Kritikë, epilog dhe sugjerime

Disa vështrime mbi metodën e profesor Sejjid Kutubit

Pas këtij rrugëtimi të këndshëm me profesor Sejjid Kutubin nëpërmes tefsirit të ajetit të da’vetit në Zotin e Madhërishëm them se shumë kemi përfituar nga përvoja e tij e gjërë dhe e hidhur, për sa u përket çështjeve të da’vetit, filosofisë dhe strategjisë së tij, mirëpo, ky përfitim nuk më pengon që të jap disa vështrime që janë rezultat i studimit tim të metodës së profesor Sejjid Kutubit në të kuptuarit e ajeteve të da’vetit.

Askush nuk guxon të mendojë se kjo ndikon në zvogëlimin e vlerës dhe meritave të këtij komentatori, përkundrazi… E kundërta e kësaj është e vërtetë, ngase vështrimet e tilla e lartësojnë vlerën e këtij dijetari dhe e shtojnë dashurinë, respektin dhe nderin ndaj tij. Kjo duhet trajtuar si fakt se mëngësia është cilësi e rëndomtë njerëzore.

Këto vështrime mund të jenë të panjohura për disa të tjerë bile ndoshta as që i trajtojnë si vështrime, por për mua, kjo çështje është relative dhe këto mund t’i ndodhin ҫdokujt:

Vështrimet e tilla mund t’i ndajmë në dy grupe:

A). Vështrime të posaçme. Këto vështrime i kam përfituar si
hulumtues, kërkues i diturisë dhe studiues i metodës së tij të da’vetit në këtë disertacion shkencor; dhe:

B). Vështrime të përgjithshme. Këto vështrime janë të studiuesve dhe hulumtuesëve të tjerë, të cilët e kanë studiuar mendimin, metodën dhe jetën e profesor Sejjid Kutubit.

Vështrimet e posaçme

1. Përsëritja e shumë çështjeve akadiologjike dhe intelektuale, si p.sh.: koncepti islamik, karakteristikat e konceptit islamik, pushteti, karakteristikat hyjnore, çështja e ndarjes dhe shoqërimit, ligjet pozitiviste që janë produkt i njerëzve, çështja e Kur’anit të periudhës mekase, periudha e gjatë për edukimin e gjeneratës së parë etj. Autori ka pasur mundësi të flet për këto çështje vetëm njëherë në mënyrë të gjatë në tefsir. Kur konteksti ndikon që të ripërsëritë atë që e thotë më herët, do të ishte më mirë sikur ta udhëzonte lexuesin në faqen konkrete që janë diskutuar ma herët dhe të mos lodhet në ripërsëritjen e fjalëve apo çështjeve të njejta.

2. Ishte vështirë për mua ta tuboj këtë tematikë të përhapur në shumë vende, gjegjësisht nxjerrjen e metodës së tij në tefsirin e ajeteve të da’vetit, ngase ai (Zoti e mëshiroftë!) nuk e ka sqaruar metodën e tij në tefsir dhe nuk ka përdorur një metodë të vetme prej fillimit e deri në fund të tefsirit si dhe mënyrën e shqyrtimit të ajeteve të posaçme dhe të ajeteve të tjera të përgjithshme. Ai nuk e informon lexuesin për një gjë të tillë. Profesori flet në mënyrë të shpërndarë në librat dhe në shkrimet e tij rreth çështjeve racionale në këtë aspekt.

3. Sa i përket përdorimit të termit “xhahilijet” dhe “shoqëria
xhahilite” që profesor Sejjid Kutubi ia atribuon shoqërive në të cilat jetojmë dhe për të cilat terme, gjegjësisht ide, mjaft është akuzuar se me këtë po i akuzon për kufër të gjitha shoqëritë islame…

Pas shqyrtimit dhe studimit tim të veprave të tij në përgjithësi dhe tefsirit të tij “Fi dhilâlil-Kur’an” në veçanti, them se termi “xhahilijet” te Sejjid Kutubi ka kuptim të përgjithshëm dhe të posaçëm.

