NJOHURI MBI JETËN, ARSIMIMIN DHE VEPRIMTARINË E HOXHË HASAN TAHSIN EFENDIUT

0
616

 

Hoxhë Hasan Tahsin Efendiu u lind në fillim të shek. XIX, në vitin 1811[2] në Janinë, përkatësisht në fshatin Ninat të komunës së Filatit, në Juglindje të Shqipërisë, në krahinën shqiptare të Çamërisë, që aktualisht ndodhet nën uzurpimin dhe okupimin e Greqisë. I ati i tij ishte gjykatës fetar, andaj mësimet e para i mori tek i ati i tij. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa studimet universitare i mbaroi në Stamboll, ku edhe diplomoi me sukses të lartë.

Mbi diturinë dhe jetën e Hoxhë Hasan Tahsin Efendiut më mirë na rrëfen nxënësi i tij, eruditi i njohur dhe hulumtues i madh shqiptar në Shtetin Osman, Shemsedin Sami Bej Frashëri.[3] Nxënësi i tij rrëfen se Hoxhë Hasan Tahsin Efendiu vërtetë tërë jetën e vet ia kishte kushtuar hulumtimit shkencor, dhe atë afro gjysmë shekulli. Hoxha i preferonte shkencat humane, dhe nuk i parapëlqente shkencat historike. Shkencat e ndryshme fetare, si p.sh., tefsirin, hadithin dhe lëndët e Sheriatit në përgjithësi, i kishte mësuar nga prindi i vet, pasi që ai kishte qenë dijetar dhe gjykatës fetar. Shumë rrallë mund të gjesh njerëz në mesin e shqiptarëve dhe turqve që njëkohësisht ishin njohës të shkencave fetare dhe shkencave humane. Ndër rastet e tilla të rralla, bën pjesë dijetari në fjalë, gjegjësisht hoxhë Hasan Tahsin Efendiu.

Ai njihte letërsinë arabe, persiane, osmane dhe atë perëndimore. Kishte shkruar poezi në gjuhën osmane, ashtu siç kishte shkruar edhe studime shkencore matematikore. Atij i pëlqenin dy gjëra: Zgjerimi në shkencë për ta arritur të vërtetën dhe shërbimi njerëzimit, posaçërisht bijve të popullit të vet.

Ai largohej nga takimet ku nuk flitej për njohuri e shkencë, dhe në këtë kontekst thoshte: “Çka do ta gëzojë të dashurin, nëse në takime nuk hulumtohet dashuria, të cilën e lyp i dashuruari?!”

Interesat e mëdha kombëtare dhe popullore për të kishin më prioritet se sa interesat e tij personale. Sa herë që i binte në dorë ndonjë para, blinte libra dhe shpesh herë e zinte gjumi duke lexuar libër. Bukë hante vetëm atëherë kur uritej shumë, dhe nuk hante kushedi se çka, por vetëm bukë me djathë. Dhoma e tij ishte përplot libra, instrumente inxhinierike, astronomie e tapia të ndryshme.

Ai ishte i preokupuar tepër me gjendjen e ummetit islam, dhe mendonte për format e mënyrat për bashkimin e popujve dhe të mbarë ummetit islam. Dhjetë vjet para vdekjes së tij, themeloi një shoqatë speciale në shkollën e tij private me emër: “Shoqata gjeografike për bashkimin e popujve muslimanë”, dhe këtu preferonte përdorimin e termit “gjeografike”, me qëllim që të mos nxiste përçarje në mes njerëzve, ndaj preferonte emrin “gjeografike” në vend “muslimane”. Në këtë kontekst ai thotë: “Obligohemi që ta përhapim fenë tonë dhe të punojmë në këtë rrugë dhe s’kanë të drejtë evropianët që të na pengojnë, ngase ata vetë dërgojnë misionarë krishterë në mbarë vendet e botës, dhe për këtë shkak është e natyrshme që edhe ne ta përhapim fenë tonë”.

Në takimet shkencore, ai përqëndrohej në një pikë kryesore, gjegjësisht në çështjen se Sheriati nuk kundërshton në asnjë mënyrë të vërtetat shkencore dhe nuk pengon qytetërimin dhe civilizimin, dhe gjithë këtë e argumentonte me ajete kur’anore dhe hadithe pejgamberike. Ai nuk gjente vend për mendimet dhe idetë e tij në mesin e qarqeve të përgjithshme dhe të posaçme shkencore, ngase disa hoxhallarë dhe imamë të shtetit osman e kritikonin dhe kundërshtonin aq ashpër, saqë autoriteti i tij para njerëzve seriozisht është prekur, dhe kishin filluar ta akuzojnë si heretik dhe të pafe, ashtu siç i ndodhi Muhjiddin ibn Arabiut, Ibni Sinës, Ibn Rushdit, Sokratit, etj.

