DRITËZA NGA THËNIET E KOMENTUESVE RRETH VLERËS DHE MIRËSISË SË MEDITIMIT TË KUR’ANIT FISNIK

0
185

KOMENTUESIT KLASIKË

Imam Zemahsheriu, në koment të ajetit:
(Ky është) Libër i begatshëm, Ne ta shpallëm ty këtë, që t’i studiojnë argumentet e tij dhe që të marrin mësim prej tij ata që kanë mend.“ (Sad, 29)…thotë:

“…meditimi i Kur’anit nënkupton të menduarit në të dhe të thelluarit në studimin e asaj që shpie tek njohja e shpjegimeve të sakta dhe domethënieve të mira të cilat meditohen… Hasan –ibn Thabit- ka thënë: Këtë Kur’an e kanë lexuar robërit dhe fëmijët që nuk kanë dije për të: kanë mbajtur në mend shkronjat e tij ndërsa kanë shkelur normat e tij. Prej tyre ka që edhe betohet se ka lexuar tërë Kur’anin ndërsa nuk ka lëshuar as edhe një shkronjë pa e shqiptuar, e mjerisht e ka lëshuar tërë Kur’anin (nuk ka vepruar sipas tij në asgjë). Nuk shihen gjurmët e Kur’anit as në moralin dhe as në veprat e tij. Ai, duke mbajtur përmendësh shkronjat e tij dhe duke shkelur normat e tij, nuk është as i mençur dhe as mbrojtës i Kur’anit. Allahu mos i shumoftë të tillët! O Zoti im! Na bë prej dijetarëve që meditojnë dhe kurrsesi prej lexuesve mendjemëdhenj!”

Imam Fahruddin Rraziu, në koment të ajetit që cituam më parë (ajeti 29 nga kaptina Sad), ka thënë: “..e, nëse nuk e mediton, nuk thellohet dhe nuk bekohet prej Allahut, atëherë ai nuk do të mund të mësojë këto urtësi dhe sekrete mahnitëse, të përmendura në këtë Kur’an Madhështor…”

Imam Kurtubiu, në koment të ajetit 21 nga kaptina el-Hashr:
Sikur Ne ta zbritnim këtë Kur’an mbi ndonjë kodër, do ta shihje atë të strukur e të çarë prej frikës nga All-llahu. Këta janë shembuj që ua shkoqisim njerëzve, që ata të mendojnë.

“ …thotë: “Është nxitje për meditim dhe thellim në këshillat kur’anore.

Është shpjegim se nuk ka arsyetim në braktisjen e meditimit, për arsye se, sikur ky Kur’an tui drejtohej kodrave që më parë do t’u jepej arsyeja, do t’u nënshtroheshin këshillave të tij dhe do ta shihje se si, me gjithë fortësinë e saj dhe ngurtësinë e tyre, do të përuleshin dhe do të nënshtroheshin nga frika e Allahut, ndërsa ju o të nënshtruar me mrekullitë e tij, nuk shpresoni në premtimet e tij dhe nuk keni frikë kërcënimet e tij.”

Siç vërejmë nga shpjegimet e komentuesve klasikë, ata janë fokusuar në meditimin si çelës i sekreteve kur’anore. Ata, po kështu, aluduan se sikur të ngarkoheshin me këtë Kur’an edhe sendet e ngurta do t’i nënshtroheshin atij, ndërsa njeriu, me gjithë arsyen dhe logjikën, refuzon ta bëjë këtë gjë. Vërtet, kjo gjë është për të të habitur për të keq. Allahu ka thënë:

A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kur’anin? Sikur të ishte prej dikujt tjetër, përveç prej All-llahut, do të gjenin në te shumë kundërthënie.“ (enNisa, 82) E, duke qenë se është prej Allahut, atëherë përputhshmëria e brendshme e tij është shumë e lartë.

 

Doc.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA
MEDITIMI I KUR’ANIT FISNIK -edukata dhe parimet