Disa vështrime mbi tefsirin e Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut

0
546

 

a). Vështrimet pozitive:

  • Largimi dhe distancimi i tij nga përdorimi i fjalëve dhe termeve të urryer e trivijalë kundër të tjerëve, përveç kundërshtimit dhe metodës së tij të posaçme ndaj Beni Israilëve dhe çifutëve. Ai është i ashpër kundër tyre dhe e kritikon sjelljen dhe lëvizjet e tyre jonjerëzore kundër pejgamberëve të tyre gjatë historisë dhe në kohën tonë të sotshme.
  • Tefsiri i tij, nga aspekti i metodës, sqarimit dhe gjuhës është i lehtë dhe i këndshëm.
  • Në shumë raste ai jep dy përkthime ose dy domethënie të një ajeti, nëse kuptimi i parë është i paqartë, dhe ky është argument mbi elokuencën dhe stilistikën e tij të lartë në gjuhë, ngase përdorë shumë terme të ndryshme me domethënie e kuptime të pasura. Fjalët e tij i kuptojnë të gjitha shtresat e njerëzve, intelektualë e të rëndomtë. Ai bën simbiozën në mes origjinalitetit dhe rregullave të gjuhës arabe dhe mes fjalëve të reja që i përdorë.
  • Ekziston harmoni dhe ndërlidhje e fuqishme në mes kuptimeve të ajeteve që i komenton Shejhu, si dhe ka unitet tematik. Ashtu siç thashë, Shejhu nuk është marrë me çështje sekondare, ngase qëllimi kryesor i tij ishte që të sqarojë domethënien e drejtpërdrejtë nga Kur’ani dhe për këtë shkak e ka ngritur lartë vlerën dhe nivelin e këtij tefsiri, dhe këtë e vërteton edhe intelekti i komentuesit që karakterizohet me objektivitet dhe metodologji te pastër.
  • Ai nuk ka qenë nën ndikimin e mendimeve dhe parimeve të shkollës reformiste racionale në tefsir, dhe kështu ai ka pasur mendime që dalloheshin tërësisht prej tyre.
  • Nga ajo që kam lexuar nuk kam vërejtur se Shejhu ka bërë thirrje për afrimin e feve, gjegjësisht me hebraizmin, krishterimin apo ndonjë fraksion tjetër. Përkundrazi kam hasur një urrejtje të madhe të tij posaçërisht ndaj çifutëve,[1] për shkak të devijimeve të fjalëve te Allahut xh.sh. nga domethëniet e tyre të vërteta, për shkak të çrregullimeve në tokë si në të kaluarën, ashtu edhe në të tashmen. Ky është një aspekt i rëndësishëm dhe i madh, me të cilin karakterizohet Shejhu dhe meriton fjalë miradije, ngase ata vërtetë meritojnë një gjë të tillë, bile ata meritojnë edhe më keq.
  • Gjatë leximit të tefsirit të tij nuk kam gjetur ndonjë mendim të veçuar të tij apo të huazuar prej ndokujt tjetër…
  • Ai kishte potencial të madh në nxjerrjen e parimeve të Sheriatit, si p.sh.: tepër më pëlqeu përgatitja i tij e mësimeve dhe leksioneve mbi rëndësinë dhe domosdoshmërinë e konsultimit, shura-së si dhe mbi rregullën juridike usuliste për të pranuar dëmin personal ne mënyrë qe të evitohet dëmi i përgjithshëm, nga ajeti kur’anor:

“(Përkujto Muhammed) kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës”.[2] Nuk kam dëgjuar e as nuk kam lexuar fjalë të tilla më parë nga ndonjë tjetër.[3]

  • Të kuptuarit e tij korrekt dhe të saktë të gjuhës arabe si dhe njohuritë e tij mbi përdorimin e fjalëve dhe termeve arabe. Më pëlqen domethënia precize që ia jep ajetit dhe nuk kam gjetur asnjë vërejtje në këtë aspekt (nga aspekti i të kuptuarit korrekt e të shëndoshë të ajetit në gjuhën arabe). Sipas mendimit tim, ky ishte faktori kryesor që e shtyu të zhytet në komentimin e Librit të Zotit të Madhërishëm.

