Përmbledhje biografish të dhjetë lexuesve.

0
614

 

Në vazhdim do të ofrojmë një përmbledhje të shkurtër të biografive, të dhjetë lexuesve dhe transmetuesve më të njohur të tyre.

  • NAFIU

Ebu Ruvejm Nafië bin Abdurrahman bin Ebi Nuajm el-Lejthi. Me origjinë është nga Asfahani. Ka qenë i pashëm. Llogaritet njëri prej Imamëve të kurrave (lexuesve) në kohën e vet. Kishte aromë misku edhe pse nuk parfumohej. Ka lindur në vitin 70 sipas hixhretit, ndërsa ka vdekur në vitin 169. Shumë studentë kanë përfituar dije prej tij, në mesin e të cilëve edhe Imamët e dalluar, Imam Maliku dhe Imam Lejth bin Sa’di, ndërsa ata që e kanë transmetuar leximin e tij janë si më të njohur:

  • Kaluni: Isa bin Sina bin Virdan bin Isa bin Abdus Samed. Kalun është nofkë që e ka marrë nga mësuesi, Nafiu, për shkak të leximit të mirë që bënte. Ishte lexuesi i Medinës. Kishte një veçori të rrallë. Ishte i shurdhër. Nuk dëgjonte asgjë tjetër pos Kur’anit. Ka vdekur në Medinë, në vitin 220h.
  • Vershi: Uthman bin Seid bin Abdullah, egjiptas. Versh është nofkë që e ka marrë për shkak se ishte shumë i bardhë. Lexonte bukur dhe kishte zë të ëmbël. Në kohën e vet ishte lexuesi më i njohur dhe më i mirë në Egjipt. Ka vdekur në vitin 197 h.

 

  • IBËN KETHIR MEKKIU

Abdullah bin Ebi Kethir bin Umer bin Abdullah bin Zadhan bin Fejruz bin Hurmuz Mekkiu. Ka lindur në vitin 45 h. Leximin e ka mësuar nga Ebu Saib Abdullah bin Saib Mahzumiu, Muxhahid bin Xhebri, Derbasi, etj. Ka lexuar në prani të Ebej bin Ka’bit dhe Umerit r.a., të cilët kanë lexuar para Pejgamberit ﷺ.  Ka vdekur në Mekkë, në vitin 120 h. Shumë studentë kanë mësuar prej tij, ndërsa si transmetues më të njohur të leximit të tij janë dy:

  • Bezzi, emri i plotë i të cilit ishte Ahmed bin Muhammed bin Abdullah bin Kasim bin Nafië bin Ebi Bezze. Emri i Ebu Bezzes ishte Beshar. Me prejardhje ishte persian. Ka lindur në Mekkë në vitin 170 h. Ishte dijetar i respektuar. Ishte hoxhë i leximit të Kur’anit në Mekkë. Për dyzet vite ka shërbyer myezin në Qabe. Ka vdekur në vitin 250 h.
  • Kunbuli: Muhammed bin Abdurrahman bin Muhammed bin Halid bin Seid. Quhet kështu sepse i përket një fisi që quheshin kanabileh[1]. Ka qenë Imam në leximin e vet. Në kohën kur ka jetuar ishte më i dituri për leximet në Hioxhaz. Studentë nga vende të ndryshme vinin për të përfituar dije prej tij. Ka lindur në vitin 195 h., ndërsa ka vdekur në vitin 291 h.

 

  • EBU AMËR BASRIU

Ebu Amër Basriu: Zejjan bin Ala bin Ammar bin Urjan el-Mazini et-Temimi el-Basri. Thuhet edhe ndryshe se është quajtur Jahja. Ka qenë Imami i Basrasë dhe lexuesi më i njohur i saj. Krahas dijes, shquhej edhe për vlera e virtyte. Ka lindur në Mekkë, në vitin 70 h., ndërsa është rritur dhe edukuar në Basra. Pastaj është kthyer në Mekke dhe Medinë. Ka mësuar leximin tek Ebu Xhafer, Shejbe bin Nessahu, Nafiu, Abdullah bin Kethiri, Asim bin Ebi Nuxhudi dhe Ebu el-Alije. Ky i fundit leximin e ka mësuar nga Omeri r.a. dhe sahabë tjerë, e këta të fundit nga Pejgamberi ﷺ. Ka vdekur në vitin 154 h. Prej tij kanë mësuar një numër i konsiderueshëm studentësh, ndër të cilët Jahja bin Mubarek bin Mugire Jezidi. Prej tij kanë mësuar:

