STUDIMI DHE ANALIZA E DOKTRINËS FILOSOFIKE TË HOXHË HASAN TAHSINIT

0
471

E vërtetë është thënia: “Nëse termi “filosofi” nënkupton dashurinë ndaj diturisë, atëherë e duam, përderisa ka të bëjë me gjetjen e të vërtetës, e nëse ka të bëjë me devijimin e instiktit  nëpërmjet përpjekjeve të falsifikuara dhe teorive destruktive, atëherë nuk e  pranojmë një dituri të tillë, qoftë kjo edhe prej ndonjë muslimani që ka njohuri në mendimin islamik, ngase pranimi ose refuzimi i nje ideje apo mendimi duhet te jete konform shpalljes kur’anore dhe asaj që thotë Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i inspiruar nga Zoti i Madhërishëm”.[1]

Këtë e them për hoxhën, profesorin dhe astronomin shqiptar Hasan Tahsin Efendiun, ngase për fat të keq, shumë hulumtues të Konferencës, konfirmuan se Hoxhë Hasan Tahsin Efendiu ka qenë nën ndikimin e  madh të doktrinave filosofike franceze dhe është larguar nga saktësia, derisa është bërë ekspert[2] i shkollës filosofike pozitiviste të August Kontit,[3] e cila mbështetet në eksperimentin dhe në çështjet e dukshme më shumë se në teori e ide..[4]

Ai po ashtu ka qenë nën ndikim të madh të filosofisë deiste që njihet si filosofi hyjnore që pranon ekzistimin e Zotit, por refuzon nevojën për shpallje dhe fe “Deisti beson në Krijues, por mendon se s’ka nevojë për shpalljed dhe se intelekti dhe mendja e njeriut mjafton, dhe në këtë mënyrë mohon shpalljen. Qëndrimi i tillë përputhet me brahmanët indian modernë, të cilët mendojë se çdo besim fetar që nuk përputhet me intelektin, refuzohet”.[5]

Sa i përket çështjeve të kësaj filosofie që kanë të bëjnë me natyrën dhe ligjet e natyrës, këta mendojnë se nuk ka kurrfarë intervenimi nga Zoti i Madhërishëm, ngase vetë natyra i ka ligjet e veta që e mbrojnë, dhe se vetë natyra vetëvendosë për vetveten, ndaj dhe për këtë shkak, nuk ka nevojë për rolin e krijimit dhe kreacionin,[6] kurse lëvizja dhe zhvillimi biologjik i krijesave në natyrë janë punë dhe përgjegjësi e natyrës!!!

Realiteti i kësaj ideje filosofike është i rrezikshëm, dhe për këtë shkak duhet sqaruar dhe detajuar që ta kuptojmë në mënyrë objektive mendimin e Hoxhë Hasan Tahsin Efendiut.

Ky zgjerim relativ është shumë i rëndësishëm, ngase kemi të bëjmë me analizimin dhe studimin e një ideje të rrezikshme dhe të re, që të mund ta kuptojmë rrënjën e problemit dhe që të jemi objektiv me ithtarin e kësaj ideje. Së pari obligohemi ta kuptojmë të vërtetën mbi çështjen, pastaj të gjykojmë.

Sipas mendimit tim, këtë mendim filozofik dhe këtë doktrine filosofike shumë pak e kanë studiuar ata që hulumtojnë në tefsir dhe në studimet kur’anore, dhe mund të thuhet se jam ndër të parët që jam marrë me studimet kur’anore të një dijetari dhe mendimtari shqiptar në kohën moderne, ndaj dhe për këtë shkak duhet t’i theksojmë parimet e saj në këtë studim. Për ta kuptuar këtë problematikë jemi referuar në analizimin dhe verifikimin e ca autorëve në disa fjalorë e enciklopedi bashkëkohore arabe dhe perëndimore, për ta kuptuar domethënien e vërtetë të saj. Në vijim do të jap definicionet e filozofisë dhe doktrinës iluministe, ngase kanë lidhje të ngushtë me këtë problematikë, posaçërisht me pikëpamjet e Hoxhë Hasan Tahsin Efendiut, për të cilin veçmë është konfirmuar se ka qenë nën ndikimin e filozofisë deiste në një shkallë shumë të lartë.

