KOMENTUESIT BASHKËKOHORË

0
117

Prof.Sejjid Kutbi në koment të ajetit 24 nga kaptina Muhammed:
A nuk e studiojnë me vëmendje Kur’anin? Por jo, ata janë zemra që kanë drynat e vet!”
..thotë: “…ata janë që vazhdojnë në sëmundjen dhe hipokrizinë e tyre derisa të largohen nga kjo gjë, në të cilën kanë hyrë ne fene e Allahut sipërfaqësisht ndërsa nuk kanë qenë te sinqertë me Allahun, nuk i janë bindur Atij. Ata janë që Allahu i ka mallkuar, i ka larguar dhe përzënë nga udhëzimi. Atyre Allahu ua ka bërë veshët e shurdhër dhe sytë e verbër. Ata nuk kanë humbur dëgjimin dhe shikimin.

Atyre iu është tërheqë funksioni i këtyre ndjenjave. Ato sikur janë paralizuar. Për këtë edhe është bërë pyetja në formë mohuese: “A nuk e studiojnë me vëmendje Kur’anin?” ngase meditimi i Kur’anit heq perden, hap dritaret, hedh dritën, lëviz ndjenjat, mobilizon zemrën, pastron ndërgjegjen, krijon një jetë të shpirtit, me të cilin rrah, ndriçon dhe reflekton. “Por jo, ata janë zemra që kanë drynat e vet!” këta që hapin hendeqe ndërmjet tyre dhe Kur’anit, ndërmjet tyre dhe nurit.Mbyllja e zemrave të tyre është sikur mbyllja me dry, ku nuk depërton drita dhe as ajri.”

Tahir ibni Ashur, në koment të ajetit 82 nga kaptina en-Nisa: A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kur’anin?

Sikur të ishte prej dikujt tjetër, përveç prej All-llahut, do të gjenin në te shumë kundërthënie.” …thotë: “Domethënia e ‘A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kur’anin?’ është a nuk thellohen në domethëniet e tij, dhe kjo mund të ketë njërën prej dy kuptimeve:

1) Të zhyten në botëkuptimet e hollësishme të ajeteve të tij dhe këtë në dritën e objektivave në të cilat ai drejtoi – udhëzoi muslimanët, pra të meditojnë hollësitë dhe detajet, dhe

2) Të meditojnë Kur’anin si tërësi, me retorikën dhe stilin e ti, si Libër i shpallur nga Allahu dhe se kumtuesi i tij është njeri besnik.

Konteksti i këtij ajeti e favorizon mendimin e parë si të saktë, e që i bie se nëse ata e meditojnë Kur’anin dhe thellohen në udhëzimet e tij, do t kenë jetë të lumtur. E, meqë ata mbetën në gjendjen që ishin, pra fshehën kufirin ndërsa shfaqën Islamin, atëherë të dy rastet (domethëniet) mund t’iu përshtaten atyre, vetëm se, për shkak të tipareve të tyre të përshkruara, domethënia e parë mbetet më shumë e lidhur me ta…”

Shejh Shenkiti, në koment të ajetit 29 nga kaptina Sad:

(Ky është) Libër i begatshëm, Ne ta shpallëm ty këtë, që t’i studiojnë argumentet e tij dhe që të marrin mësim prej tij ata që kanë mend.” …thotë: “I Madhëruari në këtë ajet kur’anor po na tregon se e ka shpallur këtë Libër, duke madhëruar Veten e Tij në shumës, se ai është Libër i bekuar ndërsa urtësi e zbritjes së tij, përveç tjerash, është dhe meditimi i fakteve të tij nga njerëzit, gjegjësisht kuptimi dhe zhytja ose thellimi në domethëniet e tij në mënyrë që t’i kuptojnë llojet e udhëzimit, që të zotët e mendjes të marrin mësim, pra që të mençurit të këshillohen…”

Siç mund të vërehet nga komentet e këtyre mufessirëve bashkëkohorë, shkak pse jobesimtarët nuk udhëzohen është mosmeditimi i këtij Libri.

