Pj.2. MESATARJA, BARASPESHIMI DHE MATURIA

0
127

 “Thuaj: “A t’ju lajmëroj për një të keqe (të zezë) më të dëmshme (nga ajo e metë që na e shihni) si dënim nga All-llahu? (Ajo është) Mallkimi i atij që e mallkoi All-llahu dhe hidhërimi ndaj tij, që disa prej tyre i shndërroi në majmunë e në derra, e i bëri adhurues të djallit. Të tillët janë në pozitë më të keqe dhe më të humburit prej rrugës së drejtë.” (Kur’ani: el- Maide, 60.)

“Thuaju: “O ithtarë të librit, mos e teproni në fenë tuaj jashtë të vërtetës dhe mos shkoni pas epsheve të një populli të mëparshëm që ka humbur, që ka shkaktuar humbjen e shumë të tjerëve dhe që u largua në tërësi prej rrugës së drejtë“.” (Kur’ani: el- Maide, 77.)

 “O ju që besuat, nëse keni dalë (prej vendlindjes) për hir të luftës për rrugën Time, duke kërkuar kënaqësinë Time ndaj jush, mos e zini mik armikun Tim dhe armikun tuaj, duke shprehur ndaj tyre dashuri, kur dihet se ata mohuan të vërtetën që u erdhi juve. Ata e dëbojnë të dërguarin dhe ju, sepse i besoni All-llahut, Zotit tuaj, e ju fshehurazi u ofroni miqësi, po Unë më së miri e di atë që e keni fshehur dhe atë që e keni publikuar. Ai që punon ashtu nga pala juaj, ai e ka humbur rrugën e drejtë.”  (Kur’ani: el- Maide, 12.)

Ibni Kethiri, në komentin e pjesës së ajetit “ai tanimë e ka humbur rrugën e drejtë(Kur’ani: el-Bekare, 108), ka thënë: ai e ka humbur rrugën më të mirë, më të drejtë, më të qëlluar. Ndërsa në komentin e pjesës së ajetit “dhe që u largua në tërësi prej rrugës së drejtë(Kur’ani: el- Maide, 77) ka thënë: kanë devijuar nga rruga e drejtë dhe maturia për në rrugën e lajthitjes dhe humbjes[1].

Në Tefsiru-l-Xhelalejni, pjesa e ajetit “ai tanimë e ka humbur rrugën e drejtë(Kur’ani: el-Bekare, 108) është komentuar: ‘e ka gabuar rrugën e së vërtetës’. Në fakt, “e drejtë” (ar. Es-seva) nënkupton mesin (el vesat)… [2]

Imam Kurtubiu ajetin në fjalë e komenton me ‘gabim dhe shmangie nga rruga e Muhammedit (alejhis selam)’. [3] Ngjashëm e komenton edhe Imam Taberiu, i cili thotë: ‘e ka gabuar rrugën e qartë dhe ka devijuar nga metoda e rrugës së drejtë… rruga e drejtë është poenta, caku, destinacioni i së vërtetës…’ .[4]

Nga ajo që pamë mund të konstatojmë se Kur’ani dhe ajetet e tij aludojnë në shërimin më efektiv të mundshëm, shërim të cilin në fakt e kemi harruar… Kjo është mesatarja, maturia dhe ekuilibri, ilaçe këto për shërimin e dukurisë së ekstremizmit dhe radikalizmit fetar. Por, a thua vallë kemi përfituar nga Kur’ani ynë dhe i jemi kthyer atij për t’i zgjidhur problemet tona?!