Mirëpo, ai nuk merrej me thashethemet e njerëzve… dhe vërtet si mundej  një njeri i kalibrit të tij të mohojë Krijuesin (Zotin e Madhërishëm) kur ai vetë e njihte shumë mirë Krijuesin?! Shpesh herë njerëzit i braktisnin ligjëratat e tij, ngase zbërthente dhe sqaronte probleme të vështira filosofike dhe ata nuk e kuptonin, e dukej sikur thoshin: “Mbështetemi në mbrojtjen e Zotit nga devijimet e këtij hoxhe!” Ai ishte asket dhe e donte diturinë!”[4]

Ministri i Arsimit të shtetit osman, Reshid Pasha, dëshironte të dërgojë një grup studentësh të dalluar në Evropë për të studiuar shkenca të ndryshme humane, dhe për t’i përhapur ato në shtetin osman, ngase shteti osman jetonte në një prapambetje qytetëruese e shkencore, dhe, sipas Ministrit, ky ishte një hap për ta shpëtuar shtetin osman nga shkatërrimi i mëtutjeshëm.

Një grup studentësh u paraqitën për studime të tilla, por vetëm tre prej tyre patën fatin të shkojnë, dhe njeri prej tyre ishte Shejh Hasan Tahsin Efendiu, e si destinacion të tyre kishin zgjedhur Parisin, kryeqytetin e Francës. Dy prej tyre u kthyen në Stamboll, ngase nuk dëshironin të vazhdojnë studimet, ndërsa hoxhë Hasan Tahsin Efendiu vendosi t’i vazhdojë studimet dhe të mësojë kulturën dhe filosofi të ndryshme shkencore franceze. Ai kishte marrëdhënie të mira me ambasadorin turk dhe pati fat që të punësohet në ambasadën e shtetit osman në Paris, dhe të jetë imam për të punësuarit e ambasadës dhe mësues i fëmijëve të tyre.

Kështu pra, Hoxhë Hasan Tahsin Efendiu kryente detyrën e imamit, dhe në të njëjtën kohë edhe studionte në Universitetin e Sorbonës në Paris. Ai qëndroi atje afër gjashtëmbëdhjetë vjet, dhe i mësoi shkencat astronomike dhe ato humane me sukses të dalluar, si p.sh., fizikën, kiminë, gjeografinë, gjeologjinë, astronominë, astrologjinë, psikologjinë, etj.

Kur vdiq një personalitet i lartë diplomatik në Paris, gjegjësisht Sadri-Azemi (kryeministri) – Fuad Pasha, Hoxhë Hasan Tahsin Efendiu caktohet për larjen e xhenazes së tij, dhe për shoqërimin e kufomës së tij deri në Stamboll. Pasi arrinë në Stamboll, më nuk kthehet në Francë.[5]

Shteti osman kishte përgatitur dhe projektuar kohë më parë hapjen e një universiteti për mësimin e lëndëve humane, dhe pas kthimit të Hoxhë Tahsinit në Stamboll, i cili kishte fituar një autoritet të lartë në qarqet shkencore, shteti osman e kishte emëruar Hoxhë Hasan Tahsin Efendiun drejtor-rektor të këtij Universiteti që quhej  ( دار الفنون )“Darul-Funun” (Shtëpia e Arteve). Pas emërimit të tij drejtor universiteti, ai filloi të kontaktojë me dijetarë të ndryshëm nga bota islame, dhe t’i ftojë në Universitet për të zhvilluar ligjërata të ndryshme para studentëve.

Një herë e kishte ftuar Xhemaludin Afganin që ta caktojë ligjërues në këtë Universitet. Një ditë Xhemaludin Afgani[6] kishte mbajtur një ligjëratë shkencore, për të vërtetuar para njerëzve nevojën e frymëmarrjes, ngase asnjë qenie s’mund të jetojë pa të. Ai këtë e ka vërtetuar nëpërmes një eksperimenti: Kishte futur një pëllumb në kafaz, dhe më pas e mbylli kafazin në mënyrë hermetike, dhe pas disa çasteve pëllumbi kishte ngordhur. Kur audienca vërejti këtë sjellje të çuditshme të Shejh Xhemaluddin Afganit, e kritikoi ashpër, duke thënë: “Si mund që Universiteti të lejojë njerëz të tillë që vrasin kafshë të pafajshme?!” Ata thoshin se një gjë e tillë nuk lejohet, dhe se kjo sjellje s’ka lidhje fare me Islamin, duke shtuar se drejtori i këtij Universiteti ka studiuar në Francë dhe për këtë shkak ai është laik, ateist dhe i pafe, andaj ai duhet të shkarkohet nga posti drejtor i Universitetit.