  • Duriu: Hafs bin Umer bin Hibd el-Aziz bin Sahban bin Adij ed-Durij el-Ezdij en-Nahvij el-Bagdadi. I besueshëm dhe i ditur. Imam i leximit në kohën e vet. Ka vdekur në vitin 246h.
  • Susi: Salih bin Zijad bin Abdullah bin Ismail bin Xharud es-Susi. Vjen nga Susi, një qytet në Ahvaz, në Iran. Nofkën e kishte Ebu Shuajb. Lexues i njohur dhe i besueshëm. Ka vdekur në vitin 261 h.

 

  • ABDULLAH BIN AMIR ESH-SHAMI

Abdullah bin Amir bin Jezid bin Temim bin Rebiah el-Jahsabij. Tabiin. Ka lindur në vitin 8 h. Ishte Imami i Shamit në lexim. Dijetar i vlerësuar për dijen. Ka shërbyer Imam në xhaminë umevite në Damask për vite. Omer bin Abdul Azizi r.a., edhe pse ishte halife, falej pas tij. Krahas shërbimit si imam, shërbente edhe si gjykatës dhe udhëhiqte me qendrën e leximit në Damask. Është pranuar unanimisht si ekspert i leximit sikur që është pranuar leximi i tij për lexim të saktë. Senedi i tij shkon deri tek Pejgamberi ﷺ. Ka vdekur në Damask, në vitin 118 h. Transmetuesit më të njohur të leximit të tij janë dy:

  • Hishami: Hisham bin Ammar bin Nusajr bin Mejsere es-Sulemij. Ka lindur në vitin 153 h. Ishte Imam, ligjëruesi, myftiu, lexuesi dhe hadithologu i Damaskut. Ishte orator i madh. Edhe pse jetoi gjatë, gëzonte shëndet të mirë fizik e mendor. Kjo bëri që njerëzit nga të katër anët e botës islame ta vizitojnë për të marrë dije prej tij.
  • Ibën Dhekvani: Abdullah bin Ahmed bin Bishr. Quhet edhe ndryshe: Beshir bin Dhekvan bin Omer el-kureshij ed-dimeshkij. Ka qenë hoxhë i leixmit të Kur’anit në Sham dhe imam në xhaminë umevite në Damask. Pas Ejjub bin Temimit ai udhëhoqi me shkollën e leximit në Damask. Ka vdekur në Damask, në vitin 242 h.

 

  • ASIM EL-KUFI

Asim bin Ebi Nexhud. Është thënë se emri i babait të tij ishte Abdullah ndërsa ofiqin Nexhud. Ka qenë tabiin. Pas Ebu Abdurrahman Sulemiu, me dëshmi të Ibën Xhezeriut, ka qenë hoxhë dhe udhëheqës i qendrës për leximin e Kur’anit në Kufe. Me qëllim të mësimit të leximit të Kur’anit, njerëzit e kanë vizituar nga të katër anët e botës islame. Lexonte rrjedhshëm dhe me përpikëri. E kishte zërin më të ëmbël. Senedi i tij shkon deri tek Pejgamberi ﷺ. Ka vdekur në Kufe, në vitin 127 h. Dy transmetuesit më të njohur të leximit të tij:

  • Shu’be: Shu’be bin Ajash Hanat el-Esedij en-Nehshelij el-Kufij. Ofiqin e kishte Ebu Bekir. Ka lindur në vitin 95 h. Ka qenë dijetar i madh e madje një ndër më të mëdhenjtë, i dëshmuar për dijen dhe veprat. E ka lexuar Kur’anin para Asimit dhe Ata bin Saibit. Ka vdekur, në vitin 193 h.
  • Hafs: Hafs bin Sulejman bin Mugire bin Ebi Davud el-Esedij el-Kufij. Ka lindur, në vitin 90 h. Ka qenë më i dituri për leximin e Asimit. Veprimtarinë e tij prej lexuesi e zhvilluar ndërmjet dy kryeqendrave: Bagdadit dhe Mekkës. Dhehbiu duke folur për të ka thënë: “Në lexim është i besueshëm, i saktë dhe i drejtë.” Ka vdekur, në vitin 180 h.

