KOMPONENTËT E LIDERSHIPIT

0
1321

Si çdo shkencë apo art që ka detajet dhe komponentët përbërës ku mbështet, edhe lidershipi ka veçoritë themelore prej të cilëve formohet dhe vepron. Shkencën dhe artin e lidershipit nuk mund t’i kuptojmë nëse paraprakisht nuk e sjellim ndërmend një trekëndësh ku bëjnë pjesë: lideri, pasuesit dhe qëndrimet ose situata që duhet menaxhuar.

Bazuar në këtë, lidershipi ka elemente dhe përbërës pa të cilët nuk mund të paramendohet, pavarësisht nga lloji i lidershipit. Nëse e kemi parasysh rolin dhe rëndësinë shoqërore që ka lidershipi, ushtrimi i tij nuk mund të imagjinohet në mënyrë individuale. Më qartë, lideri nuk mund të veprojë i vetëm.

Patjetër duhet ta ketë një grup ku e ushtron këtë rol. Po kështu edhe në suaza të një qëndrimi a situate të caktuar. Së këndejmi, kemi tre përbërës ku mbështetet lidershipi, e që janë:

  • Lideri
  • Situata
  • Pasuesit

Në këtë kontekst, liderët kryesisht janë dy llojesh: natyralë dhe administrativë.

Liderët natyralë;  janë ata që janë liderë nga natyra. Kanë trashëguar tipare dhe cilësi gjenetike të cilat i bëjnë të jenë liderë të dalluar.

Liderët administrative; janë ata që shkathtësitë e lidershipit duhet t’i përvetësojnë nëpërmjet të mësuarit. trajnimit.

 

Këtu patjetër duhet të bëjmë një sqarim;

Secili njeri lind i pastër dhe larg ndikimeve të jashtme. Pra, lind me besimin e pastër në Një Zot, me monoteizëm, jo idhujtari. Pastaj janë prindërit janë ata që e orientojnë kah feja dhe mendimi që ata e kanë përvetësuar, mu ashtu siç na shpjegohet në hadith – thënie profetike. Ky është fakt dhe e vërtetë.

Pra, i sapolinduri nuk ka lidhje me dijen ose shkathtësitë. Këto i fiton me kalimin e kohës paralelisht me zhvillimin mendor, fizik, emocional e kulturor. Kështu qëndron puna edhe me artin e lidershipit. Nuk ka njeri që lind lider apo i madh. I tillë bëhet më vonë gjatë jetës, kur përvetëson shkencën dhe artin e lidershipit, kur trajnohet, edukohet, konsultohet, lexon e studion…

Kjo është e vërteta sipas mendimit tonë, dhe ky është parimi dhe besimi ynë. Në këtë kontekst, besojmë dhe nuk e mohojmë edhe faktin gjenetik pozitiv/negativ trashëgues nga prinderit apo stergjysherit që një lider mundë t’i ketë, dhe ajo trashëgimi gjenetike ndikon pjesërisht në formimin e liderit te suksesshëm, dhe Allahu e di më së miri![1]

Këtë të vërtetë e ka konfirmuar edhe reformuesi, lideri dhe teoricieni, dr. Tarik Suvejdani, me veprat e tij, ku ka realizuar një pyetësor me të dy gjinitë rreth asaj nëse lidershipi është çështje e lindur apo përvetësohet.

Përgjigjet ishin si në vijim:  1% e të të anketuarve kanë thënë se lidershipi është çështje e lindur, 98% – se përvetësohet, ndërsa 1% tjetër kanë qenë skeptikë dhe nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje[2].

Në këtë kontekst mos harroni se: Përbërësi i vendit apo situatës konsiderohet pjesë e rëndësishme në formimin e komponentëve të lidershipit nga: Aspekti i përvojave dhe praktikave, njeriu arrin të kuptojë se disa individë janë liderë në raste dhe rrethana të caktuara kur duhet të marrin vendime konform llojit të lidershipit që kanë; ushtarak, civil apo akademik.

Hulumtuesit kanë vërtetuar që ka liderë që dallohen për fuqinë influencuese tek të tjerët (më shumë se çdokush tjetër) dhe se ata kanë mënyra dhe metoda të rralla të vërtetuara në mënyrë empirike për sa i përket ndikimit dhe influencës[3].

Sipas ekspertëve të lidershipit ushtarak, lidershipi ndikohet nga: Një numër i pafundmë i gjendjeve dhe situatave që ndryshojnë, duke përfshirë këtu misionin, rajonin, klimën, rezistencën e armikut, kohëzgjatjen e luftimeve, viktimat, ushtarët shtesë për t’i plotësuar njësitë që kanë humbur ushtarë, pushimin, stërvitjen, mjetet dhe arsenalin ushtarak në dispozicion, furnizimet, dhe shumë e shumë faktorë tjerë që ndikojnë tek lideri (komandanti) ndërsa kryen misionin e vet e që është e pamundur të parashikohen të gjithë[4], dhe mos harroni se:

Komponenti i pasuesve (vartësve, punëtorëve, ushtarëve, personelit arsimor, studentëve, popullit) është komponent jetik pa të cilin lidershipi nuk mund të paramendohet. Raportet ndërmjet tij dhe komponentit të parë, liderit, përcaktohen nga trendet dhe idetë të cilat i përjetojnë pasuesit dhe lideri dhe të cilat, rrjedhimisht, përcaktojnë pranimin ose refuzimin e të dhënave të pozicionit komandues. Kurdoherë që pasuesit përshtaten me qendrat e tyre komanduese, do t’i kuptojnë më mirë idetë e tyre dhe do t’i kenë më të qarta idetë për realizimin e të cilave janë duke u angazhuar.

