ETIKA SHPIRTËRORE DHE PARIMET MORALE SIPAS IMAM GAZALIUT

Imam Gazaliu ka pjesë shumë të bukura të thëna për çështjen për të cilën po flasim. Konsideroj se është shumë e rëndësishme të shkëpusim disa paragrafë duke dashur t’ia rikujtoj këtu lexuesit të nderuar se ato, mbase mund të duken si të përsëritura në shikim të parë, por nuk janë të tilla, ngase Imami ka mënyrën e vet unike në prezantimin, shpjegimin dhe lidhjen ndërmjet pjesëve të këtij sistemi.

Me këtë rast, do të doja të përmend se veprat e brendshme (edukata shpirtërore) e lexuesit të Kur’anit duhet të jetë një rregull ideor, moral dhe shpirtëror për medituesi e Kur’anit, po kështu.

Imam Gazaliu thotë: Kapitulli III: Për veprat e brendshme të leximit, e që janë dhjetë:

  1.  Të kuptuarit e bazës dhe esencës- thelbit të të folurit;
  2.  respektimi – madhërimi i Tij;
  3.  prania shpirtërore;
  4.  meditimi;
  5.  të kuptuarit e mirë;
  6.  zhveshja nga pengesat e të kuptuarit;
  7.  veçimi;
  8.  të ndikuarit;
  9.  avancimi;
  10. dhe modestia.

1) Të kuptuarit e madhështisë së të folurit. Është të Folur të Allahut.
Është mirësi dhe butësi e madhe e Tij me robërit, ngase ka bërë që, ndonëse është aq madhështor dhe nuk ka fare nevojë për krijesat, të folurit e Tij ta zbres në nivelin që t’i bëjë njerëzit të kuptojnë.

2) Madhërimi i Folësit. Ikrime ibn Ebi Xhehlit i binte të fikët kur e hapte mus’hafin. Është të folurit e Zotit tim! Është të folurit e Zotit tim! –thoshte. Kur i shkonte ndërmend Arshi, Kursijja, qiejt, toka, njerëzit dhe xhinët dhe gjithë çka ka ndërmjet tyre, dhe kur e dinte se Krijuesi, Mbizotëruesi dhe Furnizuesi i të gjitha këtyre është Një, dhe se të gjithë janë në dorën e Tij, ndërmjet mirësisë dhe mëshirës së Tij si dhe ndërmjet ndëshkimit dhe fuqisë së Tij; nëse dhuron, atëherë me mirësinë e Tij, e nëse ndëshkon, atëherë me drejtësinë e Tij…

3) Prania shpirtërore – përkushtimi dhe vigjilenca. Në koment të ajetit:
O Jahja, merre librin me shumë kujdes, dhe ashtu Ne i dhamë atij urtësi kur ishte fëmijë.“ (Merjem, 12) …është thënë: merre Librin me zell dhe seriozitet, gjë që nënkupton të përkushtohesh tërësisht gjatë leximit dhe të të mos shkojë mendja tek diç tjetër…

4) Meditimi. Meditimi qëndron pas pranisë dhe përkushtimit shpirtëror, për shkak se ndodhë që njeriu të mos mendojë për diç tjetër përveç Kur’anit por të mos meditojë ngase dëshiron ta dëgjojë veten duke lexuar, etj. Ndërsa qëllimi i leximit është meditimi. Ka thënë Aliu [Allahu qoftë i kënaqur me të!]: “Nuk ka mirësi në adhurimin, në të cilin nuk ka të kuptuar, de as në leximi, në të cilin nuk ka të medituar!”

