashtu dëshiroj të theksoj edhe një çështje tjetër shumë të rëndësishme, e që ka të bëjë me ofendimin e disa hulumtuesve të së kaluarës dhe të tashmes, ngase nuk lejoj një gjë të tillë. Unë nuk lejoj në asnjë mënyrë që të thumbohen dhe të nënçmohen dijetarët tanë të mëdhenj të Ehli Sunnetit dhe Xhematit, të cilët mendonin ndryshe në disa çështje, si p.sh.: ithtarët e Ebu Hasan El-Esh’ariut ose esh’aritët, ithtarët e Ebu Mensur Maturidiut ose maturiditët, të cilët sipas mendimit të atyre ekstremisteve konsiderohen ithtarë të risive ! Kjo nuk është e vërtetë, dhe ne besojmë si dhe jemi të bindur se ata i përkasin Ehli Sunnetit dhe Xhematit, dhe nuk lejohet në asnjë mënyrë qe ata t’i nxjerrim nga ky grupi i Ehli Sunnetit, ashtu siç vepruan disa hulumtues në të kaluarën dhe në të tashmen.[2]

Metoda ime në këtë çështje do të ndryshojë nga metoda e shumicës dhe nuk do të ketë natyrë të vrazhdë e të ashpër kundër dijetarëve të tjerë të Ehli Sunnetit dhe Xhematit, të cilët nuk mendonin në disa aspekte akaidologjike ashtu siç mendonin dijetarët e selefit rreth kësaj çështjeje. Unë do të jem i sjellshëm në fjalë dhe objektiv gjatë sqarimit të gabimeve dhe devijimeve për ta treguar të vërtetën ashtu siç e mendoj unë rreth kësaj çështje.

Ndër dijetarët më të mirët që kanë shkruar dhe analizuar këtë çështje akaidologjike, dhe që e lënë të qetë zemrën, ndjenjat dhe mendjen e besimtarit, dhe sipas mendimit tim ata ia kanë qëlluar realitetit, dhe ne i bindemi Allahut xh.sh. me kete mendim dhe ecim ne rrugen e atyre te pareve ( Selfus Salih ) ne kete qeshtje akaidologjike te rendesishme; janë: Imami i respektuar, Ebu Hanife Nu’man ibn Thabit, Imam Ebu Mensur El-Maturidiu dhe Shejhul-Islam, Ahmed ibn Tejmije (Zoti i mëshiroftë të gjithë!).

Vendosa që t’i shënoj fjalët e tyre këtu, me qëllim që të jenë shtyllë dhe mbështetje për ne dhe fjalët e tyre të jenë si gurë themeltar, mbi të cilin më vonë do t’i mbështesim fjalët e Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut dhe të tjerëve. Fjalët që do t’i them në vijim mbështeten në atë që e thotë Zoti i Madhërishëm rreth kësaj çështje të rëndësishme metafizike, në to jam i bindur plotësisht, dhe nuk jam dakord me dijetarët shqiptarë apo të tjerë, të cilët mendojnë ndryshe në këtë, edhe pse kam respekt dhe nder të madh për orvatjet e tyre shkencore dhe fetare.

Mendimi i Ebu Hanifes mbi Emrat dhe Cilësitë e Allahut të Madhërishëm

Imam Ebu Hanife ( Allahu e mëshiroftë !) rreth kësaj qështjeje thotë: “Zoti i Madhërishëm nuk cilësohet me cilësitë e krijesave; hidhërimi dhe pëlqimi i Tij janë dy cilësi nga cilësitë e Tij pa pyetur se si. Kështu mendon Ehli Sunneti dhe Xhemati. Ai hidhërohet dhe pajtohet, e nuk thuhet se hidhërimi i Tij është dënim prej Tij, e pajtimi i Tij, shpërblimi i Tij, dhe ne e cilësojmë ashtu siç e cilëson Ai Veten e Vet. Ai është Një, Allahu është Ai që çdo krijesë i drejtohet (i mbështetet) për çdo nevojë, as s’ka lindur kë, as nuk është i lindur dhe Atij askush nuk i është i barabartë, Ai është i gjallë, i fuqishëm, i aftë, dëgjon çdo gjë, sheh çdo gjë, di çdo gjë, dora e Tij është mbi duart e tyre, nuk është si dora e krijesave dhe nuk është gjymtyrë ngase Ai është krijues i duarve; Fytyra e Tij nuk është si fytyra e krijesave, ngase Ai është Krijues i fytyrave; Shpirti i tij nuk është si i krijesave ngase Ai është Krijues i tij, Atij asgjë nuk i ngjanë dhe Ai sheh çdo gjë dhe dëgjon çdo gjë”.[3]

