FUSHAT E LIDERSHIPIT EDUKATIV – urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja

0
968

Rrugëtimin tonë me Llukmanin a.s. dhe të birin e vazhdojmë me urdhërimin tjetër për të mirë dhe ndalimin nga e keqja, siç qëndron në Kur’an:

O djali-biri- im, kryeje  namazin, urdhëroje të  mirën, pengoje të keqen dhe bëhu i durueshëm për çfarëdo që të godet! Me të vërtetë, ky është thelbi i patundur i të gjitha punëve!” [Llukman:17]

Për shkak të rëndësisë që ka në ruajtjen e shoqërive nga shkatërrimi moral, Kur’ani dhe Sunneti i kanë kushtuar rëndësi maksimale urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja duke na mësuar se shpërfillja apo largimi nga feja në fakt paraqet shpallje lufte ndaj vlerave shoqërore, sepse jeta nuk mund të paramendohet pa kritere morale e fetare. Pikërisht për këtë arsye, për të shpëtuar nga shkatërrimi i sigurt, feja ka urdhëruar  funksionalizimin dhe respektimin e këtij institucioni.

Urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja e plotësojnë dhe hadithet profetike. Në to vërehet nxitja dhe domosdoja për urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja. Me këtë rast përmendim hadithin e Usame bin Zejdit r.a. të shënuar në Sahihun e Buhariut, ku në mes tjerash qëndron:

“…E çfarë ke dëgjuar Pejgamberin a.s. të ketë thënë? – e pyetën. Tha: E kam dëgjuar duke thënë: “Ditën e Kiametit do të sillet një njeri dhe do të hidhet në Zjarr. Atij do t’i nxirren zorrët dhe do të sillet rrotull siç sillet gomari rreth gurit të mullirit (ose si kali që fshinë në lëmë). Banorët e Zjarrit do të mblidhen rrotull tij e do t’i thonë: O filan. Ç‘është kështu me ty? A nuk ishe ti që na urdhëroje për të mirë dhe na ndaloje nga e keqja?! Ai do t’u përgjigjet: Po, ju urdhëroja për të mirë por vetë nuk e zbatoja, ua ndaloja të keqen por vetë e bëja.”[1]

Në koleksionin e Imam Tirmidhiut qëndron hadithi ku Pejgamberi a.s ka thënë: “Pasha Allahun në dorën e të Cilit është shpirti im, o do të urdhëroni për të mirë e të ndaloni nga e keqja, o nuk do të vonojë që Allahu tju çojë një dënim, për largimin e të cilit pastaj do ta lusni Allahun por nuk do t’ju përgjigjet.”

Kështu e shpjegojnë këtë hadith dijetarët:

[Pasha Allahun në dorën e të Cilit është shpirti im…]: Pejgamberi a.s. po betohet në Allahun xh.sh. në Poseduesin e shpirtrave tanë, gjë që si betim e ka përdorur shpesh.

[…Ose do të urdhëroni për të mirë e të ndaloni nga e keqja…]: ose do të jeni kureshtar për këtë dhe do t’i kushtoni rëndësi.

E mira këtu përfshin çdo fjalë a vepër të mirë që çon në adhurim të Zotit dhe në ndihmë të njerëzve. Është emër i përgjithshëm që përfshin të gjitha llojet e të mirave. Ndërsa e keqja nënkupton çdo fjalë a vepër që shpie në mëkat. Edhe kjo përfshin të gjitha llojet e të këqijave.

[…O nuk do të vonojë dhe Allahu do t’ju çojë një dënim…]: nëse ndaloni së urdhëruari për të mirë dhe së ndaluari nga e keqja, atëherë ju jeni afër dënimit që Allahu e ka përgatitur për ju.

[…Për largimin e të cilit do ta lusni Allahun por nuk do t’iu përgjigjet.]: kjo për të treguar se sa i rrezikshëm do të jetë ky dënim i shpërfilljes së urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja. Do ta lusni që tua largojë dënimin por Ai nuk do t’ju përgjigjet!