1: NATYRA E FILOSOFISË ILUMINISTE-REZYME E PASQYRËS HISTORIKE

Në disa fjalorë filosofik arabë thuhet se  ( التنويـر )“iluminizmi” është lëvizje filosofike e shek. XVIII që mbështetet në intelekt, dhe që përmban në vete parimin se vetëdija është faktori kryesor i zhvillimit të shoqërive, dhe se cilësitë negative të shoqërisë janë rezultat i mosnjohjes së natyrës njerëzore. Kjo filosofi është formuar para revolucionit borgjez si kundërveprim ndaj fanatizmit fetar, dhe ideologjisë së verbër feudale. Sipas Kantit “Iluminizmi çliron njeriun nga paaftësia e funksionimit të intelektit pa ndonjë udhërrëfyes të jashtëm. Kjo paaftësi vjen nga humbja e trimërisë dhe nga insistimi i funksionimit të intelektit pa udhërrëfyes”.[7]

Në Enciklopedinë Sovjetike, të përkthyer në gjuhën arabe, kur definohet iluminizmi thuhet:

“Drejtim politik shoqëror, ithtarët e të cilit drejtim përpiqeshin që të korrigjojnë antagonizmat e shoqërisë, të ndryshojnë moralin, mënyrën e jetës dhe politikën,  nëpërmes përhapjes së mendimeve rreth të mirës, drejtësisë dhe njohurive shkencore. Në esencë, iluminizmi nënkupton parimin se vetëdija luan rol vendimtar në zhvillimin e shoqërisë, ndërsa gabimet shoqërore janë rezultat i injorancës së njerëzve dhe mosekzistimit të besimit në natyrën e tyre. Përveç kësaj, ata nuk kanë mund t’i kuptojnë rregullat objektive të shoqërisë.

Mendimtarët iluministë u drejtoheshin gjitha niveleve të shoqërisë, posaçërisht atyre të pushtetit. Iluminizmi u formua para revolucionit feudal dhe ka ndikuar shumë në dobësimin e ndikimit të ideologjisë së kishës dhe feudalizmit. Iluministët nuk luftonin vetëm kundër kishës, por edhe kundër dogmave fetare dhe metodave të të menduarit dogmatik. Iluminizmi sot nuk ka ndikim në të menduarit shoqëror dhe ekziston vetëm në mesin e intelektualëve marksistë”.[8]

Në disa enciklopedi perëndimore fetare e politike, të shkruara në gjuhën angleze, jepen të dhëna të hollësishme mbi lëvizjen, qëllimet dhe personalitetet më të njohura të kësaj lëvizjeje, dhe mendoj se është e rëndësishme që të shohim në mënyrë të shkurtër se ç’thuhet për të:

“Periudhë historike dhe lëvizje intelektuale evropiane që përcaktoi raporte të reja mes fesë dhe politikës. Iluminizmi është term dy kuptimor. Hulumtuesit i kanë hulumtuar rrënjët e tij, vendet ku është përhapur, personalitet më të njohur dhe karakteristikat më të njohura që dominonin në të. Lëvizja e iluminizmit nënkupton lëvizjen iluministe franceze, gjegjësisht periudhën e intelektit dhe racios. Është paraqitur në shek. XVIII në Francë dhe ka përfunduar me revolucionin francez, pas dështimit të realizimit të qëllimit kryesor të revolucionit në vitin 1789”.

Ky ishte kuptimi i ngushtë i saj, ndërsa kuptimi më i gjerë i kësaj lëvizje ka të bëjë me faktin se iluminizmi përmban në vete edhe karakteristika reformiste që rrjedhin nga koha e grekëve antikë, posaçërisht në kohën e renesancës dhe reformave greke. Në një kuptim më të gjerë iluminizmi ka filluar në shek. XIX në Angli, posaçërisht në kohën e metodës së Xhon Lokut dhe pikëpamjeve të tij ndaj shkencës, fesë dhe politikës. Përfaqësuesit e saj më të njohur anglezë e skocezë janë: Joseph Priesthy, Francis Hutcheson, Adam Smith, Eduard Gibbou. Ndërsa nga përfaqësuesit francezë, më të njohur janë: Voltaire, Baron de Montesquieu, Denis Didero, Jean-Jacques Rousseau. Në Gjermani: Christian Wolf, Mosses Mendelssohn, Imanuel Kanti etj.; kurse në Amerikën Veriore: Thomas Paine, Benjamin Franklin, Thomas Jeffersont, etj.

