BESIMI NË ALLAHUN DHE URTIA E DOMOSDOSHMËRISË SË TIJ

0
762

 

Allahu xh.sh. në Kur’anin famëlartë thotë:

O ju njerëz! Me të vërtetë, juve ju ka ardhur i Dërguari (Muhammedi a.s.) me të vërtetën nga Zoti juaj, kështu që besojeni atë; kjo është më mirë për ju. Por nëse ju nuk besoni, atëherë të Allahut janë gjithë çka në qiej dhe në tokë dhe Allahu është kurdoherë i Gjithëditur, më i Urti, Gjithëgjykuesi”. [Suretu En-Nisa’-170.]

Ky ajet kur’anor përmban vendimin më obligativ, me të cilin Allahu xh.sh. u është drejtuar mbarë njerëzisë në vende dhe kohëra të ndryshme, e ky vendim është besimi tek një Allah; besimi se Ai është i vetmi krijues, se Ai është i vetmi që bën mirë (dhe keq), se Ai është shkaktari i ekzistencës. Është Ai që i ka krijuar gjërat në natyrën e tyre të posaçme dhe ua ka caktuar detyrat dhe obligimet e tyre, d.m.th. është Ai i cili ia ka dhënë çdo gjëje formën e vet e pastaj e ka udhëzuar atë. Është Ai i cili ka për t’i mbledhur të gjithë njerëzit në një ditë për të cilën nuk ka dyshim (ditën e kiametit sh.p.), një grup do të jetë në xhenet, e një tjetër në zjarr.

Nga ky obligim (besimi në Allahun xh.sh.) nuk përjashtohet askush tjetër përpos fëmijët e vegjël, ata që janë të marrë (të çmendur), ose ata që kanë jetuar në një ambient ku nuk kanë pasur rastin të dëgjojnë emrin e fesë, ose ndonjë qortues apo udhëzues. Për këta, dhe të tjerët që janë të ngjashëm me ta, iu përshtatet fjala e Allahut xh.sh.:

Ne nuk e dënojmë një popull pa i dërguar atyre të dërguar (pejgamberë)”.[ El Isra:15]

Shumica pyesin: ku është mençuria (ku qëndron fshehtësia) e këtij obligimi nga Allahu xh.sh? Ndërsa disa të tjerë pyesin: çfarë dobie ka Allahu xh.sh. nëse robërit e Tij i nënshtrohen me besim dhe çfarë të keqe ka Allahu xh.sh. nëse ata (robërit) nuk i nënshtrohen Atij? 

Nëse ne çuditemi dhe pyesim për llojin e dobisë dhe të dëmit atëherë përgjigjja është se dobia e besimit tek Allahu xh.sh. dhe e nënshtrimit ndaj Atij nuk i kthehet Allahut xh.sh. Realiteti është, se dobia e besimit në Allahun xh.sh. dhe dëmi nga mosbesimi i kthehet shoqërisë njerëzore.

Sqarimi i këtij problemi është se njeriu është i krijuar dhe i përbërë nga një sërë cilësish, në mënyrë që atij t’i mundësohet rindërtimi dhe përpunimi i tokës me qëllim që të përfitojë nga nënshtrimi i saj, si p.sh. cilësia e logjikës, e të menduarit, egoizmi, forca dhe pasojat që rrjedhin nga ajo, si dëshira për pozitë dhe karrierë.

Të gjitha këto (elemente) nuk mund ta kryejnë rolin e tyre pozitiv në dobi të shoqërisë njerëzore nëse mbi to nuk mbizotëron një kujdestari (mbikëqyrje) e lartë dhe nëse personi që i zotëron këto cilësi nuk e ndien këtë mbikëqyrje.

Sepse këto veti njerëzore, nëse lihen kështu të lira e pa mbikëqyrje, në vend se të jenë burime të hairit dhe rehatisë, shndërrohen në burime negative.

P.sh. logjika dhe të menduarit (pa këtë mbikëqyrje) kishin për t’u shndërruar në një mjet që do ta dëmtonte nderin e njeriut dhe ta rrezikonte jetën e tij. Fuqia dhe forca e madhe (pa këtë mbikëqyrje) kishin për t’u shndërruar në një furtunë të pamëshirshme e cila kishte për ta përfshirë shoqërinë njerëzore dhe, si pasojë e kësaj, do të ekzistonte klasa e fortë aristokrate dhe shtresa e dobët e bujkrobërve.

