Lidershipi sulejmanian

0
751

Nënshtrimi i xhinëve, njerëzve dhe shpezëve dhe falënderimi për Dhuruesin

Nga kjo hyrje e shkurtë do të kalojmë tek detajet e rrëfimit të Sulejmanit a.s. pas trashëgimit të Davudit a.s. dhe shpalljes së mirësive të cilat Allahu xh.sh. ia kishte dhënë; dija, temkini dhe epërsia.

Para Sulejmanit u tubua ushtria e Tij e përbërë prej xhinëve, njerëzve dhe shpendëve, të gjithë të radhitur në çeta të gatshme.[1] Kjo është parada e Sulejmanit a.s. e rreshtuar para tij, e përbërë nga xhinët, njerëzit dhe shpezët.

E dimë se Allahu xh.sh. ia kishte nënshtruar një grup të xhinëve të cilët punonin për Sulejmanin a.s, ndërtesa, statuja dhe enë të mëdha ushqimi. Zhyteshin poashtu edhe në det dhe i përmbaheshin fjalës dhe urdhrit të tij.

Nuk kanë qenë tërë njerëzit nën sundimin e Sulejmanit a.s. për faktin se pushteti i tij nuk tejkalonte hapësirat që sot njihen si Palestinë, Siri, Irak deri tek bregu i Eufratit. Po kështu as tërë xhinët dhe të gjitha shpezët nuk kanë qenë nën komandën e tij. Ka qenë vetëm një grup i tyre.

Vazhdojmë tutje… Kur Sulejmani a.s. kontrolloi shpezët, pa se pupëza mungonte. Po të ishin të gjitha shpezët nën sundimin e tij dhe pjesë e ushtrisë së tij, nuk do të mund ta diktonte mungesën e një pupëze në mesin e miliona pupëzave dhe miliarda shpezëve dhe as do të pyeste: Ku mbeti pupëza, përse nuk po e shoh!? Pra ka qenë pupëz e veçantë dhe e dalluar. Mund të ketë qenë ajo (e vetmja) që i është nënshtruar Sulejmanit a.s. nga bota e pupëzave. Kjo mbase edhe për faktin se ka qenë e veçantë[2], e zgjuar dhe se niveli i inteligjencës së saj matet me koeficientin e njerëzve më të zgjuar dhe më të devotshëm…

të gjithë të radhitur në çeta të gatshme…”, kjo ishte pamja e ushtrisë, e mobilizuar dhe radhitur në çeta, në mënyrë që të mos shkapërderdhej dhe të shkaktohej kaos mes tyre. Është term ushtarak për mobilizimin dhe organizimin.

Kur arritën në Luginën e Milingonave, një milingonë tha:”: kjo milingonë ishte në cilësi të mbikëqyrësit dhe organizatorit të milingonave që kërkonin ushqimin në luginë. Komunikonte me milingonat tjera me gjuhën përkatëse. Milingona u tha: Hyni në banesat tuaja që Sulejmani dhe ushtria e tij të mos ju shkelin pa ju vënë re. Sulejmani a.s. e kuptoi çfarë tha milingona dhe mbeti shumë i kënaqur e i gëzuar që Allahu ia mundësoi ta kuptonte këtë. U gëzua sepse ishte çudi se si një milingonë mund ta kishte këtë nivel, të të kuptuarit[3] dhe si milingonat tjera e kuptojnë dhe i përmbahen fjalës së saj. Sulejmani a.s. e kuptoi këtë dhe “Ai vuri buzën në gaz, duke qeshur me fjalët e saj…”…

Pamja e kësaj skene për Sulejmanin a.s. ishte fascinuese dhe menjëherë zemrën e tij e ktheu kah Zoti të cilit i detyrohet për këtë mirësi dhe mrekulli. U kthye kah Zoti duke u lutur: “O Zoti im, më frymëzo të jem mirënjohës për mirësitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi…”…”Zoti im,…” me këtë thirrje të afërt, të drejtpërdrejt dhe të pashkëputur…”më frymëzo” më bëj tërësisht: me gjymtyrë, ndjenja, gjuhë, zemër, mendime, fjalë, shprehje, vepra, këshilla, me bëj të tërin, më bashko tërë kapacitetin fund e krye, që të jenë të gjitha në shërbim të falënderimit për mirësinë Tënde ndaj meje dhe prindërve të mi.  (Të lus edhe që:) “të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur….” Edhe vepra e mirë është mirësi nga Allahu për të cilën e bekon besimtarin falënderues.