Ndër mësimet e hadithit veçojmë:

  • Tërheqja e vërejtjes dhe kërcënimi në rast të braktisjes së urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja.

Dijetari dhe komentatori i shquar i Kur’anit Tahir bin Ashur, duke iu referuar ajetit të mësipërm: “O djali-biri- im, kryeje  namazin, urdhëroje të  mirën, pengoje të keqen dhe bëhu i durueshëm për çfarëdo që të godet! Me të vërtetë, ky është thelbi i patundur i të gjitha punëve!” [Llukman:17],  jep shpjegime të vlefshme lidhur me kuptimin gjithëpërfshirës të këtij urdhërimi:\

…Urdhërimi për të mirë përfshin kryerjen e çdo vepre të mirë në mënyrë të përgjithshme që shkoqitja më pas të kërkojë këshilla shtesë. Edhe e keqja përfshin braktisjen e çdo të keqe. Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja parashohin që protagonisti i tyre të jetë i pari ai që bën mirë dhe largohet nga të këqijat sepse, ai që urdhëron për të mirë dhe ndalon nga e keqja, sigurisht se është në dijeni për të mirat dhe të këqijat që gjenden në vepra, për dëmet dhe dobitë e tyre, kështu që padyshim ai do të jetë i pari që i ruhet (shmanget) të këqijave para se të urdhërojë e ndalojë të tjerët. Kjo fjalë përbëhet nga këshilla dhe devotshmëria ngaqë Llukmani në këshillën për të birin përmblodhi udhëzimin për ta përmbushur të mirën dhe për ta përhapur ndër njerëz njëherësh për tu shmangur nga e keqja duke i distancuar edhe njerëzit nga ajo.

Pas kësaj vijon këshilla për durim  për atë që mund të përballet me kundërshtarët. Ai që urdhëron për të mirë dhe ndalon nga e keqja domosdoshmërisht do të ketë dhe kundërshtarë të cilët do të mundohen ta luftojnë ndaj dhe duhet durim dhe shkathtësi për tu përballur me rreziqet eventuale!”

Këtë të vërtetë e gjejmë të konfirmuar edhe në një vend tjetër në

Kur’an, në kaptinën Asr:

1.Për kohën! –pasha kohën – 2. Me të vërtetë, njeriu është në humbje, 3. përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën, i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.” [Asr: 1-3]

Ndërsa sa u përket rëndësisë së kësaj vepre, kushteve që duhet t’i plotësojë ai që urdhëron për të mirë dhe ndalon nga e keqja dhe metodave që duhet të ndjek, këtë na mëson ajeti në vijim:

Le të dalë prej jush një grup që thërret për mirësi, urdhëron për vepra të mira dhe ndalon veprave e shëmtuara! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit.” [ Al Imran: 104]

Ajeti është i qartë. Allahu xh.sh., dëshiron prej nesh që “një grup” i shkolluar, intelektual, i kualifikuar, me licencë,  mbështetur e udhëhequr nga institucionet përkatëse ta merr përsipër këtë obligim. Pra jo çdokush mund ta kryejë këtë detyrë dhe jo çdokush e ka të drejtën e ngjitjes në minber për të folur e këshilluar, për të urdhëruar për të mirë e për të ndaluar nga e keqja.

Pa plotësuar këto kushte dhe pa pasur leje nga autoritetet më të larta shtetërore e fetare, nuk mund të kryejnë këtë detyrë jetike për njeriun- të urdhërojnë për të mirë dhe të ndalojnë nga e keqja.

Si imazh të shpërfilljes së këtij institucioni do të doja të përmend të sharat, ofendimet, fyerjet dhe kritikat e ashpra që i shohim në rrjete sociale ndaj burrështetasve dhe liderëve, vokabular  absolutisht i papranuar si në aspektin fetar ashtu dhe në atë ligjor e moral!