 

  • HAMZA EL-KUFI

Hamza bin Habib bin Umare bin Ismail el-Kufi, njëri nga shtatë imamët e leximit. Pas Asimit ka qenë Imam i Kiraetit në Kufe. Ishte i dalluar për dije dhe tipare. Ishte shumë i përkushtuar në adhurim. Ka lindur në vitin 80, sipas hixhretit ndërsa ka arritur të takojë edhe disa sahabë – shokë të Pejgamberit ﷺ. Kiraeti i tij ka sened të lidhur deri tek Aliu r.a., dhe Ibën Abbasi r.a., e këta të dy e kanë marrë kiraetin nga Pejgamberi ﷺ. Ka vdekur, në vitin 156 h., në Irak. Dy transmetuesit më të njohur të leximit të tij janë:

  • Halefi: Halef bin Hisham bin Tha’leb el-Esedij el-Bagdadij. Njihej me nofkën Ebu Muhammed. Ka lindur, në vitin 150 h. Kur’anin e ka memorizuar duke qenë dhjetë vjeçar. Darekutni duke folur për të ka thënë: Ka qenë i përkushtuar në adhurim, i dalluar për virtytet, i besueshëm, asket, dijetar. Ka përzgjedhur një kiraet ndryshe nga të tjerët. Së këndejmi llogaritet në mesin e dhjetë kurrave – lexuesve. Ka vdekur, në vitin 229 h.
  • Haladi: Hald bin Halid Shejbani. Ka lindur në Kufe, në vitin 119 ose 130 sipas një versioni tjetër. Ka mësuar tek Selim bin Isa bin Hamza. Ka qenë studenti më i dalluar i tij. Është dalluar për mjeshtri në lexim dhe për virtyte shpirtërore. Ka vdekur në vitin 220 h.

 

  • KESAIU

Kesaiu: Ali bin Hamza bin Abdullah bin Uthman en-Nahvi. Thirrej Ebu-l-Hasen. Llagapin e kishte Kesai. Ebu Bekir Enbari duke folur për të ka thënë: Kesaiu është dalluar për disa gjëra: ka qenë gramaticieni më i ditur, njohës më i madh i fjalëve të huaja, lexuesi më i mirë. Kur lexonte a këndonte të krijohej përshtypja se ishte ndonjë melek që lexonte, jo njeri. Leximi i tij ka sened të pashkëputur deri tek Pejgamberi ﷺ. Ka vdekur, në vitin 189 h., në moshën shtatëdhjetë vjeçare. Dy transmetuesit më të njohur të leximit të tij janë:

  • Lejthi: Lajth bin Halid el-Mervezij el-Bagdadi. Ofiqin e kishte Eb-l-Harith. Ishte më i dalluari nga ndjekësit e Kesaiut. Ishte i besueshëm, i zgjuar, i saktë dhe i kujdesshëm gjatë leximit. Ka vdekur, në vitin 250 h.
  • Hafs Duriu: Shih më lart biografinë e tij.

 

  • EBU XHA’FER MEDENIU

Ebu Xhafer Medeniu: Jezid bin Ka’kaë el-Mahzumi el-Medenij. Nofkën e kishte Ebu Xhafer. Njëri ndër dhjetë lexuesit e njohur të Kur’anit. I përket gjeneratës së tabiinëve. Senedi i tij është i lidhur deri tek Pejgamberi ﷺ. Ka vdekur, në vitin 130 h. Dy transmetuesit më të njohur të leximit të tij janë:

  • Isa bin Virdan: Ofiqin e kishte Ebu-l-Harith. Një nga ndjekësit e vjetër të Nafiut. Imam i njohur dhe i dëshmuar. Ka vdekur, në vitin 260 h.
  • Ibën Xhemmaz: Sulejman bin Muhammed bin Muslim bin Xhemmaz. Ka vdekur, në vitin 170 h.