 

b). Vështrimet negative:

  • Shejhu (Zoti e mëshiroftë!) la në neglizhencë një aspekt të rëndësishëm në tefsirin e tij, gjegjësisht mos verifikimi i fjalëve të tij dhe mos shenimi i numrit të faqes dhe vëllimit prej ku i merrte fjalët, bile ai nuk i ka theksuar as emrat e titujt e disa librave tjerë, përpos tefsirit në asnjë mënyrë. Tefsiri i tij, po ashtu, nuk e thekson numrin e ajeteve dhe kështu ajetet tek ai janë të shënuar pa numër.
  • Shejhu e ka lënë pas dore edhe një aspekt tjetër metodologjik në tefsirin e tij, gjegjësisht nuk i ka theksuar burimet e transmetimeve prej të cilëve transmetonte, nuk i ka nxjerrë hadithet fisnike të Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) e as fjalët e sahabëve dhe kështu e ka lënë lexuesin të hutuar, ndoshta e pranon e ndoshta e përgënjeshtron…
  • Ekzistojnë gabime shtypi në tefsirin e tij, si dhe ndonjëherë ekziston ripërsëritje e disa kuptimeve që i ka theksuar, posaçërisht të të njëjtit ajet.
  • Nuk dihet se ku është fillimi e ku është mbarimi i fjalëve të transmetuara, nuk ka kllapa të vogla e as të mëdha, dhe kështu lexuesi i rëndomtë nuk ka mundësi të bëj dallimin në mes fjalëve të Shejhut dhe fjalëve të transmetuara ose të huazuara, përpos në një vend ku e kam gjetur se e aplikon këtë metodologji që e them.[4]

 

c). Vështrime të përgjithshme tematike:

  • Gjatë leximit të tefsirit të tij, në shumë vende kam hasur, bile edhe e kam theksuar se Shejhu (Zoti e mëshiroftë!) është përkthyes prej arabishtes në shqip, dhe bartës i fjalëve të komentuesve të zgjedhur prej arabishtes në shqip, dhe sikur roli i Shejhut ka qenë vetëm të transmetojë e të përkthejë, dhe në këtë çështje ka diçka që nuk është në rregull!? Unë them se kjo çështje ka nevojë për argumente e fakte të tjera, dhe gjatë leximit tim kam hasur disa argumente të tilla, ngase në shumë vende ai vetë deklaron se është ” përkthyes ” apo “ ky mendim është i përkthyer ” apo “ filloj në përkthimin e kësaj sure ” si dhe “ kur e përkthejmë suren ”.[5]

Sipas mendimit tim, ai është dashur të fillojë me fjalët: “Filloj me komentimin e sures” ose “filloj me sqarimin e domethënieve të kësaj sure”, apo “këto janë disa ide e mendime nga kjo sure”, apo “këtë e kuptoi robi i varfër nga fjalët e dijetarëve të tefsirit rreth këtij ajeti…”, e kështu me radhë. Megjithatë unë me bindje të plotë them se personaliteti i tij si komentues vërehet qartë në shumë vende te tefsirit te tij (Zoti e mëshiroftë!)

 

ç). Vlerësimi i përgjithshëm i komentuesit dhe komentimit:

Dëshiroj që ky vështrim të jetë në formë të pyetjeve dhe përgjigjeve që të jemi më objektivë dhe më afër realitetit.

