EDUKATA PËR URDHËRESËN NË TË MIRË DHE NDALIMIN NGA E KEQJA

0
593

 

Allahu xh.sh. në Kuranin famëlartë thotë: “Ju mos ua shani ata (zota) që u luten (idhujtarët) pos Allahut xh.sh., e si (hakmarrje) të fyejnë Allahun xh.sh. nga armiqësia, duke mos ditur (për madhërinë e Tij). Ne i kemi zbukuruar çdo populli veprimin e vet, mandej e ardhmja e tyre është te Zoti i tyre e Ai i shpërblen për atë që veprojnë”. [El E’rafë:108]

Ligji që përmban ky ajet është shumë i rëndësishëm. Ai ka të bëjë me një çështje shumë aktuale për misionarin, i cili i thërret njerëzit në rrugën e Allahut xh.sh. dhe mundohet t’i ndalojë ata nga e keqja. Nëse ndonjë ndalesë bëhet shkak për të ndodhur ndonjë problem akoma më i madh, këtij misionari i thuhet mos vepro kësisoj, sepse nuk bën që një problem i vogël të shkaktojë një problem më të madh, fjala vjen: që besimtari t’i shajë zotët e jobesimtarëve, e ata mandej ta shajnë Allahun xh.sh. nga armiqësia e padituria.

Kjo vepër, që shkakton këtë problem më të madh, nuk konsiderohet si urdhëresë në të mirë dhe ndalesë nga e keqja, por konsiderohet si shkak për të rënë në haram më të madh, e Allahu xh.sh. na ka obliguar që ne t’i mbyllim shtigjet të cilat na shpien në haram.

Sa i përket shkakut dhe urtësisë së kësaj ndalese, këto janë të qarta dhe të dukshme. 

Shkaku dhe qëllimi i urdhëresës në të mirë dhe ndalesës nga e keqja është përhapja e hakut (së vërtetës) dhe largimi apo eliminimi e së shtrembrës, sipas mundësive dhe kjo realizohet me anë të këshillës në emër të Allahut xh.sh., duke qenë të qetë e të pastër shpirtërisht nga të gjitha mendimet dhe epshet e këqija, duke dialoguar në mënyrë të kulturuar, si edhe duke u larguar nga ofendimet personale…

Në këtë rast, si u tha më lart, kërkohet urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja për të gjithë besimtarët, ndërsa në rastet e tjera kjo vepër konsiderohet si një prej veprave që Allahu xh.sh nuk e pëlqen.

Prandaj, pikërisht për këtë arsye, duhet ta kemi shumë në konsideratë edukatën, sjelljen dhe mënyrën e eliminimit dhe të largimit të keqes. Mos sjellja mirë dhe mos aplikimi i kësaj edukate, që është kushti paraprak për ndalimin nga e keqja dhe urdhërimin në të mirë, konsiderohet mëkat tek Allahu xh.sh.

Kur një njeri e sheh një të keqe në rrugë dhe nuk është edukuar për ta larguar atë dhe, për shkak të këtij gjesti (pra për shkak të mos ndalimit të tij nga ajo e keqe), personi i cili është duke e kryer atë vepër të keqe zhytet akoma më shumë në atë vepër të keqe, mëkatin e këtij harami e merr ky njeri (personi që nuk e ndaloi e jo vepruesi i keqes).

Në këtë rast është me shumë rëndësi të theksohet dhe të bëhet dallimi prej hidhërimit dhe kritikës për hir të Allahut xh.sh. dhe në emër të Tij dhe hidhërimit me dikë për interesa personale dhe fitimprurëse. 

Janë të shumtë ata të cilët i bëjnë kritikat apo mundohen ta largojnë të keqen prej dikujt, jo në emër të Allahut xh.sh., por vetëm për t’u lavdëruar para dikujt ose që atyre t’u thuhet se janë persona të cilët urdhërojnë në të mirë dhe ndalojnë prej të keqes. Kjo është një dukuri që diktohet menjëherë nga pala tjetër dhe ky person, kur e kupton se ai tjetri nuk e ka në emër të Allahut xh.sh., fillon menjëherë të xhelozojë dhe të jetë akoma më këmbëngulës në mëkatin e tij dhe nuk dëshiron të dëgjojë fare.

Sa profesorë e mësues shohin prej nxënësve të tyre ndonjë vepër të keqe që ata e punojnë para tyre, e prej xhelozisë se mos iu humbet autoriteti i tyre ‘se kush jemi ne’ e ‘si guxon ky nxënës apo student ta veprojë këtë turp para nesh’, këta kinse po e urrejnë këtë të keqe në emër të dinit dhe të Allahut xh.sh. sillen në mënyrën më brutale dhe më agresive ndaj nxënësve duke i rrahur ata dhe duke i ofenduar, e pastaj ata (nxënësit) në shenjë hakmarrje ndaj profesorëve bëhen edhe më kokëfortë dhe më këmbëngulës në atë vepër të keqe.

Sa hoxhallarë, me uniformë fetare, i shohin të tjerët duke ngrënë haptazi nëpër rrugë gjatë muajit ramazan dhe ky haram bëhet qëllimisht para tyre pse këta janë hoxhallarë me shall, e këtyre hoxhallarëve iu vlon barku prej xhelozisë dhe inatit pse bash para tyre të tjerët po hanë apo po pinë diçka gjatë ramazanit.

Këto lloj qëllimesh të këqija të misionarëve të fesë në veçanti dhe të muslimanëve në përgjithësi nuk na çojnë në përparim.

Muslimani i sinqertë dhe i drejtë kur e ndien veten se nuk është i sinqertë 100%, si në fjalë ashtu edhe në vepër, për një punë që do ta ndërmarrë, atëherë për të është më mirë të ndalet ose të heshtë, e nëse e ndien veten të pastër dhe të sinqertë atëherë le të vazhdojë aksionin e tij për fenë islame, në emër të Allahut xh.sh.

Ajeti i lartpërmendur dhe shumë ajete të tjera të ngjashme si ky iu kanë mundësuar dijetarëve të fesë islame, sidomos të usuli–fikhut, që të nxjerrin një rregullore të përgjithshme të fesë, e cila në gjuhën arabe quhet ‘Sed-dul Dheraie’ – ‘mbyllja e shtigjeve të cilat çojnë në haram’, që është shumë e rëndësishme në jetën e misionarit islam.

 

Përktheu dhe përshtati nga arabishtja: Prof.Dr. Hfz. Hajredin Hoxha

Prof.Dr.Muhamed Said Ramadan el Buti – FSHEHTËSITË E DISA LIGJEVE KUR’ANORE