Ai, po ashtu, thotë: “Të gjitha Cilësitë e Tij dallohen nga cilësitë e krijesave. Ai di, por jo si dituria jonë, ka fuqi, por jo si fuqia jonë, Ai sheh, por jo si shikimi ynë. Ai flet, por jo si e folmja jonë. Ai dëgjon, por jo si dëgjimi jonë. Ne flasim me mjete e shkronja, ndërsa Zoti flet pa mjete e pa shkronja. Shkronjat janë të krijuara, ndërsa Fjala e Zotit nuk është e krijuar. Ai është diçka, por jo si gjërat… Ai ka dorë, fytyrë e shpirt ashtu siç thekson Zoti i Madhërishëm në Kur’an. Cilësitë që i thekson Zoti i Madhërishëm në Kur’an, si p.sh., fytyra, dora e shpirti nuk dihet se si janë. Nuk thuhet se dora e Tij nënkupton fuqinë ose begatinë e Tij, ngase në këtë mënyrë prishet cilësia. Kështu mendojnë kaderitë dhe mu’tezilët. Dora e Tij është cilësi e Tij, por s’dihet se si…” [4]

Pra, si duket, fjalët dhe mendimet e Imam Ebu Hanifes (Zoti e mëshiroftë!) rreth kësaj çështje janë të qarta tamam si drita e diellit.

Mendimi i Imam Ebu Mensur El-Maturidiut rreth Cilësive dhe Emrave të Allahut Madhërishëm

Pas theksimit të mendimeve të ndryshme rreth përkufizimit të domethënies së Arshit dhe Istivasë, Imam Ebu Mensur El-Maturidiu haptas e refuzon komentimin e Cilësive dhe Emrave të Allahut xh.sh. dhe mbështetet në mendimin e medhhebit të selefit të devotshëm (Zoti e mëshiroftë!). Mendimi i qartë i Imam Ebu Mensur  El-Maturidiut dhe i imamëve tjerë hanefitë kundërshton, refuzon dhe i hedh poshtë thëniet e atyre që i akuzojnë ata për komentim të Emrave dhe të Cilësive te Allahut xh.sh, dhe që i largojnë ata nga Ehli Sunneti dhe Xhemati. Kështu mendojnë disa hulumtues të rinj që kanë qëndrim emocional dhe jo objektive ndaj selefit tonë të devotshëm.

Imami Ebu Mensur El-Maturidiu thotë: “Në esencë, ne qëndrojmë në atë që thotë Zoti i Madhërishëm: “Atij asgjë nuk i ngjanë”; dhe siç vërehet këtu, Ai refuzon ndonjë ngjashmëri me krijesat. Ne sqaruam se Ai në veprat dhe në cilësitë e Tij nuk i ngjanë askujt. Në ajetin kur’anor: “Mëshiruesi mbi Arsh qëndroi”,[5] duhet të pranojmë ashtu siç thuhet në ajet dhe ashtu siç e pranon mendja pa e komentuar fare, ngase mund të ndryshohet kuptimi apo mund të ketë ndonjë kuptim tjetër nga ajo që e themi e që nuk iu ngjanë krijesave. Ne besojmë në atë që dëshiron Zoti. Po ashtu në çdo gjë që është shpallur e që ka të bëjë me shikimin dhe gjëra të tjera, duhet që të mos i krahasojmë (me krijesat) si dhe duhet të besojmë ashtu siç dëshiron Zoti, pa pranuar diçka e refuzuar diçka tjetër[6]

Një nga hulumtuesit që kanë mendime të njëjta e identike me imamët hanefitë rreth mos thellimit në çështjet e Cilësive dhe rreth mos komentimit të tyre, është edhe Shejh Kadi Zade, i cili thotë: “Imamët hanefitë janë unanim, si Imam Fahrul Islami El-Bezdevij dhe dielli i imamëve  El Imam Es-Serehsi, rreth konfirmimit të dorës, fytyrës e Arshit i takojnë Zotit të Madhërishëm, dihet si janë në esencë, por nuk dihet se si të përshkruhen, dhe nuk lejohet anulimi i esencës, nëse nuk mund të kuptohet cilësia (përshkrimi)”.[7]

Në bazë të thënieve të dijetarëve të mëdhenj të selefit të devotshëm, qoftë nga zotërinjtë hanefitë, u vërtetua dhe u kuptua se ata nuk i kanë komentuar Cilësitë e tilla hyjnore, por i kanë pranuar ashtu siç janë shpallur pa krahasim, pa ngjashmëri, pa mohim, e pa antropomorfizëm.