Dijetarët kanë nënvizuar se norma për urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja është farz kifaje ose detyrim parcial me kuptim që nëse një pjesë e shoqërisë e kryen këtë detyrë në formën dhe mënyrën më të mirë dhe sipas kushteve të parapara për çka edhe kanë rezultatet konkrete në shoqëri, pra nuk shkaktojnë skandale me liderë shtetërorë, atëherë obligimi i pjesës tjetër të qytetarëve bie.[2]

Se duhet të angazhohet një grup dhe jo tërë shoqëria na mëson dhe ajeti në vazhdim:

Nuk është e nevojshme të dalin në luftë të gjithë besimtarët. E përse nga çdo grumbull i tyre të mos shkojë një grup për t’u aftësuar në diturinë fetare, për ta mësuar popullin e vet kur të kthehen te ata, në mënyrë që ata ta kuptojnë (e të ruhen).” [Teube: 122]

Urdhëri hyjnor në këtë ajet nuk u drejtohet të gjithë njerëzve sepse, siç shpjeguam më parë, çështja e urdhërimit në të mirë dhe ndalimit nga e keqja, nuk është çështje vullnetare, e lirë, që të mund ta ushtrojë kush të dojë, qoftë në emër të fesë, në emër të institucioneve shtetërore, apo edhe thjesht në emër të një adhurimi për Allahun!

Arsyeja pse nuk lejohet një gjë e tillë për të gjithë qëndron tek kushtet specifike që duhet ti plotësojë ai që kryen këtë mision, pra që të ketë dije për atë që urdhëron dhe ndalon, të jetë në dijeni për gjendjen shpirtërore, shoqërore e ekonomike të atyre që i urdhëron për të mirë dhe i ndalon nga e keqja në mënyrë që të mos shkaktojë ndonjë problem për shkak të mungesës së profesionalizmit, respektivisht dijes se kur duhet ndaluar të keqen me dorë, kur me gojë e kur me zemër.

Ndërsa sa i përket urdhërimit të familjes, fëmijëve dhe të afërmve, kjo është çështje individuale dhe secili prej nesh është i obliguar veç e veç ta ushtrojë atë pa pasur nevojë për leje paraprake nga autoritetet. Kjo edhe për faktin se të ngarkuarit me detyrën e urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja nuk paramendohen që punën e tyre ta ushtrojnë si spiunë dhe agjent të fshehtë, assesi jo, ata janë të njohur, dhe ata nuk kalojnë muret për të parë se çfarë bën njeriu brenda mureve të shtëpisë. Njohja e këtyre rregullave konsiderohet prej çështjeve të domosdoshme që duhet ditur nga feja.

Në të kaluarën, dijetarë çështjet që kanë të bëjnë me urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja i kanë përmbledhur brenda një termi shkencor e administrativ të quajtur Hisbe duke shpjeguar se e mirë është ajo që njihet e mira  e saj dhe që miratohet nga feja, dhe se e keqe është ajo që ndalohet dhe nuk ligjësohet nga feja.

Në hadithin e Ebu Seid el-Hudrijit r.a., qëndron se Pejgamberi a.s., ka thënë: “Kush prej jush e sheh një të keqe, le ta ndalojë me dorë, nëse nuk mundet, le ta ndalojë me gjuhë, e nëse as kështu nuk mundet, atëherë le ta ndalojë me zemër dhe kjo është grada më e dobët e besimit.”[3]

Ata që dëshirojnë njohuri më të zgjeruara rreth kësaj çështje, le t’i kthehen librit tonë Haritatu eddaveti ila Rabbi el-enam fi tefsiri el- ustadhi Sejjid Kutub li-sureti el-en’amë (Harta e Thirrjes në fenë e Zotit sipas komentimit të kaptinës En’amë nga Profesori Sejjid Kutubi).

