Matësit e personalitetit – Testet e preferuara

0
818

Në pjesën paraprake u ndalëm tek llojet e personalitetit të cilat duhet t’i kemi në konsideratë në mënyrë që të bëjmë përzgjedhjen e duhur të liderit. Por pyetja që lind këtu është: A mjafton njohuria jonë për llojet e personalitetit për ta zgjidhur problemin e përzgjedhjes së liderit të duhur?

Përgjigja: Natyrisht që jo, sepse natyra e postit dhe rrethanave parasheh nënshtrimin ndaj disa testeve dhe pyetësorëve[1], verbal e me shkrim, intervistave të hapura e të mbyllura, sepse disa kandidatë mund të mos shprehen mirë në shkrim ndërsa e bëjnë verbalisht për mrekulli, për dallim nga të tjerët që nuk e kanë problem shkrimin! Këtu vjen në pyetje shërbimi me shkencat në të cilat aluduam më parë, si: tipologjia, karakterologjia, fizionomia, grafologjia, etj. Kështu, fillimisht do të njiheshim me personalitetin, vijimisht do ta studionim nëpërmjet diskutimit, intervistës, testimit, dhe rrjedhimisht do të vendosnim pozitivisht ose jo për të[2].

Kjo është rruga që duhet ndjekur dhe këto janë principet që duhen aplikuar ndërsa duam ta përzgjedhim liderin! Pra, duke vëzhguar tiparet e tyre me të cilat dallohen në fushat e mendimit, psikës, sjelljeve dhe shkathtësive.

Duke qenë se psikologjia ka shënuar zhvillim të madh, janë zbuluar matës dhe standarde shkencorë nëpërmjet të cilëve mund t’i masim me saktësi të madhe tiparet dhe veçoritë e personalitetit.

Rëndësia e këtyre matësve shfaqet në fushat e punëtorëve në rafshin akademik, civil, fetar, ushtarak, dhe politik të organizatave për shkak të lidhjes së tipareve dhe veçorive të personalitetit me lloje të caktuara të sjelljeve[3].

Shkencëtarët dhe ekspertët kanë përmendur se këto mjete janë dizajnuar për të matur gjëra të shumta dhe të ndryshme.

  • Disa prej tyre masin performancën dhe kapacitetin e të testuarve. Testimi i inteligjencës p.sh. mat kapacitetin e përgjithshëm intelektual.
  • Disa testime tjera masin preferencat e disa individëve dhe sjelljet e tyre.
  • Disa të tjerë prirjet e të testuarve rreth profesioneve dhe aktiviteteve të caktuara.
  • Disa trajtojnë natyrën dhe dimensionet e qasjeve dhe bindjeve të individëve dhe të grupeve kundruall çështjeve të ndjeshme shoqërore.
  • Disa masin aspekte të caktuara në familje,sh. anën materiale, raportet e babait me nënën, apo të fëmijës me fëmijën, apo të prindit me fëmijën, etj.
  • Disa prej tyre janë thjesht vetëm për të matur gjendjen shëndetësore dhe fizike të individëve[4].
  • Disa prej tyre kanë të bëjnë me performancën e punës, misionit apo rolit të tyre nëpër institucione civile,akademike,fetare, ushtarake, politike etj.

Sa u përket standardeve shkencore dhe universale që duhen plotësuar në këto testime dhe pyetsorë (për matjen e niveleve të ndryshme të personalitetit[5]), duhen marrë parasysh kriteret, principet në vazhdim:

  • Objektivizmi
  • Diferencimi
  • Standardizimi
  • Qëndrueshmëria
  • Validiteti,

Sa i përket të parës, objektivizmit, me të nënkuptohet strukturimi njohës dhe mendor me kusht që testi të na japë gradën e njëjtë, dmth: përgjigjja është e njejtë edhe nëse numri apo lloji i kontrollorëve ndryshon. Njëherit edhe kontrollori duhet të jetë objektiv. Pra, pyetja nuk duhet të ketë më shumë se një opsion të saktë përgjigjeje, sikur që kontrollori nuk duhet të intervenojë në përmirësimin e përgjigjes,

Përsa i përket diferencimit, testimi duhet të vë në pah dallimet individuale në formë të qartë, ndryshe nuk ka ndonjë dobi! Testimi i lehtë në të cilin nuk shfaqen dallimet individuale nuk konsiderohet matës i saktë, as testimi i vështirë në të cilin nuk shfaqen dallimet nuk konsiderohet matës i mirë. Kjo nënkupton se testi duhet të jetë i drejtë dhe mesatar, as i lehtë, as i vështirë.