Mendimi i Shejhul-Islam Ahmed Ibn Tejmijes, rreth çështjes së Cilësive dhe Emrave të Allahut xh.sh:

Mendimi i Shejhul-Islam, Ahmed Ibn Tejmijes, është i ngjashëm me mendimin e Imam Ebu Hanifes dhe Imam Ebu Mensur El-Maturidiut.

Në (“Mexhmu’ul-fetava” thuhet: “Në emër të Zotit Mëshiruesit dhe Mëshirëbërësit, vetëm Zotit i takon falënderimi, salavati dhe selami qofshin për atë që s’ka më pejgamber pas tij! Është pyetur Shejhul-Islam, Ahmed ibn Tejmije (Zoti e mëshiroftë shpirtin e tij!) se ç’mendon për medhhebin e selefit rreth besimit dhe për medhhebin e të tjerëve të mëvonshëm, ç’është e sakta në mes tyre dhe ç’pranoni ju nga dy medhhebet?”

Ai (Ibn Tejmije) përgjigjet: “Falënderimi i takon Zotit! Zbërthimi i këtyre çështjeve ka nevojë për vëllime, por do të përqendrohemi vetëm në atë që është më e rëndësishme. Zoti i Madhërishëm thotë:

“Kush i kundërvihet të Dërguarit, pasi që i është bërë e qartë e vërteta dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë në atë që e ka zgjedhur (në dynja)dhe e fusim në Xhehennem. Përfundimi i keq është ai”.[8] Këtu dëshmon Zoti për sahabët e Pejgamberit të Tij dhe për ata që i përcjellin ata me vepra të mira e me besim dhe përfundimisht nënkuptohet se këtu ajeti fisnik aludon në ta.

Zoti i Madhërishëm thotë:

“Allahu është i kënaqur me të hershmit e parë prej muhaxhirëve (migruesve) de prej ensarëve (vendasve-ndihmëtarë), dhe prej atyre që i pasuan ata me punë të mira, e edhe ata janë të kënaqur ndaj Tij. Atyre u ka përgatitur xhennete, në të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përjetë të pasosur. E ky është fitim i madh”.[9]

Zoti i Madhërishëm po ashtu thotë:

“Vërtetë, Allahu qe i kënaqur me besimtarët kur ata nën hijen e atij druri të zotoheshin ty dhe Ai e dinte se ç’kishin zemrat e tyre, andaj u dhuroi qetësimin dhe së shpejti i shpërbleu me një fitore (çlirimin e Mekkes)”.[10]

Këtu vërehet qartë se kush ndjek ndonjë rrugë tjetër përveç të tyre, Zoti i Madhërishëm e dënon dhe e fut në Xhehennem.

Rruga e tyre në besim është: “Besimi në cilësitë e Zotit të Madhërishëm, në Emrat e Tij, me të cilët e përshkruan Vetveten dhe me të cilët e quan Vetveten në Librin e Tij, dhe në shpalljen e Tij ose nëpërmes gjuhës së Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) pa shtuar apo pa pakësuar diçka, nuk mund të tejkalohet kuptimi i tyre e as të komentohen, nuk lejohet të komentohen përkundër kuptimit sipër-faqësor, nuk mund t’ju ngjajnë cilësive të krijesave e as me karakteristikat e krijesave. Ata i pranojnë ashtu siç janë shpallur, njohuritë rreth tyre ia përkasim Thënësit të tyre dhe kuptimin e tyre Atij që flet për to…”[11]

Shejhul-Islami vërteton saktësinë e medhhebit të selefit në mos-komentimin e Cilësive dhe Emrave duke argumentuar se ai nuk ka parë ndonjë argument se ata (Selefët e hershëm) kanë komentuar ndonjë gjë të tillë, gjegjësisht nuk është transmetuar se ata e kanë hulumtuar këtë çështje. Prej tyre ka ardhur vetëm heshtje dhe mos-thellim si dhe refuzim të atyre që hulumtojnë çështjet e tilla. Shejhul-Islami (Zoti e mëshiroftë!) thotë: “Pejgamberi i Zotit transmeton duke i konfirmuar dhe besuar, i pranon dhe nuk dyshon, nuk dyshon në vërtetësinë e Thënësit të tyre, nuk i komentuan gjërat që kanë të bëjnë me Cilësitë, as nuk i shpjeguan e as nuk i krahasuan me cilësitë e krijesave. Sikur të bënin diçka të tillë, do të transmetohej dhe nuk do të mund të fshiheshin në përgjithësi. Nuk lejohet fshehja e asaj që duhet të transmetohet dhe është transmetuar heshtje e madhe rreth kësaj. Ata kur shihnin se ndokush pyet për gjëra të paqarta, ndonjëherë e kundërshtonin me fjalë të ashpra, ndonjëherë me rrahje dhe ndonjëherë me reagim të ashpër për t’i treguar se urrejnë shumë të bisedojnë rreth problematikës së tij”.