E, nëse nuk mundet të meditojë vetëm se duke e përcjellë – përsëritur fjalinë, atëherë e ta bëjë, me përjashtim kur falet pas Imamit. Ebu Dherri [Allahu qoftë i kënaqur me të!] ka thënë: I Dërguari i Allahut u fal një natë me ne ndërsa përsërit këtë ajet:

Nëse i dënon ata, në të vërtetë ata janë robër Tu, e nëse u falë atyre, Ti je i gjithëfuqishmi, i urti.“ (el-Maide, 118)

5)Të kuptuarit. Që nga secili ajet të ketë të qartë atë që i përshtatet kuptimisht atij. Kjo ngase Kur’ani në gjirin e vet përmban cilësi të Allahut të Madhëruar dhe vepra të Tij, përmban po kështu edhe rrëfime për profetët, rrëfime për femohuesit dhe përgënjeshtruesit, përmban urdhëresa dhe ndalesa, flet për Xhennetin dhe Xhehennemin, kështu që le t’i meditoj këto gjëra në mënyrë që t’i zbulohen domethëniet e fshehura, të cilat nuk i zbulohen vetëm se atyre të bekuarve për sukses. Ka thënë Ibni Mes’udi: “Kush e do diturinë e të parëve dhe të mbramëve, le ta shpërthen Kur’anin!” Për këtë arsye, kush do që lexon ajetet në vijim:

A nuk e shihni atë që e mbillni?“ (el-Vakiah, 63)
A më tregoni për farën që e derdhni, “ (el-Vakiah, 58)
A e shihni ujin që po e pini?“ (el-Vakiah, 68)
A e keni parë zjarrin që ju e ndizni?“ (el-Vakiah, 71)

…duhet që shikimin të mos e përkufizojë vetëm në ujë, zjarr, vendmbjellje dhe spermë, por se si kjo e fundit është një pikë uji, e cila më pas shndërrohet në copë mishi, për t’u formuar më pas në gjymtyrë trupore, e për të marrë më pastaj edhe karaktere të ndryshme, disa të vrazhdë, të butë, etj.

Ndërsa sa i përket gjendjes së mohuesve, le të jetë të kuptuarit e tij në shërbim të frikës nga hidhërimi dhe ndëshkimi i Allahut. Le të merr mësim se si nuk duhet ndjekur rrugën e shkatarraqëve sepse fundi i saj është dëshpërim.
Nga përshkrimi i Xhennetit dhe Xhehennemit le të kuptojë se nuk mund të përthekohet ajo që kuptohet ngase nuk ka fund. E, ai që nuk kupton atë që gjendet në Kur’an, qoftë edhe në nivelet më të ulëta, atëherë ai është pjesë e ajetit të 16 nga kaptina Muhammed:

Prej tyre ka asish që vijnë të dëgjojnë ty, por kur largohen prej teje, u drejtohen atyre që kanë dije u thonë: “Çka tha ai (Muhammedi) më parë?” Ata janë zemrat e të cilëve i ka vulosur All-llahu e ata udhëhiqen pas dëshirave të veta.” Zaten, është thënë se muridi nuk mund të jetë murid derisa nuk gjen në Kur’an tërë atë që kërkon, nuk mëson për mangësinë sa herë që dijen e shton (pra, e kupton sa e gjerë është dija) dhe nuk mjafton me Allahun nga krijesat e Tij…

6) Largimi i pengesave të të kuptuarit. Shumë njerëz janë privuar nga kuptimi i domethënieve madhështore të Kur’anit për shkak të perdeve që djalli i mallkuar ka lëshuar mbi zemrat e tyre.

Muhammedi [alejhis salatu ves selam!] ka thënë: ”لولا أن الشياطين يحومون على قلوب بني آدم لنظروا إلى الملكوت Sikur djajtë të mos rrethonin zemrat e bijve të Ademit, ata do të shihnin edhe në pushtetin qiellor (melekutin)!” Domethëniet e Kur’anit janë pjesë e melekutit dhe çdo gjë që shqisat nuk mund ta detektojnë dhe nuk mund të arrihet vetëm se me nurin e argumentit, është pjesë e melekutit. Gjërat që i vënë perde melekutit janë katër:

a) Që fokusi gjatë leximit të jetë vetëm në nxjerrjen – shqiptimin e tingujve. Djalli krijon mëdyshje se nuk i kanë shqiptuar mirë andaj i sheh tek i kthehen një tingulli të vetëm disa herë. Për shkak të përqendrimit vetëm në shqiptimin e tingujve, njerëzit e kësaj kategorie privohen nga kuptimi i thellë i domethënieve të Kur’anit.

b) Fanatizmi medh’hebor, që nuk e lë të dalë jashtë asaj që qëndron në drejtimin të cilin e pason.

c) Që të ketë ngulur këmbë në ndonjë mëkat të caktuar, të jetë mendjemadh apo të jetë pasues i epshit. Këto gjëra janë shkak për errësimin e zemrës. Është si të thuash pluhurosje e pasqyrës që pamundëson shikimin e pastër në të. E, sa herë që epshet të jenë më komplekse, atëherë mundësia që zemra të zbulojë domethëniet e Kur’anit pakësohet gjithnjë e më tepër.

