Home Uncategorized Hfz HAMZA Llukman NEZIRI

Hfz HAMZA Llukman NEZIRI

0
71

HFZ. HAMZA LLUKMAN NEZIRI

Hfz. Hamza Neziri lindi më 08.08.1999 në Kumanovë, në një familje fetare, të arsimuar dhe me tradita të larta morale. Kur ishte vetëm 18 muaj, për shkak të rrethanave të luftës në Maqedoni, babai i tij e dërgoi së bashku me nënën në qytetin e Gjilanit, për t’i strehuar në një vend më të sigurt, ndërsa vetë iu bashkua radhëve të UÇK-së.

Ai u rrit në Gjilan deri në moshën 13-vjeçare, duke u rritur nën ndikimin e një atmosfere familjare të përshkuar nga përkushtimi ndaj fesë dhe vlerave islame, që në moshë të hershme u formësua tek ai lidhja e thellë me Kur’anin, respekti për dijen dhe prirja për një rrugëtim serioz në kërkimin e saj.

Në vitin 2013, gjatë gjysmëvjetorit të dytë të klasës së tetë, ai ndërmori një hap të rëndësishëm në jetën e tij, duke u regjistruar në “Medresenë e Madhe” në Gjakovë, me synimin për të realizuar ëndrrën e tij të hershme: të bëhej hafiz i Kur’anit. Krahas angazhimit në hifz, ai vazhdoi edhe arsimin fillor në shkollën “Mazllum Këpuska” në Gjakovë.

Rrugëtimi i tij me Kur’anin u kurorëzua me sukses më 17.03.2015, kur e përfundoi hifzin brenda një periudhe dyvjeçare. Pas kësaj arritjeje, u kthye së bashku me familjen në vendlindjen e tij, në Opajë të Kumanovës, ku vazhdoi përsëritjen dhe përforcimin e Kur’anit nën mbikëqyrjen e Hfz. Abdulkadër Abazit, si përgatitje për daljen para komisionit vlerësues.

Me kërkesë të familjes, Muftinia e BFI-së në Kumanovë caktoi komisionin për dëgjimin dhe vlerësimin e hifzit, në këtë përbërje:

• HFZ. Bajram Ajeti, kryetar i komisionit
• HFZ. Abdulkadir Abazi
• HFZ. Shaqir Memeti
• HFZ. Abdullah Shaqiri

Nga 19.12.2015 deri më 24.12.2015, ai doli para komisionit në një proces gjashtëditor, gjatë të cilit lexoi nga pesë xhuze në ditë dhe e përmbylli me sukses dëgjimin e hifzit. Më 26.12.2015, në një ceremoni madhështore dhe në prani të një numri të madh hoxhallarësh e mysafirësh, atij iu dorëzua diploma e hifzit nga kreu më i lartë i BFI-së i asaj kohe, Reisul-Ulema Sulejman Rexhepi. Komisioni e vlerësoi me notën maksimale: shkëlqyeshëm (5).

Me dëshirën e tij dhe të familjes që formimi fetar të vazhdonte në mënyrë të rregullt dhe të qëndrueshme, ai u regjistrua në Medresenë “Isa Beu” në Shkup. Gjatë viteve të shkollimit në medrese, veçanërisht në vitin e tretë, ai hodhi edhe një hap tjetër të rëndësishëm në rrugëtimin e tij kuranor dhe shkencor, duke filluar përgatitjen për ixhazet te Prof. Dr. Hfz. Hajredin Hoxha nga Prizreni, i cili jeton dhe vepron si profesor në Doha të Katarit. Ky rrugëtim intensiv zgjati tetë muaj dhe, në vitin 2018, profesori i nderuar ia dha ixhazetin në Doha, duke vulosur kështu një etapë të rëndësishme të formimit të tij në leximin dhe përcjelljen e Kur’anit.

Pas kësaj arritjeje, ai u kthye për të vazhduar si nxënës i rregullt vitin e katërt në Medresenë “Isa Beu”, ku e përfundoi shkollën e mesme në vitin 2019 me sukses të shkëlqyeshëm. Kjo periudhë përbën një hallkë të rëndësishme në formimin e tij.

Etja e tij për dije nuk u ndal me kaq. Me synimin për të vijuar studimet në një prej qendrave më të rëndësishme të dijes islame në botë, ai dorëzoi dokumentet për studim në qytetin e Pejgamberit, alejhi selam, duke aplikuar në Universitetin Islamik të Medinës. Ndonëse pranimi u vonua dhe iu desh të priste katër vjet, ai e përballoi këtë periudhë me durim, shpresë dhe vendosmëri. Në vitin 2023, mori lajmin e pranimit dhe u nis drejt Medinës së Ndriçuar, për të vazhduar rrugën e dijes.

Gjatë qëndrimit të tij në Medinë, në maj të vitit 2024, ai arriti edhe një sukses tjetër të rëndësishëm, duke përfunduar ixhazetin në Haremin e Xhamisë së Pejgamberit, alejhi selam, te Shejh Muhamed Avad, në rivajetet Shu‘be dhe Hafs an Asim. Kjo arritje nuk përfaqëson vetëm një sukses personal në fushën e kiraetit, por edhe një dëshmi të qartë të përkushtimit të tij të vazhdueshëm ndaj Librit të Allahut, ndaj zinxhirit të trashëgimisë së dijes islame dhe ndaj amanetit të përcjelljes së saj me besnikëri.

Aktualisht, Hafiz Hamza është student në Fakultetin e Akides dhe Davetit në Universitetin Islamik të Medinës, ku vazhdon rrugëtimin e tij akademik dhe fetar.

Lusim Allahun e Madhëruar që ta ruajë, ta bekojë në jetën e tij dhe t’i japë dituri të dobishme. Allahu e bëftë prej atyre që i shërbejnë Kur’anit me përkushtim, i shërbejnë fesë me urtësi dhe i sjellin dobi umetit me dije, edukatë dhe besnikëri.

 

HAMZA