Allahu xh.sh. në Kur’anin famëlartë thotë:
“ O ju që besuat, jepni nga më e mira e asaj që e fituat dhe nga ajo që ju dhamë prej tokës, e mos nxitoni ta jepni atë më të pavlefshmen nga ajo, e që ju nuk do ta pranonit për vete pos symbyllas. Dhe dijeni se All-llahu nuk ka nevojë për ju, ngase është i Madhëruar” El bekare:267.
Dihet se dhënia e lëmoshës për hir të Allahut xh.sh., për të varfrit dhe nevojtarët, konsiderohet si një prej veprave më të mira dhe më të pëlqyera, për të cilin muslimani shpërblehet tek Allahu xh.sh. Mirëpo për ta fituar dhe merituar këtë shpërblim duhet të përmbushen ca kondita dhe ca parime përkitazi me çështjen në fjalë.
Prej kushteve dhe konditave më kryesore është ajo çka u përmend më lart në ajetin kur’anor: ajo që jepet duhet të jetë prej atyre gjërave të mira dhe të pastra që i fiton besimtari dhe që është 100% hallall, si dhe duhet të jepet ajo që natyra e pastër e besimtarit e pranon si ushqim për veten e tij, dhe nuk ka hije që të jepet ushqimi i keq dhe i dobët. Ky person, po ashtu, duhet të llogarisë që këtë ushqim të keq që po e jep, a kish për ta pranuar për veten e tij po të kish dalë në treg për të blerë? Përgjigjja dihet, se kurrë jo, e atëherë si guxon ai që atë ushqim që nuk e pëlqen për vete t’ia japë dikujt tjetër?!
Ja pra ky ishte ligji i përfituar nga ajeti kur’anor dhe vendimi i prerë të cilin e ka përmendur Allahu xh.sh. me një stil të lartë edukativ. Por tani duhet ta dimë arsyen dhe fshehtësinë e këtij vendimi të përfituar nga ajeti kur’anor.
Urtësia e këtij ajeti shihet në faktin se Allahu xh.sh., kur i dalloi robërit e Tij dhe i klasifikoi ata sipas pasurisë, disa i bëri më të pasur e disa të tjerë më të varfër, dhe kur Allahu xh.sh.i urdhëroi të pasurit që t’u japin të varfërve, Ai nuk deshi që të pasurit ta rrisin mendjen e tyre dhe të bëhen më superiorë ndaj të varfërve dhe t’ua dhurojnë atyre mbeturinat e ushqimeve që ata vetë nuk do t’i pranonin.
Ky gjest jo i pëlqyer nga ata, edhe nëse nuk bëhet shkak për dënimin dhe hidhërimin e Allahut xh.sh., në të njëjtën kohë nuk mund të bëhet shkas për ta fituar shpërblimin e Allahut xh.sh.
Kush e ndjek këtë rrugë dhe këtë mënyrë të dhënies së pasurisë së keqe, pa dyshim se ai person ka për të shkaktuar probleme dhe shqetësime në mesin e atyre të varfërve, duke ua ulur autoritetin dhe karakterin e tyre njerëzor, e Allahu xh.sh. nuk dëshiron që të ulet autoriteti i njeriut dhe karakteri i tij për pak pasuri. Sepse të jesh i varfër dhe krenar është më mirë dhe më e lumtur se sa të jesh i pasur e me karakter të ulur dhe të mposhtur. Mu për këtë arsye, Allahu xh.sh. në Kur’anin famëlartë thotë:
“Një fjalë e mirë dhe një lehtësim (që i bëhet lypësit) janë më të vlefshme se një lëmoshë që përcillet me të keqe. Allahu nuk ka nevojë për askënd dhe është i butë”. [El Bekare:263]
Allahu xh.sh. i ka urdhëruar të pasurit të japin në mënyrë që ata të sprovohen se cili nga ata po e ndan nga pasuria e tij atë më të mirën për të varfrin.
Mbi të gjitha, nga ato që u tha më lart, ky i pasuri duhet të gëzohet shumë dhe të jetë shumë falënderues dhe mirënjohës ndaj këtij të varfrit që ia pranoi lëmoshën dhe ia dha atij rastin për të fituar shpërblimin dhe kënaqësinë e Allahut xh.sh. Në këtë mënyre e parasheh feja kulturën dhe edukatën e dhënies për hir të Allahut xh.sh. Dhënia e pasurisë në këtë mënyrë mbjell dhe kultivon respektin, dashurinë dhe mirëkuptimin në mes besimtarëve.
Pa dyshim se për Allahun xh.sh. kishte qenë e mundur që ta pasuronte çdo individ në mënyrë që të ishte i pavarur, mirëpo madhëria dhe mençuria e Tij deshi që njerëzit të jenë të lidhur në mes vete, që të ekzistojë solidariteti reciprok dhe vëllazëror në mes tyre, që shoqëria islame të jetë e bashkuar, e vëllazëruar dhe e fortë.
Mos harroni se qëllimi kryesor dhe final i krijimit të popullit dhe i njerëzisë në këtë botë është sprova dhe secili prej nesh duhet të shpejtojë në vepra sa më të mira dhe më të sinqerta. Allahu xh.sh. në Kur’anin e madhëruar thotë:
“ Ne bëmë njërin prej jush sprovë për tjetrin se a do të jeni të durueshëm. E Zoti yt është Ai i cili sheh çdo gjë.” [El Furkan: 20]
Përktheu dhe përshtati nga arabishtja: Prof.Dr. Hfz. Hajredin Hoxha
Prof.Dr.Muhamed Said Ramadan el Buti – FSHEHTËSITË E DISA LIGJEVE KUR’ANORE