Me standardizim nënkuptojmë që matësi të jetë i vlefshëm për të gjithë dhe të shërbejë njësoj për të gjithë. Për këtë shkak, testi duhet të dallohet për metodologji të kulluar, formulim të qartë, për shprehje të kuptueshme dhe në përputhje me nivelin e të të testuarve.

Qëndrueshmëria nënkupton se niveli i testimit të një individi të caktuar paraqet drejt dhe qartas aftësinë dhe kapacitetin e tij gjatë testimit. Niveli i testimit nuk ndikohet nga faktorë tjerë gjatë kohës sa ndodhë testimi, si p.sh., gjendja emocionale, mënyra e testimit, metoda e vlerësimit. Poashtu, ky testim duhet të japë rezultate të njëjta vazhdimisht, nëse përsëritet matja e tij me individët e njëjtë dhe në rrethana të njëjta.

Validiteti apo saktësia nënkupton se ky test matë aspektin që synohet të matet, jo diçka tjetër. Testimi kufizohet në fushë të ngushtë të profilit ndërsa është me nivel të lartë të veçorisë për matjen e së cilës edhe është vënë…[6]

Në vazhdim, ja një shembull tabelor për matjen e personalitetit dhe stilet bihejviorste, dhe që ska të bëjë me inteligjencën, aftësinë, shëndetin mendor ose vlerat :

Ushtrim sipas teorisë DISC të përmendur nga Major General Prof. Dr. William Kohen[7].

  • Dominimi (Dominance)
  • Influencimi (Influence)
  • Qëndrueshmëria (Steadiness)
  • Bindja (Compliance)

 

Në vazhdim, lexues të nderuar!, do tua prezantojmë një listë me tipare humane të lidershipit. Prej jush kërkohet që ta bëni vlerësimin duke dhënë notat nga 0-5; 0 për tiparet që nuk përputhen aspak me ju, 5 për tiparet që përputhen me ju, ndërsa notat tjera sipas nivelit të përputhjes së tiparit me ju.

Nëpërmjet këtij pyetësori ne arrijmë ta mësojmë personalitetin e kandidatit pretendent për lider. Kuptohet, ky i fundit duhet të jetë korrekt në përgjigje. Pyetësori na ofron një imazh më të qartë dhe të dukshëm të këtyre katër tipareve të sipërpërmendura tek kandidati. Më qartë, ai a është njeri që e do dominimin, apo është njeri që ndikon tek të tjerët, apo është i qëndrueshëm në parimet dhe principet dhe nuk lëviz prej tyre, apo është njeri i bindur dhe i dëgjueshëm ose arrogant dhe i padëgjueshëm.

Kemi përshtypjen se kjo që shpjeguam për matjen e personalitetit dhe principet që duhen ndjekur e aplikuar për të korrur rezultatet e dëshiruara në njohjen e personalitetit të kandidatit të propozuar për post udhëheqës është e mjaftueshme. Allahu e di më së miri!

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

LIDERSHIPI I SUKSESSHËM (sipas vizionit kur’anor dhe studimeve bashkëkohore)


[1]Shih:Tal’at Mensur dhe të tjerë, Usus ilmi en-nefs, vep. cit., f. 399-300.

[2]Po aty, f. 400-404.

[3] Po aty, f. 387-398.

[4]Shih:Tal’at Mensur dhe të tjerë, Usus ilmi en-nefs, vep. cit., f. 401.

[5]Po aty, f. 406-407.

[6]Shih:Tal’at Mensur dhe të tjerë, Usus ilmi en-nefs, vep. cit., f. 406-418.

[7]Shih: Major General William Kohen, Fennu el-kijadeti, (Mektebetu Xherir, 2008).