 

2: KARAKTERISTIKAT E ILUMINIZMIT

Në disa fjalorë dhe enciklopedi fetare e politike për iluminizmin thuhet:

“Sistemi politik dhe fetar në mesjetë para iluminizmit ishte në duart e teologëve të krishterë, dhe njerëzit e kishës që pranonin shpalljen dhe librat e shenjtë, e që ishin të pushtetshëm dhe të fuqishëm për të ndërmarrë vendime. Mbretërit dhe qendrat politike merrnin zyrtarizimin nga teologët që konsideroheshin të shenjtë dhe me autoritet hyjnor. Përkrahësit e filosofisë iluministe refuzuan në tërësi këtë sistem politik e fetar,  dhe e shenjtëronin natyrën e intelektin si burim esencial shkencor i të mirave të njerëzve. Krahas kësaj, u përqëndruan në rëndësinë e kritikës racionale, ligjit natyror objektivizmit dhe universalizmit. Ata po ashtu ishin përqëndruar në drejtime shkencore moderne, në të drejtat natyrore, në liri, barabarësi e dobi,  dhe në mosfanatizmin dhe tolerancën fetare, me çlirim të plotë dhe absolut nga besëtytnitë fetare, iracionalizmi dhe mosmbështetja në autoritetin mbinatyror fetar…”[9]

Filosofi i njohur Kanti, kur definon iluminizmin në vitin 1784, i fton njerëzit që të mbështeten në vetveten e tyre, sepse njerëzit duhet vetë të posedojnë fuqi e vullnet për të menduar rreth politikës dhe fesë, dhe të besojnë në veten e tyre, në vend që të mbështeten në të tjerët në këto çështje. Njerëzit duhet ta lëvizin trurin e tyre dhe fuqinë njerëzore për të përfituar dituri të vërtetë dhe për ta kuptuar më së miri politikën dhe fenë.[10]

Karakteristikat e kësaj filosofie ishin: Çlirimi i intelektit dhe mendjes nga besëtytnitë fetare e religjioze, çlirimi i intelektit dhe trurit nga iracionalizmi dhe metodat regresive, transferimi nga tirania politike, amoraliteti dhe tortura e përhershme në progres e përkryerje. Me zhvillimin e këtyre fuqive intelektuale, njerëzit do të mund të ecin dhe të përparojnë deri në përkryerje.[11] Bazuar në këto botëkuptime e parime, ai që studion fenë dhe politikën, obligohet ta studiojë dhe hulumtojë këtë natyrë, dhe natyrën e njeriut, vetëm në mënyrë racionale.

Natyra ka strukturë racionale të posaçme dhe lëvizë e vepron përmes ligjeve natyrore të gjithësisë. Fenomeni natyror dhe çështja politike, fetare e morale, duhet të studiohen në bazë të metodës racionale dhe parimeve racionale. Natyra që është rreth e përqark nesh, çështjet e përgjithshme njerëzore dhe çështjet komplekse shkencore e politike, duhet të ndahen në elemente e pjesë, për të zbuluar raportet në mes shkakut dhe pasojës.[12]

Duke u bazuar në atë që u tha më sipër, çdo besim dogmatik ose bestytni fetare që nuk mund të kritikohet e të analizohet në mënyrë racionale, duhet të shkulet dhe të çrrënjoset, qoftë edhe iracionalizmi në çështje të fesë apo të politikës.

Filosofia e iluminizmit mbështetej në parimin e tolerancës dhe në afanatizëm që njerëzit të jenë të lirë në besim dhe në fjalët e tyre. Fanatizmi fetar dhe politik i ka bërë njerëzit të paaftë në aspektin racional dhe i ka penguar nga zhvillimi i tyre dhe të kuptuarit e të vërtetës.