Ndërsa, sa herë që brengat e dynjasë janë më të pakta, atëherë mundësia që zemra të thellohet në zbulimin e këtyre domethënieve madhështore, është më e madhe. Zemra është sikur pasqyra ndërsa epshet sikur ndryshku – pluhuri ndërsa domethëniet e Kur’anit janë sikur fotot që shfaqen – duken në pasqyrë. E, përpjekja për ta ruajtur zemrën nga epshet është sikur pastrimi i pasqyrës.

Për këtë shkak Muhammedi [alejhis salatu ves selam!] ka thënë:

Kur Ummeti im ta ketë stërmadhuar vlerën e dynjasë dhe parasë, atëherë frikërespekti i Islamit do të shkulet nga zemrat e tyre, ndërsa kur ta kenë braktisur urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja, atëherë do të privohen nga bereqeti i shpalljes.” Fudajl ibn Ijjadi duke shpjeguar këtë hadith, thotë: Do të privohen nga kuptimi i Kur’anit. Allahu i Madhëruar ka kushtëzuar që për ta kuptuar Kur’anin duhet të jesh tip që pendohet. Allahu thotë:

(I bëmë ashtu) Dëshmi të dukshme dhe përkujtuese për secilin njeri që ka drejtuar mendjen (te Zoti).“ (Kaf, 8)

Ai (All-llahu) është që po jua dëfton juve argumentet e veta, që ju sjell furnizim prej qiellit (shiun), por përveç atyre që janë të kthyer te Zoti, të tjerët nuk marrin mësim.“ (Gafir, 13)
A është i njëjtë ai që e di se ajo që t’u shpall ty nga Zoti yt është e vërtetë, si ai që është i verbër? Vetëm njerëzit e arsyeshëm që kanë mendje të shëndoshë e kuptojnë të vërtetën.
“ (err-Rra’du, 19)

Ai që favorizon mashtrimet e dynjasë ndaj mirësive të ahiretit, ai nuk është prej të mençurve dhe atij, rrjedhimisht, nuk do t’i zbulohen sekretet e Kur’anit.

d) Që të ketë lexuar tefsire – koment sipërfaqësor të Kur’anit, kështu që të ndërtojë qëndrimet se nuk ka domethënie tjetër të ajeteve jashtë asaj që ka shpjeguar Ibni Ababsi, Muxhahidit, etj, dhe s kjo nuk bie ndesh me thënien e Aliut [Allahu qoftë i kënaqur me të!]: “Përveç, nëse Allahu i jep – dhuron robit të kuptuar për Kur’anin…”

7) Veçimi. Kjo nënkupton që çdo ajet ta mendosh sikur ka të bëjë me ty personalisht. Kur të lexojë ndonjë ajet njeriu për ndalimin ose lejimin, atëherë le të mendojë se ai është i ndaluar, respektivisht i urdhëruar për ta bërë atë punë. Po kështu kur të lexon ajete që premtojnë për shpërblime ose kërcënojnë për ndëshkim. Për këtë shkak Allahu ka thënë:

Të gjitha këto që t’i rrëfyem ty nga lajmet e pejgamberëve, janë që ta forcojnë zemrën tënde, dhe në to të ka ardhur e vërteta e këshilla, si dhe përkujtime për besimtarët.“ (Hud,120) Kështu vepron edhe kur ligjërimi të jetë i përgjithshëm. Ai duhet ta interpretojë atë si individual; çfarë për të e çfarë për njerëzimin. Le të llogaritë sikur ai është që po përmendet në atë ajet. Allahu ka thënë:
… e mua më është shpallur ky Kur’an që me të t’ju tërheq vërejtjen juve dhe atij që i komunikohet (dhe të gjithë atyre që vijnë pas jush deri në ditën e kiametit)…“ (el-En’amë,19) Muhammed ibn Ka’b el-Kuredhijj ka thënë: “Kujt i ka arritur Kur’anit, ai është sikur t’i ketë folur Allahu…”