Kur’ani na fton që t’i përmbahemi parimit të mesatares, ngase Allahu na ka bërë ummetin më të mirë të dalë ndonjëherë në sipërfaqen e dheut; urdhërojmë për të mirë, ndalojmë nga e keqja dhe besojmë tek Allahu, gjëra këto që na bëjnë të aftë për të dëshmuar për të gjitha ummetet paraprake në Ditën e Kiametit. Kjo gradë dhe ky privilegj janë të fshehura pikërisht tek mesatarja, ekuilibrimi, maturia dhe drejtpeshimi fetar i ummetit. Ummeti islam është ummet i drejtësisë, mirësisë dhe paqes. Këto janë gjërat me të cilat edhe u dërgua (shpall) kjo fe:

 “Dhe ashtu (siç ju udhëzuam në fenë islame) Ne u bëmë juve një popull të drejtë (një mes të zgjedhur) për të qenë ju dëshmitarë (në ditën e gjykimit) ndaj njerëzve, dhe për të qenë i dërguari dëshmitar ndaj jush…” (Kur’ani: el-Bekare, 143.)

Kur’ani ynë na fton të jemi mesatarë dhe të matur madje edhe në shpenzime, dhe këtë për t’iu shmangur luksit dhe ekstravagancës. Le te meditojmë pak për këto fjalë të bukura hyjnore:

“Edhe ata që kur shpenzojnë nuk e teprojnë e as nuk janë dorështrënguar, por mbajnë mesataren e janë të matur.” (Kur’ani: el-Furkan, 67.)

“Dhe mos e bën dorën tënde të lidhur për qafe (mos u bë koprrac), e as mos e shtrij në tërësi, e të mbetesh i qortuar dhe duarthatë (nga shpenzimi i tepërt).” (Kur’ani: el-Isra, 29.)

Mendoj se për çështjen në fjalë është shumë me interes të përmendim disa komente të dhëna nga dëshmori Sejjid Kutbi, i cili duke komentuar ajetin e sipërcituar thotë: “Ekuilibri është një ndër rregullat e mëdha të metodës islame, ndërsa ekstremizmi, në kuptimin e ekstravagancës, shkakton çekuilibrim. Stili kur’anor e sjell këtu çështjen në formë figurative: koprracinë e përshkruan si dorë të lidhur pas qafe, ndërsa shpenzimin (e pakontrolluar) si dorë të shtrirë që nuk mban gjë, ndërsa fundin e këtyre dy ekstremeve e përshkruan si bllokim, sikurse të atij që ngel i qortuar për humbje.

Gjuhësisht fjala ‘hasiir’ (humbje) nënkupton kafshën e lodhur që nuk mund të ecë. Kësisoj, edhe koprracin e humb dhe e bllokon koprracia e tij, sikurse që e bllokon edhe atë që shpenzon pa vetëdije, derisa kjo e fundit t’i kthehet në humbje dhe të ngelë si i falimentuar. Pra, ngelet i qortuar në të dyja rastet, për koprraci dhe shpenzim, sepse ‘gjërat më të mira janë mesataret.’ Pastaj, vazhdon me atë se Allahu është Furnizues dhe se Ai i jep kujt të dojë aq sa të dojë dhe se Ai që furnizon është pikërisht Ai që urdhëron për të qenë mesatarë në shpenzime:

“S’ka dyshim se Zoti yt është Ai që furnizon me bollëk atë që do dhe ia kufizon atij që do. Ai hollësisht e di për robërit e vet dhe i vështron.” (Kur’ani: el-Isra, 30.)

I jep shumë kujt të dojë me përvojë dhe vizion, dhe ia ngushton furnizimin kujt të dojë me përvojë dhe vizion (dije). Urdhëron për të qenë të matur dhe mesatarë, ndërsa ndalon nga koprracia dhe shpenzimi i tepërt. Allahu e njeh në detaje atë që është më e mira për të gjitha rastet dhe rrethanat, ndërsa këtë Kur’an e shpalli si udhëzues për atë që është më e mira, absolutisht. ” [5]

Kjo metodologji ishte prezent edhe tek të gjithë pejgamberët e tjerë të Allahut, madje edhe në adhurim dhe raport me Allahun. Ata jetonin ndërmjet frikës dhe shpresës, frikës nga ndëshkimi dhe hidhërimi i Allahut dhe shpresës për të mirat, kënaqësinë dhe mëshirën e Tij. Asnjëri prej tyre nuk mashtrohej kurrë. Ja se si i përshkruan Allahu të dërguarit e Tij:

 “…Ata përpiqeshin për punë të mira, Na luteshin duke shpresuar dhe duke u frikësuar, ishin respektues ndaj Nesh.(Kur’ani: el-Enbija, 90.)

