DOKTRINA FILOSOFIKE NË RELACION ME DISA ÇËSHTJE KUR’ANORE TË ILUSTRUARA ME MENDIMET E HOXHË HASAN TAHSIN EFENDIUT

0
589
HYRJE NË GJENEZËN HISTORIKE TË KËTYRE DY DOKTRINAVE TE DIJETARËT SHQIPTARË

Historia e këtij drejtimi te shqiptarët fillon që nga gjysma e dytë e shek. XIX, kjo në bazë të shënimeve që gjenden në artikuj, shkrime e disa hulumtime shkencore rreth këtij drejtimi me dy tehe: shkencor filosofik dhe shkencor eksperimental. Nuk ka pasur ndonjë punim që është marrë me këtë çështje, ngase ende nuk ishte formuar si drejtim me karakter të frytshëm shkencor. Për shkak të kësaj të vërtete historike, nuk kemi ndonjë burim ose literaturë të posaçme rreth kësaj çështjeje, përpos revistave periodike dhe revistave islame mujore që i botonte dhe i shpërndante Këshilli Suprem i Sheriatit Islam në Shqipëri,[1] ku shkruheshin mendimet dhe idetë e tilla të thella shkencore dhe filosofike.[2]

Ky drejtim ose kjo metodë shkencore në relacion me Librin e Zotit si nga aspekti i të kuptuarit ashtu edhe nga aspekti i komentimit, vjen si pasojë e drejtimit reformist racional që u zbërthye në kapitullin e kaluar, e që kishte ndikuar, për fat të mirë, edhe në mendimtarët shqiptarë. Mund të thuhet se kjo metodë shkencore është krahu i dytë i mendimit fetar reformist që vërehej nëpër shkrimet e shqiptarëve deri në gjysmën e dytë të shk. XX.[3]

Disa nga artikujt e tillë i gjetëm të përkthyer nga gjuhët e tjera, por pjesa dërmuese e tyre ishin shkrime dhe punime origjinale nga truri shqiptar.[4]

Punimet shkencore që botoheshin në këto revista periodike islame, kishin për qëllim të tregonin urtësinë dhe mrekullinë shkencore të Kur’anit Fisnik, përmes jetësimit të obligimeve dhe parimeve, të cilat Zoti i Madhërishëm i ka shpallur në Kur’anin Fisnik dhe i ka obliguar njerëzit që t’i kryejnë në mënyrën sa më të mirë. Lloji i studimeve të tilla, dhe natyra e temave kishin të bënin me tefsirin dhe komentimin e ajeteve që ndalonin verën, mishin e derrit dhe dëmet që dalin nga pirja e duhanit, etj…

Pastaj, këto komentime verifikoheshin me raportet e mjekëve specialistë në shkenca moderne, për të qenë sa më afër urtësisë së parimeve hyjnore legjislative. Punimet e tilla shqyrtonin edhe tematika filosofike të thella, si dhe studionin mendimet e filosofëve të mëdhenj klasikë muslimanë rreth sufizmit, logjikës, ateizmit dhe ekzistencës, si p.sh., filosofët El-Kindi, El-Farabi, Ibn Rushd, Ibn Sinâ dhe Imam Gazaliu.

Këtu jemi të obliguar që t’i zbërthejmë këto dy metoda shkencore dhe filosofike, përmes punimeve të mendimtarëve dhe dijetarëve shqiptarë, dhe të theksojmë disa personalitete të njohura shqiptare që jetuan në shek. XIX dhe në shek. XX, në mënyrë qe t’i kuptojmë rrethanat historike që ndikuan në formimin e këtij fenomeni dhe personalitetet që u prijnë këtyre dy metodave.

Njëri nga dijetarët e tillë shqiptarë u takua me udhëheqësit e shkollës reformiste islame, gjegjësisht me Shejh Xhemaludin Afganin dhe Shejh Imam Muhamed Abduhunë, dhe jetoi në periudhën kohore, kur në Evropë mbizotëronte iluminizmi francez. Në të njëjtën kohë, lëvizja e reformistëve kishte filluar të përhapet edhe në Universitetin e Az’harit. Studimi i doktrinës shkencore filosofike, do të na ndihmojë ta kuptojmë këtë hoxhë reformist dhe dijetar shqiptar, i cili i kishte tejkaluar bashkëkohësit e vet, mendimtarë dhe hoxhallarë të shtetit osman në shkenca të ndryshme humane, dhe këtë dhashtë Zoti, qartë do ta vërejmë në biografinë e tij.