Sulejmani a.s. i cili ka qenë falënderues duke kërkuar ndihmën e Zotit për ta forcuar në rrugën e falënderimit, po kërkon ndihmën e Tij edhe për ta bekuar për vepra të mira. Ai ndiente se vepra e mirë është bekim dhe mirësi tjetër e Allahut ndaj tij. “…Më prano, me mëshirën Tënde, në gjirin e robërve të Tu të devotshëm!” Sulejmani a.s. e dinte që pranimi në mesin e robërve të devotshëm është mëshirë e Allahut xh.sh. për robin dhe bekim për punën e tij të hajrit.

Sulejmani a.s. lutej dhe përgjërohej megjithëse ishte pejgamber i dalluar, lutej për mirësitë e shumta dhe për nënshtrimin e xhinëve, njerëzve dhe të shpezëve. Ai nuk e kishte frikë ndëshkimin, madje edhe atëherë kur ishte zgjedhur pejgamber. Ai kishte frikë se mos puna dhe falënderimi i tij nuk do të ishin të nivelit dhe të dispozitave që kërkon Allahu xh.sh…[4]

 

Tiparet më të theksuara të lidershipit sulejmanian dhe davudian

  • Falënderimi i liderit kushtuar Zotit për mirësitë e dhëna, veçmas për mirësinë e dijes
  • Dituria e mirëfilltë dhe e dobishme nuk e largon liderin nga Allahu. Është dituria tjetër, e padobishme, ajo që shkakton dëshpërimin, stresin, shkatërrimin.
  • Mirësitë që i ishin dhënë Sulejmanit a.s., janë prej Allahut xh.sh., janë mrekulli, të cilat janë përtej shkencës. Kjo e fundit nuk mund të merret me to dhe as të arrihen ato nëpërmjet saj.
  • Jo të gjithë njerëzit, të gjithë xhinët dhe të gjitha shpezët i janë nënshtruar Sulejmanit a.s., por vetëm një pjesë e tyre (tri kategorive).
  • Mbretëria e Sulejmanit a.s., ka qenë e shtrirë në Palestinë, Liban, Siri dhe Irak deri në breg të Eufratit.
  • Pupëza luajti rolin e informatorit për komandantin mbret. Ajo dallohej për nivelin e inteligjencës që ishte në një shkalllë me atë të njerëzve të mençur dhe të devotshëm.
  • Mbikëqyrja e rreptë e ushtrisë që të evitohen paraprakisht ndarjet dhe çrregullimet e mundshme.
  • Veçoritë e vigjilencës, precizitetit, vendosmërisë, drejtësisë, triumfit, mbikëqyrjes, përkujdesjes, interesimit personal për rrjedhën e punëve të shtetit dhe ushtrisë
  • Mosgjykimi dhe mosmarrja e vendimeve ndaj ushtarit kundërshtar pa mos dëgjuar më parë argumentet e tij
  • Dhënia e të drejtës ushtarit që ka shkelur rendin për të mbrojtur veten dhe për tu shpjeguar përpara autoriteteve
  • Vendosmëria dhe refuzimi për të lëshuar pe në parime si dhe mos negocimi në çështje të besimit
  • Interesimi për industrinë (ushtarake) për frikësimin e armikut

 Lidershipi mbretëror në Kur’an: shembujt e Sulejmanit a.s, Belkizës dhe mbretit Talut


[1] Përkitazi me këtë mesele, Ibn Ashuri ka thënë: Pjesa e ajetit: “…ushtria e Tij e përbërë prej xhinëve, njerëzve dhe shpendëve…” flet për tre llojet e ushtarëve të tij: llojin e xhinëve, i cili ishte për drejtimin e forcave të fshehta dhe për ndikim në çështje shpirtërore; llojin e njerëzve, të cilët ishin ushtria e tij për të ekzekutuar urdhrat, për ta luftuar armikun dhe për ta mbrojtur vendin dhe llojin e shpezëve, si pjesë plotësuese dhe që shërbenin për  bartjen e lajmeve dhe pranimin e tyre si dhe për dërgimin e letrave dhe shkresave tek komandantët dhe vartësit…Fjala vez’ë (الْوَزْعُ – shqip: të gjithë të radhitur në çeta të gatshme) nënkupton heqjen dorë nga ajo që nuk synohet, kështu që përfshin urdhrat dhe ndalesat. Me fjalë tjera, nënkupton se ushtria vepron sipas urdhëresave dhe ndalesave. Allahu ia kishte nënshtruar tërë popullin…Ajeti na mëson se mbretërit e kanë obligim ta bashkojnë ushtrinë dhe ta trajnojnë që të përkujdesen për gjendjen dhe nevojat e tyre si dhe të ndiejnë atë që iu mungon dhe ta përkujtojnë atë që mbase mund ta kenë harruar gjatë kohës kur ndizet lufta dhe ashpërsohet beteja…20/239.

