VLERA E KUR’ANIT FISNIK PËR GJUHËN ARABE

0
964

 

Të folurit e Kur’anit për ndikimin e tij në gjuhën arabe është si të folurit e diçkaje për vetveten, kjo ngase Kur’ani është i formuluar në arabisht me kuptime të qarta. Allahu zgjodhi për librin e Vet gjuhën më elokuente dhe si të tillë ia shpalli Muhammedit [alejhis salatu ves selam], që të jetë mrekullia e mrekullive, lëndore e kuptimore, deri në amshim. Mrekullia kur’anore është dëshmia më e madhe për pejgamberinë e Muhammedit [alejhis salatu ves selam].

Vlen të theksohet se Kur’ani u shpall në një mjedis që shquhej për një potencial të fortë gjuhësor dhe për një elokuencë të madhe, gjë që do të thotë se ai iu përshtat rrethanave dhe gjendjes së popullit tek të cilët u shpall fillimisht. Politeistët mekas dhe ata të vendeve fqinje kishin kualifikim të lartë në gjuhë, oratori, ligjërim dhe elokuencë, dhe mu për këtë prijataret e shkencave gjuhësore: semantikës, retorikës dhe elokuencës iu takonin atyre.

Kur’ani, në lidhje me arabishten, ka edhe një meritë tjetër të madhe të pamohuar. Pasioni dhe dashuria për mësimin e Kur’anit qe motiv edhe për mësimin e arabishtes në mënyrë të pastër dhe të rrjedhshme (pa gabime gramatikore), teori të cilën e mbrojnë edhe gjuhëtarët[1].

Prof. Dr. Hasen Dijauddin Ater, një kolegu im nga Universiteti Taiba, në librin e tij el-Mu’xhizetu’l Halidetu, thotë: “Arabët arritën shkallën më të lartë të elokuencës dhe oratorisë që mund ta ketë pasur ndonjëherë njerëzimi dhe krijuan epërsi ndaj të gjithë popujve. E shpallja e Kur’anit nga Allahu i Madhëruar në gjuhën e të Dërguarit, Muhammedit [alejhis salatu ves selam], pati dobi të shumta. Asnjë mrekulli nuk mund të matet (krahasohet) me të (Kur’anin). Sikur çështja e tij të kufizohej në mrekulli lëndore, siç ishte shndërrimi i shkopit në gjarpër tek Musai (alejhi’s selam) apo ringjallja e të vdekurve tek Isai ( alejhi’s selam), gjëra të huaja për mentalitetin e tyre, ndoshta ata do të paragjykonin se u sfiduan për të bërë diç të ngjashme vetëm për këtë shkak. E meqë Allahu e veçoi Muhammedin (alejhi’s selam) me Kur’an, Ai nuk iu la vend fare për këtë dyshim, ngase oratoria ishte tradita dhe krenaria e tyre. Kur’ani ishte sfidues ndaj asaj që ata ia dinin karakteristikat dhe epërsinë me një reflektim (meditim) të shkurtër. Kjo mënyrë e qëlluar, përkitazi me mrekullitë, është vetë urtësia, andaj nuk preferohet largimi prej saj[2]

Ndërsa Kadi Ijjadi ka thënë: -E prej aspekteve të pallogaritshme që dëshmojnë paimitueshmërinë – pamundësinë e sfidimit të tij (ar. i’xhazin), për dallim nga mrekullitë e pejgamberëve të mëparshëm që përfunduan me vdekjen e tyre dhe për të cilat sot ka mbetur vetëm njoftimi për to, është edhe mbetja e tij fakt i përjetshëm aq sa të ekzistojë kjo botë. Madje, siç thotë Allahu, Ai ka garantuar për këtë (ruajtje të tij)[3]:

“Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij.” (el-Hixhr, 9.)

“Atij nuk mund t’i vishet e pavërteta nga asnjë anë; është i zbritur prej të Urtit, të Lavdishmit.” (Fussilet, 42.)

