DOKTRINA SHKENCORE EKSPERIMENTALE E ILUSTRUAR NË STUDIMET E MJEKUT PRIM. DR. Sci. Med. ALI FAHRI ILJAZI

0
807
HISTORIKU I KËTIJ DREJTIMI

Në këtë kapitull të disertacionit tim, dëshiroj që të njoftohemi me një metodë tjetër shkencore, krahas metodës së parë filosofike që ishte përhapur në shkrimet e dijetarëve dhe hulumtuesve shqiptarë gjatë studimeve kur’anore. Kjo metodë shkencore ose ky drejtim shkencor eksperimental, është më afër të vërtetës se sa metoda e parë filosofike. Kjo metodë kishte arritur kulmin e saj në kohën e fundit të këtij shekulli. Deri para disa vitesh, askush nuk ka shkruar në këtë lëmi, derisa doli në skenë profesori dhe mjeku i njohur specialist kardiolog dhe internist shqiptar nga Kosova, Prim. dr. Sci Ali Fahri Iljazi.

Dr. Ali Iljazi ka shkrime tejet të vlefshme në këtë sferë, Ai ende është gjallë dhe konsiderohet personalitet me famë të madhe shkencore. Para dy viteve ka shkruar librin e tij të njohur me titull: “Kur’ani dhe shkenca bashkëkohore”.[1]

Lirisht mund të themi se ky libër i takon korpusit të librave të tefsirit të thuktë, dhe përmban në brendi tefsir të rezimuar objektiv të ajeteve që kanë të bëjnë me çështjet e krijimit të njeriut, gjithsesi dhe fenomeneve tjera natyrore, dhe këtu fshihet edhe urtësia e këtij libri dhe arsyeja që më shtyri ta studioj dhe analizoj. Dhashë Zoti, do të shqyrtojmë disa pjesë nga ky libër, që të njihemi me metodën e autorit gjatë komentimit të disa ajeteve kur’anore që kanë të bëjnë me disa tematika shkencore bashkëkohore. Ky libër plotëson librin e tij të parë që e ka shkruar katër vite më parë me titull: “Aspekte shkencore në Kur’an” e që ka të bëjë me fenomenet shkencore të Kur’anit Fisnik.

I: NJOHURI MBI JETËN, ARSIMIMIN DHE VEPRAT E PROF. DR. ALI FAHRI ILJAZIT

Prof. dr. Ali Fahri Iljazi u lind në qytetin e Gjakovës, Republika e Kosovës më 11.06.1949. Rrjedh nga një familje fetare dhe intelektuale. Nga rrjedha e kësaj familje kanë dalë më shumë se njëzet thirrës në fe, shtatë dijetarë dhe mësimdhënës të njohur, dhe i fundit prej tyre që ka vdekur ishte pikërisht i ati i tij Hoxha, Hafizi dhe Myderrizi i njohur Fahri Iljaz Efendiu (Zoti e mëshiroftë!).

Prof. dr. Ali Fahri Iljazi ka kryer shkollën fillore dhe të mesme me sukses të shkëlqyeshëm në vendlindje, pastaj ka vazhduar studimet universitare në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Sarajevës dhe ka diplomuar me sukses shembullor. Ka marrë shumë mirënjohje dhe medalje të arta e dhurata financiare. Më tej vazhdon studimet e specializimit në të njëjtin Universitet derisa i përfundon me sukses të shkëlqyeshëm në vitin 1979, pastaj vazhdon magjistraturën dhe doktoraturën në Novi Sad, ish-Jugosllavi, në mes viteve 1981-1988, ku edhe përfundon me sukses të shkëlqyeshëm studimet në lëmin e sëmurjeve të brendshme të pneumologjisë. Në vitin 1987 fiton titullin e lartë të mjekësisë “primarius” nga Ministria e Kulturës dhe Arsimit të Republikës së Kosovës. Deri tash ka botuar më shumë se tetëdhjetë artikuj e hulumtime shkencore,[2] në revista të ndryshme mjekësore, si dhe prezantoi në shumë konferenca ndërkombëtare që organizoheshin në shumë qytete të ish-Jugosllavisë. Ai po ashtu ka një libër të njohur rreth sëmurjeve të mushkërive, dhe krahas këtij libri merret edhe me tefsirin shkencor të Kur’anit, dhe në këtë sferë ka botuar më shumë se shtatëdhjetë artikuj e punime shkencore nëpër revista islame në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Maqedonisë. Ndër punimet e tjera të tij janë edhe titujt që vijojnë:

  1. Agjërimi nga aspekti medicinal;
  2. Aspekte shkencore në Kur’an;
  3. Kur’ani dhe shkenca bashkëkohore; dhe:
  4. Mrekullia dhe komentimi i Kur’anit në dritën e njohurive shkencore.[3]

Mbështetja ime më e madhe në studimin e kësaj tematike do të jetë në librin e fundit mbi mrekullitë e Kur’anit të prof.dr.Ali Fahri Iljazit, dhe në disa ligjërata shkencore e fetare që i ka zhvilluar në manifestime të ndryshme nëpër xhamia, posaçërisht gjatë muajit të Ramazanit. Momentalisht kryen detyrën si hatib vullnetar në xhaminë qendrore në qytetin e Gjakovës në Kosovë, dhe në të njëjtën kohë është mjek specialist në Spitalin Shtetëror dhe në ordinancën e tij private. Metoda e tij atraktive ka ndikuar që rreth tij të tubohen shumë të rinj muslimanë e intelektualë të sferave të ndryshme.

Për sa i përket aftësisë së tij shkencore në tefsirin e Kur’anit Fisnik, të prof. dr. Ali Fahri Iljazit, me plot respekt dhe konsideratë ndaj tij, në bazë të asaj që vërejta gjatë takimeve të mia dhe bisedave me të, si dhe në bazë të specializimit të tij në sëmundjet e zemrës dhe sëmundjet e brendshme, them se njohuritë e tij mjekësore plotësojnë njohuritë e tij në Sheriat, konkretisht në tefsirin e Kur’anit Fisnik, e të cilat burojnë nga imani i tij i fortë se duhet t’i shërbejë Librit të Zotit të Madhërishëm.

Ndoshta ky kontribut i tij është rezultat i edukatës së vërtetë islame që e ka përfituar dhe trashëguar nga i ati i tij, Hoxha dhe alimi Fahri Iljaz Efendiu. Nëse e kuptojmë këtë të vërtetë, mund të themi se prof.dr. Ali Fahri Iljazi nuk ka mësuar në shkolla, fakultete e universitete fetare që të përfitojë njohuri nga shkencat e Sheriatit dhe në gjuhën arabe, si dhe t’i njeh metodat e mufesirëve (komentuesve) klasikë e modernë. Është më se e vërtetë se ai ka nevojë për t’u thelluar shumë në gjuhën arabe, gjegjësisht në gramatikë, stilistikë, prozodi, hadith, në terminologjinë e hadithit, në shkencat e Kur’anit, në parimet e fikhut, edhe pse vetë me sytë e mi pashë, se ai posedonte një numër të madh të librave fetare dhe tefsireve të ndryshëm, sufizmit e moralit, që ishin pronë e tij dhe e të atit të tij, alimit Fahri Iljaz Efendiut.

Interesi i tij për tefsirin e Kur’anit Fisnik ka lindur si rezultat i leximeve të shumta të artikujve të ndryshëm nga dijetarët dhe hulumtuesit bashkëkohorë perëndimorë e arabë muslimanë, qofshin ato botime origjinale ose përkthime rreth tefsirit shkencor të Kur’anit Fisnik. Krahas kësaj, ai ka njohuri elemtare të gjuhës arabe edhe shkencave të Sheriatit. Pra, si duket, këto ishin disa shtylla dhe pikënisje shkencore prej të cilave prof.dr. Ali Fahri Iljazi ka filluar të komentojë ajetet e librit të Zotit në baza shkencore bashkëkohore e moderne.

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE
(SHEK 19-20)

[1] Gjakovë, Kosovë, 2000.

[2] Shih revistën islame filosofike e kulturore me titull: “Frymëzimi”; numrat. 1-10. Këtë revistë që përmban punime e artikuj të ndryshëm shkencor rreth mrekullisë së Kur’anit, e boton vetë dr. Ali Iljazi në qytetin e vet-Gjakovë.

[3] Prof. dr. Ali Iljazi vet e shkroi biografinë në shtëpinë e tij në qytetin e Gjakovës, kur e vizitova për të biseduar rreth çështjeve shkencore më 27.07.2001. Gjatë kësaj vizite, ai më furnizoi me tituj dhe burime të reja shkencore që kishin të bënin me disertacionin tim rreth komentimeve shkencore të Kur’anit.