Allahu xh.sh. në Kur’anin famëlartë thotë:
“Juve u është shpallur në librin (Kur’anin) që, kur të dëgjoni se po mohohet Kur’ani i All-llahut dhe po bëhet tallje me të, mos rrini me ata derisa të mos hyjnë në bisedë tjetër. Përndryshe, ju do të jeni si ata. All-llahu do t’i tubojë tradhtarët dhe jobesimtarët që të gjithë në xhehenem.” [En Nisa: 140]
Në këtë ajet kur’anor shihet qartë se muslimani nuk guxon të flasë ose të dëgjojë diçka që është e ndaluar prej bisedave të kota, e pastaj të mos tentojë të largohet vetë nga ajo e keqe, ose ta largojë atë të keqe me dorën e tij.
Po ashtu, në këtë ajet kur’anor, vërehet mirë kërcënimi i Allahut xh.sh. ndaj atyre personave që rrinë së bashku me ata të cilët tallen me dispozitat dhe ligjet e sheriatit islam e nuk largohen nga ai mjedis apo kuvend i tyre, sepse heshtja e tyre nënkupton pajtimin e tyre me ato për të cilat ata flasin dhe bisedojnë.
Sa i përket vendimit (hukmit) dhe ligjit fetar se: – A bën të rrihet dhe të qëndrohet në një kuvend apo mexhlis ku të tjerët tallen me Kur’anin famëlartë? – s’do mend se përgjigjja definitive dhe përfundimtare e të gjithë ulemave dhe dijetarëve islamë është se të qëndruarit në atë mjedis është haram dhe i ndaluar rreptësisht.
Ndërsa sa i përket urtësisë dhe fshehtësisë se kësaj ndalese, kjo temë do të diskutohet tani dhe ka të bëjë me bazat e edukatës shoqërore.
Ndoshta dikush do të habitet nga kjo ndalesë e rreptë e Kur’anit dhe thotë: çfarë dëmi kam unë nëse e shoh të keqen, por nuk e punoj atë dhe nuk ballafaqohem dot me të? Apo çfarë dëmi ka nëse unë dëgjoj ndonjë bisedë boshe dhe pa peshë të rëndë?
Rreziku i këtij problemi qëndron në faktin se nëse muslimani e shfrenon veten e tij për të parë të keqen dhe për ta dëgjuar atë, atëherë ai gradualisht, në radhë të parë do të ushtrohet për ta parë të keqen, në radhë të dytë do të pajtohet dhe përshtatet me të, e në radhë të tretë ai do ta veprojë atë dhe do të mundohet ta arsyetojë atë.
Për ta kuptuar më mirë këtë fenomen, hidhni një vështrim tek ata besimtarë të cilët veprojnë dhe punojnë në mesin e shoqërisë europiane në Perëndim. Ata, në fillim, kur shkojnë në Perëndim ngushtohen shumë dhe u vjen turp për atë se çka po shohin dhe çka po dëgjojnë, e ngrenë zërin e protestës dhe paraqesin shqetësimin e tyre kundër veprave dhe sjelljeve të ndaluara. Pas një kohe të shkurtër, ata qetësohen dhe pajtohen me atë çka po shohin dhe dëgjojnë, e mandej më vonë edhe pajtohen me të, edhe pse e dinë se kjo është haram!
Me kalimin e kohës, edhe ata fillojnë t’i mbrojnë ato ide dhe e shohin këtë si çështje kohore, dhe se nuk bën ndryshe vetëm se kështu, duke u justifikuar dhe argumentuar se ata janë në perëndim, në vend të përparuar… Dhe kështu, në fund, urrejtja ndaj të keqes shndërrohet në dashuri ndaj saj!!!
E kur muslimani arrin deri në këtë gjendje, pajtohet me të keqen, nuk brengoset fare për të dhe nuk e kundërshton atë, atëherë shpërblimi për të është zjarri i xhehenemit, ku ai do të futet së bashku me kriminelët e tjerë.
Për këtë arsye është haram që muslimani të shpërngulet në Perëndim për të jetuar atje, pa ndonjë arsye të madhe, si p.sh. studimi, puna për të siguruar kafshatën e gojës etj.
Ndoshta dikush mendon se nuk ka nevojë për këtë ligj dhe mendon se ky ligj është ngushtim për popullin. Mirëpo nëse jemi të bindur dhe pajtohemi me faktin se njeriu e përfiton moralin e tij nga ambienti ku jeton, e pastaj edhe i përshtatet atij, atëherë mund të konkludojmë se ligji i Allahut xh.sh., që u cek më lart, duhet të praktikohet dhe të merret për bazë edukativo-arsimore. Pikërisht për këtë arsye ligji i Allahut xh.sh. ka qenë i prerë edhe në një vend tjetër në Kur’an ku thuhet: “Engjëjt që ua marrin shpirtin atyre që ishim mizorë dhe zullumqarë ndaj vetes, iu thanë: në çka ishit ju? Ata thanë: ne ishim të paaftë në atë tokë. Engjëjt iu thanë: a nuk ishte e gjerë toka e Allahut xh.sh. e të emigroni në të (e ta praktikoni fenë e Allahut xh.sh. )? Vendi i tyre është xhehenemi, sa vend i keq është ai.”
Nga këta përjashtohen ata të cilët kanë shkuar në Perëndim për studim, të cilin nuk mund ta marrin tjetërkund, ose për të fituar për mirëmbajtjen e familjes, me kusht që të jenë të kujdesshëm dhe të vendosur për ta ruajtur besimin dhe moralin e tyre, në çdo aspekt, nga sulmet e armiqve të brendshëm dhe të jashtëm.
Përktheu dhe përshtati nga arabishtja: Prof.Dr. Hfz. Hajredin Hoxha
Prof.Dr.Muhamed Said Ramadan el Buti – FSHEHTËSITË E DISA LIGJEVE KUR’ANORE