Një herë tjetër, Hoxhë Hasan Tahsin Efendiu ka kërkuar prej Shejh Xhemaludin Afganit që të zhvilloj një ligjëratë rreth rëndësisë së industrisë dhe t’i sqarojë mendimet e veta, që i kishte shkruar në traktatin e tij: “Er-Reddu aled-dehrijjin”( الرد على الدهريين ) në gjuhën perse. Në fillim Shejh Afgani kishte kërkuar falje për shkak të mosnjohjes së gjuhës turke, e pastaj ai e kishte sjellë ligjëratën në gjuhën turke dhe ia kishte dorëzuar Ministrit të Arsimit, në çka ai edhe ishte pajtuar dhe kështu Shejh Afgani kishte mbajtur ligjëratën në gjuhën turke para hoxhallarëve dhe dijetarëve.

Në mesin e dëgjuesve të ligjëratës ishte edhe Shejhul-Islami i shtetit osman, Shejh Hasan Fehmi Efendi. Dihet se dijetarët e shtetit osman kishin qëndrim negativ ndaj lëvizjes reformiste fetare, si dhe kundërshtonin pikëpamjet e Shejh Afganit, Shejh Hasan Tahsinit dhe Shejh Muhamed Abduhusë. Prandaj idetë e tyre nuk gjetën vend të merituar në qarqet shkencore. Në ligjëratën e Shejh Xhemaludin Afganit thuhej se “profecia e asaj që do të ndodhë në të ardhmen është pjesë e artit dhe profesionit specifik”, dhe në këtë kontekst, audienca i keqkomentoi fjalët e tij, posaçërisht Shejhul-Islami i shtetit osman, dhe përhapën fjalën se Shejh Afgani thotë që profecia  është lloj arti ose profesioni. Akuzat e tilla nuk janë të vërteta, ngase ka dallim të madh në mes fjalëve, “profeci” (Et Tenbbu’ë) (( التنـبؤ dhe “pejgamberi” (En nubuvvetu ), ( النبوة ) dhe për shkak të kësaj atmosfere, Shejh Afgani detyrohet të udhëtojë në Kajro në vitin 1871 (në vitin 1288 hixhri.). Për shkak të ngjarjes me pëllumbin dhe ngjarjes së fundit, pas qëndrimit një vit si drejtor, Hoxhë Hasan Tahsin Efendiu shkarkohet nga Universiteti.[7]

Burimet konfirmojnë se Shejh Hasan Tahsin Efendiu nuk është martuar dhe se ka qenë asket dhe tepër i dhënë pas shkencave astronomike e eksperimentale. Afër gjysmë shekulli ka dhënë mësim në shkollën e tij private, dhe është endur prej një vendi në vendin tjetër, me një grup nxënësish, duke ua mësuar këto shkenca astronomike që i njihte aq shumë, sa që kishte filluar ti rritej mendja dhe ta pëlqejë vetveten, aq sa disa lëvizje e mendime të tij binin ndesh me mësimet e Sheriatit islam, gjithë kjo si rrjedhojë e mahnitjes së tij nga qytetërimi francez perëndimor, dhe nga mendimi filosofik perëndimor, ashtu siç kishte ndodhur edhe me të tjerët që ishin edukuar në qarqet perëndimore.

Në vitin 1880 (thuhet edhe në vitin 1881) Hoxhë Hasan Tahsin Efendiu ndërroi jetë, në moshën shtatëdhjetëvjeçare në vendin Erenkoy afër Stambollit dhe është varrosur në varrezat “Sahrayi-Cedid Mezarligi” pa shënuar varrin e tij, dhe për këtë shkak tamam nuk dihet se ku e ka varrin. Zoti e mëshiroftë dhe ia faltë gabimet!