 

  • JA’KUB BASRIU

Jakub bin Is’hak bin Zejd bin Abdullah bin Ebi Is’hak el-Hadremij el-Misrij. Ofiqin e kishte Ebu Muhammed. Njëri prej dhjetë Imamëve në kiraet. Ishte i dëshmuar për dije dhe vlera. Pas Ebu Amër bin Alaut ka qenë më i dituri i kohës së vet për kiraetin. Senedi i tij është i lidhur deri tek Pejgamberi ﷺ. Ka vdekur, në vitin 250 h. Prej studentëve të tij dy dallohen më së shumti:

  • Ruvejsi: Muhammed bin Mutevekkil el-Lu’lui el-Basri. Ofiqin e kishte Ebu Abdullah dhe ishte më i dalluari ndër ndjekësit e Ja’kubit. Ka qenë Imam dhe i njohur për saktësinë dhe leximin e drejtë. Ka vdekur, në vitin 238 h.
  • Revhi: Revh bin Abdul Mu’min el-Hudhelij el-Basrij en-Nahvij. Ofiqin e kishte Ebu-l-Hasen. Ishte prej ndjekësve më të mirë dhe më besnikë të Ja’kubit. Ka vdekur, në vitin 235 h.

 

  • HALEFI

Imami i dhjetë është Halef bin Hisham Bezzari, bagdadas. Për biografinë e tij kemi folur më lart, tek biografia e Hamzait, si një prej transmetuesve të leximit të tij. Dy prej studentëve dhe transmetuesve më të dalluar të leximit të tij janë:

  • Is’haku: Is’hak bin Ibrahim bin Uthman bin Abdullah el-Mervezij el-Bagdadij. Ka një version të përzgjedhur të Halefit, të cilin e ka lexuar para tij dhe e ka transmetuar më pas. Ka qenë i njohur si dijetar dhe i drejtë. Po ashtu edhe si lexues i mirë e i saktë, edhe pse nuk ka transmetim tjetër që e ka ditur përpos këtij të përzgjedhurit nga Halefi. Ka vdekur, në vitin 286 h.
  • Idrisi: Idris bin Abdul Kerim Haddad Bagdadiu. Ofiqin e kishte Ebu-l-Hasen. Ka qenë dijetar i zoti dhe i shkathtë. Darkutniu kur e kishte përshkruar kishte thënë: Është i besueshëm, madje një shkallë mbi besueshmëri. Ka vdekur, në vitin 292 h., në moshën 93 vjeçare.

Nga biografitë që shpalosëm për dhjetë kuratë dhe transmetuesit e tyre mund të konstatojmë se leximet e tyre janë korrekte dhe me sened – varg të lidhur transmetuesish deri tek Pejgamberi ﷺ.[2]

Imam Shatibiu në kasiden e tij të njohur Lamija i ka përmendur shtatë lexuesit e parë dhe transmetuesit e tyre.

Allahu me të mira i shpërbleftë Imamët,

që Kur’anin ëmbël e rrjedhshëm na e përcollën.

Shtatë prej tyre janë sikur hëna që midis qiellit të lartësisë e drejtësisë

kanë hedhur shtat e shkëlqejnë dritë e madhështi.

Kanë yje [3] që prej tyre marrin dritë e të tjerët i ndriçojnë,

errësirën e injorancës e zhdukin dhe largojnë.

Do t’i shohësh me radhë, njërin pas tjetrit,

të përfaqësuar me nga dy prej ithtarëve të tyre,

Kritikët e tyre i përzgjodhën nga më të mirët,

të cilët Kur’anin nuk e shndërruan në mjet përfitimi.

Sa i përket fisnikut me fshehtësi misku[4] është Nafiu,

ai që Medinën për vendbanim e zgjodhi.

Kaluni, Isai[5], pastaj Uthmani Vershi[6] i tyre,

me shoqërinë e të cilit nderi u ngrit e u lartësua.

Mekka, vendi në të cilin qëndroi Abdullahu.

I cili është i biri i Kethirit që të tjerëve në dije e pozitë ua tejkaloi.

Leximin e tij me sened e përcollën Bezzi dhe Muhammedi.

I cili quhej Kunbul[7].

E Imam Maziniu, që familje të mirë ka,

është Ebu Amër Basriu, babai i të cilit quhej Ala,

Jahja Jezidiut dituri i dha,

e ky me dije shtoi etjen e njerëzve kudo[8].

Ebu Umer Duri dhe Salihu i tyre

Shuajbi, i cili është Susi, prej tij e ka marrë.

Kurse sa i përket Damaskut të Shamit është trolli i Ibën Amirit,

I cili me Abdullahun[9] u bë vendbanim i mrekullueshëm.

