BARAZIA NË DHËNIE NDAJ FËMIJËVE 

0
856

 

Nuemani, i biri Beshirit, transmeton se babai i tij, Beshiri, shkoi te Muhamedi a.s. dhe i tha: –Këtij djalit tim unë ia dhashë (dhurova) një shërbëtor timin. Muhamedi a.s. i tha: – A u ke dhënë të gjithë fëmijëve njësoj si këtij? Beshiri tha: Jo. Atëherë Muhamedi a.s. tha: -Merrja përsëri shërbëtorin (d.m.th: kjo nuk është barazi dhe drejtësi ne mes fëmijëve). [E kanë transmetuar: Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi, Nesaiu dhe Tirmidhiu.] 

Me këtë hadith, Muhamedi a.s. e ndaloi që prindi, gjatë dhënies së pasurisë fëmijëve të vet në shenjë dhurate, disa t’i veçojë e t’u japë më tepër, ndërsa të tjerëve jo. Të gjithë duhet të marrin të njëjtën sasi të pasurisë.

Dijetarët islamë, në lidhje me këtë çështje, janë në dy mendime: Disa thonë se kjo vepër është haram (e ndaluar), ndërsa disa thonë se është mekruh (jo e preferuar, jo e pëlqyer) dhe askush prej dijetarëve nuk është i pajtimit që kjo vepër lejohet, sepse hadithi është i qartë në këtë aspekt. Mirëpo nëse të tjerët (vëllezërit e tij) pajtohen me një gjë të tillë, pra që prindi i tyre e ka veçuar njërin prej vëllezërve, atëherë kjo vepër lejohet.

Sa i përket urtësisë që gjendet në këtë ligj pejgamberik, ajo është e qartë dhe e dukshme në këto pika: prindi e ka për obligim që dashurinë, mëshirën dhe pasurinë e tij, ta ndajë me drejtësi dhe saktësi në mes të fëmijëve të tij, pa e dalluar asnjërin prej tyre në lidhje me ato që u përmendën. 

Nëse nuk realizohet ky parim islam gjatë edukimit të fëmijëve, çdo gjë është e kotë.

Nëse dallimi i fëmijëve në dashuri shkakton probleme dhe xhelozi në mes tyre, atëherë dallimi dhe veçimi i tyre në dhënien e pasurisë shkakton pasoja akoma më të rënda në mesin e fëmijëve kur ata rriten dhe bëhen burra.

Din-i islam i ka kushtuar rëndësi të madhe rehatisë dhe harmonisë në familje, prandaj edhe na tërheq së tepërmi vërejtjen rreth realizimit të dashurisë, mirëkuptimit dhe sigurisë në mes të anëtarëve të familjes.

Shoqëria njerëzore është si një pasqyrë që reflekton rrezet e familjeve, p.sh. përhapja e dashurisë dhe drejtësisë në shoqëri është argument i fortë që na bën të ditur se edhe nëpër familje po praktikohet drejtësia dhe, anasjelltas, përhapja e xhelozisë, e hidhërimit dhe armiqësisë në shoqëri është argument që na bën të ditur se po në atë gjendje janë edhe familjet. Sa herë që dikush nga anëtaret e familjes shtypet dhe i bëhet padrejtësi, ai në atë moment nuk mundet ta ndalë hakmarrjen e tij në familje, prandaj i kthehet shoqërisë së pastër dhe i hakmerret asaj.

Humbja e përgjegjësisë në familje dhe padrejtësia në mes anëtarëve të saj është shkaku më kryesor për padrejtësinë që shfaqet në shoqëri.

Për këtë arsye din-i islam na ka obliguar që të jemi korrekt (të drejtë) ndaj fëmijëve, gjatë kujdesit tonë ndaj tyre, gjatë dhënies etj., përderisa të gjithë fëmijët (vajzat dhe djemtë) janë të sjellshëm ndaj prindërve dhe i respektojnë ata. Ndoshta dikush mund të pyesë: Kur njeriu është i lirë që pasurinë e tij t’ia japë edhe një të huaji, atëherë a nuk ka të drejtë ai që tërë pasurinë e tij t’ia japë fëmijës së vet? 

Përgjigjja është se ekziston një dallimi i dukshëm në mes dy krahasimeve. Lidhjet shpirtërore që ekzistojnë në mes tyre nuk janë të barabarta. Ti mundesh që pasurinë tënde t’ia dhurosh dikujt tjetër (një muslimani) e mandej mos të të interesojë fare çështja e tij. Ndoshta edhe nuk e sheh atë më kurrë. Mirëpo te fëmijët e tu ndryshojnë raportet. Ti çdo ditë je me ta, prandaj çdo dallim i yti ndaj atyre ndikon negativisht në mesin e tyre, përderisa të gjithë ata janë të respektueshëm ndaj teje.

E nëse ata nuk janë të respektueshëm ndaj prindërve të tyre, kjo është një çështje krejt tjetër. Edhe gjatë shërimit të këtij problemi duhet të jemi të kujdesshëm. Ndoshta, në këtë rast, pasuria luan rolin kryesor në përmirësimin e këtij personi. Nëse ai nuk është i dëgjueshëm atëherë pranohet që atij t’ia ndalim pasurinë, se ndoshta përmirësohet dhe kthehet. Po nëse përsëri nuk është i dëgjueshëm, atëherë provojmë që atë ta përmirësojmë me dhënien e pasurisë. Ai me të keqe e ti me të mirë, e nuk ka qare pa triumfuar (fituar) e mira.

Përktheu dhe përshtati nga arabishtja: Prof.Dr. Hfz. Hajredin Hoxha

Prof.Dr.Muhamed Said Ramadan el Buti – FSHEHTËSITË E DISA LIGJEVE KUR’ANORE