Këtë qasje e ka edhe Imam Taberiu dhe këto kuptime i ka konfirmuar edhe ai në komentimin bërë ajetit 104 nga kaptina Al Imran:

Le të dalë prej jush” besimtarëve “një ymet” xhemat, grup, “që të thërrasë” njerëzit “për në mirësi” në Islam dhe mësimet e tij të ligjësuara nga Allahu, “të urdhërojë për vepra të mira” të urdhërojë njerëzit për ta pasuar Muhammedin a.s. dhe fenë e tij të sjellë nga Allahu xh.sh., “e të ndalojë prej veprave të shëmtuara!” ndalojnë nga kufri ose mohimi i Allahut dhe përgënjeshtrimi i Muhammedit a.s., dhe fesë së tij, të luftojnë me duart dhe gjymtyrët e tyre për ta ndaluar të keqen në mënyrë që njerëzit t’iu nënshtrohen me bindje dhe respekt. “Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit.” Tek Allahu të cilët do të qëndrojnë në Xhennetet e Allahut dhe mirësitë e Tij [4].

Ymeti i Muhammedit a.s. ka arritur epërsinë, nderin dhe autoritetin atëherë kur ka urdhëruar për të mirë dhe ka ndaluar nga e keqja. Allahu xh.sh. na mëson:

Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun. Sikur ithtarët e Librit të besonin, do të ishte më mirë për ta; ka prej tyre besimtarë të vërtetë, por shumica e tyre janë larg udhës së drejtë.” [Al Imran: 110]

E kur ymeti braktisi urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja, atëherë ra në një pozitë që askush nuk e xhelozon [5].

Ndërsa jemi tek kjo temë – urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja, dua të theksoj dhe një çështje tjetër me poaq rëndësi. Fjala është për dilemën nëse epërsia-superioriteti – e një ymeti vlerësohet nga shkaku që ai ymet urdhëron për të mirë dhe ndalon nga e keqja?[6]

Dijetarët myslimanë kanë debatuar rreth kësaj çështje dhe në shpjegim të pjesës së ajetit “Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin” kanë dhënë mendime të ndryshme.

Kanë diskutuar se folja ndihmëse “kane كان “ a është e mangët (ar. nakisa) apo e plotë (ar. tammeh) ? [7].  Po kështu kanë diskutuar nëse kjo epërsi është në Leuhi Mahfudh apo se mirësia dhe epërsia e këtij ymeti janë përmendur në librat e mëparshëm? Kanë diskutuar edhe për atë nëse kjo epërsi vlen deri në amshim!?

Me respektin më të madh për kolosët e tefsirit dhe mendimet e tyre me vlerë, megjithatë, kemi përshtypjen (nga studimi dhe analizat) që në ajet fshihet diçka tjetër! Konsiderojmë që ky privilegj lidhet drejtpërdrejtë me funksionalizimin e urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja.

Pra, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja është shkak (ar. il-leh) ndërsa epërsia dhe privilegji janë normë (ar. hukm), dhe për ta fituar këtë privilegj dhe epërsi(ar.el hajrije ve el efdalije) duhet që shkaku të jetë aktiv dhe prezent në mënyrë masive, dhe kjo për momentin mjerisht nuk është, normal me përjashtime minimale, dhe siç thotë rregulli fetar në lëndën e Usuli fikh-ut, ekzistimi ose mosekzistimi i normës-hukmit-privilegjit, epërsisë në këtë kontekst varet direkt nga shkaku i ndërlidhur me privilegjin, dhe ajo është :urdhëresa për të mirë dhe ndalesa nga e keqja – sepse ne gjykuam dhe dhamë vendim të prerë se ymeti islam-respektivisht muslimanët janë më të privilegjuar dhe më të mirë se të tjerët-, e përderisa kjo nuk është; atëherë edhe ne (ymeti islam, muslimanët) nuk janë më të mirë dhe më të privilegjuar prej të tjerëve, sepse kanë një defekt të madh në jetën e tyre individuale, shoqërore dhe ndërkombëtare.