Allahu i Madhëruar i sfidoi politeistët dhe mosbesimtarët kurejshë, të cilët ishin prijës të oratorisë dhe elokuencës dhe të cilët e kundërshtuan Pejgamberin Muhammed, që të sillnin diç të ngjashme me të, qoftë edhe vetëm një sure apo qoftë edhe vetëm një ajet. Natyrisht ata nuk mundën dhe askush nuk do të ketë mundësi për diçka të tillë, gjer në kiamet. Allahu thotë:

 “E në qoftë se jeni në dyshim për atë që Ne ia shpallëm gradualisht robit Tonë, atëherë silleni ju një kaptinë të ngjashme si ai (Kur’ani) dhe thirrni (për ndihmë) dëshmitarët tuaj (zotët) pos All-llahut, nëse jeni të sinqertë (në thëniet tuaja se Kur’ani nuk është prej Zotit).” (el-Bekare, 23.)

 “Përkundër kësaj, ata (idhujtarët) thonë se atë e trilloi ai (Muhammedi). Ti thuaj: “Silleni pra ju një kaptinë të ngjashme me këtë, madje thirrni kë të doni për ndihmë, pos All-llahut, po qe se jeni të drejtë në atë që thoni”.” (Junus, 38.)

 “Apo, pse ata thonë: “Ai (Muhammedi) e trilloi atë (Kur’anin)”. Thuaj: “Formuloni pra dhjetë kaptina si ai (Kur’ani) ashtu të trilluara (siç thoni ju) dhe thirrni, pos All-llahut, po qe se jeni të drejtë (çka thoni), kë të mundeni për ndihmë!”” (Hud, 13.)

“Thuaj: “Edhe sikur të bashkoheshin njerëzit dhe xhinët për të sjellë një Kur’an të tillë, ata nuk do të mund të bënin si ky, sado që do ta ndihmonin njëri – tjetrin”.”(el-Isra, 88.)

Imam Thealebiu e kishte kuptuar thelbësisht këtë të vërtetë, të cilën kishte arritur ta formulonte skajshmërisht bukur në parathënien e librit të tij të famshëm Fikhu’l lugati ve sirr-rru’l arabijjeh (Të kuptuarit e gjuhës dhe sekreti i arabishtes), ku ka thënë: “Kush e do Allahun e Madhëruar, do ta dojë doemos edhe të Dërguarin e Tij, Muhammedin, e kush e do pejgamberin arab, do t’i dojë edhe arabët, e kush i do arabët, e do edhe arabishten, e kush e do arabishten, interesohet për të, insiston në të dhe i kushton rëndësi.

E atij që Allahu e ka udhëzuar për në Islam, ia ka hapur gjoksin për besim, i ka dhënë sinqeritet dhe e ka bërë të besojë se Muhammedi është më i miri prej pejgamberëve, arabët më të mirët prej popujve,  arabishtja më e mira nga gjuhët dhe se mësimi i saj është prej fesë, ngase është mjet i diturisë, çelës i të kuptuarit në fe dhe shkak i përmirësimit të jetës në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe sikur të mos ketë pasur motiv tjetër në përvetësimin e veçorive të saj, në qëndrimin për të mësuar format e mënyrat e saj, në thellimin për të kuptuar çështjet e përgjithshme dhe ato të veçanta, përveç bindjes së fortë në njohjen e I’xhazit të Kur’anit dhe fakteve që dëshmojnë pejgamberinë e Muhammedit (alejhi’s selam), shtyllë kjo e besimit, do t’i mjaftonte si nder pasoja pozitive, frytet e së cilës do të ishin të këndshme në të dy botët.[4]

Dijetarët kanë përmendur se, kohët e fundit, injoranca në lidhje me fenë dhe gjuhën arabe ka bërë që origjinaliteti i kësaj gjuhe dhe të folurit e saj në mënyrën letrare është bërë diç e huaj për njerëzit. Sikur Allahu i Madhëruar të mos i mëshironte këta muslimanë nëpërmjet udhëzimit kur’anor dhe ruajtjes së trashëgimisë gjuhësore dhe retorikes kur’anore, nëpërmjet punimeve dhe studimeve gjuhësore nga dijetarë të sinqertë, arabishten do ta ndiqte fati i gjuhëve të tjera që u zhdukën e u shkrinë. Prof. Muhammed Hashimi thotë:

Është fakt i pranuar se zbritja e Kur’anit në gjuhën arabe ka ndikuar në mënyrë të pamohueshme në stabilizimin dhe përforcimin e kësaj gjuhe, sikurse që ka ndikuar në forcimin e pozitës së saj ndërmjet gjuhëve të tjera, në përmirësimin dhe korrigjimin e saj, në zgjerimin e objektivave të saj ekspresive (shprehëse) dhe arteve të të folurit të saj. Kjo mund të vërehet shumë qartë në shumëllojshmërinë e kuptimeve, imagjinatave, metodave dhe fjalëve.

E po kështu vërehet qartë edhe ndikimi i Kur’anit tek arabët meqë në gjuhën e tyre u mishërua bukuria, retorika, elokuenca dhe, po ashtu, shoqërimi me të i zbuti zemrat e tyre të ngurta dhe natyrat e tyre të vrazhda. Kur’ani i dhuroi gjuhës arabe shprehje të bukura, stil tërheqës, radhitje fantastike, fuqi argumentuese, logjikë të ekuilibruar, saktësi në performancë, bollëk në domethënie…

Një prej meritave të Kur’anit ndaj gjuhës arabe ishte edhe zhveshja e saj nga ajo që ishte si diç e huaj, e çuditshme, në diç të lehtë dhe të qëndrueshme, si dhe sqarimi i qëllimit dhe arritja e synimit me mënyrat dhe metodat më të qarta të mundshme. E sa shpesh muslimanët kanë lagur buzët e tyre me Kur’an në namazet dhe adhurimet e tyre dhe kanë zbuluar imazhet e letërsisë së mrekullueshme dhe sfiduese (të pamposhtur) në shprehjet, shembujt, metaforat, metonimitë dhe dramatikën e tij…

Kur’ani Famëlartë, edhe pse ka të përbashkët me gjuhën arabe lëndën dhe kombinimin (e fjalëve), megjithatë, dallon në metodë, doktrinë, pozitë dhe përpunim. Në të kundërt, Kur’ani do të shkrihej në të folurit e tyre dhe rrjedha e tij do të ishte rrjedhë e poezive, ligjërimeve, tregimeve etj. Shembulli i tij atëherë do të ishte si i atyre gjërave që mbesin nga njeriu.

Por jo, Allahu refuzoi që fati i fakteve dhe dëshmive (të librit) të Tij të mbetej asisoj, kështu që e shpalli Kur’anin si përfshirës të shkaqeve më të rëndësishme të ngritjes (promovimit, përparimit) ndaj dominimit, veçimit apo dallimit… Shpallja e tij në këtë mënyrë mrekulluese ishte shkak për ruajtjen e gjuhës arabe dhe zhvillimin e shkencave të saj. E baza e kësaj ishte sfidimi me të, një prej urtësive së të cilit ishte që arabët të shikonin metodat kur’anore dhe aspektet e strukturës së tij, në mënyrë që të meditonin për metodën e tij dhe të përpiqeshin më pas të shihnin nëse kishin mundësi për të bërë diç të ngjashme me të, derisa të bindeshin se ishin të dobët para tij… Kështu, Kur’ani famëlartë solli domethënie, metoda dhe  struktura të reja gjuhësore, të panjohura deri më atëherë për arabët, e gjëra të tjera të cilat e pasuruan arabishten dhe i dhuruan asaj saktësi dhe bukuri…’[5] Kur’ani, po kështu, i dhuroi gjuhës arabe edhe qëndrueshmërinë dhe jetëgjatësinë gjer në amshim, gjë për të cilën falënderimi i takon Allahut, fillim e mbarim!