a). Kuptimi i përgjithshëm:
Sipas kuptimit të përgjithshëm ai e përdorë këtë term për të gjitha sistemet pozitiviste njerëzore, sociale, politike, ekonomike bashkëkohore që nuk mbështeten në kushtetutën e Kur’anit Fisnik dhe Sunnetin e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) Njerëzit veprojnë dhe gjykojnë sipas sistemeve të tilla pa u mbështetur burimisht në Kur’anin Fisnik e as në Sunnetin e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), siç është p.sh. sot gjendja në disa shtete arabe, të cilat mbështeten në Ministrinë e Drejtësisë apo në Ministrinë e Informatave si dhe gjendja e muslimanëve në shtetet e Lindjes dhe të Perëndimit që mbështeten në ligjin socialist, komunist dhe atë demokratik të shtetit, e që këto ligje janë nxjerrë nga ligjet Romake.

Të tillët, sipas profesor Sejjid Kutubit, janë muslimanë nën presion dhe janë të dominuar nga ligjet e tilla xhahilite që janë larg Islamit, qofshin në shtetet arabe ose ato perëndimore. Ky është kuptimi i përgjithshëm i termit “xhahilijeti” sipas profesor Sejjid Kutubit, dhe unë plotësisht dakordohem me këtë kuptim dhe domethënie. Pra, ai nuk i ka akuzuar shoqëritë islame apo Muslimanët për kufër, por sqaron gjendjen dhe jetën e tyre sipas ligjeve e sistemeve xhahilite, gjegjësisht sipas ligjeve që nuk e aplikojnë Sheriatin e Zotin në asnjë mënyrë.

b). Kuptimi i posaçëm
Për sa i përket kuptimit të posaçëm të këtij termi, ai (Zoti e mëshiroftë!) e përdorë shumë shpesh në veprat e tij. Jam i mendimit se ai këtu e përdorë për të treguar shoqërinë xhahilite me të gjitha parimet, vlerat dhe domethëniet e saj, ashtu siç kanë qenë njerëzit në shoqërinë e parë xhahilite para ardhjes së Islamit dhe se ata vërtetë janë jobesimtarë dhe jomuslimanë, edhe pse sot, ithtarët e këtij xhahilijeti bartin emra muslimanësh dhe paraqiten si muslimanë.

Nuk ka dyshim se unë distancohem tërësishtë nga ky kuptim i profesor Sejjid Kutubit, dhe nuk besoj që edhe vet profesori Sejid Kutubi ka për qëllim këtë. Ngase nuk mund të paramendoj se profesori i çmuar i akuzon për kufër të gjithë muslimanët dhe të gjitha shoqëritë islame. Nëse profesori kishte për qëllim këtë kuptim, atëherë asnjëherë nuk e pranoj këtë gjë dhe as që pajtohem me të në asnjë mënyrë, dhe kjo do të ishte një kritikë shumë e madhe ndaj tij…

Unë mendoj se profesor Sejjid Kutubi nuk mund të mendojë kështu dhe t’i akuzojë të gjithë njerëzit për kufër dhe për xhahilijetin e parë, ngase rregullat e kufrit dhe ato të Islamit janë shumë të qarta tek ai. Ai, gjatë tefsirit të tij në “Fi dhilâlil-Kur’an” dëshmon të kundërtën kur flet për thirjen e jobesimtarëve në Islam.

Këto ishin disa vështrime dhe kritika të mia, dhe nuk ka kurrfarë dyshim se kjo nuk e ulë aspak autoritetin e komentatorit dhe profesor Sejjid Kutubit në tefsirin e tij “Fi dhilâlil-Kur’an”. Përkundrazi, ai do të vazhdojë të jetë udhëheqës i mendimit islam bashkëkohorë dhe i da’vetit islamik.

Lus Zotin e Madhërishëm që ta shpërblejë për mundin dhe sakrificën që bëri për Ummetin islam si dhe ta pozicionojë në xhennetet e Tij të gjera me pejgamberët, të sinqertët, shehidët dhe të devotshmit! Amin!

