Lidershipi i Jusufit a.s. në fushën financiare

 

Prej shembujve të rrallë dhe të suksesshëm në menaxhimin e parasë publike dhe në ekonomi në përgjithësi është shembulli i Jusufit a.s në Kur’an nga i cili dua të shkëpus disa segmente impresionuese:

  • Sinqeriteti dhe korrektësia në jetën private dhe publike me shokët dhe shërbëtorin e mbretit në burg, aq sa fitoi titullin e nderit ‘i drejti.’ Këtë na e mëson Kur’ani. Allahu xh.sh. thotë:

“(Shërbëtori) I tha: “O Jusuf, o njeri i drejtë! Na shpjego (ëndrrën) për shtatë lopë të majme, të cilat hahen prej shtatë lopëve të dobëta dhe për shtatë kallinj të gjelbër e shtatë tjerë të tharë, që të kthehem te njerëzit e ta dinë edhe ata”.[ Jusuf: 46]

  • Përkujdesja për namin dhe reputacionin. Këtë mund ta mësojmë nga kërkesa e Jusufit a.s. shtruar mbretit që emri i tij të largohet nga akuzat që ishin përhapur për të dhe shkaku i të cilave qe burgosur. Kjo që njerëzit ta dinin se ai nuk ishte i padrejtë dhe që nuk kishte bërë marrëzira çfarë i mvisheshin. Këtë na e shpjegon ajeti në vijim:

Mbreti tha: “Sillmani atë!” Kur (Jusufit) i erdhi i dërguari, ai i tha: “Kthehu te mbreti yt dhe pyete: Ç’patën ato gra që prenë duart e veta?” Me të vërtetë, Zoti im i di dredhitë e tyre”![Jusuf: 50]

Imam Zemahsheriu duke interpretuar këtë ajet, shpalos një mësim me rëndësi sa i përket ruajtjes së personalitetit, me ç’rast  thotë: Mbrojtja e vetes nga akuzat e pabaza është obligim, siç është obligim për myslimanin dhe shmangia nga situatat kritike ku mund të përfshihesh pa dashje [1].

  • Menaxhimi i mirë i punëve shtetërore[2], respektivisht planifikimi i suksesshëm i përballjes me krizën agrare, të grurit, thatësinë dhe krizat tjera të mundshme ekonomike tek banorët e Egjiptit. Elementet e suksesshme të këtij planifikimi dhe kësaj strategjie të matur burojnë nga kërkesat që Jusufi a.s. ua shtroi banorëve të Egjiptit:
  • Mbjellja e vazhdueshme e grurit për shtatë vjetë,
  • Deponimi i grurit dhe ruajtja e tij në kallinj nga frika e prishjes (në rast lagështire apo prekja nga krimbat),
  • Shfrytëzimi i dyfishtë i grurit, respektivisht i kokrrave të grurit për ushqim (për njerëzit) dhe e kashtës (për kafshë),
  • Shfrytëzimi racional i grurit dhe ruajtja e tij për mbjellje në vitin pasues,
  • Mbajtja gjallë e moralit njerëzor duke u dhënë shpresë bujqërve për përfundimin e shpejtë të viteve të thatësisë dhe të ardhjes së shpejtë të kohës së begatisë.

Kjo strategji e rëndësishme nuk është vetëm materiale por dhe morale. Pra, krahas hapave të ndërmarrë për ruajtjen e grurit, Jusufi a.s. inkurajon dhe motivon shpirtërisht popullin në tejkalimin e krizës. Këta elementë të lidershipit të suksesshëm ekonomik dhe agrar tek Jusufi a.s. i mësojmë nga ajetet në vazhdim:

“(Jusufi) tha: “Do të mbillni shtatë vjet rresht. Prodhimin që do të korrni lëreni në kallinj, përveç një pakice që do t’ju shërbejë për të ngrënë, 48. sepse pastaj do të vijnë shtatë vite të thata, të cilat do t’i harxhojnë ato që i keni ruajtur, përveç një pakice që mund të kurseni. 49. Pastaj, pas këtyre do të vijë një vit plot shi për njerëzit, vit në të cilin ata do të shtrydhin (rrush, etj.).” [Jusuf: 47-49]

  • Për tu siguruar se plani do të zbatohet në përpikmëri, atë nuk ia besoi askujt. Kështu që vet e mori përsipër zbatimin e tij.