Shtroj pyetjen: “Ky komentues, sa i ka plotësuar kushtet e nevojshme për tefsir te Kur’anit, të cilat i theksojnë disa dijetarë, që të merret me komentimin e Librit të Zotit?” Them, gjegjësisht përgjigjem, se nga ajo që pashë gjatë leximit të tefsirit të këtij dijetari, vërejta se ai është njohës i spikatur i gjuhës arabe dhe ky është një ndër kushtet më të rëndësishme që duhet t’i ketë ai që dëshiron të komentojë diçka nga Libri i Zotit të Madhërishëm. Kjo argumentohet me të kuptuarit e tij të mirë të fjalës arabe dhe çdo fjalë e rikthen në rrënjë e pastaj e analizon nga aspekti sintaksor dhe morfologjik. Njohja precize dhe e shëndoshë e gjuhës arabe dhe e gjuhës shqipe i ndihmoi që të jep përkthim preciz të fjalës që e komenton ose që e sqaron. Shejhu e posedonte këtë kusht themelor dhe arabishtja e tij dallohej me një stil të lartë, ndaj dhe me plotë të drejtë meriton fjalë miradije për këtë gjë.

Ai, po ashtu, i posedonte edhe kushtet e tjera që duhet t’i ketë një komentues, si p.sh., njohuritë apo shkencat mbi njohjen e ajeteve mekase e medinase( المكي و المدني ) ( El mekkij vel medenij), njohjen e shkaqeve te zbritjes (Esbabun nuzul),  ( أسباب النزول )njohjen e ajeteve të përgjithshme e të posaçme(El a’m vel has ),  ( العام و الخاص )absolute e të përkufizuara (El mutlak vel mukajed)(المطلق و المقيد ), el muxhmel,( المجمل ) el mufesser, ( المفسر )njohjen e metodave të arabëve dhe traditave të xhahilijetit dhe edukatën e lartë islame, të cilën duhet ta ketë si besimtar i rëndomtë dhe komentues, të mos jetë fanatik dhe të jetë objektiv.

Sa u përket çështjeve të njohura juridike e kelamiste dhe të ixhtihadit në to si dhe hulumtimit të çështjeve tjera, them se komentuesi nuk është marrë me çështje të tilla, dhe siç thashë më parë, kjo është bërë për shkak të natyrës së të menduarit shqiptar, e cila nuk kishte nevojë për të diskutuar rreth këtyre çështjeve filosofike e kelamiste.

Për sa i përket shfaqjes së personalitetit të autorit në tefsir, them se ai vërtetë ka qenë përkthyes dhe komentues preciz i mendimeve të komentuesve të mëdhenj, klasikë e bashkëkohorë. Ai i zgjedh mendimet e tyre dhe me precizitet i transmeton si dhe zgjedh mendimet e tyre të preferuara rreth çështjeve të ndryshme. Në asnjë mënyrë kjo nuk nënkupton se ai nuk ka pasur personalitet dhe qëndrim, ngase ai ka zgjedhur dhe preferuar nga shumë mendime dhe s’ka dyshim se një zgjedhje e tillë nuk është fare e lehtë, përkundrazi…

Ai që zgjedh mendimin më të mirë duhet të ketë dituri dhe argumente të forta e jo të veprojë me hamendje. Në këtë mënyrë kanë vepruar dijetarët që në kohërat e lashta. Secili që sjell diçka të re, patjetër të kishte formuar mendimin në bazë të ixhtihadeve dhe parimeve të dijetarëve e hulumtuesve paraprakë. Shejh Hafiz Ibrahim Dalliu i transmetoi dhe i përktheu mendimet e dijetarëve të tillë si dhe në bazë të mendimeve të tyre, ai i formoi edhe mendimet dhe idetë e tij personale.