B). Vështrimet e përgjithshme
Vështrimet e përgjithshme ndaj profesor Sejjid Kutubit dallohen me dallimin e njerëzve dhe specializimeve. Fukahatë e kritikojnë nga aspekti i fikhut për shkak të ndonjë mendimi të tij në tefsir nga lënda e fikhut.Muhadithët e kritikojnë ndonjëhere për shkak të ndonjë hadithi që e ka përdorur në Dhilal-in e tij etj. Ndoshta profesori ka pasur për qëllim diçka tjetër, mirëpo njerëzit kanë kuptuar diçka tjetër, dhe kjo është më e kapshmja në këto çështje.

Pjesa dërmuese që e kritikonin ishin të kësaj lëmie. Ata, mbase duke mos i lexuar fjalët e Sejjid Kutubit prej fillimit deri në mbarim, ndoshta për këtë shkak devijojnë, rrëshqasin e bijnë në kurthin e mendimeve të këqija e pargjykuese për të.

Feja jonë e pastër na mëson që të verifikojmë dhe të argumentojmë çdo gjë. Nëse lexojmë një vepër apo një disertacion të ndonjë dijetari dhe të njëjtin e kritikojmë pozitivisht apo negativisht pas leximit sipërfaqësor dhe të pjesshëm, pa e lexuar pjesën dërmuese të asaj që ka paraqitur dhe shkruar dijetari apo autori, sipas mendimit tim, ne bëjmë një padrejtësi të madhe, pa marrë parasysh se çfarë pozite apo profesioni ka lexuesi.

Dijetarët e sinqertë e pranojnë këtë fakt si të pamohueshëm ngase nuk mund të gjykojmë për një çështje nëse nuk i lexojnë të gjitha argumentet që kanë të bëjnë me këtë çështje e pastaj të sjellim gjykimin tonë. E njëjta gjë duhet të vlejë edhe për personat edhe për idetë e tyre. Lexuesi obligohet që t’i përcjellë mendimet në një kronologji historike dhe me një precizitet të madh e pastaj të gjykojë për të.

Në skenën islame u paraqitën disa mendimtarë të mëdhenjë (kolosë) që mbrojnë të vërtetën dhe ithtarët e saj si p.sh.: prof. dr. Salah Abdul-Fetah ElHalidi, i cili studioi me precizitet dhe objektivitet Sejjid Kutubin në veprat e tij, dhe i cili konsiderohet bazë shkencore për mendimin dhe aktivitetin e Sejjid Kutubit.

Prof. Salah el Halidi shkroi shumë vepra dhe monografi letrare dhe kritike rreth mendimit të prof.Sejjid Kutubit, e ndër ta veҫojmë: “Sejjid Kutub, Esh-shehid el-hajj”, “Sejjid Kutub min el Mijladi ila el Istish’had” “ Fi Dhilal el Kur’an fi el Mizan” etj. Poashtu vlenë të përmendim edhe prof. dr. Muhamed Teufik Berekat, i cili është autor i veprës: “Sejjid Kutub, hulasatu hajatihi, menhexhu fil-hareke ven-nekdu el muvexh-xhehu ilejhi.”

Gjithashtu edhe profesori dhe këshilltari Salim el Behensavi ka punime të shkëlqyeshme shkencore në të cilat e mbron shkencërishtë dhe metodologjikisht profesor Sejjid Kutubin në librin e tij: “Adva’un ala me’alim fit-tarik”, “El-Hukmu ve kadijjetu tekfir Elmuslim”, etj. Kohëve të fundit janë publikue edhe disa monografi me rëndësi të madhe për mendimin dhe kontributin e prof.Sejjid Kutubit si p.sh: Reva’iu edh-Dhilal, të autorit Rami Omer Ba Atiyeh, 2012, Rijad, Arabia Saudite; Sejjid Kutub Ba’de 43 A’men min Istish-hadihi, grup autorësh, 2010,Aman, Jordan; Mekasidu el-Sheriati el Islamijeti fi Fikri el Imam Sejjid Kutub, 2009, Hurtum, Sudan.