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE
(SHEK 19-20)

[1] Kultura Islame; Nr. 7-8, mars-prill 1944, 173-179. Në këtë numër të kësaj reviste është botuar një artikull tefsiri rreth ajetit:

) وَلَقَدۡ خَلَقۡنَا ٱلۡإِنسَٰنَ مِن سُلَٰلَةٖ مِّن طِينٖ ١٢ ثُمَّ جَعَلۡنَٰهُ نُطۡفَةٗ فِي قَرَارٖ مَّكِينٖ ١٣ ثُمَّ خَلَقۡنَا ٱلنُّطۡفَةَ عَلَقَةٗ فَخَلَقۡنَا ٱلۡعَلَقَةَ مُضۡغَةٗ فَخَلَقۡنَا ٱلۡمُضۡغَةَ عِظَٰمٗا فَكَسَوۡنَا ٱلۡعِظَٰمَ لَحۡمٗا ثُمَّ أَنشَأۡنَٰهُ خَلۡقًا ءَاخَرَۚ فَتَبَارَكَ ٱللَّهُ أَحۡسَنُ ٱلۡخَٰلِقِينَ ١٤( [ المؤمنون:12-14]

Për Allahun ne krijuam njeriun prej një ajke (lëngu), e një balte, pastaj atë (ajkë-baltë) e bëmë (e shndërruam) pikë uji (farë) në një vend të sigurt. Më pas, atë pikë uji e bëmë copë gjaku, e atë gjak të ngurtë e bëmë copë mishi, e atë copë mishi e shndërruam në eshtra edhe eshtrave ua veshëm mishin, pastaj atë e bëmë krijesë tjetër (me shpirt). I lartë është Allahu , më i Miri Krijues!” (El Mu’minun,12-14).

[2] Shih kumtesat shkencore në Zanin e Naltë, përkatësisht Përmbledhjen e kumtesave 10-46, që janë lexuar në takimin shkencor që është mbajtur në Shqipëri në solemnitetin e organizuar me rastin e shtatëdhjetë e pesë vjetorit të botimit të revistës së njohur islame “Zani i Naltë”, e cila ishte revistë fetare, filosofike, etike e sociale. Numri i parë i saj u botua në vitin 1924 dhe vazhdoi të botohet deri në vitin 1939, pastaj është ndërprerë nga pushteti laik. Më vonë ka nisur përsëri të botohet, por me tjetër emër: “Kultura Islame”.

[3] Këtë fenomen mund ta gjesh edhe në revistat dhe periodikët islamë shqiptare në Kosovë, si p.sh., në revistën “Edukata Islame” Nr. 37-38, 1983 (12-18); Nr. 46-47, 1986 (3-8); Nr. 33-34, 1982, (15-21).

[4] VËREJTJE E RËNDËSISHME: Thamë se ishin produkt origjinal i trurit shqiptar, me qëllim që  t’i dallojmë nga punimet jo origjinale, të cilat nuk do të jenë pjesë e disertacionit tim. Përveç kësaj, edhe titulli i këtij disertacioni nuk na lejon që t’i fusim studimet e tilla të përkthyera, ngase këtu do të studioj shkrimet dhe studimet origjinale kur’anore nga autorë shqiptarë e jo përkthime, edhe pse përkthimet e tilla kanë lidhje të ngushtë në hulumtimin tim. Nuk ka fije dyshimi se autorët e veprave të përkthyera meritojnë respekt e nder të madh për punën e tyre, dhe përkthimet e tilla bëjnë pjesë në grupin e studimeve kur’anore dhe studimeve të tefsirit. Në vijim do t’i theksoj titujt e studimeve të përkthyera që nuk janë perfshirë në këtë hulumtim:

– E nxora jashtë studimit tim librin e tefsirit të përkthyer me titull “Esbabun-nuzul” i Imam Vahidiut që i takon doktrinës tradicionale të tefsirit. Kështu i përshkruan prof.dr.Fehd Er-Rumi në librin e tij “It-tixhahut-tefsir fil-karnir-rabi’asher”; vëll. 1, f. 45. Në gjuhën shqipe është përkthyer nga gjuha boshnjake me titull: Jusuf Ramiq, “Shkaqet e shpalljes së Kur’ani Kerimit”; përktheu Bahri Aliu, 1992. (Ed-Darul-Alemijjetu lil-Kitabil-Islami, Rijad, Arabia Saudite).

