Allahu xh.sh. në Kur’an famëlartë thotë:
“Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kur’anin) e All-llahut, e mos u përçani! Përkujtoni nimetin e All-llahut ndaj jush, kur ju (para se ta pranonit fenë islame) ishit të armiqësuar, e Ai bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntinë e Tij aguat të jeni vëllezër.” [Ali Imran:103]
Ky ajet madhështor i librit të Allahut xh.sh. vendos një prej ligjeve më kryesore të shoqërisë islame, në mënyrë që kjo shoqëri të jetë e bashkuar dhe e lidhur mes vete dhe ky ajet kur’anor ua mundëson rrugën më të përsosur për realizimin e këtij ligji. E ky ligj është që të gjithë besimtarët të kapen për Litarin e Allahut xh. sh. e Litari i Allahut është Kur’ani me dispozitat e veta (sheriati).
Në këtë rast, ne nuk do të mundohemi që ta sqarojmë mençurinë e bashkimit të muslimanëve, pasi është treguar dhe vërtetuar në histori dobia e vëllazërim-bashkimit të tyre kur ata të gjithë ishin të bashkuar dhe të vëllazëruar, dhe po ashtu është parë dëmi dhe pasojat e këqija kur muslimanët janë larguar nga ky Litar dhe janë copëtuar mes vete.
Mirëpo ku qëndron mençuria që kapja (bashkëngjitja) e të gjithëve ne për Litarin e Allahut xh.sh. të jetë ajo e një rruge që na bashkon (njëson)?
Mençuria qëndron në faktin se popujt nuk mund të bashkohen dhe të lidhen mes vete nëse ata nuk kanë pasur më herët një parim dhe një ide të përbashkët, sepse pa u mbledhur të gjithë në një qendër ne nuk mund të bashkohemi, dhe pa u siguruar gjallëria e zemrës ne nuk mund të presim funksionimin e gjymtyrëve.
Provo të bashkosh një grup njerëzish që nuk kanë një besim të përbashkët, por që kanë mendime të ndryshme. A kish për t’iu përgjigjur dikush thirrjes tënde? Normal që askush nuk kishte për t’iu përgjigjur. Po ashtu provo ta thërrasësh në besim një grup që nuk ka asnjë parim e asnjë bindje. Thirrjes tënde, po ashtu, nuk kishte për t’iu përgjigjur askush.
Në historinë tonë të pashtershme islame, ne kemi një shembull shumë aktual, shembullin e dy fiseve më të mëdha në Gadishullin Arabik: fisin EUS dhe HAZREXH. Mes këtyre dy fiseve kishte pasur luftë dhe armiqësi, qindra vite para ardhjes se Muhamedit a.s. Si pikë e parë, Muhamedi a.s. i thirri ata në besimin tek Allahu xh.sh. Kur besimi u fut në zemrat e tyre dhe ata të gjithë e shijuan ëmbëlsinë e tij, atëherë Muhamedi a.s. i bashkoi dhe i vëllazëroi ata të gjithë në emër të fesë islame.
Po qe se Muhamedi a.s. nuk do të kishte ndjekur këtë metodë për t’i bashkuar dhe vëllazëruar ata, padyshim se ai kishte për të dështuar në thirrjen dhe misionin e tij. Me fjalë të tjera, po të ishte munduar në radhë të parë që t’i vëllazëronte dhe bashkonte ata, pa e mbjellë besimin në zemrat e tyre, askush nuk kishte për t’iu përgjigjur thirrjes së tij. Mirëpo ai nuk veproi kështu, për t’i dhënë shembull botës në përgjithësi (sh.p. dhe shqiptarëve në veçanti) se pa besim nuk ka bashkim dhe vëllazërim, dhe çdo bashkim dhe vëllazërim, pa bazën e besimit në Islam, është formalitet dhe dështim.
Shembulli tjetër qëndron në bashkimin dhe vëllazërimin e ensarëve dhe muhaxhirëve. Më së pari Muhamedi a.s. ua mbolli besimin në zemër, e pastaj ata u vëllazëruan, dhe duke u nisur nga ky parim (definicion) edhe jahuditë u larguan nga Medina përgjithmonë.
Prandaj, nëse kërkojmë që ta ngremë lart një ndërtesë gjigante prej vëllazërim-bashkimit, obligimi më primar është që kësaj ndërtese t’i vëmë për bazë dhe gur themel besimin në Allahun xh.sh. dhe parimet islame. Nëse startohet kësisoj, ndërtesa vetvetiu ngrihet dhe forcohet, e nëse nuk vihet për bazë besimi në Allahun xh.sh. dhe praktikimi i parimeve islame, por vihen epshet, mendimet dhe ideologjitë e ndryshme të njerëzve, atëherë kjo ndërtese nuk ngrihet lart kurrë, sepse bazamenti është i dobët dhe jo i sigurt.
Kjo dukuri shihet qartë edhe në këtë ajet kur’anor, ku Allahu xh.sh. thotë:
“Dhe vërtet, kjo (urdhrat e Allahut të përmendura në ajetet 151 dhe 152 në suretul En’Aam) është rruga Ime e drejtë, kështu që ndiqeni atë dhe mos ndiqni rrugë të tjera, pasi ato do t’ju largojnë nga Udha e Tij. Kështu ju ka urdhëruar Ai që të mund të bëheni Muttekinë (të përkushtuar në besimin e pastër islam).” Suretu El-En’ame-153.
Ndoshta ju mund të pyesni: nëse problemi qëndron këtu, atëherë çfarë dallimi ka ky parim (ligj) i Allahut xh.sh. nga parimet (ligjet) njerëzore, dhe çfarë përparësie ka ligji i Allahut xh.sh. në këtë rast?
Përgjigjja është se: nëse largohemi nga ligjet që Allahu xh.sh. ua ka obliguar njerëzve, atëherë ata, deshën apo nuk deshën, do të përqafojnë ligje të tjera. Këto ligje (parime) njerëzore, që konsiderohen supozime, do të vihen në shënjestër të kritikës dhe të diskutimit rreth pranimit të tyre. Çdo individ, i cili posedon logjikë të shëndoshë ose aftësi të madhe arsyetimi, ka të drejtë dhe mund t’i refuzojë pa kurrfarë problemi këto ligje (parime) njerëzore, për arsye se ai posedon aftësi më të lartë se vetë ligjdhënësi. Në këtë rast, këto parime njerëzore do të bëhen shkak dhe burim kryesor për kundërshtim dhe përçarje, në vend se të jenë shkak për mirëkuptim dhe bashkim.
Mu për këtë arsye, për njerëzit nuk përshtatet asnjë ligj (parim) tjetër, përveç atij që u ka caktuar atyre Allahu xh.sh., Krijuesi i botës, nëse dëshirojmë që gjendja aktuale në botë të stabilizohet dhe të rregullohet.
Përktheu dhe përshtati nga arabishtja: Prof.Dr. Hfz. Hajredin Hoxha
Prof.Dr.Muhamed Said Ramadan el Buti – FSHEHTËSITË E DISA LIGJEVE KUR’ANORE