Me këtë rast duhet të sillni ndërmend se ekzistojnë disa faktorë esencialë që lideri duhet t’iu bëjë terren që të arrijë sigurinë dhe kënaqësinë e pasuesve, si:

Krijimin e një klime të përshtatshme respekti dhe pranimi

  • Krijimin e një klime të përshtatshme respekti dhe pranimi në raportet me vartësit sepse këta të fundit nuk ndihen të qetë derisa të mos mësojnë se janë të pranuar nga lideri.

Vetëdijesimi i individit për natyrën e punës dhe kërkesat e saja

  • Individi duhet të ketë njohuri të mjaftueshme për punën që do ta kryejë dhe këtë nëpërmjet njohurive për politikat e përgjithshme të organizatës ku punon, njohjes me gjërat që parashihen e kërkohen nga puna e tij, përgjegjësia, detyrat, të drejtat dhe pozicioni që ka.

Ekzistimi i një sistemi që përcakton qartë raportet e punës

  • Lideri e ka për detyrë tua shpjegojë punëtorëve rregulloren e punës, raportet që duhet të kenë me njëri tjetrin nga njëra anë dhe me liderin nga ana tjetër, kriteret mbi të cilat arrihen shpërblimet apo shqiptohen ndëshkimet. Natyrisht, duhet të vihet theksi mbi elementin e drejtësisë ndërsa flitet për shpërblime e ndëshkime që të mos shkaktojë revoltën e punëtorëve apo qoftë dhe ndonjë kundërshtim a refuzim.

Përmbushja e nevojave ekonomike, shpirtërore dhe shoqërore të individëve

  • Kjo nënkupton që individit (punëtorit) t’i mundësosh të kryejë punën që i përshtatet dhe ta kompensosh materialisht për punën që kryen pa ndonjë vonesë a zvarritje të pagës.

Disa hulumtues kanë përmendur edhe komponentë tjerë të lidershipit, si: përmbajtja orarit, fokusimi në arritje apo suksese të vërteta, përqendrimi tek faktorët që rrisin fuqinë dhe ndikimin dhe largimi nga të tjerët që mund të shkaktojnë dobësi, përkufizimi në disa projekte dhe jo zgjerimi në shumë sosh prej tyre për shkak të pamundësisë për t’i realizuar[5], lidhja me Zotin e Plotfuqishëm, mbështetja tek Ai dhe kërkimi i ndihmës prej Tij, etj[6].

Referuar tematikave të lidershipit që i përmendëm më parë, komponentët e lidershipit mund t’i përmbledhim në këto  forma:

  • Ekzistimi i një grupi individësh
  • Dakordimi rreth objektivave të grupit që është angazhuar për realizimin e tyre
  • Ekzistimi i një lideri me mendime dhe ide administrative të qarta, me vendime të sakta e të qëlluara, me aftësi për të ndikuar tek të tjerët.
  • Ekzistimi i një mori metodash dhe mjetesh të përshtatshme për të arritur tek synimet e dëshiruara.
  • Ekzistimi i një sistemi të mirë të komunikimit ndërmjet liderit dhe grupit.

Komponentët e lidershipit

  • Disiplina dhe përmbajtja e orareve
  • Përqendrimi në të arritura konkrete
  • Zhvillimi i faktorëve që sjellin fuqinë, largimi nga të tjerët që për pasojë kanë dobësinë
  • Fokusimi rreth fushave kryesore, jo zgjerimi i tepërt që pamundëson kryerjen e punëve
  • Besimi i fuqishëm në Allahun e Madhëruar dhe mbështetja e madhe në Të për realizimin e punëve

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

LIDERSHIPI I SUKSESSHËM (sipas vizionit kur’anor dhe studimeve bashkëkohore)


[1] Shih: Samuel Hejz de William Tomas, Tevel-li el-kijadeh – Fennu el-kijadeti el-aslkerijje ve ilmuha, përktheu: Samir Hisham, f. 24.

[2] Për më shumë shih ligjëratën treorëshe të mbajtur nga dr. Tarik Suvejdani me ftesë të Ministrisë së Arsimit dhe Arsimit të lartë në Katar në kuadër të punimeve të konferencës së arsimit në vitin 2016. Ligjërata është e postuar edhe në rrjetin social Youtube, në linkun (e shfletuar më 23 prill 2019): https://www.youtube.com/watch?v=wnVp29oqOyw

[3] Talib, Hisham, Delil et-tedrib el-kijadij, vep. cit., f. 64.

[4] Shih: Samuel Hejz & William Tomas, Tevel-li el-kijadeh – Fennu el-kijadeti el-aslkerijje ve ilmuha, vep.cit., f. 30.

[5] Kjo çështje ka rëndësi të veçantë në mënyrë që lideri të ketë mundësi ta mbajë nën vëzhgim rrjedhën e punëve çdoherë. Hapja e fronteve të shumta sjell pak sukses. Kjo është dëshmuar edhe historikisht. Perandoria osmane në ditët e fundit të saj kishte hapur fronte të shumta në Ballkan, Azi, Evropë, por, për shkak të dobësisë ushtarake, nuk ia doli dhe për pasojë u detyrua të nënshkruajë marrëveshje me armiqtë rusë, bullgarë, etj.

[6] Shih: Talib, Hisham, Delil et-tedrib el-kijadij, vep. cit., f. 57.