Në rast se shpalosim citatet pejgamberike që kanë të bëjnë me jetën dhe metodologjinë e të dërguarit të fundit, Muhammedit (alejhis selam), do të gjejmë se ai ishte promovuesi më i sinqertë i kësaj metodologjie hyjnore dhe i këtij obligimi të harruar dhe të braktisur, gjëra këto që i kanë sjellë ummetit vërtet shumë pasoja. Muhammedi (alejhis selam) agjëronte dhe hante, ishte i martuar dhe e adhuronte Allahun shumë, por edhe pushonte, i vizitonte të afërmit dhe kujdesej për fqinjët, qofshin këta edhe çifutë a të krishterë. Edhe hipokritët i trajtonte mirë, edhe pse e dinte se ata fshihnin urrejtjen në zemrat e tyre. Ai nuk ishte i izoluar nga shoqëria dhe rrethi ku jetonte. Kështu, bazuar në këtë, për muslimanin mbetet obligim që:

“të ndjekë vijën mesatare ndërmjet atyre që anashkalojnë citatet rrënjësore fetare me pretekstin e ruajtjes së objektivave fetare dhe ndërmjet atyre që neglizhojnë objektivat e përgjithshme fetare me pretekstin e ruajtjes së teksteve. Po kështu, duhet të jetë mesatar edhe ndërmjet atyre që janë zhytur në jetën politike në llogari të edukatës së mirëfillte islame dhe ndërmjet atyre që e kanë anashkaluar tërësisht politikën me arsyetimin e marrjes me edukatë islame, aq sa nuk janë të vetëdijshëm për gjërat që ndodhin rreth tyre dhe për komplotet që i bëhen Islamit në çdo vend. Këta, në fakt, e neglizhojnë misionin mbarëbotëror të Islamit…

Mesatar duhet të jetë edhe ndërmjet atyre që e përvetësojnë kulturën perëndimore në përgjithësi, pa ndarë të mirën nga e keqja, dhe ndërmjet atyre që e refuzojnë apriori atë, pa ndarë po kështu të dobishmen nga e dëmshmja. Mesatar duhet të tregohet edhe ndërmjet thirrësve konservatorë, që refuzojnë madje edhe mjetet bashkëkohore të daves, si kompjuterin dhe internetin, dhe atyre që ndjekin një ekstremitet tjetër, atë të reformave dhe ndryshimeve rrënjësore…” [6]

 

Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA

MANIFESTIMET E MESATARES NË AJETET KUR’ANORE DHE HADITHET PEJGAMBERIKE SI DHE NDIKIMI I TYRE NË REALIZIMIN E INTEGRIMIT DHE UNITETIT TË UMMETIT

 


[1]  Ibid, f. 213.

[2]  Mahal-liu dhe Sujuti, Tefsiru-l-Xhelalejni, Kajro: Daru-l-hadith. Pj.1, f.23, 510.

[3]  Kurtubiu, El xhamiu li ahkami-l-Kur’an, 1372. Kajro: Daru-sh-Sha’b. Pj. 6, f. 114, 252.

[4]  Taberiu, Xhamiu-l-bejan fi te’vili ajji-l-Kur’an, 1405. Bejrut: Daru-l-fikr. Pj.6, f. 316 & pj.14, f. 84.

[5]  Kutb, Sejjid, Fi dhilali’l Kur’an, pj.4, f.2223.

[6] Hurmetu’l guluvvi fi’d dini ve tekfiri’l muslimine, f.78-79.