Nga studimi im kam mënjanuar edhe Kur’anin e përkthyer dhe të komentuar në gjuhën shqipe nga një autor pakistanez i sektit të devijuar dhe destruktiv – kadijanit. Ky përkthim dhe ky koment është përplot kufër dhe shirk, devijime e shkatërrime. Ky përkthim është përgatitur për t’i humbur dhe devijuar muslimanët shqiptarë në Perëndim, Shqipëri, Kosovë e gjetiu. Edhe profesori Emin ef.Behrami ka një studim të vlefshëm kritik rreth këtij përkthimi dhe tefsiri të devijuar dhe destruktiv në gjuhën shqipe. Edhe pse ky përkthim në gjuhën shqipe ka rëndësi studimi, por nuk është prudukt i dijetarëve dhe mendimtarëve shqiptarë, dhe meqë nuk është prodhim i shqiptarëve, nuk mund të jetë pjesë e studimit tim. Titulli i këtij tefsiri të përmbledhur është: Muhamad Zakaria Khan, “Kur’ani i Shenjtë, arabisht-shqip-përkthim dhe komentim”; 1990; Islam Publications LTD, Islamabad Sheephatch Lane Tilford, Surrey, GU 10-2 AQ, UK.

– Po ashtu e distancova nga studimi im edhe Kur’anin e përkthyer nga anglishtja në shqip, autorët e të cilit janë dr. Tekijjuddin Hilali dhe dr. Muhsin Han. E distancova për shkak të arsyeve që i përmenda pak më parë rreth përkthimit të Muhammad Zakaria Khanit.Titulli i këtij Kur’ani të komentuar është: “Shpjegimi i kuptimeve të Kur’anit të Lartë në gjuhën shqipe”; përmbledhur në një vëllim, nga dr. Muhamed Takiud-din El-Hilali dhe dr. Muhamed Muhsin Khan (Përkthyer në shqip nga një grup përkthyesish pranë Darus-Selam, Shtëpia botuese dhe shpërndarëse, Rijad, Arabia Saudite, 2000).

– Për arsye të sipërpërmendura distancova nga studimi im edhe librin e Sejjid Kutubit, “Et-Tesvirul-fennij fil-Kur’anil-Kerim”– të përkthyer në gjuhën shqipe nga Omer Musa me titull: “Ilustrimi artistik në Kur’an”; Logos-A, Shkup, 1996.

Edhe tefsirin “El-Muntehab fi tefsiril-Kur’anil-Kerim”, të botuar në Egjipt nga Ministria e Vakëfit, dhe të përkthyer në gjuhën shqipe nga Haxhi Selim Stafa, nuk e shtyra në këtë studim. Ky tefsir quhet, “Përzgjedhje në komentimin e Kur’ani Kerimit”; Komuniteti Musliman i Shqipërisë, Komiteti i Botës Islame, përktheu nga origjinali Haxhi Selim Stafa, Tiranë, 1998.

– Po ashtu e tërhoqa edhe tefsirin e sures “Jasinë” nga tefsiri “Fi Dhilalil-Kur’an” i Martirit Sejjid Kutub, i përkthyer në gjuhën shqipe nga prof. Muhamed ef. Mustafa me titull: “Jasini“-përkthim dhe komentim”; Logos-A, Shkup, 1999.

– Nga ky disertacion distancova edhe librin “Edh-Dhahiretul-Kur’anijjetu”, nga autori Malik ibn Nebi, në gjuhën shqipe “Fenomeni Kuranor”; Mitrovicë 1997.

– Njësoj veprova edhe me librin e përkthyer në gjuhën shqipe “El-Kur’an, Muhaveletu li fehmin asrijjin”; nga Mustafa Mahmudi, në shqip me titull: “Kur’ani përpjekje për të kuptuarit bashkëkohor”; Mitrovicë 1997.

– Po ashtu ndodhi edhe me librin e përkthyer në gjuhën shqipe, “El-Kur’an vel-Ilmu”; nga Dr. Maurice Bucaille, me titull: “Kur’ani dhe shkenca”; Prishtinë 1996; si dhe:

– Me librin e përkthyer në gjuhën shqipe nga prof. Mr. Qemajl Morina “Mu’xhizetul-Kur’an”, i Shejh Muhammed Mutevel-li Sha’ravi; me titull:, “Mrekullia Kur’anore”; botuar nga Dituria islame, Prishtinë 1996.