Sa i përket natyrës së tefsirit të Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut, mund të themi se i takon grupit të tefsirit racional dhe tradicional ( التفسير بالرأي الجائز )( Et tefsir bir re’jil xhaiz vel bil me’thur), ngase Shejhu aty bën një simbiozë në mes tefsirit racional që mbështetet në ixhtihad të lejuar e në shkencë të vërtetë dhe në mes gjurmëve tradicionale, qoftë nga hadithet apo qoftë nga fjalët e sahabëve dhe tabi’inëve. Mbështetja e tij në racionalizëm është më e madhe, ndërsa në tradicionalizëm është më e kufizuar dhe kjo vërehet qartë në tefsirin e tij. Problemi është se gjurmët, transmetimet janë të pa nxjerra nga burimet e tyre dhe nuk iu përkasin pronarëve. Është për t’u habitur se pse Shejhu (Zoti e mëshiroftë!) nuk e ka theksuar këtë çështje, gjegjësisht çështjen e metodës se tij ne tefsir ?!?!

Në pyetjen se a vërehen drejtime të devijuara në tefsirin e tj, si p.sh., drejtimi sufist, simbolik, ateist, filosofik, apologjetik, etj. Them se (falë Zotit!) nuk kam gjetur drejtime të tilla të devijuara e të humbura në tefsirin e Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut. Ai mbase e ka lexuar thënien e Imam Gazaliut: “I përjetova metodat e apologjetëve dhe rrugët filosofike dhe nuk i pashë se e shërojnë të sëmurin e as që e(shuajnë etjen) drejtojnë të humburin, si dhe e pashë se rruga më e vërtetë është ajo e Kur’anit”.

Po ashtu nuk kam vërejtur tek ai fanatizëm doktrinar ose ideologjik në asnjë mënyrë, dhe ishte larg të gjitha cilësive që dobësojnë njerëzinë dhe personalitetin musliman. Medhhebi akaidologjik, ideologjik sunnit maturidit dhe juridik që vërehet në tefsirin e tij është doktrinë sunnite (sipas besimit të Ehli Sunnetit dhe Xhematit) në bazë të metodës dhe mendimit të Imam Ebu Mensur Maturidiut (Zoti e mëshiroftë!). Sa i përket medhhebit juridik, ai i përkiste medhhebit hanefit, ngase ky medhheb dominon në territorin e Ballkanit.

Ajo që e dallon këtë tefsir nga tefsiret e tjerë të dijetarëve shqiptarë, është fakti se ky është tefsiri i parë metodologjik që është shkruar në fillim të shek. XX, dhe për këtë shkak gëzon nder të lartë, pozitë të lartë dhe rëndësi paraprijëse në territoret shqiptare, posaçërisht në shoqërinë shqiptare islame.

Ky tefsr është i lehtë dhe i këndshëm, e pëlqen secili që e lexon dhe ka metodë atraktive. Komentuesi këtu ka bërë një harmonizim në mes origjinalitetit, tradicionales dhe asaj moderne gjatë shqyrtimit të tematikave islame. Karakteristikë e këtij tefsiri është se nuk ka fjalë të tepërta, të cilat nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me tekstin.

Zoti e mëshiroftë Shejhun dhe komentuesin e çmuar Hafiz Ibrahim Dalliu, me mëshirën e Tij të madhe!; Kurse neve na bëftë si ai dhe na takoftë me të në xhennetet e begatshme! Amin!

Dhe në fund, e falënderoj Allahun, Zotin e botëve!

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE
(SHEK 19-20)

 


[1] “Ajka e kuptimeve të Kur’ani Qerimit”; vëll. 1, f. 150, 191, 202, 203; Ismail Raji Al-Faruqi, “Islam and other faiths”; edited by Ataullah Siddiqi, The islamic Fondation and The International Institute of Islamic Thought, Markfield, Leicester, UK, 72-91, 161-194.

[2] El-Bekare, 30.

[3] “Ajka e kuptimeve…”; vëll. 1, fq. 86-88.

[4] Po aty, vëll. 2, fq. 1088-1089.

[5] Për t’u bindur në këtë të vërtetë, shiko në tefsirin e tij faqet vijuese: vëll. 1, fq. 94, 198, 262, 377, 560 dhe vëll. 2, f. 1156.