Profesor Salim El-Behensavi në mënyrë të mrekullueshme i thekson parimet shkencore sheriatore rreth mënyrës së të kuptuarit të fjalëve të të tjerëve në librin e tij: “Adva’u ala me’alim fit-tarik”, për shkak se shumë njerëz i keq-komentojnë fjalët e profesor Sejjid Kutubit dhe padrejtësisht e akuzojnë atë me akuza të shumta. Ata që e akuzojnë atë, nuk mbështeten në metodën shkencore burimore e të shëndoshë juridike, ndaj dhe për këtë shkak kanë rënë në kurthe të tilla. Prandaj Salim el Behensavi sygjeron disa parime që duhet të respektohen dhe të ndiqen për të mirkuptuar medimet e tjetrit.

 

Parimet e këshilltarit Salim El-Behensavi mund t’i përmbledhim në pikat vijuese:

1. Mos akuzimi i muslimanit për kufër me gjëra të dyshimta:
Nëse ka mendime e thënie, nuk duhet të marrim vetëm një mendim që
shkakton fitne e t’i lëmë mendimet tjera duke mos i analizuar rreth ndonjë çështjeje, ngase në këtë mënyrë nuk mund të përfitojnë gjykim të vërtetë sipas Sheriatit.261
Nëse ndokush zgjedh mendim që përputhet me drejtimet e ndonjë shoqërie,apo të ndonjë individi dhe e akuzon tjetrin pikërsisht në këtë mendim që nuk përputhet me mendimin e tij; ky gjest nuk është objektiv dhe kjo ka të bëjë me atë që quhet gjë e dyshimtë dhe një gjë të tillë e ka ndaluar Zoti i Madhërishëm: “E ata që në zemrat e tyre kanë anim kah e shtrembëta, ata gjurmojnë atë që nuk është krejt e qartë për të shkaktuar huti, e kinse kërkojnë komentin e tyre”. (Ali-Imran, 7).

2. Mbështetja në Kur’an dhe Sunnet:
Rregulla islame na urdhëron që, në rast të grindjeve dhe mosmarrëveshjeve rreth ndonjë çështjeje, të mbështetemi në Kur’an dhe në Sunnet që të gjejmë zgjidhje të shëndoshë.
Në këtë kontekst, Zoti i Madhërishëm thotë:“Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtronie atë te Allahu (te Libri i Tij) dhe te i Dërguari, po qe se i besoni Allahut dhe Ditës së Fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë”. (en Nisaë, 59).
Profesor Salim El-Behensavi thotë se kështu duhet të kuptohet edhe hadithi i Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!):
“Fyerja e muslimanit është mëkatë dhe vrasja e tij është kufër!”
Në ajetin kur’anor thuhet:
“Nëse dy grupe besimtarësh tentojnë të luftojnë ndërmjet vete, ju pajtoni ata!” (el    Huxhuratë, 9).
Nga kjo nënkutpohet se luftimi në mes besimtarëve nuk është kufër dhe hadithi i Pejgamberit “vrasja e tij është kufër!” – nënkupton kufrin në begatinë e Islamit e jo kufrin në dalje nga shoqëria islame.

3. Dallimi në mes gjykatësve dhe thirrësve:
Në këtë kontekst, profesor El-Behensavi thekson se ata që i lexojnë librat e disa thirrësve të cilët shkruajnë për pushtetin e Sheriatit të Zotit në jetën tonë, si p.sh.: veprat e profesor Sejjid Kutubit: “Me’alim fit-tarik”, “Fi dhilâlil-Kur’an”, si dhe librin: “El-Mustalehat El-Er’be’atu” të autorit Ebu A’ëla El-Meududi, mendojnë se mendimtarët e tillë janë gjykatës që japin fetva e gjykime dhe se fjala e tyre patjetër të realizohet!!!
Ky është gabim i madh i lexuesëve, ngase në realitet vetë thirrësit e tillë deklarojnë se nuk kanë për qëllim të japin vendime e fetva por thjeshtë janë mendime të tyre. Këtë e vërteton edhe vetë profesor Sejjid Kutubi kur thotë: “Ne jemi thirrës dhe nuk jemi gjykatës!”

