LIDERSHIPI KAOTIK (LAISSEZ-FAIRE)

0
754

Ky stil është plotësisht i ndryshëm me stilin autoritar sepse pothuajse nuk ka lidership fare. Secili pjesëtar i organizatës është i lirë të kryejë detyrën si të dojë. Pasiviteti dhe negativiteti i liderit janë ato që theksohen më shumë, e kjo për shkak se nuk ka një rregull apo ligj sipas të cilit do të qeverisej. Lideri në punë nuk ka rol pozitiv karshi punëtorëve. Ata veprojnë lirshëm si të mos kishte fare lider apo menaxher. Vështruar sipas dobisë dhe kompetencave, konsiderohet stili më i papërshtatshëm.

Lideri konsideron se duke i lënë punëtorët e lirë, rriten aftësitë, kapacitetet dhe mjeshtëria e tyre. Një i mençur nuk do ta përvetësonte këtë stil udhëheqje dhe nuk dimë në histori dikush në organizata ushtarake, civile, fetare, akademike, që të ketë aplikuar këtë formë qeverisje apo menaxhimi, ndoshyta aty këtu ndonje rast i rallë.

Personalisht, si hulumtues, nuk kam arritur të kuptoj pse ekspertët e kanë futur këtë si stil lidershipi!

Prandaj po e përmend vetëm sa për besnikëri shkencore e metodologjike, sepse thjesht është i padobishëm sipas mendimit tim! Allahu e di më së miri!

Në vazhdim do të ndalemi pak tek avantazhet dhe disavantazhet e këtij stili lidershipi për të kaluar më pas tek një krahasim ndërmjet tre stileve të përmendura. Përsërisim se ky stil lidershipi nuk duhet të përvetësohet sepse bie ndesh me konceptin Kur’anor dhe profetik për liderin dhe përgjegjësitë e tij në mbarëvajtjen e punëve!

 

1.Veçoritë e këtij stili lidershipit

  • Ky stil mund të ketë efekte eventuale pozitive nëse lideri i ka rrethanat dhe shkathtësitë përkatëse të lidershipit të cilat e nxisin për inovacion, avancim personal dhe fitim të përvojave
  • Suksesi i këtij stili varet nga niveli i lartë mendor dhe shkencor i atyre me të cilët punon lideri

2.Vërejtjet ndaj këtij stili të lidershipit

  • Vërejtje stilit pasiv dhe kaotik të lidershipit
  • I shkujdesur, i pakënaqur, strehues
  • Negativ
  • I padobishëm dhe rrallëherë i zbatueshëm

 

Shpjegim me rëndësi

Nga ajo që u tha ma herët, pas analizave tona mund të konkludojmë duke bërë një klasifikim mes stileve të lidershipit në grafikun që vijon:

Klasifikimi i stileve është bërë mbi bazën e mënyrës se si është ushtruar pushteti dhe se si janë manifestuar raportet ndërmjet liderit dhe pasuesve:

  • Stili tradicional

Ky stil ngritet mbi respektimin dhe vlerësimin e të moshuarve, elokuencën, urtësinë dhe mjeshtërinë e liderit për t’i trajtuar çështjet

  • Stili joshës

Lideri shquhet për tipare personale tërheqëse të cilat i bëjnë pasuesit të binden se ai është i duhuri dhe se ai është i denjë për t’i përfaqësuar e udhëhequr

  • Stili racional

Është stili që mbështetet vetëm në fuqinë e ligjit dhe kompetencat e liderit, respektimi i të cilit detyrohet nga rregullat dhe ligjet në fuqi

 

Krahasim ndërmjet tre stileve të lidershipit

Stili autoritar:
a. Lideri vendos për të gjitha sistemet.
b. Hapat e punës dhe etapat e saj janë të paqarta.
c. Lideri shpjegon funksionin e secilit anëtar.
d. Lideri është tejet personal në vlerësime apo qortime.

Stili demokratik:
a. Të gjitha sistemet janë të miratuara nga lideri dhe pasuesit njëkohësisht.
b. Përcakton hapat kryesor të punës ndërsa lideri propozon alternativat.
c. Pasuesit janë të lirë për të përzgjedhur bashkëpuntorin.
d. Lideri është objektiv sa i përket vërejtjeve dhe lavdatave.

Stili kaotik:
a. Liri e plotë e pasuesve në miratimin e sistemeve. Pjesëmarrësja e liderit është e kufizuar.
b. Lideri ofron informacionet kur kërkohen prej tij ndërsa nuk interesohet për diskutimin e tyre.
c. Lideri nuk ndërhyn në punët e pasuesve.
d. Lideri nuk merret me lavdata dhe as qortimin e pasuesve.

Pas kësaj që u tha dhe u shpjegua gjer më tani, besojmë bindshëm që është mjaftë për t’u ditur dhe kuptuar rreth bazave, stileve dhe parimeve të lidershipit kur’anor dhe atij bashkëkohor, e që studenti, lexuesi dhe lideri i ardhshëm politik, akademik, civil, ushtarak dhe fetar duhet te dijë dhe të kuptojë, dhe Allahu xh.sh., e di më mirë.

Tani do të kalojmë në kapitullin e pestë dhe të fundit, ku do të trajtojmë disa shembuj bashkëkohorë të lidershipit të suksesshëm, me qëllim të pasimit dhe ndjekjes së shëmbëlltyrës së tyre, ndërsa synojmë rimëkëmbjen tonë institucionale, akademike, ushtarake, civile e fetare.

Janë liderë, shembuj për të mirë, por jo të pagabueshëm, sepse janë njerëz! Këtë duhet ta kemi parasysh gjithmonë!

Së këndejmi, ne marrim më të mirën nga ata, ndërsa atë që e konsiderojmë si jo të qëlluar, e marrim me rezervë, sepse ndonëse janë liderë, edhe ata janë njerëz dhe mund të gabojnë!
Tani shtrohet pyetja e madhe!

Po çfarë stil të liderit synon Islami?

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

LIDERSHIPI I SUKSESSHËM(sipas vizionit kur’anor dhe studimeve bashkëkohore)