Tefsiri i Kur’anit  në syrin e intelektualëve sekular arab

0
522

 

Shkenca e interpretimit të Kur’anit, duke filluar që nga periudha e sahabëve – Allahu qoftë i kënaqur me ta – e deri në ditët tona, ka kaluar në periudha të ndryshe, çështje kjo, e cila kishte çuar në transformimin e rrugës se interpretimit dhe paraqitjen në skenë të metodologjive dhe lëvizjeve të ndryshme; lexime bashkëkohore në tefsirin e kur’anit famëmadh, të cilat përputheshin me ithtarët  e këtyre ideologjive devijuese dhe shkencave të larmishme tek disa bashkëkohas tanë.

Këto lexime të reja dhe bashkëkohore, nënkuptojnë përdorimin e teorive të reja në te’vilin dhe interpretimin e kur’anit famëmadh, të cilat shpien në shtrembërimin e kuptimeve kur’anore si dhe janë në kundërshtim më te vërtetat e jursiprudencës islame, ndaj dhe bien ndesh me objektivat e larta islame. 

Arsyeja e paraqitjes se këtyre doktrinave – sa shkatrrimtare aq edhe të dëmshme- ishte ndotja e mendimeve të pasuesve të saj me metodologjitë ideologjike të perëndimit dhe mungesës së rrespektit të tyre ndaj shenjtërisë se kur’anit famëlartë; karakteristikave tipike të tij të elokuencës, rrjedhshmërisë, retorikës dhe linguistikes, ç’është e vërteta, vargjet kur’anore ata i konsideronin  si tekste me karakter njerëzor, gjë që –sipas tyre- jep me kuptue se ato nuk qenë vargje hyjnore.

Pasuesit apo ndjekësit e këtij leximi të ri bashkëkohorë, thirrnin në atë se “kur’ani është produkt njerëzor, produkt i arsyes dhe intelektit, si dhe produkt i së kaluares historike.

Më këtë, ata synonin që vargjet kur’anore, t’i lidhnin, e pastaj t’i bashkonin me gjendjen kohore dhe sikur ato të ishin tekste të historisë njerëzore! Me pastaj, termet apo nocionet e reja i përdoren në kundërshtim me termet sheriatike, si fjala vjen; Epistimologjike, Empiriko shkencore, islamiste, selefiste, primitive, antologjike, bolshevike, dialektike, kohore, mekanizmatike, hermeneutike, demagogjike…etj. 

Kur’anin filluan ta emërtonin si një Përmbledhje e madhe vargjesh, kurse ajetet kur’anore i quanin si një grup fjalësh, apo thënë më mirë, grup frazash, kurse shpalljen e kur’anit e emërtuan si, ndodhia kur’anore…këto qenë errësira, të cilat pasonin njëra tjetrën, prandaj nuk ka pikë dyshimi se kjo shkollë, nuk qe tjetër, vetëm se shtrirje dhe zgjerim i shkollave të profesorëve të tyre orientalistë, të cilët për pëjgambërllukun e Muhammedit alejhi selam, thanë se nuk është asgjë tjetër, vetëm se vazhdim i judaizmit dhe krishterizmit.

Si rrjedhojë, metodologjia e kësaj shkolle është despotizmi në tekstet kur’anore dhe komentimi i tyre në përshtatshmëri me veglat metodologjike dhe gjuhën përendimore, i ndryshëm dhe krejtësisht tjetër për rregullat dhe llojet arabe.

Është shumë më rëndësi për t’u njohur me ata të cilët në këtë kohë, më vete bartën flamurin e këtij lloji të leximit bashkëkohor të kur’ani kerimit, ata qenë nga mesi ynë, andaj për t’u preventuar nga ky grup dhe për të marrë mësim, do përmendim emrat në vazhdim; sekularisti Algjerian Muhammed Erkun, marksisti Sirian Muhammed Shahrur, Socialisti Muhammed Abid El-Xhabirij, Egjiptasi Hassen Hanefij, professor i Filozofisë mbi mendimin e Mu’tezilit, Egjiptasi Nasr Hamdi Ebu Zejd, prof. i gjuhes arabe dhe me mendim Mu’tezilit, Tuniziani Abdulmexhid Esh-sherefij, komunisti bashkëkohor sirian me prejardhje turke Xhelal Sadik El-A’dham.

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin Hoxha

DREJT NJË LEXIMI TË RI DHE METODOLOGJIE TË APLIKUESHME NË INTERPRETIMIN (TEFSIRIN) E KUR’ANIT FAMËMADH ( Profesor Sejjid Kutbi shembëlltyrë)