Pastaj profesor Salim El-Behensavi jep disa shembuj nga rezultatet negative që kanë dalë si rrjedhojë nga mos aplikimi i parimeve burimore nga ana e thirrësve dhe e dijetarëve. Ai poashtu thekson çështjen e akuzimit të muslimanëve që i adresohet profesor Sejjid Kutubit, ndërsa ata të cilët ia mveshin këtë gjë, çuditërisht janë nxënësit e tij…
Prof. dr. Salah Abdul-Fetah El-Halidi shqyrton shumë çështje në librin e tij “Fi dhilâlil-Kur’an fil-Mizan”, të cilat u aktualizuan rreth ideve të profeor Sejjid Kutubit, përfshirë akuzimin për kufër ndaj muslimanëve, qëndrimi i Sejjid Kutubit rreth fikhut islamik etj.

Ç’është e vërteta, studimi i prof. dr. Salah Abdul-Fetah Halidit mbi Sejjid Kutubin meriton çdo fjalë miradije e respekti nga ana e dijetarëve dhe studentëve të shkencave të Sheriatit! Zoti e shpërbleftë prof. Halidin për këtë vepër madhështore!

Sipas prof. dr. Salah Abdul-Fetah El-Halidit, shkaku i akuzës së parë qëndron në keqkuptimin e fjalëve të shprehura nga ana e prof. Sejjid Kutubit në librat e tij: “Fi dhilâlil-Kur’an” dhe “Me’alim fit-tarik”. Akuzuesit kanë njohuri të kufizuara shkencore, kulturore e sheriatore dhe nuk i njohin rregullat burimore të të menduarit.
Prof. El-Halidi thekson se ekzistojnë dy grupe njerëzish që kanë përfituar rezultate negative nga fjalët e profesor Sejjid Kutubit:

Grupi i parë që mendon se të gjithë muslimanët sot janë jobesimtarë përveç atyre që janë anëtarë të grupit të tyre. Ky grup u formua në Egjipt gjatë viteve të shtatëdhjeta dhe njihet me emrin: “Xhema’atul-muslimin” apo “Xhema’atut-tekfir vel-hixhreti”. Ky grup deklaronte se beson në idetë dhe në fjalët e profesor Sejjid Kutubit, dhe kështu, kërkonin në librat e tij “Fi dhilâlil-Kur’an” dhe “El-Mealim” tekste të cilat i nxirrnin jashtë kontekstit të fjalisë. Më i zëshëm kundër ideve të tyre është prof. Salim El-Behensavi në librin e tij “El-Hukmu ve Kadijjetu tekfir el-muslim.”

Grupi i dytë që e akuzon besimin dhe mendimin e Sejjid Kutubit, për shkak se ai i akuzon muslimanët për kufër. Këtë grup e udhëhiqte inxhinjeri A. Ebu Izzet, i cili shkroi disa artikuj në revistën libaneze “Esh-Shihab”. Ai në shkrimet e tij thotë se njerëzit e vendeve islame janë injorantë,(xhahil) jobesimtarë dhe jashtë Islamit edhe pse falin namaz, agjërojnë dhe kryejnë haxhin!!!

Prof. El-Halidi thekson disa shembuj rreth kësaj çështjeje duke i argumentuar ato me vetë fjalët e profesor Sejjid Kutubit. Ai thekson se në fillim ndoshta nga fjalët e tij mund të kuptohet akuzimi për kufër, mirëpo në realitet, kjo nuk është ashtu dhe këtë arrijmë ta kuptojmë vetëm nëse i studiojmë thellësisht dhe komplet fjalët e Sejjid Kutubit dhe nëse i krahasojmë me dijetarët tjerë, dhe kështu, në këtë mënyrë del në pah gabimi i bërë.

Unë i shoh si korrekte dhe të vërteta dhe pajtohem plotësisht me vështrimet dhe kritikat e Salim El-Behensavit dhe Salah Abdul-Fetah ElHalidit ndaj “Fi dhilâlil-Kur’an” dhe ndaj autorit të tij.267 Pas këtyre çështjeve të rëndësishme, do ti shtojmë edhe disa fjalë të tjera në vijim:

1. Profesor Sejjid Kutubi (Zoti e mëshiroftë!) është njeri sikur ne, ndaj dhe për rrjedhojë ndodh që t’ia qëllon, ashtu sikur edhe të gabon, ngase ai megjithatë nuk është i mbrojtur, ashtu siç janë të mbrojtur pejgamberët dhe të dërguarit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ta!)

