Kur’ani paraprin studimet moderne lidhur me fuqinë e burimeve të lidershipit

0
757
Quran open on a wooden placemat with dark background

Trajtesat e studiuesve bashkëkohorë përkitazi me fuqinë e burimeve të lidershipit, respektivisht përmbajtjen e tyre, e gjejmë të shprehur qartë në Kur’an dhe Sunnet. Feja jonë e pastër u ka paraprirë me shekuj. Në vazhdim do të përmendim disa shembuj.

1) Fuqia e ndëshkimit

“(Shpëtimi në jetën tjetër) nuk do të jetë as sipas dëshirës suaj (o myslimanë), as sipas dëshirës së ithtarëve të Librit. Por kushdo që bën një të keqe, do të ndëshkohet për atë dhe nuk do të gjejë as mbrojtës, as mbështetës tjetër në vend të Allahut.” [ Nisa: 123]

“Laviren dhe lavirin – ta rrihni çdonjërin prej tyre me nga njëqind goditje. Të mos ju pengojë kurrfarë mëshire për të kryer detyrën e fesë së Allahut, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Fundit. Le ta shikojnë dënimin e tyre një grup besimtarësh!” [Nur: 2]

“Pa dyshim se ndëshkimi i atyre që luftojnë kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe që bëjnë shkatërrime në Tokë, është të vriten ose të gozhdohen, ose t’u këputen duart dhe këmbët tërthorazi, ose të dëbohen nga vendi. Ky ndëshkim është poshtërim për ata në këtë jetë, ndërsa në jetën tjetër, për ta do të ketë dënim shumë të madh.” [ Maide: 33]

 

2) Fuqia e motivimit dhe stimulimit material

“…O familje e Daudit! Bëni falënderim (me gjuhë dhe me vepra) (për Allahun)!” Megjithatë, pak nga robërit e Mi, janë falënderues.”[ Sebe’: 13]

“Atij që bën vepra të mira dhe është besimtar, përpjekja nuk do t’i mohohet. Dhe këtë Ne ia shënojmë atij.” [ Enbija: 94]

 

3) Fuqia e pushtetit

“O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja. Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Kiametit. Kjo për ju është më e mira dhe shpjegimi më i bukur.” [Nisa: 59]

Këtu, siç shpjegojnë dijetarët, theksohet obligimi për të ndjekur dhe respektuar liderët, dijetarët, pushtetarët, mbretërit, etj.

“Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin vetë çështjen e tyre! Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri është i humbur.” [Ahzab: 36]

 

4) Ndërsa sa i përket fuqisë e pushtetit të bazuar në përvojat e mëhershme dhe fuqisë së bazuar në tiparet e personalitetit të liderit, sunneti profetik është përplot raste dhe dëshmi, qoftë në betejat e myslimanëve, drejtësinë në gjykime, dhënien e verdikteve fetare, etj.

Po kështu edhe historia e prijësve të drejtë – hulefairrashidinëve – është përplot prova e dëshmi, duke filluar nga qëndrimet e Ebu Bekrit r.a., me murtedët[1], dhe ata që refuzonin dhënien e zekatit, drejtësinë e Omerit r.a, në gjykime, guximin, zgjuarsinë dhe planifikimin e Halidit r.a, në luftëra e beteja, e shumë shembuj të tjerë përgjatë gjithë historisë mijëravjeçe islame[2].

Si përmbledhje mund të themi se atë që kanë potencuar studimet bashkëkohore përkitazi me fuqinë e burimeve të lidershipit, Kur’ani dhe Sunneti e kanë trajtuar hollësisht, e madje edhe kanë ofruar detaje, të cilat janë zbatuar nga liderët tanë përgjatë historisë dhe civilizimit tonë madhështor, andaj përse të shikohen ato burime islame me skepticizëm ose përse të mos përvetësohen ato në vend të studimeve perëndimore?

Përse ky largim nga Kur’ani dhe Sunneti? Përse kjo neglizhencë dhe shpërfillje ndaj Librit të Allahut dhe Sunnetit të Profetit ﷺ ?

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

LIDERSHIPI I SUKSESSHËM (sipas vizionit kur’anor dhe studimeve bashkëkohore)


[1] Ata që e braktisën fenë islame pasi që ishin Muslimanë, apostat, femohuesit.

[2]Për më shumë shih: Nehhal, El-kijadetu ve el-xhundijjetu…, f. 84-100; Turbani, Xhihad, 100 min udhamai ummeti el-Islam gajjeru mexhra et-tarih, f. 13; 66; 92; 120; 171; 176; 251; 280; 405; 630; 694.