EDUKATA E MËSUESIT TË KUR’ANIT 

0
408

Për moralin, edukatën, tiparet dhe virtytet me të cilat duhet të  shquhet mësuesi, Imam Neveviu thotë: 

Morali i përsosur: Mësuesi duhet të jetë i pajisur me tipare, cilësi  dhe veti të pëlqyera, për të cilat na ka udhëzuar Allahu, si:  asketizmi në dynja, bujaria, fisnikëria, buzëqeshja – por pa i tejkaluar kufijtë e normales, butësia, durimi, ikja nga përfitimet e  paligjshme, të qenit i devotshëm, modest, i matur, i urtë; shmangia  nga të qeshurit e tepërt, nga shakaja e pakripë; mbajtja e pastërtisë  fetare: pastrimi i trupit, prerja e thonjve, shkurtimi i mustaqeve,  krehja e mjekrës, largimi i erërave të pakëndshme nga trupi etj… 

Po kështu, ai duhet të jetë shumë i kujdesshëm që të mos vuajë nga zilia, smira, dyfaqësia, vetëpëlqimi, nënçmimi i tjerëve… Ai duhet  ta ketë vetëdijen fetare në nivelin e duhur (el-murakabe), pavarësisht se është vetëm apo në shoqëri, si dhe duhet t’i  mbështetet Allahut për çdo gjë.  

Ai duhet t’i trajtojë me butësi nxënësit e tij, t’iu urojë  mirëseardhjen dhe të jetë bamirës ndaj tyre. Pejgamberi [alejhi’s  selam] ka thënë: 

Vërtet, njerëzit do t’iu pasojnë. Do të vinë tek ju burra nga të  gjitha anët e botës për të mësuar fenë, andaj silluni mirë me ta kur  t’iu vijnë.” [Transmeton Tirmidhiu, ndërsa Albani e ka klasifikuar  si të dobët (shën. i përkth.)] 

Mësuesi duhet t’i këshillojë studentët dhe nuk duhet ta kursejë  ndihmën e tij për t’iu përgjigjur pyetjeve që i preokupojnë ata. Ai  duhet të jetë vigjilent për t’ua përfituar zemrat atyre dhe për t’i  nxitur ata për mësim. Ai duhet t’i nxisë ata duke u përkujtuar atyre vlerën e mësimit, vlerën e përkushtimit ndaj Kur’anit dhe  shkencave të tjera fetare, si dhe duke ua përkujtuar se një rrugë e  tillë është trasuar nga robërit e sinqertë të Allahut, pejgamberët dhe  të dërguarit e Allahut [alejhimus selam]. 

Mësuesi duhet të kujdeset për nxënësin ashtu siç kujdeset për birin  e vet apo edhe për veten e tij. Ai duhet të ketë durim ndonjëherë  për mungesën e edukatës nga ana e nxënësit, ngase nuk ka njeri pa  të meta. Ai duhet të dojë për nxënësin atë që do për vete, sikurse që  duhet ta urrejë për të atë që urren për veten e tij.

Nuk është mirë që  mësuesi të tregohet mendjemadh ndaj nxënësve, përkundrazi, ai  duhet të jetë i butë dhe modest me ta. Nëse për modestinë janë  thënë fjalë aq të mira, madje edhe kur ajo shfaqet në raport me  njerëzit e rëndomtë, atëherë ç’mund të thuhet për të kur ajo shfaqet  në raport me këta njerëz të veçantë, me studentët, me ata që janë  përcaktuar për t’i shërbyer Kur’anit?! Pejgamberi [alejhis selam]  ka thënë: “Bëhuni të butë ndaj atyre që i mësoni dhe ndaj atyre  prej të cilëve mësoni…!” [Albani me tekst të përafërm, e vlerëson  hadithin si të dobët (shën. i përkth.)] 

Më pas, Imam Neveviu, i qaset një çështjeje tjetër të rëndësishme  që ka të bëjë me arsimin, e që është: gradualiteti në mësim dhe  mbamendje (nxënie përmendsh), duke thënë: 

Familjarizimi me studentin. Studenti duhet edukuar në mënyrë  graduale në mënyrë që ai të përvetësojë tipare të pëlqyera të  moralit. Mësuesi duhet ta dresojë atë edhe për çështjet e fshehta, ta  kontrollojë edhe për gjërat e imëta, ta nxisë me fjalë dhe vepra për  sinqeritet, korrektësi, qëllime të mira, ndjenjën e të qenit përherë  nën vëzhgimin e Allahut, pasi vetëm kështu atij mund t’i hapen  dyert e dijes, mund t’i zgjerohet gjoksi, mund t’i shpërthejnë nga  zemra urtësitë dhe të ketë bereqet në fjalët dhe veprat e tij…

Gjërave që mësuesi duhet t’iu kushtojë kujdes gjatë mësimit janë:

  •  Të mos luajë me duart e tij 
  •  Të mos shikojë vërdallë nevojë e pa nevojë, 
  •  Të jetë me abdes dhe i kthyer në drejtim të kibles,
  •  Të ulet me qëndrim prej muslimani, 
  •  T’i ketë rrobat e bardha dhe të pastra 
  •  Të ulet këmbëkryq apo si të dojë, ngase Abdullah Ibni  Mes’udi ligjëronte duke qenë në gjunjë. 

Hapësira duhet të jetë e mjaftueshme që t’i zërë të gjithë, ngase në  një hadith të Muhammedit [alejhis selam] thuhet: “Mexhliset më të  mira janë ato më të gjerat…”

Mësuesi duhet t’ua tërheqë ashpër vërejtjen nxënësve që të mos e  marrin Kur’anin për qëllime përfitimi të kësaj bote. Pejgamberi  [alejhis selam] ka thënë: Lexojeni Kur’anin dhe mos hani prej tij…” [Hadithin e  transmetojnë Imam Ahmedi dhe të tjerë, ndërsa Albani konsideron  se hadithi është autentik (shën. i përkth.)]

Në fakt është një çështje e diskutueshme tek dijetarët nëse lejohet  apo jo pagesa për mësimin e Kur’anit. Një grup, përfshirë Ebu  Sulejman Hitabiun, Zuhriun dhe Ebu Hanifen, e kanë ndaluar një  gjë të tillë, ndërsa të tjerë, si Hasan Basriu, Ibni Sirini, kanë thënë  se lejohet, por me kusht që pagesa të mos kushtëzohet qysh më  parë. Por ka edhe të tillë, si Atau, Maliku, Shafiu dhe të tjerë që e lejojnë edhe kushtëzimin, por që kërkojnë që puna të kryhet mirë. 

Doc.Dr.Hfz. Hajredin Hoxha

EDUKATA E MËSUESIT DHE STUDIUESIT TË  KUR’ANIT – Vështrim edukativo-islam mbi librin e Imam Neveviut “Et-Tibjan fi Adabi Hamleti’l Kur’an”