Prej formave të ekstremizmit dhe vrazhdësisë së pashpirt, mendimtarët dhe dijetarët kanë veçuar:
- Ekstremizmi në të menduar, duke mos pranuar mendim tjetër për gjëra që janë lëndë shkencore dhe mund të përmbajnë kuptime të ndryshme. Mendim përveç mendimit të vet nuk ekziston…
- Obligimi me disa gjëra të mundimshme, të cilat Allahu nuk ua ka obliguar krijesave të Tij. Kjo, që në fillim, bie ndesh me fjalën e Muhamedit, alejhi’s selam:
Lehtësoni e mos vështirësoni, përgëzoni e mos largoni (njerëz shkaku i sjelljeve tuaja të këqija)”.[1]
- Prej formave të këtij lloji është edhe llogaritja për gjëra sekondare sikur ato të ishin primare, dhe për gjëra të urryera – si të ishin të ndaluara.
- Rigoroziteti dhe mënyra strikte në vend jo të duhur. Më konkretisht, me njerëz që sapo kanë hyrë në Islam apo janë në ndonjë vend joislam, sillet sikur të diskutonte me ndonjë mysliman që ka lindur i tillë apo ka jetuar në një vend islam që prej vegjëlisë. Me njerëzit e grupit të parë duhet përdorur mënyra e lehtësimit në çështjet sekondare dhe të diskueshme tek dijetarët.
- Vrazhdësia dhe ngurtësia shpirtërore. Këto gjëra janë në kundërshtim me Urdhrat dhe Porositë e Allahut dhe të dërguarit të Tij.
- Supozimet dhe paragjykimet për njerëz. Parim bazë tek ekstremistët është akuza, kurse në ligje e norma “I akuzuari është i pafajshëm derisa të mos e vërtetojnë të kundërtën provat dhe dëshmitë“.
- Imagjinim i gabuar i shoqërisë ku jetojnë. Ata mendojnë se shoqëria islame duhet të jetë shoqëri engjëllore, e cila udhëhiqet nga dashuria, mirëkuptimi dhe respekti i përhershëm, që nuk lë vend kurrë për lëshime. Nëse shoqëria është e tillë, ajo është islame, përndryshe ajo është injorante dhe joislame. Ky mendim, edhe pse i dëshiruar nga të gjithë ne, megjithatë nuk është real, ngase nuk ka njeri që nuk gabon dhe imagjinimi i një shoqërie pa gabime është vetëm iluzion. Çdo njeri gabon dhe nuk është përmendur që ndonjë popull të mos ketë pasur gabime, sikurse nuk është transmetuar se ndonjë pejgamber t’i ketë pasur pasuesit qind për qind të pastër nga mëkatet.
- Rënia në humnerën e tekfirit. Ky ekstremizëm arrin kulmin e vet atëherë kur njerëzit i zhvesh nga identiteti i tyre islam dhe lejon derdhjen e gjakut të tyre dhe konfiskimin e pasurive të tyre.
Doc.Dr.Hfz. Hajredin Hoxha
DUKURIA E EKSTREMIZMIT DHE TERRORIZMIT – TRAJTIMI I SAJ NDËRMJET PËRPJEKJEVE DIPLOMATIKE, AJETEVE KUR’ANORE DHE THËNIEVE PROFETIKE.
[1] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.