 

TITUJT E VEPRAVE TË TIJ

Pjesa dërrmuese e veprave të Hoxhë Hasan Tahsinit ka qenë në gjuhën turke e shqipe, por ato fatkeqësisht kanë humbur. Në vazhdim po japim titujt e veprave të tij që i kishin theksuar studiuesit në konferencë, dhe që janë shënuar në disa burime tjera:[8]

  • Tarih-i Tekvin yakut Hilkat (Historia e krijimit) – në gjuhën turke;[9]
  • Esas-i ilm-i Hay’et (Bazat e gjeometrisë)- në gjuhën turke;[10]
  • Psiholoji yakut ilm-i Ruh (Psikologjia-shkenca e shpirtit)- në gjuhën turke;[11]
  • Esrar-i Abu Hava (Fshehtësitë e ujit dhe ajrit)- në gjuhën turke;[12]
  • Hej’etul-alem (Forma e botës)[13] – në gjuhën turke;[14]
  • Mir’atus-sema’i (Pasqyra e qiellit) në gjuhën turke;
  • “Ligjet natyrore”- traktat i përkthyer nga frëngjishtja;
  • Aklamul-ekvam- s’di në cilën gjuhë është shkruar;
  • Hulasatul-efkar (Rezyme e mendimeve)- s’di në cilën gjuhë është shkruar;
  • Usul-i Fenn-i Felahet-Kimyayi Ziraat- (Bazat e agrikulturës)[15]; dhe:
  • Murabbi-i Et-fal (Pedagogu i fëmijëve)[16] në bashkëpunim me një autor tjetër.

Artikujt e tij janë botuar në revistën islame me titull: “Mecmua-i Ulum”,[17] krahas gazetave ditore që shtypeshin në Stamboll, si p.sh., gazeta “Hafta” dhe gazeta tjera në gjuhën turke.[18]

Hoxhë Hasan Tahsin Efendiu ishte edhe astronom i madh. Në një vepër të tij mbi astronominë, thuhet se ai është i pari në zbulimin e katër gjërave ose katër qarkullimeve të lëvizjes së yjeve rreth Diellit dhe se Dielli është epiqendër e sistemit heliocentrik, apo siç quhet sistemi diellor. Hoxhë Hasan Tahsin Efendiu thotë se shkenca moderne e ka zbuluar këtë çështje më vonë, edhe pse Kur’ani ka folur për gjërat e tilla dymbëdhjetë shekuj më parë, në formë decide dhe të mahnitshme. Në këtë kontekst Kur’ani Fisnik thotë:  

Edhe Dielli udhëton për në kufirin e vet (në cakun përfundimtar). Ai është (udhëtim) përcaktim i Ngadhënjyesit, të Dijshmit. Edhe hënës i kemi caktuar fazat (pozicionet), derisa të kthehet në trajtën e harkut (rrem i hurmës së tharë). As Dielli nuk mund të arrijë hënën e as nata para ditës, por secili noton në një galaksion.”[19]

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE
(SHEK 19-20)

[1] Mbi jetën dhe mendimin e këtij hoxhe me ide perëndimore dhe iluministe, kanë shkruar shumë hulumtues shqiptarë, turq e perëndimorë në enciklopedi të ndryshme fetare e shkencore. Në Shqipëri është formuar një shoqatë humanitare kulturore shqiptaro-turke me emrin e këtij hoxhe. Kjo shoqatë ka organizuar në Tiranë, në bashkëpunim me drejtorin e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC) dr. Ramiz Zekaj, organizoi një Konferencë Ndërkombëtare rreth mendimit dhe aktiviteteve të këtij hoxhe, më 20.12.1997, ku prezantuan shumë personalitete të njohura fetare islame, joislame e kombëtare. Më pas, drejtori i Institutit i ka botuar artikujt, hulumtimet dhe punimet e Konferencës në formë të librit, që të jenë edhe në duart e lexuesve në përgjithësi. Kisha nderin që ta vizitoj drejtorin e shoqatës humanitare kulturore shqiptaro-turke, prof.Ibrahim D.Hoxha në shtëpinë e tij në Shqipëri, për të më ofruar ndihmë titujsh, burimesh dhe literature të rëndësishme për studimin tim. Titulli i librit që përmban punimet e konferencës quhet: Ibrahim Daut Hoxha, “Hoxhë Hasan Tahsini-të tjerët për të”; Tiranë, 1998.