Disa të urtë kanë thënë:
“Ky Kur’an është mesazhe që na kanë ardhur nga Allahu me premtimet e Tij, e të cilat në namaze i meditojmë, në vetmi i shqyrtojmë, në adhurime dhe sunnete të pasuara i zbatojmë. ”

Malik Ibn Dinar thoshte:
“Çfarë ka mbjellë Kur’ani në zemrat tuaja, o ithtarët e Kur’anit? Kur’ani është pranvera e besimtarit ashtu siç shiu është pranverë e tokës…”

8) Ndikimi. Kjo nënkupton që zemra, varësisht nga përmbajtja e ajeteve, të ndikohet. Ai duhet të përjetojë sipas çdo domethënie një gjendje dhe ndjesi që reflekton në zemrën e tij, pikëllim, frikë apo shpresë qoftë. Sa më shumë që të jetë i ditur, përulja dhe frikërespekti ndaj Allahut do të jenë më të mëdha.

Për këtë shkak Hasan Basriu ka thënë: “Pasha Allahun, nuk ka rob që ka gdhirë sot që e lexon Kur’anin dhe beson në të e që të mos i jetë shtuar pikëllimi dhe t’i jetë pakësuar gëzimi, t’i jetë shtuar të qarit dhe t’i jetë pakësuar të qeshurit, t’i jetë shtuar lodhja dhe angazhimi e t’i jenë pakësuar pushimi dhe mosangazhimi…”

Ndikimi i besimtarit nga leximi nënkupton që ai të jetë shndërruar në vet ajetin – vargun kur’anor. Mu për këtë shkak, Pejgamberi [alejhis salatu ves selam!] qau kur Ibni Mes’udi ia lexoi ajetin 41 të kaptinës en-Nisa:

Dhe si do të jetë gjendja e atyre (që nuk besuan), kur Ne do të sjellim dëshmitarë për çdo popull, e ty do të sjellim dëshmitarë mbi ata (që nuk të besuan)?”
Sytë e tij rridhnin lot për shkak se përjetimi i asaj gjendjeje kishte kapluar zemrën e tij plotësisht.
Ka patur njerëz që kur kanë dëgjuar ajetet kur’anore u ka rënë të fikët, bile edhe të atillë që nuk u kanë rezistuar fare dhe kanë vdekur. Për këtë gjë thuhet: Kur njeriu e lexon Kur’anin ndërsa nuk ka përvetësuar etikën

dhe moralin e tij, e thërret Allahu: “Çfarë ke ti me të folurit Tim ndërsa më kundërshton?! Nëse nuk pendohesh, lëre të folurit Tim…”
Këtu qëndron arsyeja dhe shkaku pse Sahabet [Allahu qoftë i kënaqur me ta!] ishin më shumë të interesuar në praktikimin e Kur’anit se në nxënien e tij përmendësh.

Leximi i njëmendtë i Kur’anit nënkupton që gjuha, mendja dhe zemra të bashkëveprojnë: gjuha përmirëson shprehjet-shqiptimin, mendja botëkuptimet dhe domethëniet ndërsa zemra këshillohet dhe merr mësim. pra, gjuha lexon, mendja përkthen ndërsa zemra këshillohet.

9) Avancimi. Kjo nënkupton që të ngrihet dhe të avancojë gjatë leximit sikur ai nuk po e dëgjon veten por Allahun e Madhëruar. Leximi ka tri shkallë: më e ulëta është që të paramendojë sikur po e lexon Kur’anin para Allahut dhe Ai po shikon në të dhe po e dëgjon.

Kështu gjendja e tij sipas kësaj do të duhej të ishte lutje, përulje, përgjërim. Shkalla ose pozita e dytë është që me zemër të dëshmojë sikur Allahu po e sheh dhe po i flet me butësinë e Tij dhe po bisedon me begatitë dhe mirësinë e Tij. kjo gjendja nënkupton turpërimin, madhërimin, vëmendjen dhe të kuptuarit.