Sejjid Kutbi shumë bukur aludoi në këtë kur tha: “…meditimi i Kur’anit heq perden, hap dritaret, hedh dritën, lëviz ndjenjat, mobilizon zemrën, pastron ndërgjegjen, krijon një jetë të shpirtit, me të cilin rrah, ndriçon dhe reflekton….” Ndërsa Ibni Ashurin e gjetëm me dy mendime interesante përkitazi me meditimin:
1) Meditimin e Kur’anit hollësisht, dhe këtë nën hijen e objektivave në të cilat i drejtoi myslimanët. Pra, kemi të bëjmë me meditim të
hollësishëm dhe te detajuar.
2) Meditimi i Kur’anit si tërësi si Libër i shpallur nga Allahu dhe se ai që e kumtoi ishte besnik dhe i sinqertë…

Kurse Shenkiti fokusohet në urtësinë e zbritjes së Kur’anit, e që është: “…gjegjësisht kuptimi dhe zhytja ose thellimi në domethëniet e tij në mënyrë që t’i kuptojnë llojet e udhëzimit,…”

Si vërtetim për shpjegimet e komentuesve të cituar, ekzistojnë edhe një sërë ajetesh, disa prej të cilave do t’i përmendim:

E, besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të të cilëve kur përmendet All-llahu u rrëqethen zemrat e tyre, të cilëve kur u lexohen ajetet e Tij u shtohet besimi, dhe që janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre.“ (el-Enfalë, 2) Thuaj: “I besuat ju atij ose nuk i besuat (atij nuk i bëhet dëm), e atyre që u është dhënë dijeni (nga librat e parë) para tij, kur u lexohet atyre, ata hedhen me fytyra (përdhe) duke i bërë sexhde”. 108. Dhe thonë: “I lartësuar është Zoti ynë, premtimi i Zotit tonë është realizuar”. 109. Dhe duke qarë hidhen me fytyra (kur dëgjojnë Kur’anin) dhe ai ua shton edhe më përuljen (ndaj All-llahut).“ (el-Isra, 107-109)

A nuk është koha që zemrat e atyre që besuan të zbuten me këshillat e Allllahut dhe me atë të vërtetën që zbriti (me Kur’an), e të mos bëhen si ata, të cilëve u është dhënë libri më parë e zgjati koha dhe zemrat e tyre u shtangën e shumë prej tyre janë jashtë rrugës.“ (el-Hadid, 16)

Kur e dëgjojnë atë që i është zbritur të dërguarit (Kur’anin), prej syve të tyre rrjedhin lotë, ngase e kanë kuptuar të vërtetën dhe thonë: “Zoti ynë, ne kemi besuar, pra na regjistro ndër ata që dëshmojnë (ndër umetin e Muhammedit).“ (el-Maide, 83)

Nga këto ajete fisnike kuptojmë se meditimi është një proces logjik dhe shpirtëror 25. E kur mendja të ketë kuptuar sekretet e domethënieve të ajeteve kur’anore, atëherë ajo do të lëshojë rrezet e saj edhe tek trupi, në mënyrë që fizikisht dhe shpirtërisht besimtari të përjetojë madhështinë e Kur’anit. Për të përjetuar këtë ëmbëlsi kur’anore, gjithsesi se duhen përgatitur edhe ambientet.

Respektivisht, bëjmë mirë që ta lexojmë Kur’anin gjatë natës atëherë kur njerëzit të kenë fjetur. Këtu qëndron sekreti i heroizmit, sakrificave, dijes dhe adhurimit të dijetarëve tanë nga gjeneratat e para. Ata e kanë provuar këtë dhe kanë jetuar me këtë ëmbëlsi kur’anore.

Të këtillë kanë qenë Imam Gazaliu, autori i Ihja-së, Ibni Tejmije, autori i Fetava-ve, Ibnul Kajjimi, autori i Zadul Mead-it dhe Medarixhus salikine. Në këto libra mund të gjesh mësime për përjetim të Kur’anit, për shkak se vetë këta autorë e kanë përjetuar atë andaj edhe e kanë shkruar më së miri

 

Doc.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA
MEDITIMI I KUR’ANIT FISNIK -edukata dhe parimet