Mesazhi që nxjerrim është fakti se në fenë Islame, nëse dikush e sheh veten të aftë për të marrë një detyrë a një rol të rëndësishëm në shoqëri, nuk ka asgjë të keqe, le ta kërkojë! Posti dhe përgjegjësia nuk konsiderohen ndalesa fetare, përkundrazi, janë pasqyrë e një administrate të suksesshme që krijohet nga një lider i aftë! Për të kuptuar më mirë këtë gjë, t’i referohemi ajetit në vazhdim ku Allahu xh.sh. thotë:

“(Jusufi) i tha: “Më cakto përgjegjës të depove të vendit, sepse unë jam ruajtës dhe njohës (i mirë i këtyre punëve)”.” [ Jusuf: 55] 

Imam Kasimiu duke e shpjeguar këtë ajet thotë:

Jusufi a.s. i tha mbretit ta caktonte mbikëqyrës të depove të tokës, pra të të gjitha të lashtave, për shkak të viteve të thata që po prisnin për të cilat ishte paralajmëruar, në mënyrë që të vepronte drejtë dhe mençur (t’i shpëtonte). Pastaj ia bëri me dije se (e kërkonte këtë gjë meqë) ishte kompetent, tha: unë jam ruajtës dhe njohës; e ruaj atë që doni ta ruani (depononi) dhe di hollësisht se si ta trajtoj (shfrytëzoj, ndaj, destinoj).

Zemahsheriu ka thënë: Jusufi a.s. përmendi dy tipare të cilat mbretërit i kërkojnë nga nëpunësit e tyre: besnikërinë dhe aftësinë. Jusufi a.s. e bëri këtë kërkesë që nëpërmjet kësaj pozite të arrijë tek zbatimi i ligjeve të Allahut xh.sh, ta jetësojë të vërtetën, të vendosë rendin dhe drejtësinë, të arrijë temkinin për hir të të cilit pejgamberët dërgohen tek popujt. Këtë e bëri edhe për arsye se ishte i bindur që askush nuk mund ta kryente atë detyrë më mirë se ai. Kështu, e kërkoi postin për hir të kënaqësisë së Allahut, jo për qëllime të tjera (famë, prestigj a përfitim material).

Nëse pyet: si lejohet që të marrë një detyrë nga një jobesimtar, t’i raportojë dhe të jetë nën urdhrat e tij (ndërsa ai ishte pejgamber), të them: Muxhahidi transmeton se mbreti e kishte pranuar Islamin. Katade thotë se ky shembull shërben si argument se njeriu (i ndershëm) lejohet të marë një detyrë nga sundimtari i padrejtë.

Të parët tanë, selefi, angazhoheshin në detyrën e gjyqësorit nga prijës dhe sundimtarë tiranë e despotë. E, nëse një pejgamber ose dijetar, e di (bindet) se nuk ka rrugë tjetër për të gjykuar sipas ligjit të Zotit dhe për ta larguar padrejtësinë pos përmes temkinit të mbretit jobesimtar e moralprishur, atëherë kjo lejohet. Ky ajet shërben si argument për:

  • lejimin e kërkimit të postit të gjykatësit ose posteve tjera përderisa njeriu beson se është i duhuri;
  • për lejimin e marrjes së një detyre nga një prijës jobesimtar apo tiran;
  • për lavdërimin e vetvetes për interesa të përgjithshme.
  • për faktin se ai që merr përsipër një detyrë, duhet të jetë kompetent dhe elokuent…[3]
  • Përgjegjësia individuale në realizimin e planeve, dëgjimi i kërkesave dhe halleve të njerëzve për tu bindur se realizimi i tyre do të ndodhë pa ndonjë vonesë a pengesë, si dhe konfidenca me nevojtarët për kërkesat e tyre, si tek rasti i vëllezërve të Jusufit a.s. (kur shkuan te Jusufi a.s. për të kërkuar furnizim , ushqim) shënohet si vijon nga Allahu xh.sh:

“Dhe erdhën vëllezërit e Jusufit e hynë tek ai. Ai i njohu, por ata nuk e njohën.” [ Jusuf: 58]

Çështje dhe norma që kanë të bëjnë me lidershipin jusufian

Imam Kurtubiu që konsiderohet si kryeekspert në komentimin e Kur’anit, e sidomos ajeteve legjislative rreth dispozitave islame(çka është hallall dhe çka është haram), ka një shpjegim të hatashëm lidhur me këtë çështje. Këtë enigmë, nëse guxojmë ta quajmë kështu kërkesën e Jusufit a.s. për marrjen e postit administrativ (gjithnjë duke e krahasuar me tekstet apo hadithet që e ndalojnë një gjë të tillë), ai arrinë ta zgjidhë në mënyrë perfekte! Pas krahasimeve ndërmjet ajetit të lartpërmendur (Jusuf: 58) dhe haditheve të Pejgamberit Muhammed a.s. ai vjen në konkludim se ndërmjet tyre nuk ka kundërthënie dhe se lejohet kërkimi i një pozite, nëse personi në fjalë plotëson kushtet, kriteret e kërkuara. Ja çfarë thotë Imam Kurtubiu:

Në këtë ajet trajtohen katër mesele:

E para:…

E dyta: Disa dijetarë kanë thënë: Në këtë ajet ka dëshmi për lejimin e angazhimit të njeriut të ndershëm nga njeriu i pandershëm dhe nga prijësi jobesimtar, me kusht që ta dijë se ajo që i delegohet nuk paraqet kundërshtim për të (dhe bindjet e tij), kështu që ai mundohet ta reformojë dhe rregullojë atë sa të ketë mundësi. Ndryshe, nëse angazhimi i tij është sipas përzgjedhjes së prijësit keqbërës, epsheve dhe tekave (shthurjes) të tij, atëherë nuk lejohet…

E treta: Në ajet ka dëshmi për lejimin e kërkimit të një detyre nëse njeriu e sheh veten kompetent dhe të aftë. Nëse thuhet: Po në Sahihun e Muslimit në hadithin e përcjellë nga AbdurRahman bin Semure qëndron se Pejgamberi a.s. i ka thënë atij: “O Abdur-rahman, mos e kërko imaretin (pushtet, autoritet) sepse nëse të jepet sipas kërkesës sate, të ngarkohet (mbetesh pa ndihmën e Allahut xh.sh.), ndërsa nëse të ngarkohet (nga autoritetet pa e kërkuar atë) atëherë do të ndihmohesh (nga Allahu) për të (kryerjen e saj me përgjegjësi).” Përgjigja ime për këtë është kjo:

  • Jusufi a.s. e kërkoi këtë pozitë me bindjen se askush më mirë se ai nuk mund të ndante drejtësi, të bënte dallimet e duhura dhe të ndihmonte fukaratë. Pra e shihte si farz ajn – detyrim të prerë. Kjo qëndron kështu edhe sot e kësaj dite. Nëse dikush e di se mund të ndajë drejtësinë dhe të gjykojë më mirë se të tjerët, apo të urdhërojë për të mirë dhe të ndalojë nga e keqja, gjëra këto që askush pos tij nuk mund t’i kryejë, atëherë ai e ka detyrim të prerë që ta kërkojë dhe ta ushtrojë atë detyrë, post, me ç’rast (duke ndjekur praktikën e Jusufit a.s.) ai prezanton dhe aftësitë e veta.
  • Në rast se ekziston dikush tjetër pos tij që mund të kryejë të njejtën detyrë (dhe ai e di këtë), më mirë është të mos e kërkojë fare, gjithnjë sipas porosisë së Pejgamberit Muhammed a.s. për Abdur-rahmanin: “Mos e kërko imaretin!…” Këtë duhet bërë edhe për ta edukuar nefsin sepse kërkimi dhe ambicia për një post (vështirësitë dhe problemet e të cilit dihen, sikur që dihet se nuk mund t’i shpëtohet lehtë, pa u njollosur nga padrejtësia etj.), është dëshmi se e bën për interesa dhe përfitime personale (pra nuk është kauzë por përfitim dhe interes).
  • Jusufi a.s. nuk ka thënë se kishte prejardhje fisniku dhe as që ishte i pashëm dhe kishte fizik tërheqës, por tha: unë jam ruajtës dhe i ditur. Pra, e kërkoi detyrën, postin, për shkak të besnikërisë dhe të dijes-kualifikime dhe tipare speciale për lidership-, jo për shkak të prejardhjes dhe pamjes.
  • Shpalosjen e këtyre tipareve e bëri para atyre që nuk e njihnin, pra për ta prezantuar veten dhe për këtë arsye kjo nuk klasifikohet si kuptim që përfshihet në ajetin:

“…Prandaj, mos u lavdëroni me pafajësinë tuaj! Ai i njeh më së miri ata që ruhen nga gjynahet.” [Nexhm: 32], dhe së fundit, Allahu e di më së miri![4]

Shenjat më të theksuara të lidershipit jusufian

  • Ruajtja
  • Sinqeriteti në fjalë dhe vepra
  • Pastrimi dhe dëlirja e biografisë dhe reputacionit
  • Menaxhimi i suksesshëm i punëve shtetërore
  • Mbikëqyrja personale e punëve gjatë ekzekutimit të tyre
  • Kërkesa drejtuar mbretit për ta ushtruar pozitën që ka të bëjë me ekonominë
  • Ajeti dëshmon lejimin e angazhimit të njeriut të ndershëm nga njeriu i pandershëm
  • Ajeti dëshmon lejimin e kërkimit të një pozite për të cilën je i kualifikuar
  • Dija

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

LIDERSHIPI I SUKSESSHËM (sipas vizionit kur’anor dhe studimeve bashkëkohore)


[1] Shih: Zemahsheriu, El-keshshaf, 1/521-522.

[2] Shih edhe: Ebu Hajjan, Tefsiru el-bahri el-muhit, 24/55.

[3] Shih: Tefsiru el-Kaisimi, 6/191.

[4] Shih: Tefsiru el-Kurtubij, 9/186.

 

 

Related Stories

Na ndiqni në Youtube

spot_img

Tema të tjera

قضايا دينية، اجتماعية، سياسية معاصرة في ميزان القرآن: قراءة...

قضااي دينية اجتماعية سياسية معاصرة يف ميزان القرآن قراءة حتليلية يف تفسري األستاذ سيد قطب ورقة...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح القاضي مع الأستاذ إغناز غولد:...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث: التجربة الكوسوفية...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث التجربةالكوسوفيةمع الصربنموذج ورقة علمية قدمت في املؤتمر العاملي بعنوان: "...

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام ورقة علمية معدة للندوة العلمية يف امللتقى...

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية د/خيرالدين خوجة(الكوسوفي)

دراسات لأسلوب القرآن الكريم

سلسلة عرض وتقديم أعلام الدراسات القرآنية (3) دراسات لأسلوب القرآن الكريم للشيخ الأستاذ الدكتور محمد عبد الخالق...

Kategoritë më të popullarizuara

Comments