Bazuar në këtë, kuptimi i ajetit del si në vazhdim:

O myslimanë –drejtuar çdo myslimani deri në amshim-, ju jeni ymeti më i mirë, më i fortë, dhe më krenar në tokë përderisa urdhëroni për të mirë dhe ndaloni nga e keqja dhe përderisa e aplikoni Islamin në jetën tuaj në çdo imtësi dhe detaj të saj si dhe nuk devijoni nga qendra dhe as nga referenca juaj – Kur’ani dhe Sunenti, për çfarëdo çështje që të keni nevojë fetare, morale, civile, shoqërore, politike, ekonomike…Me këtë kusht ju arrini vendin tuaj të merituar dhe respektin e plotë dhe vazhdoni me të njëherit, ndryshe, nëse nuk përçoni urdhërim për të mirë dhe ndalim nga e keqja, atëherë ju nuk meritoni pozitë as privilegj! Allahu e di më së miri!

Mendimin tonë e përkrah edhe shpjegimi që Imami Ibën Kethir ka dhënë në tefsirin e tij, ku thotë: Kuptimi i ajetit është se besimtarë  myslimanë  janë  ymeti  më  i  mirë  për  ymetet  dhe njerëzit më të dobishëm për njerëzit. Për këtë shkak edhe ka thënë (Allahu xh.sh.): “…(sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun…” E vërteta është se ky ajet përfshin tërë ymetin, secilën gjeneratë veç e veç, e padyshim gjenerata më e mirë ishte ajo e Muhammedit a.s. për të vazhduar më pas me dy gjeneratat vijuese [8].

Me keqardhjen më të madhe më duhet ta them duke e konfirmuar se kjo epërsi e ymetit, ky nder, kjo krenari e madhështi në këtë shekull, fillimi i shekullit XXI, nuk ekziston. Ymeti ka humbur këtë pozitë për shkak se nuk mbahet pas fesë dhe për shkak të prapambetjes së madhe në shkencë, teknologji e industri. Institucioni i urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja është pothuajse i shuar dhe nuk mund të gjesh veçse raste individuale ose në rrethe të ngushta, fakte jo inkurajuese!

Nga ajetet në kaptinën Llukman dhe në kaptinat tjera mund të përfundojmë se urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja kanë rëndësi të madhe dhe jetike për ymetin dhe se çfarëdo shpërfillje e këtij institucioni është shkak për t’iu ekspozuar ndëshkimit të Allahut dhe shkatërrimit të civilizimit, vlerave e virtyteve humane. Allahu në Kur’an na tregon se shkaku pse ishin mallkuar hebrenjtë ishte pikërisht shpërfillja e këtij institucioni:

Ata izraelitë që ishin mohues, u mallkuan me gjuhën e Dautit dhe të Isait, të birit të Merjemes, për shkak se kundërshtonin, shkelnin çdo kufi. 79. dhe nuk e ndalonin njëri-tjetrin të bënin vepra të këqija. Eh, sa të shëmtuara ishin veprat që bënin ata!” [Maide: 78-79]

Mbi dënimet e Allahut për ata që e shpërfillin urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja, hoxha dhe profesori im i nderuar, Dr. Halid Sebt, duke shpjeguar këtë hadith (fjala është për hadithin e Tirmidhiut) deklaron:

“…dënimi nuk është përcaktuar, kështu që ai mund të jetë humbje në pasuri, në shëndet, pra sëmundje dhe epidemi për të cilat mjekët nuk mund të gjejnë ilaç, vdekje të shumta, pushtimi nga ndonjë armik i pamëshirshëm i cili i poshtëron dhe përbuzë. Apo dhe në forma tjera siç shohim: herë tërmete e herë vërshime, të cilat marrin gjithçka me vete, për t’i shndërruar njerëzit në histori (pra për t’i mbytur).