Kur është pyetur Imam Maliku (Zoti e mëshiroftë!): “O Ebu Abdullah! Mëshiruesi qëndroi mbi Arsh, e si qëndroi?” Imam Maliku u nervozua, i dolën djersët, njerëzit pritën se çfarë do të përgjigjet Imam Maliku. Ai ngriti kokën në drejtim të pyetësit dhe tha:

“Istiva-ja nuk është e panjohur, mënyra nuk mund të kuptohet, besimi në të është i obligueshëm, pyetja për të është risi, të konsideroj njeri të keq!; më pas urdhëroi që të nxirret prej mexhlisit të tij…”[12]

Pastaj Shejhul-Islami (Zoti e Mëshiroftë) na tërheq vëmendjen për një çështje tjetër të rëndësishme e që nuk i ka ra ndërmend shumicës së dijetarëve, gjegjësisht faktin se thënia e Imam Malikut rreth cilësisë së “istivasë” (“Istiva-ja nuk është e panjohur, ndërsa  forma dhe realiteti i saj është e panjohur”) duhet të mjaftojë e të aplikohet në të gjitha cilësitë tjera, si p.sh.: dora e Tij, fytyra e Tij, zbritja e Tij, ardhja e Tij, etj. Ky është argumentim i shëndoshë dhe i logjikshëm, ngase të gjitha këto cilësi kanë të bëjnë me Qenien e Zotit të Madhërishëm.

Shejhul-Islam Ibn Tejmije, thotë: “Kush e shpjegon “istivanë ” si: “Istijlaë”- dmth: si ” okupim dhe uzurpim”( الاستواء بمعنى الإستيلاء )– përgjigjet me përgjigje që nuk përputhet me përgjigjen e Malikut dhe ecë në rrugë tjetër. Përgjigjja e Malikut (Zoti e mëshiroftë!) rreth “istivasë” vlen për të gjitha cilësitë, si p.sh., zbritja, ardhja, dora, fytyra etj. Për “zbritjen” thuhet: “Zbritja është e njohur, ndërsa mënyra është e panjohur, besimi në të është i obligueshëm dhe pyetja për të është risi”. Kështu thuhet edhe për cilësitë tjera që janë të rangut të “istivasë” që theksohen në Kur’an dhe në Sunnet.

Transmetohet se Muhamed ibn Hasani, nxënës i Imam Ebu Hanifes ka thënë: “Fukahatë e Lindjes dhe të Perëndimit janë të gjithë unanim sa i përket  besimit në Kur’anin Fisnik dhe në hadithet që i kanë transmetuar njerëzit e besueshëm nga Pejgamberi i Zotit rreth Cilësive të Zotit të Madhërishëm pa komentim, pa përshkrim e pa krahasim… Nëse ndokush komenton diçka të tillë, atëherë del nga ajo ku ishte Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe largohet nga xhemati. Ata nuk e kanë cilësuar e as që kanë komentuar, por besuan në atë që është në Kur’an e Sunnet dhe pastaj heshtën. Kush thotë atë që e thotë Xhehmi [13] largohet nga xhemati…”[14]

Transmetohet se Rebi’ë ibn Sulejman ka thënë: “E pyeta Shafiun (Zoti e mëshiroftë!), për cilësitë e Zotit të Madhërishëm dhe ai tha: “Ndalohet për intelektin që ta krahasojë Zotin e Madhërishëm, për iluzionet ta përkufizojnë, për mendjet ta parafytyrojnë dhe ta mendojnë, për ndjenjat të thellojnë, për paramendimet ta imagjinojnë dhe për trurin ta mendojë, përpos me atë që e përshkruan veten ose me atë që e përshkruan Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)”

Pastaj Shejhul-Islami, Ibn Tejmije (Zoti e mëshiroftë!), thekson një argument dhe fakt tjetër racional shumë bindës. Biseda rreth Cilësive është pjesë e bisedës rreth Qenies së Shenjtë, dhe se besimi dhe bindja ynë në këtë Qenie të Shenjtë është besim e bindje se Ai ekziston, por jo në mënyrën se si është Ai. Ne besojmë në Të (i pastër është nga të metat) se është i gjallë, i fuqishëm, furnizues, dëshiron, dëgjon, sheh, si dhe cilësi tjera pa e ditur mënyrën e tyre e as esencën e Qenies së tillë të Shenjtë apo të Cilësive të tilla.