Ky drejtim iluminist tentonte ta ndajë fenë nga politika, dhe nxiti formimin e një grupi iluministësh ateistë që mendonin se s’ka kurrfarë dobie nga feja dhe devotshmëria fetare, si dhe insistonin në pastrimin e politikës nga ndikimi fetar, kompleksi, injoranca e bestytnia. Karshi tyre ekzistonte një grup tjetër iluministësh që nuk ishin ateistë, por tentonin të formonin një fe racionale që do ta kontrollonte edhe fenë e inspiruar hyjnore.

Ithtarët e këtij drejtimi racional fetar refuzonin dhe kundërshtonin ashpër pushtetin hyjnor të krishterë të priftërinjve, ngase sipas mendimit të tyre, feja që mbështetet në racio e natyrë duhet të respektohet dhe t’i çmojë parimet natyrore të politikës e gjithësisë, dhe t’i njohë të drejtat politike të të tjerëve, qofshin ata besimtarë apo ateistë.[13]

 

3: DOKTRINA FILOSOFIKE DEISTE (DEIZMI) NË PIKËPAMJET E HOXHË HASAN TAHSIN EFENDIUT

Që në fillim mund të them se filosofia iluministe kishte ndikuar në formimin e kësaj filosofie të re. Kjo filosofi kishte arritur kulmin e vet në fund të shek. XIX. Ithtarët e iluminizmit besonin në filosofinë e progresit, e cila në esencë mohonte trashëgiminë kulturore, fetare e historike, sepse nuk përputhej me nevojat e kohës.[14] Në disa fjalorë e enciklopedi, deizmi filosofik definohet kësisoji:

Feja e vërtetë është feja natyrore (racionale ose vetë natyra) dhe se pjesa dërmuese e ithtarëve të këtij drejtimi mohonin shpalljen, ngase e konsideronin bestytni dhe iluzion. Zoti u dëshiron lumturi krijesave të veta dhe për këtë shkak ka krijuar vlerën si mjet për realizimin e lumturisë së tillë. Shpëtimi i njerëzve nuk mund të mbështetet në shpallje të çfarëdolloji qoftë. Feja e vërtetë dhe e saktë është shprehje e lirë mbi lirinë e njerëzve që përfshinë intelektin në çdo kohë dhe çdo vend. Parimet e fesë së krishterë dhe asaj islame janë të thjeshta dhe kanë përmbajtje tiranie, politike, mashtrimi, kurthe dhe shkathtësi teologësh, si dhe e shkatërrojnë intelektin.[15]

Këto parime e mbulojnë fenë natyrore (racionale) me ide të fëlliqura dhe të papastra. Kjo lëvizje ishte fenomeni i shek. XVII dhe XVIII dhe ishte përhapur tej mase në Angli në mesin e shumë personaliteteve të njohura. Në shek. XVIII, ky definicion merr koncept të ri që nënkuptonte mungesën e Zotit nga natyra. Zoti ka krijuar ligjet dhe sistemet e natyrës, pastaj e ka lënë të veprojë vetë natyrën sipas ligjeve të tilla,[16] përkatësisht bota vetë kujdeset për veten e saj!!! Pasi e krijoi Zoti botën dhe u distancua nga krijesat e Tij, është larguar dhe përqëndruar në një botë tjetër të izoluar, duke e lënë botën që të funksionojë vetë sipas ligjeve dhe sistemeve racionale.

Ky mendim filosofik në esencë ishte formuluar nga ideja e filosofit dhe fizikanit të njohur anglezo-hebre, Isak Njuton, i cili thotë se ekziston lidhje dhe përputhshmëri, punë e bashkëveprim racional në mes pjesëve të kësaj bote që i ngjanë instrumentit mekanik që lëvizë e ecë.[17]

Ithtarët e kësaj lëvizje filosofike e çmonin shumë intelektin dhe potencialin e tij, që ia tejkalon shpalljes dhe, kështu, mohonin parimet fetare që i bënë njerëzit fanatikë, jo tolerantë dhe të mbyllur ndaj të tjerëve, deformuan pasqyrën e Zotit të Madhërishëm si Krijues racional të kësaj bote harmonike.