2. Profesor Sejjid Kutubi në librin e tij “El-adaletul-ixhtimaijjetu” e shqyrton çështjen e mosmarrëveshjeve dhe polemikat në mes Aliut dhe Muavijut. Ç’është e vërteta, ai nuk është dashur që të thellohet në këtë problem, ngase të gjithë sahabët (Zoti qoftë i kënaqur me ta!) janë të drejtë dhe muxhtehidë, dhe ai që e qëllon fiton dy shpërblime, ndërsa ai që gabon vetëm një.

Sa i përket kësaj çështjeje dhe profesor Sejjid Kutubit, mund të themi se libri i tij “El-adaletul-ixhtimaijje” është shkruar në fillim të veprimtarisë së tij islame, gjegjësisht në kohën kur nuk ka pasur shumë njohuri dhe kulturë islame, përkatësisht ai asokohe ishte largë shoqërisë së Vëllezërve Muslimanë dhe akoma nuk kishte vajtur në Amerikë.

Dijetarët dhe analistët të cilët mirren me këto qështje thonë se mund të harmonizohet ajo periudhë e prof. Sejjid Kutubit me këtë periudhë dhe se libri i tij “Me’alim fit-tarik” është i fundit që i përmblidhte idetë e tij. Në këtë libër ai i lavdëron të gjithë sahabët (Zoti qoftë i kënaqur me ta!) pa përjashtim,madje për ta ndanë edhe një kapitull që e titullon: “Xhijlun kur’anijun ferid” ku thotë:

“Ekziston një fenomen historik në të cilin duhet të ndalen thirrësit muslimanë në çdo tokë dhe në çdo kohë, madje duhet të ndalen aty një kohë bukur të gjatë, ngase ky fenomen ka ndikim kategorik në metodën e da’vetit dhe në drejtimin e tij. Ky da’vet ka nxjerrë një gjeneratë njerëzish gjeneratën e sahabëve (Zoti qoftë i kënaqur me ta!)- e cila dallohet në tërë historinë e Islamit dhe në historinë njerëzore dhe ky kapacitet nuk doli më…”

Këto fjalë rreth sahabëve janë të qarta ndërsa fjalët që thuhen në librin “El-adeletul-ixhtimaijje” janë të dyshimta. Në rast të dyshimit, pranojmë vetëm të qartën dhe distancohemi nga e dyshimta, dhe siç dihet, njëherit ky është kriter dhe rregull shkencor burimor në Sheriatin Islam,në lëndën e Usuli Fikhut (Juhmelu el Mutleku ala el Mukajjed, ve Juhmelu el Muteshabihu ala el Muhkem, etj.)

 

Asoc.Prof.Dr.Hfz.Hajredin Hoxha
Rruga e Da’wetit në Allahun xh.sh. nën hijen e Sures El En’am (Direktiva te arta për hoxhallarë dhe studentë sipas Tefsirit të prof.Sejid Kutub)

 

Related Stories

Na ndiqni në Youtube

spot_img

Tema të tjera

قضايا دينية، اجتماعية، سياسية معاصرة في ميزان القرآن: قراءة...

قضااي دينية اجتماعية سياسية معاصرة يف ميزان القرآن قراءة حتليلية يف تفسري األستاذ سيد قطب ورقة...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح القاضي مع الأستاذ إغناز غولد:...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث: التجربة الكوسوفية...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث التجربةالكوسوفيةمع الصربنموذج ورقة علمية قدمت في املؤتمر العاملي بعنوان: "...

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام ورقة علمية معدة للندوة العلمية يف امللتقى...

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية د/خيرالدين خوجة(الكوسوفي)

دراسات لأسلوب القرآن الكريم

سلسلة عرض وتقديم أعلام الدراسات القرآنية (3) دراسات لأسلوب القرآن الكريم للشيخ الأستاذ الدكتور محمد عبد الخالق...

Kategoritë më të popullarizuara

Comments