MENDIMET E IGNAZ GOLDZIHERIT RRETH FESË ISLAME DHE KURANIT

0
383

 

Në këtë pjesë do ta trajtojmë biografinë e personalitetit të dytë, objektiv të studimit. Është i pamohueshëm fakti se ky personalitet, për të cilin do të flasim ka një pozitë të lartë dhe të respektueshme në botën e orientalistikës. Lartësimi i figurës së tij në mesin e evropianëve më ka provokuar që të merrem më shumë me të, për të parë nëse vërtetë është ashtu siç e trumbetojnë. Detajet që do t’i shpalosim në këtë studim janë shokuese.

Ignaz Goldziheri (Ignác (Yitzhaq Yehuda) Goldziher) ka lindur më 22 qershor 1850, në Székesfehérvár, Hungari. Rrjedh nga një familje hebreje[1]. Ka qenë orientalist i njohur dhe themelues i mendimit bashkëkohor islam në Evropë. Familja e tij kishte famë dhe autoritet. Që nga fëmijëria është interesuar për librat e shenjtë te të krishterëve dhe hebrenjve. Është shkolluar në Budapest, Berlin, Leipzig dhe Leiden, dhe këtë me bursë që merrte nga ministri hungarez i bujqësisë Baron Eötvös. Referuar disa burimeve, ai kishte fituar titullin doktor në të njëzetat e tij. Pastaj ishte kthyer në Budapest ku më 1972, ishte emëruar asistent në Universitet. Por, nuk do të qëndronte gjatë, sepse Ministria e Arsimit do ta dërgonte jashtë vendit në një ekspeditë me karakter shkencor. Kështu shkoi në Vjenë, Leiden, e pastaj në Kajro ku qëndroi për një kohë, për të vazhduar më pas me Sirinë dhe Palestinën. Ka qëndruar tërësisht tetë muaj, nga shtatori i vitit 1873 deri në prill të vitit 1874. Ishte studentë i vetëm evropian në Az’har që prezentonte në mexhliset e dijetarëve dhe në faljen e namazit të xhumasë.

Sipas disa burimeve, Goldziheri kishte përjetuar disa ndryshime shpirtërore e ideologjike, të cilat i kishin shkaktuar jo pak stres e telashe. Këtë mbase për shkak të keqardhjes së madhe që ndiente për shtrembërimet e shumta që kishin ndodhur në librin e tij fetar, në Teurat (Dhiatë e Vjetër). Aq shumë dëshironte që të paktën mësimet e fesë së tij, të ishin në një nivel me mësimet e Islamit. Ishte bindur se Islami është fe më ndryshe; e gjallë, aktive, bashkëvepruese me çdo kohë e rrethanë, e përhershme.

Siç kanë përmendur biografët e tij, përshtypja e tij për Islamin ishte se, Islami është një version i avancuar i fesë hebreje dhe të krishterë. Mund të konstatojmë se thellë në shpirt, ai ndiente se feja hebreje dhe e krishterë qenë deformuar e shtrembëruar dhe se vetëm Islami është version origjinal i mesazhit hyjnor. Këtë mund ta gjejmë dhe në një prej shkrimeve të tij ditore në gazetat gjermane[2]:

Gjatë kohës së studimeve, pata arritur të depërtoj thellë në shpirtin e Islamit, aq thellë saqë brendapërbrenda besoja se jam mysliman. U pata bindur dhe pata zbuluar se feja e vetme që arrin mendjet filozofike t’i bind me kredon dhe principet e veta është Islami. Qëllimi im kryesor ishte që fenë hebreje ta ngriti në këtë nivel racionalizmi dhe qartësie. Përvoja ime e gjatë në islam më ka mësuar se, Islami është feja e vetme në mësimet e së cilës nuk ka besëtytni dhe ide regresive. Islami është i ndërtuar mbi mësime hyjnore…”[3]

Dëshmitar i këtyre dyshimeve dhe kësaj gjendje të çrregulluar shpirtërore, madje pak para vdekjes së tij është edhe njëri nga nxënësit e tij të afërt, Bernard Helleri, i cili e kishte vizituar ndërsa në duar i kishte gjetur dy libra, në njërën dorë biblën ndërsa në tjetrën një libër të letërsisë në gjuhën arabe.

Goldziheri i qe drejtuar Hellerit me këto fjalë: “Nuk e di nëse është e drejtë të thellohem në letërsinë arabe, kur nesër do të qëndroj para Zotit dhe do të më pyesin: A ke vepruar me besnikëri?”[4]

Përgjigja jonë:Jo, për Zotin, jo, nuk je treguar besnik. Nuk e ke besuar Zotin e vërtetë, nuk ke besuar në Muhamedin, pejgamberin e fundit, nuk e ke përqafuar Islamin, pavarësisht që e ke mësuar dhe e ke kuptuar se vetëm ai është i vërtetë. Pavarësisht, të gjitha këtyre, t’i zgjodhe të trasosh rrugën e refuzimit, mohimit, rrugën e shtrembër duke devijuar vet dhe duke i devijuar të tjerët.”