Ky progres shkencor dhe filosofik refuzoi teorinë që thoshte se intelekti kontrollohet nga kaosi për shkak të mëkatit që ka bërë babai ynë, Ademi a.s. Në shek. XVII, shumë ithtarë të lëvizjes ateiste refuzonin kategorikisht aplikimin e riteve dhe adhurimeve fetare, ngase sipas tyre, ritet e tilla ishin bestytni fetare të idhujtarëve dhe për këtë shkak duhet refuzuar.[18]

Për ta konfirmuar këtë që e thashë më parë, u konsultova me disa ekspertë dhe profesorë të mi të njohur,[19] e që kanë njohuri të thella në çështjet filosofike e fetare evropiane dhe pas bisedave të gjata me to, besoj se Zoti na ndihmoi ta kuptojmë të vërtetën, sepse përfunduam se filosofia e përfituar nga leximi i thellë i Kur’anit na bën të kuptojmë disa çështje në aspektin e përgjithshëm, që s’mund të ndahen në pjesë më të imta e as të refuzohen:

  1. Bota materiale lëviz sipas ligjeve dhe nuk ka kurrfarë kontradiktash në to, dhe kjo vërtetohet në shumë ajete kur’anore, si p.sh.:
  • “Ai është që krijoi shtatë qiej palë mbi palë. Në krijimin e Mëshiruesit nuk mund të shohësh ndonjë kontrast, andaj drejto shikimin se a sheh ndonjë çarje? Mandej, herë pas here drejto shikimin, e shikimi do të kthehet te ti i përulur dhe i molisur”.[20]
  • “(Kjo është) mjeshtëri e Allahut që përsosi çdo send, e Ai është hollësisht i njohur se çka punoni”.[21]
  • – “A nuk shohin ata se Ne ua bëmë natën që të pushojnë, kurse ditën të ndritshme. Në këtë ka argument për një popull që beson”.[22]
  • – “Ne çdo send kemi krijuar me masë të caktuar. Puna jonë në krijim është e shpejtë sa çel e mshel sytë”.[23]
  • “Tek Ai është çdo send në masë të caktuar, Ai është që di të fshehtën dhe të dukshmen, Ai është i Madhëruari e i Lartësuari”.[24]
  1. Këto ligje harmonike dhe precize të natyrës janë nga Zoti i Madhërishëm e jo nga vetë natyra.
  2. Meqë Krijuesi i Madhërishëm është Krijuesi i natyrës dhe i ligjeve të saj, atëherë vetëm Ai mund t’i shkatërrojë si të dojë dhe kur të dojë, dhe kjo është mrekulli hyjnore. Ajetet që konfirmojnë një fakt të tillë janë të shumta, si p.sh.:
  • – “Ja, vetëm Atij i takon krijimi dhe sundimi. I Madhëruar është Allahu, Zoti i botëve”.[25]
  • – “Kur Ai dëshiron ndonjë send, urdhri i Tij është vetëm t’i thotë: “Bëhu”! Ai menjëherë bëhet. I Lartë është Ai që në dorën e Tij është pushteti mbi çdo send dhe vetëm tek Ai kthehemi”.[26]

Edhe gjërat më të imta që ndodhin në natyrë janë nga Zoti i Madhërishëm, dhe në këtë kontekst, Ai thotë:

“Thuaj: “Sikur Allahu t’u bënte natën të përhershme (t’ua zgjaste) deri në ditën e Kiametit, ç’mendoni, cili zot pos Allahut do t’ju sillte juve dritë? A nuk merrni veshtë? Thuaj: “Më tregoni nëse Allahu ua bën ditën të vazhdueshme deri në ditën e Kiametit, cili zot pos Allahut do t’ju sjellë natë që të pushoni në të? A nuk shihni (se po gaboni)!” [27]

Pas kësaj rezymeje të kësaj filosofie dhe synimeve të saja, besoj se tash mund të kuptojmë thelbin e mendimeve të Hoxhë Hasan Tahsin Efendiut dhe ndikimin e kësaj doktrine filosofike iluministe deiste me pikëpamjet e tij.[28] Për fat të keq, ai ishte viktimë e kësaj filosofie në mënyrë të pavetëdijshme… Në vazhdim do të ilustroj ndikimin e tij nëpërmes disa shembujve praktikë nga filosofia deiste, gjegjësisht nga shkolla filosofike perëndimore. Këto qëndrime i kanë theksuar studiuesit në punimet e tyre shkencore në Konferencë dhe kanë qenë të shënuara edhe në disa burime të tjera.