Barbarizmi njerëzor aktual është fryt apo rezultat i lirisë absolute të këtyre atributeve të lartpërmendura. Kur nuk ekziston mbikëqyrja dhe frika nga dënimi i veprave të këqija dhe të pamoralshme, natyra e këtyre cilësive funksionon negativisht, pa kontroll dhe frikë nga Allahu xh.sh.

Adhurimi (nënshtrimi) i njeriut nga të tjerët është fryt i lirisë absolute të këtyre cilësive; sepse kur këto atribute shfrenohen dhe çlirohen nga kujdestaria e lartë e Allahut xh.sh. atëherë kjo jetë shndërrohet në një arenë ku secili mundohet ta mundë dhe ta mposhtë kundërshtarin.

E këtu kuptohet shkaku i arsyes së besimit në Allahun xh.sh., pasi nëse ata mizorë do të kishin besuar në ekzistencën e Allahut xh.sh. dhe të pejgamberëve të Allahut xh. sh., padyshim se ata kishin për t’u ndalur nga shtypja (mizoria) e të tjerëve, dhe ata robër kishin për t’u liruar nga robëria e tyre.

Ne kemi një shembull adekuat dhe shumë interesant në Kur’anin e madhëruar: shembullin e Faraonit dhe shtypjen e tij të pamëshirshme ndaj popullit beni israil. Faraoni i kishte shndërruar ata në robër të poshtëruar, nga frika e madhe prej tij dhe nga besimi i patundshëm për aftësinë e tij kinse hyjnore (këtë e deklaruan edhe magjistarët e tij kur dolën në garë me Musain a.s., të cilët thanë se me forcën e Faraonit ne do të ngadhënjejmë mbi Musain a.s.)

Kur në zemrat e tyre u fut besimi në Allahun xh.sh. dhe kur ata u bindën se Ai është i vetmi që sjell dobi dhe (dëm) që ngjall dhe vdes, atëherë dobësia e tyre u shndërrua në forcë. Ata u çliruan nga robëria e rrejshme e tyre ndaj njeriut dhe filluan t’i bëjnë rezistencë Faraonit dhe kërcënimeve të tij me një guxim dhe krenari të madhe. Kjo është e shënuar edhe në Kur’anin famëlartë. Allahu xh.sh. thotë: 

 “Atëherë (kur shkopi i Musait i gëlltiti) magjistarët u hodhën në sexhde  e thanë: Ne i besuam Zotit të Harunit e të Musait. Ai (Faraoni) tha: A i besuat atij para se t’u jap unë leje? Ai (Musai ) është prijësi juaj i cili ua mësoi magjinë. Unë do t’ua pres duart  e këmbët tërthorazi, e do t’ju var në trungjet  e hurmave, e atëherë ju do ta kuptoni se cili prej nesh ka dënim më të ashpër e më të vazhdueshëm.

Ata thanë: Pasha Atë që na krijoi, nuk të japim përparësi ty ndaj argumenteve që na erdhën, e ti bëje atë që mendon ta bësh, dhe mund të zbatosh  vetëm atë që i takon jetës së kësaj bote! Ne i besuam Zotit tonë, që Ai të na i falë gabimet tona dhe magjinë me të cilën ti na detyrove. Allahu është më i miri (në të shpërblyerit) dhe më i përjetshmi ( në të dënuar).” [Taha, 70-73]

Pra, fshehtësia dhe shkaku i domosdoshmërisë së besimit në Allahun xh.sh. qëndron në faktin se kjo vepër konsiderohet si faktori kryesor për ta nxjerrë njerëzimin nga robërimi ndaj njëri-tjetrit dhe për t’i futur të gjithëe në adhurimin dhe nënshtrimin (absolut) ndaj Allahut xh.sh. Nuk ekziston asnjë metodë (mënyrë) tjetër për t’i nxjerrë njerëzit nga robëria e njëri-tjetrit, vetëm se që të gjithë t’i nënshtrohen dhe t’i besojnë sinqerisht Allahut xh.sh. 

 

Përktheu dhe përshtati nga arabishtja: Prof.Dr. Hfz. Hajredin Hoxha

Prof.Dr.Muhamed Said Ramadan el Buti – FSHEHTËSITË E DISA LIGJEVE KUR’ANORE