Sa i përket qëndrimeve politike, Goldziheri ka qëndrime më objektive. Ai kishte dalë kundër kolonizuesve francezë dhe anglezë. Sipas të dhënave, ai jo vetëm që kishte dalë kundër porse edhe përkrahte ringjalljen e lëvizjes islame të kryesuar nga aktivisti Xhemaluddin Afgani. Këtë më së miri e gjejmë në kujtimet e tij, në të cilat me tone të ashpra shprehet kjo revoltë dhe ky mospajtim me këto politika pushtuese. Ja çfarë thotë: “Evropa ka shkatërruar çdo gjë të mirë në lindje. Arabët i ka munduar deri në vdekje, siç ka bërë Franca – aludon në pushtimin e Algjerisë dhe vendeve tjera afrikane ku kanë vrarë e masakruar miliona-…”

Goldziheri nuk u ndal këtu. Guximi për ta shprehur këtë mospajtim ishte vërtetë për t’u lavdëruar. Gjatë qëndrimit në Kajro, ai madje dilte në ambiente publike, tregje më saktësisht, dhe kundërshtonte hapur pushtimin evropian…

Referuar disa burimeve, Goldziheri ndante mendimin se liria e çifutëve duhet të ndodhë nëpërmjet integrimit të tyre në shoqërinë evropiane, jo duke pushtuar një vend tjetër dhe duke grabitur e përvetësuar paligjshëm pronat dhe pasuritë e popullit të tij, siç kanë vepruar hebrenjtë që nga viti 1948 e këndej. Nga e tërë Evropa kanë mësyrë Palestinën duke okupuar e pushtuar çdo ditë toka të reja brenda këtij shteti islam.

Në fakt, nuk është i vetmi Goldziheri që mendon kështu. Se shteti sionist është hegjemonist dhe ka politika të tilla janë deklaruar edhe fraksione hebreje, të cilat i përmbahen mësimeve të Teuratit, si fjala vjen lëvizja Neturei Karta (sq. Rojtarët e qytetit) të cilët kundërshtojnë ashpër qeverinë dhe shtetin aktual sionist. Ata kanë bindjen se pushtimi i Palestinës është në kundërshtim me mësimet e Teuratit dhe vullnetin hyjnor. Zoti, i hidhëruar me ta, ka caktuar që ata të jetojnë të shkapërderdhur nëpër botë, jo të bashkohen në një vend të caktuar. Kjo për shkak se ata kanë thyer besën, kanë vrarë pejgamberët dhe kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë krime e masakra, dhe këtë para syve të botës mbarë. Për më keq, bota vazhdon t’i mbështet dhe këtë në emër të kinse të drejtave, barazisë, paqes, civilizimit etj.  Ja si shprehet në njëjës Goldziheri: “Kur u ktheva nga Palestina, në Hungari ndjeja se po kthehem në shtëpinë time…”[5]

Në vitin 1889, në një prej traktateve të tij kishte shkruar se hebraizmi është nocion fetar i cili nuk ka të bëjë assesi me territor gjeografik apo vend të caktuar ku banojnë hebrenjtë. Sa i përket nënshtetësisë sime, unë, gjeografikisht, jam transdanubian, me përkatësi fetare jam hebre.

Godziheri ka vdekur në Budapest, në nëntor të vitit 1921, duke lënë pas vete vepra të shumta, prej të cilave do të veçojmë ato më të rëndësishmet që kanë lidhje me studimet islame:

  • Historiku i letersisë shiite (Zur Literaturgeschichte der Shi’a), 1874.
  • Kontributi i dijetarëve në historinë e letërsisë arabe (Beiträge zur Geschichte der Sprachgelehrsamkeit bei den Arabern), 1871-1873.
  • Historiku i miteve hebreje dhe zhvillimi i tyre (Der Mythos bei den Hebräern und seine geschichtliche Entwickelung), Leipzin 1876, përkthyer në anglisht, më 1877 dhe botuar në Lodër.
  • Studime islame (Muhammedanische Studien), Halle, 1889-1890, dy vëllime.
  • Traktate në të kuptuarit e gjuhës arabe (Abhandlungen zur arabischen Philologie), Leiden 1896-1899, dy vëllime.
  • Shpirti i natyrës (Buch v. Wesen d. Seele), 1907.

Këto ishin disa nga veprat më të rëndësishme të tij, në të cilat mendojmë se është akumular i tërë mundi dhe ideja e tij, përkitazi me Islamin dhe studimet rreth tij.

Në kapitullin vijues, duke iu referuar librit të tij Doktrinat e interrpetimit të Islamit, do të trajtojmë vrerin që Goldziheri ka vjellë ndaj Kur’anit dhe kiraeteve të tij. Do të shohim po ashtu edhe kundërpërgjigjet që ka marrë nga dijetari i kohës sonë, hoxha i madh, dr. Abdul Fettah Kadi.

 

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

KIRAETET E KUR’ANIT (ndërmjet pikëpamjes hebreje dhe islame) Abdul Fettah el Kadi dhe Ignaz Goldziheri sy më sy

 


[1] Nuk ka qenë sionist, as ai dhe as familja e tij, me dëshminë se në vitin 1920, kur qe thirrur nga njëri prej miqve të afërt të tij, Max Nordau, për t’iu bashkuar në atë që më vonë do të quhej Universiteti Hebre (Hebrew University), ai kishte refuzuar me arsyetimin se nuk do ta linte Hungarinë, vendlindjen e të parëve të tij. Kështu shkruan gazeta Haretz, ndërsa kujton përvjetorin e vdekjes së tij.

[2] Tagebuch, edited by Alexander Scheiber, Leiden: Brill, 1978, pg: 59.

[3] Encyclopædia Britannica, 11th  Edition –  https://www.britannica.com

[4] https://www.haaretz.com/jewish/.premium-this-day-islamic-studies-pioneer-dies-1.5289548

[5] Për më shumë shih referencat e mëparshme, por edhe këtë përmbledhje biografike: :  https://en.wikipedia.org/wiki/Ign%C3%A1c_Goldziher