Kur’ani, sipas asaj që pohojnë njëzëri dijetarët dhe hulumtuesit, jo vetëm që e ka ruajtur gjuhën arabe por ka ruajtur edhe dialektet nëpërmjet kiraeteve (formave të leximit) të cilat gjeneratat na i përcollën besnikërisht deri më sot. Në këtë thesar shkencor madhështor reflekton edhe vlera e Islamit, të cilin Allahu e zgjodhi si fe për të gjitha botët dhe fati i gjuhës arabe dhe muslimanëve padyshim se është i lidhur me fatin e kësaj feje dhe zbatimin e ligjeve, dispozitave, urdhëresave dhe ndalesave të saj. Përkitazi me këtë të vërtetë shkencore disa dijetarë pohojnë: ‘E sigurisht që dihet se historia e njerëzimit nuk njeh gjuhë të cilën e ka përjetësuar libri i saj, përveç arabishtes së cilës Kur’ani i dhuroi kurorën e jetës dhe sekretin e ekzistimit.

Ky libër ruajti tekste nga dialektet e arabëve, në elokuencën dhe shëndoshmërinë e të cilave nuk ka dyshim për sa i përket aspektit gjuhësor dhe performancës së tyre. Këtë natyrisht e bëri nëpërmjet kiraeteve, të cilat paraqesin një metodë transmetimi, saktësinë e të cilit nuk mund ta arrijë asnjë shkencë, madje as metodologjitë bashkëkohore… Po kështu është e njohur se, kur është bërë kodifikimi i gjuhës arabe, mbështetja kryesore kanë qenë fjalët e Kur’anit, pastaj ato të poezive të sakta, fjalët nga fjalori i fiseve që nuk kanë qenë të ndikuara nga elemente të huaja, si: fisi kajs, temim, hudhejl, esed etj. Kur’ani është ai që i ka ruajtur të shëndosha bazat e arabishtes dhe, po të mos ishte ai, mund të pohohet me lehtësi se çdo vend arab do të kishte gjuhën e vet dhe se ato, për gjuhën letrare, do të ishin sikurse frëngjishtja, italishtja e spanjishtja për gjuhën latine. Pra, fati i arabishtes është i lidhur me fatin e fesë dhe, për këtë shkak, e tashmja e ummetit është e ndërlidhur me të kaluarën e tij dhe arabishtja ka arritur ta ruajë veten e saj…’ [6]

Kur’ani është lloj gjuhësor me të cilin vazhdojnë të identifikohen ithtarët e tij, realisht apo kuptimisht, aq sa të ketë njerëz mbi sipërfaqen e kësaj toke. Sikur të mos ishte kjo arabishte që e ruajti Kur’ani Fisnik, historia islame nuk do të ishte e qëndrueshme, ummeti nuk do të mbetej i bashkuar dhe as që do të shquhej për unitetin islamik.[7]

 

Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA

VLERA E KUR’ANIT FISNIK DHE NDIKIMI I TIJ NË RUAJTJEN DHE PASURIMIN E GJUHËS ARABE

 


[1] Xhebri, Abdullah Ibn Nasir, Lehexhatu’l arab fi’l Kur’ani’l Kerim – dirasetun tahlilijjetun, Daru’l kutub el-ilmijjeh, b.1, Lubnan, 2007, f. 206.

[2] Ater, Hasen Dijauddin, El-Mu’xhizetu’l halidetu, Daru nuri’l mektebat, Xhiddeh, b.4, 2005, f. 110.

[3] Ijad, Kadi, esh-Shifa bi ta’rifi hukuki’l Mustafa, el-Matbaatu’l uthmanijjeh, Egjipt, 1312h., f.232.

[4] Eth-Thealebi, Fikhu’l lugati ve sirr-rru’l arabijjeti,…, Kajro, 1938, f.1.

 

[5] http://arabic.bayyanat.org.lb/nachratbayyanat/idaaat/idaat218.htm

[6] Për më shumë shih: Lehexhatu’l arab fi’l Kur’ani’l Kerim – dirasetun istikraijjetun tahlilijjetun të Abdullah AbdunNasir Xhebri, f. 73-141.

[7] Shih: Ater, Hasen Dijauddin, El Mu’xhizetu’l halideh, 372-392; El-Halidi, Salah el-Fettah, I’xhazu’l Kur’ani’l bejanijj ve delailu masdarihi’rr rrebbanijj, f. 491-506.