Fusha personale e moralit dhe sjelljes

0
616

Edhe në këtë njësi do të vazhdojmë të flasim për lidershipin edukativ sipas mësimeve të përfituara nga rrëfimi i Llukmanit a.s. në Kur’an.

Në tre njësitë paraprake kemi trajtuar lidershipin edukativ në:

  • Aspektin e besimit i manifestuar në Teuhid, besimin e pastër në Zotin një,
  • Aspektin e meditimit në dijen dhe fuqinë e pakufishme të Allahut e cila parasheh frikën prej Tij dhe vëzhgimin e Tij në çdo gjë që bëjmë, e fshehtë apo publike, dhe
  • Aspektin shoqëror i manifestuar në urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja për ta ruajtur shoqërinë nga rrënimi moral dhe përmbysja e vlerave

Në këtë njësi do të shpalosim qasjen Kur’anore nga rrëfimi i Llukmanit a.s. përkitazi me edukimin personal dhe reflektimin e tij në raport me vetveten dhe të tjerët.

Kur besimi i pastër lëshon rrënjë në zemër, atëherë efektet e tij pozitive duhet të vërehen deri në gjymtyrë, sepse nuk mund të paramendohet  që një mysliman i sinqertë të kundërshtojë vetveten duke shfaqur të kundërtën e asaj që fsheh në zemër dhe as të jetë i devotshëm dhe të bëjë vepra të këqija! Kjo është e pamundur! Konsiderojmë se e meta më e madhe në historinë e myslimanëve e cila madje edhe ka çuar në rënien e qytetërimit islam dhe ka përfshirë të gjitha nivelet e shoqërisë, duke filluar nga liderët e deri tek njerëzit e thjeshtë, është kundërthënia morale dhe etike ndërmjet asaj që thonë e besojnë dhe asaj që veprojnë. Kjo demagogji, jo vetëm që ndalohet rreptësisht në fe por konsiderohet si një nga mëkatet e mëdha!

Allahu xh.sh. thotë:

O besimtarë, përse thoni atë që nuk e bëni? 3. Është shumë e urryer për Allahun të thoni atë që nuk e bëni!” [ Saf: 2-3]

Në vazhdën e këshillave dhënë të birit, Llukmani a.s. kaloi tek çështja e edukatës dhe moralit që duhet të ketë në raport me njerëzit, duke e ndaluar nga nënçmimi i njerëzve dhe nga mburrja ndaj tyre. Mesazhi i fshehur brenda rreshtave të këtyre këshillave parasheh që, përderisa ndalohet nga këto tipare, të shfaq të kundërtat e tyre, respektivisht barazinë me të tjerët dhe ndalimin e shfaqjes së epërsisë! Epërsia vlen vetëm në  devotshmëri dhe në vepra, në moral, sjellje e dije, pavarësisht nga njeriu, rraca, ngjyra, gjinia, pozita a familja.

Kështu na mëson Kur’ani:

O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë.” [Huxhurat: 13]

Kjo është peshorja e vërtetë e njohjes së njerëzve dhe trajtimit të tyre. Islami ka bërë një lidhje të fuqishme ndërmjet besimit dhe moralit duke e konsideruar këtë të fundit si pjesë të pandarë të personalitetit të besimtarit ngase nuk mund të paramendohet që një besimtar të pretendojë besim të fortë në njërën anë dhe në anën tjetër të bëjë vepra që janë në kundërshtim të plotë me moralin islam.

Pejgamberi Muhammed a.s. ka qenë i dalluar në fushën e moralit e madje edhe është marrë shembull dhe model për moralin. Për këtë shkak në Kur’an nuk mund të gjesh ndarje ndërmjet besimit dhe veprës së mirë dhe këtë me qëllim që ana e brendshme dhe ana e jashtme e besimtarit të jenë në harmoni të plotë me njëra-tjetrën.

Së këndejmi, ajo që ne shohim sot tek disa myslimanë të cilët bëjnë vepra që ndeshen direkt me besimin dhe moralin islam nuk është gjë tjetër pos një treguesi të fortë të injorancës së tyre në raport me fenë, sistemet, ligjet dhe normat e shtetit. Është po kështu edhe pasojë e neglizhencës së institucioneve fetare përkatëse për të prezantuar bukuritë e fesë dhe etikën e trajtimit të këtij defekti moral dhe edukativ tek ata njerëz.

Me këtë rast nuk do të doja të lë pa përmendur dhe rolin denigrues të disa qarqeve mediatike dhe institucioneve të caktuara që mundohen të shpërfytyrojnë Islamin duke e prezantuar ashtu siç nuk është!

Duke qenë se mendjemadhësia dhe kryelartësia janë sëmundje të lashta dhe si të tilla janë ndër më të shëmtuarat dhe irrituarat, atëherë këshilla e Llukmanit përmban edhe këtë porosi për tu larguar prej tyre. Kjo edhe për faktin se ato janë djallëzore sepse i pari që shfaqi mendjemadhësi  dhe  kundërshtoi  ta  respektonte  urdhrin  e Allahut për t’i bërë sexhde Ademit a.s. ishte djalli. Këtë na e shpjegon Allahu në disa vende në Kur’an, si:

Ne ju krijuam e pastaj ju dhamë formën; e u thamë engjëjve: “Përuljuni në sexhde Ademit!” – Të gjithë iu përulën, përveç Iblisit. Ai nuk ishte nga ata që u përulën. Allahu tha: “Çfarë të pengoi ty të mos përuleshe, kur të urdhërova?” Ai u përgjigj: “Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta”. [ A’rafë: 11-12].

Rasti i Llukmanit a.s. me të birin e tij në këtë kontekst eshtë paralajmërim për ne që të qëndrojmë largë prej dy tipareve shumë të shëmtuara, e ato janë: Ndalimi nga mendjemadhësia dhe kryelartësia.

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

LIDERSHIPI I SUKSESSHËM (sipas vizionit kur’anor dhe studimeve bashkëkohore)