Hishami dhe Abdullahu që nga Dhekvani është,

prej tij me sened leximin e përcollën,

Në Kufën e bardhë tre prej tyre,

dijen e shpërndanë, aroma e të cilës misk e karafil kudo u shpërnda,

Ebu Bekri, emri i të cilit Asim është,

pastaj transmetuesi i tij, i dalluari për të mirë e dije Shu’be.

Pastaj Ibën Ajjashi Ebu Bekir Rida,

dhe Hafsi, i cili në dije dallohej për përpikëri,

dhe Hamzai, i devotshmi i pastër

imam, durimtar në leximin e Kur’anit,

prej tij transmetoi Halefi dhe Haladi atë që,

Selimi me përpikëri e mjeshtri  e transmetoi.[10]

Kurse Aliu, ofiqin Kesai e ka

sepse në ihram kishte veshur kesa[11]  

Prej tij transmetoi Lejthi, Ebu-l-Harith Rda,

dhe Hafsi, Duri, jetëshkrimin e të cilit e shpalosëm.

Ebu Umeri dhe Jahsebiu, i biri i Amirit, arabë të kulluar,

kurse të tjerët[12] nuk janë të këtillë.

Kanë rrugë që kush i ndjek udhëzohet,

E tani që janë të këtilla nga asnjë mashtrues nuk rrezikohen[13].

 

Në këta tre Imamët që plotësojnë këtë dhjetëshe, bashkë me transmetuesit e tyre, ka aluduar edhe Imami Muhammed bin el-Xhezeri në librin Tibetu en-neshër:

 

Pastaj Ebu Xhaferi, dijetari i madh,

prej të cilit Isa dhe Ibën Xhemmazi kanë marrë,

I nënti me radhë është Ja’kubi, hadremij,

Ruvejsi dhe Revhi janë transmetuesit e tij.

Bezzari është i dhjeti, i cili është Halefi.

Ishaku dhe Idrizi prej tij njihen[14]

 

KIRAETET E KUR’ANIT (ndërmjet pikëpamjes hebreje dhe islame) Abdul Fettah el Kadi dhe Ignaz Goldziheri sy më sy

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA


[1] Disa biografë e kanë vokalizuar ashtu siç e kemi përshkruar ne. Nëse shkohet sipas kësaj që autori ka përzgjedhur dhe që qëndron po kështu në burime të besueshme, emri duhet të vokalizohet Kanbel. Përkthyesi.

 

[2] Për më shumë rreth biografive të tyre shih: El-Xhezeri, Enneshru fi el-kiraat el-ashr,  1/17-120; Ma’rifetu el-Kurra el-kibar të Dhehebiut, 1/67-187; A’lam të Zirekliut, 3/72; 4/228-366; 5/308; It’hafu el-fudala, 1/19-32.

[3] Hënat janë Imamët, yjet janë transmetuesit. Përkthyesi (duke iu referuar shpjegimeve të poezisë nga vet Imami Abdul Fettah Kadiu në Sherhu esh-Shatibijjeh).

[4] Për qëllim është ajo që autori përmend në biografi se Nafiut i vinte erë misku kudo që shkonte dhe se sekreti i kësaj nuk fshihej në përdorimin e miskut por në ëndrrën që kishte parë. Përkthyesi.

[5] Kalun është ofiq i marrë nga dijetarët. Emrin e vërtetë e ka Isa. Përkthyesi.

[6] Për qëllim është bardhësia, për çfarë edhe është thirrur kështu. Përkthyesi.

[7] Në biografinë e tij, kemi shpjeguar se si lexohet ky emër. Përkthyesi.

[8] Ka përcjellë dijen e marrë nga Ibën Kethiri dhe, nga aspekti i dobisë që dija e tij ka pasur, është krahasuar me atë që shuan etjen e njerëzve me ujë. Përkthyesi.

[9] Emri i Ibën Amirit. Përkthyesi.

[10] Nga Hamzai. Përkthyesi.

[11] Rrobë, tesha, kostum. Përkthyesi.

[12] Imamët tjerë nuk janë arabë të kulluar ose mund të kenë qenë dikur skllevër ata ose paraardhësit e tyre. Përkthyesi.

[13] Përkthim duke iu referuar shpjegimeve që dr. Abdul Fettah Kadiu i ka bërë kësaj poezie. Përkthyesi.

[14] El-Xhezeri, Metnu Tibet enneshri fi-l-kiraati el-ashri, f. 32-33.