Dënimi mund të manifestohet edhe në humbjen e pasurisë, tregtisë, aksioneve dhe nuk është kjo e tëra. Kur njerëzit të ndëshkohen, do ta përgjërojnë Allahun për falje por Ai nuk do t’u përgjigjet. Allahun e lusim për falje dhe shpëtim! Atëherë belaja lëshon rrënjë dhe mbizotëron! Tanimë meseleja nuk ka të bëjë vetëm me ata që kanë bërë keq por me të gjithë ne. Ne duhet t’i shpëtojmë ata, ta shpëtojmë shoqërinë, ta shpëtojmë dhe veten tonë nga ky dënim gjithëpërfshirës.

Pra, çështja nuk është ashtu siç e kuptojnë disa ose siç e perceptojnë të tjerët si liri individuale dhe se ai që i urdhëron të tjerët për të mirë ose i ndalon nga e keqja ai i ka shkelur këto të drejta dhe iu ka ndërhyrë në jetën e tyre. Jo, për shkak se veprimet e tyre të këqija janë shkak që ndjellin dënimin e Allahut për të gjithë.” [9]

Ndëshkimet hyjnore që shohim sot në kohën tonë në të gjitha nivelet individuale, familjare, shoqërore, shtetërore, ndëshkime shpirtërore (psikologjike), fizike, natyrore…, janë dëshmi se dënimet e Allahut për braktisjen e urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja mund të marrin formë të ndryshme.

Hadithet në këtë kapitull janë shumë por ne do të mjaftojmë me këtë që përshkruam.

Fusha edukative në urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja

  • Rëndësia e këtij institucioni siaps Kur’anit dhe Sunnetit
  • Nderi dhe epërsia e ymetit të Muhammedit a.s., ndaj ymeteve tjera është i kushtëzuar me jetësimin e urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja. Në kohën tonë jemi privuar nga ky nder dhe kjo epërsi për shkak të shpërfilljes së këtij detyrimi fetar.
  • Kushtet e urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja
  • Urdhërimi për të mirë përfshin të gjitha veprat e mira
  • Dënimi si pasojë e braktisjes së këtij detyrimi është i përgjithshëm dhe merr forma të ndryshme, si: pushtim nga armiqtë, tërmete, vërshime, vdekje të shumta, nënçmim, shafitje të tokës, etj.
  • Rreziku që rrjetet sociale paraqesin veçmas kur keqpërdoren me pretekst të kinse këshillës për liderët dhe pushtetarët.

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

LIDERSHIPI I SUKSESSHËM (sipas vizionit kur’anor dhe studimeve bashkëkohore)


[1] Buhariu, nr. 3267

[2] https://dorar.net/hadith/sharh/35647

[3] Hadith i saktë, i konfirmuar nga Albani në Sahihu Ebi Davud, nr. 4340; Sahihu Ibni Maxheh, nr. 3258; Shuajb Arnauti në Musned, nr. 11073., Sahih ibni Hibban, nr.308, https://dorar.net/hadith/

[4]Shih: Tefsiri i Taberiut, https://furqan.co/tabari/3/104

[5] Shih: Tefsiri El-besit i Vahdiut, https://furqan.co/albaseet/3/110

[6] Shih: Tefsiri i Alusit në: https://furqan.co/alaloosi/3/110. Shih po kështu dhe

Tefsirin e Rraziut, sipas referencës së përshkruar më parë.

[7] Në gjuhën arabe, kur folja ndihmëse ( kane( është e plotë tregon për kohë dhe

veprim dhe për këtë mjaftohet me emrin në rasën emërore. Ndërsa kur është

e mangët, ajo tregon thjesht për kohë dhe kuptimi i saj nuk plotësohet nëse kryefjala në emërore nuk lidhet patjetër me një kallëzues në kallëzore. Përkthyesi.

[8] Shih: Tefsiri i Ibën Kethirit në: https://furqan.co/ibn-katheer/3/110.

[9] Shih: https://khaledsabt.com/explanations/1376/.