Në vijim, të shohim se ç’thotë Shejhul-Islami Ahmed in Tejmije rreth kësaj çështjeje: “Medhhebi i selefit (r.a.) konfirmon Cilësitë ashtu siç thuhen, por mohon mënyrën e tyre, ngase biseda rreth Cilësive është degë e bisedës rreth Qenies. Konfirmimi i Qenies është konfirmim i ekzistencës e jo i mënyrës. Kështu është konfirmimi i Cilësive dhe në këtë mënyrë mendonte i gjithë selefi. Nëse zgjerohemi më tepër dhe e themi tërë atë që e kanë thënë selefi rreth kësaj, do të largohemi nga qëllimi ynë në këtë përgjigje. Mjafton kjo që e thashë për atë që kërkon të vërteton dhe dëshiron të saktën, e kush dëshiron vetëm të thotë thashetheme, të flet kot dhe të bëjë dialog, del nga rruga e drejtë”.[15]

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE
(SHEK 19-20)

[1] Hulumtuesi Muhamed ibn Abdurahman El-Migravi në detaje i studion mendimet dhe qëndrimet e komentuesve më të njohur klasikë e modernë ndaj Cilësive të Zotit, në veprën e tij: “El-Mufessirune bejnet-te’vili vel-ithbati fi ajatis-sifati”; Rijad, Daru Tajjibe, 1985. Ai fillon me studimin e Taberiut dhe përfundon me Shejh Muhamed Ali Sabunin. Ky studim është shumë i rëndësishëm, ngase sipas këtij hulumtuesi, nuk kanë shpëtuar shumë komentues nga komentimi i lejuar dhe i palejuar. Komentimi ishte përafërsisht fenomen shkencor te komentuesit klasikë dhe modernë, normal me përjashtime. Do të ishte më mirë që ata të vepronin ashtu siç vepruan mufessirët  e selefit të devotshëm (selefus-salih r.a.), pa u fut në këto problematika, dhe Allahu e di më mirë.

[2] Muhamed ibn Abdurahman El-Migravi, “El-Mufessirune bejnel-ithbat fi ajatis-sifat”; vëll. 1, fq. 45-46. Ky hulumtues i respektuar i ka nxjerrë maturiditët dhe esh’aritët nga rrethi i Ehli Sunnetit dhe Xhematit (Zoti e mëshiroftë!).

[3] Nu’man ibn Thabit ibn Zittij El-Hazzat El-Kufij Ebu Hanife, “Esh-sherhul mujesseru alal-fikhejn El-ebset vel-ekber elmensubejni li Ebi Hanife”; – pjesa e dytë: Rivajetu Ebu El-Belhi An Ebi Hanife, recensoi dr. Muhamed Abdurrahman Hamis, Axhman, Mektebetul-Furkan, bot. 1, 1999, f. 159.

[4] Po aty, pjesa e dytë, Rivajeti Hammad ibn Ebi Hanife an ebihi, fq. 24-27.

[5] Ta-ha, 5.

[6] Ebu Mensur El-Maturidij, “Et-Teuhid”; f. 74.

[7] Belkasim El-Galij, “Ebu Mensur El-Maturidi, hajatuhu ve ara’uhu el-akadijje”; f. 179, transmetim nga Shejh Zade “Nudhmul-feraid ve xhem’ul-fevaid ” ferijdetu- 14, fq. 22-23.

[8] En-Nisaë, 115.

[9] Et -Teubetu, 100.

[10] El-Fet’h, 18.

[11] Ibn Tejmije, “Mexhmu’ul-fetava”; vëll. 4, fq. 1-2.

[12] Po aty, vëll. 4, fq. 1-3.

[13] Xhehm ibn Safvani mendonte se “istiva” nënkupton “istijla’ë-okupim, uzurpim”, ai e ka marrë këtë ide nga Xha’d ibn Derhemi si dhe ide të tjera që mohonin Cilësitë e Zotit të Madhërishëm, krijimin e Kur’anit dhe risi tjera…Shih në detaje.. Muhamed ibn Abdurahman El-Migravi, “El-mufessirunë bejnet te’vili vel-ithbati fi ajatis-sifat”; vëll.1, fq. 76-77.

[14] Po aty.

[15] Ibn Tejmije, “Mexhmu’ul fetava”; vëll. 4, fq. 1-6.