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE
(SHEK 19-20)

[1] Ömer Faruk Akun, “Türkiye Diyanet Vakfi Islam Ansiklopedisi”; 203-206; Neda Xha’rane, Abdulhamid ibn Muhamed, “El-Med-hal ilet-tefsir”; f. 303.

[2] Ibrahim Daut Hoxha, “Hoxhë Hasan Tahsin Efendiu”; Prof. Nexhip P. Alpan, 31.

[3] “Kamusul-meuridil-vesit”; Munir Ba’lebekkij dhe Ruhi Ba’lebekkij, f. 455.

[4] Oxford Advanced Learners Dictionary of Current English, 5th edition, Oxford University press, 1995, 899.

[5] Nga të dhënat që i mora në kabinetin e prof. dr. Irfan Abdulhamid Fettah, profesor i filosofisë dhe feve krahasuese në Universitetin Ndërkombëtar Islamik në Malajzi, Allahu e mëshiroftë)

[6] Ibrahim Daut Hoxha, “Hoxhë Hasan Tahsin Efendiu”; artikulli i prof. Dritan Spahiut, f. 43.

[7] Murad Vehbe, “El-Mu’xhemu El-Felsefiju”; Daruth-thekafetil-xhedideti, bot.3; 1979, f. 135.

[8] Një grup autorësh kanë përpiluar enciklopedinë filosofike nën mbikëqyrjen e Rozentalit dhe Judvinit, përktheu Sermi Kerem në arabisht, recensoi dr. Sadik Xhelal dhe Xhorxh Tarabishi, Bejrut, Darut-tulaj’ati, bot. 6, 1987, f. 145-146.

[9] Robert Wuthman, “The Encyclopedia of Politics and Religion”; Routledge, United Kingdom, London 1998, 233-234.

[10] Po aty, f. 234.

[11] Po aty.

[12] Rreth racionalizmit në mes shkakut dhe pasojës shih më gjerësisht Muhammed El-Irakij, Muhamed Atif, “En-Nez’atul aklijjetu fi felsefeti Ibn Rushd”; Egjipt, Darul-Mearif, pa vit botimi, fq. 163-167.

[13] Shih më gjerësisht enciklopeditë filosofike: Rober Wuthman, “The Encyclopedia of Politics and Religion”; Routhedge, United Kingdom, London 1998, 233-235; Paul Eduards, “The Encyclopedia of Philosophy”; Collier Macmillau Publishers, London 1967, 519-525.

[14] Më gjerësisht mbi filosofinë e iluminizmit francez shih: Peter Gay, “The EnlightenmentAn introduction”; Randow House, New York, 1966.

[15] Robert Audi, “The Cambridge Dictionary of Philosophy”; Cambridge University Press, 1995, 188.

[16] Po aty, f. 188.

[17] Merrian Websters’s Encyclopedia of World Religions, Wendy Doniger, Consulting Editor, Springfield, Massachusetts 1999, 284.

[18] Po aty,f. 284.

[19] Ky është profesori im i nderuar, Allahu e mëshiroftë, dr. Irfan Abdulhamid Fettah, profesor i sufizmit dhe i filosofisë se feve krahasuese në Fakultetin e Usuli Fikhut në Universitetin Ndërkombëtar Islamik në Malajzi. Intervistën me të e kam zhvilluar ditën e mërkurë, më 15.01.2003, në kabinetin e tij në fakultet. Edhe njëherë sinqerisht i falënderohem për të dhënat që m’i ofroi rreth këtyre çështjeve e që m’i qartësoi disa gjëra, që akoma i kisha të paqarta.

[20] El-Mulk, 3-4.

[21] En-Nemlu, 88.

[22] En-Neml, 86.

[23] El-Kamer, 49.

[24] Er-Ra’d, 9.

[25] El A’raf, 54.

[26] Jasin, 82.

[27] El Kasas, 71-72.

[28] Iluminizmi ka ndikuar në shumë mendimtarë shqiptarë. Më gjerësisht rreth këtij ndikimi shih: Irfan Abdulhamid Fettah, “El-Fikrud-dinij fi muvaxheheti tehaddijatil-hadatheti”; Universiteti Ndërkombëtar Islamik në Malajzi, Qendra e hulumtimeve, 2001, 29-37.