[2]Tahir bin Ashuri ka thënë: “Dijen e të folurit të shpezëve Sulejmani a.s e ka mësuar nëpërmjet vahjit (shpalljes). Allahu xh.sh. ia ka mundësuar që nëpërmjet cicërimave të tyre të arrijë ta deshifrojë kuptimin e asaj që shpezët thonë apo duan. Dobia e kësaj dije qëndron në shërbimin që i ofrohet Sulejmanit a.s. prej saj, respektivisht në botën të cilën shpezët mund ta kuptojnë para të tjerëve për shkak të karakteristikave që Allahu xh.sh. ua ka dhënë. Shpezët kanë një lloj të veçantë komunikimi ndërmjet vete dhe lajmërimi për gjërat që janë (i shohin), gjë kjo që mund ta ndihmojë liderin në qeverisje të vendit. Sulejmani a.s. e shfrytëzoi pupëzën për të marrë dhe kthyer lajme. Disa zëra të shpezëve, siç dihet nga vëzhgimi i tyre, janë thirrje e mashkullit për femrën, disa të tjerë alarmojnë rrezikun kur dikush t’i kapë ose sulmojë. Format e tyre nuk mund t’i dijë askush pos Krijuesit të tyre. Janë të ngjashëm me kuptimet që dalin nga vendartikulimi i shkronjave, gjegjësisht nga forma se si shqiptohet një shkronjë e caktuar, e cila ka edhe kuptim të caktuar, të cilin nuk mund ta dallojë ai që ka njohuri sipërfaqësore për atë gjuhë. P.sh. në arabisht: daleltu(ضَلَلْتُ) dhe dhaliltu(ظَلِلْت) janë të përafërta në shqiptim të ndryshme në kuptim të cilat nuk mund t’i dallojë dikush që nuk e njeh arabishten mirë. Allahu xh.sh. ia mësoi Sulejmanit a.s. këto forma nëpërmjet vahjit duke e mësuar edhe për kuptimet që ato i kanë në rrethana të caktuara, gjëra këto që njerëzit e tjerë nuk i dinin fare… ” 20/237.

[3]Tahir bin Ashuri ka thënë: “…Ai u çudit nga ajo se si milingona e dinte emrin e tij dhe se ajo ka thënë: ruani mos nga pakujdesia po iu mbysin. Ky është një vlerësim për Sulejmanin a.s. dhe për ushtrinë e tij se ata janë të mëshirshëm dhe se nuk mbysin kot asgjë që ka shpirt. Është sinjalizim për mëshirën dhe drejtësinë gjithëpërfshirëse të Sulejmanit a.s. me çdo krijesë të padëmshme. Është një e vërtetë e përshkuar nga milingona që Sulejmani a.s. ta dijë vlerën e drejtësisë dhe të mos e nënvlerësojë aplikimin e saj në çdo fushë të mundshme. Nga ky rast merret mësim se nëse pushtetari ndan drejtësi, atëherë ajo reflekton në gjithçka dhe tek të gjitha krijesat, gjë kjo thuajse e ditur edhe për krijesat që nuk kanë intelekt. Kështu çdo punë e popullit realizohet sipas drejtësisë dhe mbi bazën e saj. E Allahu sjell shembuj për njerëzit, kështu, profetit të Vet, Sulejmanit a.s. ia solli këtë shembull për vahjin (shpalljen) dhe mundësinë e kuptimit të gjuhës së shpezëve nëpërmjet tij, sekret ky ndërmjet tij dhe Zotit, shenjë dhe thirrje se duhej falënderuar Allahun xh.sh. andaj edhe tha (u lut Sulejmani a.s.): “O Zoti im, më frymëzo që të jem mirënjohës për mirësitë që Ti më ke dhënë mua…”. ” 20/241.

[4]Sejjid Kutub, Fi dhilal el-Kur’an, 5/2599-2643. Parafrazim.