Pozita e parë është kur anashkalon të gjitha dhe fokusohet vetëm në Folësin, sikur ai është zhytur thellë në shikimin e Folësit ndaj të tjerëve. Kjo është grada e mukarrebinëve – njerëzve të dashur tek Allahu, ndërsa dy pozitat e para janë të djathtistëve derisa gjithë të tjerët janë neglizhentë.

Për këtë shkak ka thënë një njeri i urtë: “E lexoja Kur’anin, por nuk gjeja dot kënaqësi derisa nuk fillova ta lexoja sikur po e dëgjoja nga i Dërguari i Allahut duke ua lexuar shokëve të tij.
Pastaj avancova, u bëra sikur po e dëgjoja nga Xhibrili [alejhiselam] i cili ia lexonte Muhammedit [alejhis salatu ves selam!]. pastaj u ngrita në një pozitë tjetër, sikur po e dëgjoj nga vet Folësi. Vetëm tash arrita kënaqësinë dhe dëfrimin pa të cilat nuk mund të qëndroj dot…”

10) Modestia. Kjo nënkupton që njeriu të mos e shikojë veten si të spastruar nga mëkatet, si të lartësuar, si të zhveshur nga gabimet.

Kur të lexojë ajetet e premtimit dhe lëvdimit për të devotshmit le të mos e klasifikojë veten në mesin e tyre, por le të shfaq një mallëngjim dhe dëshirë të madhe që të jetë prej tyre, ndryshe nga ajetet ku bëhet fjalë për mëkatarët dhe neglizhentët, që do të duhej ta interpretonte në vetën e parë për shkak të frikës dhe nxitimit për tu përmirësuar.

Ka thënë Omeri [Allahu qoftë i kënaqur me të!]: “O Allahu im! Unë të kërkoj falje për padrejtësinë time dhe përbuzjen time!” Thanë: Hajde padrejtësia në rregull, por mohimi-përbuzja, si?!
Tha: A nuk e keni lexuar ajetin kur’anor:
…Vërtet, njeriu është i padrejtë dhe shumë përbuzës.” (Ibrahim, 34)

Sigurisht, kjo gjendje nuk mund të arrihet pa një modesti kulmore dhe pa i vënë në shërbim në vend të duhur këto mbulesa. Më konkretisht, kur të lexojë ajetet e shpresës, dominon aspekti i sihariqimit dhe i zbulohet Xhenneti sikur po e sheh.

E nëse dominon frika, atëherë atij i zbulohen imazhe të Xhehennemit thuajse është duke e parë atë. Kjo për shkak se të folurit e Allahut përmban aspekte të së lehtës dhe të së butës, të së vështirës dhe të së ashprës, të shpresës dhe të frikës, dhe kjo varësisht nga gjendja dhe nga përshkrimet: prej tyre ka që kanë të bëjnë me mëshirën dhe butësinë, por edhe me hakmarrjen dhe dënimin….

 

Doc.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA
MEDITIMI I KUR’ANIT FISNIK -edukata dhe parimet

Related Stories

Na ndiqni në Youtube

spot_img

Tema të tjera

قضايا دينية، اجتماعية، سياسية معاصرة في ميزان القرآن: قراءة...

قضااي دينية اجتماعية سياسية معاصرة يف ميزان القرآن قراءة حتليلية يف تفسري األستاذ سيد قطب ورقة...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح القاضي مع الأستاذ إغناز غولد:...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث: التجربة الكوسوفية...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث التجربةالكوسوفيةمع الصربنموذج ورقة علمية قدمت في املؤتمر العاملي بعنوان: "...

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام ورقة علمية معدة للندوة العلمية يف امللتقى...

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية د/خيرالدين خوجة(الكوسوفي)

دراسات لأسلوب القرآن الكريم

سلسلة عرض وتقديم أعلام الدراسات القرآنية (3) دراسات لأسلوب القرآن الكريم للشيخ الأستاذ الدكتور محمد عبد الخالق...

Kategoritë më të popullarizuara

Comments