         VËREJTJE: Duke marrë parasysh mungesën e burimeve dhe literaturës së mjaftueshme në Shqipëri rreth mendimeve të Hoxhë Hasan Tahsin Efendiut, unë do ta elaboroj personalitetin e tij nëpërmes veprave dhe hulumtimeve të kësaj Konference Ndërkombëtare, ku vërtet ka punime shumë të rëndësishme të përkthyera nga gjuha turke dhe gjuhë të tjera në gjuhën shqipe. Ndër nxënësit më të njohur të Hoxhë Hasan Tahsin Efendiut ishte autori, letrari, enciklopedisti dhe eruditi shqiptar Shemsedin Sami Bej Frashëri, autor i enciklopedisë letrare e shkencore mjaft të njohur në gjuhën osmane, me titull “Kamusul-A’lam”. Gjithashtu do të mbështetem edhe në studimin e gjerë të hulumtuesit turk, Ömer Faruk Akuni, që është botuar në enciklopedinë fetare turke: “Türkiye Diyanet Vakfi Islam Ansiklopedisi”; 198-206. Do të kisha dashur që të mbështetem në veprat origjinale të Hoxhë Hasan Tahsin Efendiut dhe të formoj një pasqyrë më objektive mbi të, por për fat të keq, kjo është e vërteta, ndaj dhe detyrohem që të marr nga të tjerët punime që janë shkruar për të. Ndërsa për shkak të përgjegjësisë dhe objektivitetit shkencor, që në fillim po i informoj lexuesit e nderuar për këtë çështje.

[2] Sipas disa versioneve tjera, ai u lind në vitin 1812 ose në vitin 1813. “Türkiye Diyanet Vakfi Islam Ansiklopedisi”; 198.

[3] Ky letrar dhe mendimtar shqiptar ka përpiluar shumë libra e traktate me tematika të ndryshme në gjuhën arabe, osmane dhe frënge. Traktati i tij më i njohur është “Himmetul-humam fi neshril-Islam”. Krahas këtij traktati, ai ka shkruar edhe traktate tjera gramatikore të botuara e të pabotuara. Shih më gjerësisht rreth traktatit të tij të përkthyer në gjuhën shqipe me titull: Sami Frashëri, “Përpjekja e heronjve në përhapjen e Islamit;, përktheu nga gjuha arabe prof.dr. Ismail Ahmedi; Logos-A, 2003, Prishtinë, Kosovë, f. 41-43.

[4] Në të njëjtin burim shih artikullin e Shemsedin Sami Bej Frashërit të përkthyer nga gjuha turke në shqip, f. 65-73. Shih në të njëjtin burim, në fq. 81, 83, 88, 122-124 dhe 161, dhe shih:

“Türkiye Diyanet Islam Ansiklopedisi”; Cilt, 18, 1998- Baglar Bashë, kisikli caddesi, 7, Üsküdar, Istambul 192, 200, 201, 202, 203, 205, 206.

 

[5] Po aty, studim i përgatitur nga hulumtuesi turk Ismail Habib, f. 89-97.

[6] Mbi filosofinë iluministe të Xhemaludin Afganit dhe Muhamed Abduhusë, shih Muhamed Amare, “El-Islamu bejnet-tenviri vet-tezviri”; Kajro, Darush-Shuruk, bot. 1, 1995, f. 238-268; Nasir Hamid Ebu Zejd, “Minel-mu’tezileti ve ibni Rushd ila Muhamed Abduhu”; Mahmud Hamdi Zakzuk, “Mefhumut-tenviri fi fikri ibn Rushdi”, Murad Vehbe dhe Muna Ebu Sunne, “Ibën Rushd vet-tenvir”- Daruth thekafetil-xhedideti; bot. 1, 1997, f. 105-113, 129-148.

[7] Türkiye Diyanet Vakfi Islam Ansiklopedisi, 202.

[8] Türkiye Diyanet Vakfi Islam Ansiklopedisi, dhe burime të tjera.

[9] U botua në Stamboll në vitin 1310 hixhri.

[10] U botua në Stamboll në vitin 1311 hixhri.

[11] U botua në Stamboll në vitin 1309 hixhri.

[12] U botua në Stamboll në vitin 1309 hixhri.

[13] Ky punim është i njëjtë me punimin “Esasu ilmilhej’eti”, por është botuar me titull tjetër në vitin 1297 (hixhri) në formë artikulli në revistën “Mexhmuatululum”.

[14] Po aty, punim i studiuesit turk Mahmut Kemal Inal, f. 106, ku hoxhë Hasan Tahsin Efendiu renditet në rangun e poetëve të mëdhenj turq. Titulli i librit është: “Esh-Shu’ara el-etrak fil-karnil-ehir”.

[15] U botua në Stamboll në vitin 1291 hixhri.

[16] U botua në Stamboll në vitin 1289 hixhri.

[17] U botua në Stamboll në vitin 1297 hixhri.

[18] Më gjerësisht për veprat dhe idetë e tij shkencore, shih enciklopedinë fetare turke: Ömer Faruk Akun, “Türkiye Diyanet Islam Ansiklopedisi”; 203-206.

[19] Jasin, 38-40.