Mesatarja në traditën profetike

0
277
Great mosque of Hassan 2 at sunset in Casablanca, Morocco. Beautiful Arches of the Arab mosque in the sunset, sunlight rays

Shprehjet e Muhammedit, alejhi’s selam, dhe dijetarëve nga gjeneratat e para për nevojën për t’iu përmbajtur këtij parimi, pra mesatares, janë të shumta e të ndryshme. Gjatë hulumtimit tonë që u bëmë teksteve profetike, pamë se në mesin e shumë shprehjeve me të cilat shprehet një parim i tillë, janë edhe këto:

“Kërkoni me veprat tuaja të drejtën (dhe përmbyllni ato me të mira si) dhe gjejeni mesataren (në të gjitha çështjet, e ikni nga ekstremizmi)”[1],

“Askush nuk do të mundohet ta sfidojë këtë fe (të ngarkojë veten prej kësaj feje me atë që nuk mundet) e që nuk do të dështojë”,[2]

“Unë agjëroj, po edhe ka ditë që pushoj e nuk agjëroj”.[3].

Ndërsa prej shprehjeve të dijetarëve të gjeneratës sonë të parë, do të veçonim:

“Nuk ka tejkalim kufijsh (të normales) por as lëshime”;

“Mesatari në adhurim”;

“Largimi i së keqes nga ky ymet”, etj.

Muhamedi, alejhi’s selam, sikur që përmendi të mirat nëse i përmbahemi këtij parimi, ai po ashtu paralajmëroi edhe rreziqet e ekstremizmit, radikalizmit dhe përfundimin-rezultatin e keq të tyre. Prej këtyre, do të përmendim:

  • Shkatërrimi i ekstremistëve. Muhammedi, alejhi’s selam, ka thënë tri herë:

“Janë shkatërruar ata që në fjalët dhe veprat e tyre kalojnë kufijtë e normales”.

  • Rreziku nga monotonia në adhurim. Buhariu transmeton në Sahihun e tij tregimin e Zejnebes, se ajo kishte lidhur një litar në xhami në mes dy shtyllave. Kur hyri Muhamedi, alejhi’s selam, dhe e pa, tha: “Ç’është ky litar? Është litari i Zejnebes. Kur kotet, ajo mbahet për këtë litar që të mos flejë dhe të vazhdojë adhurimin-sqaruan ata që ishin në xhami. Jo, kjo është gabim, zgjidheni këtë litar. Faluni aq sa e ndieni veten të çlodhur dhe të pushuar e, kur t’ju flihet, pushoni-flini- tha Muhammedi, alejhi’s selam“.
  • Mesatarja edhe në çështjet personale, siç transmetohet në hadithin: ”… Sa më përket mua, pasha All-llahun, unë jam më i drojtur dhe më i devotshëm ndaj All-llahut sesa ju, por unë agjëroj dhe ha, falem dhe fle, dhe bëj jetë bashkëshortore! Kush largohet nga Syneti im, ai nuk më përket mua”.[4]
  • Mesatarja në marrëdhëniet shoqërore. Imam Bejhekiu përmend se Hasani ka thënë: “Doni me maturi dhe urreni me maturi, ngase disa njerëz tejkaluan kufijtë në dashuri e u shkatërruan, sikurse u shkatërruan të tjerët që kaluan normalen në urrejtjen e tyre. Pra, bëhu mestar – i matur edhe në dashuri, po edhe në urrejtje”.

Nga tekstet e lartpërmendura, përfundojmë se, nëse e duam shpëtimin dhe sigurinë në këtë botë dhe në botën tjetër, patjetër dhe në mënyrë të prerë duhet t’i përmbahemi parimit të mesatarisë në jetën tonë fetare, shoqërore dhe personale. Ky është urdhër i prerë dhe obligim individual (farz ajn).

Doc.Dr.Hfz. Hajredin Hoxha

DUKURIA E EKSTREMIZMIT DHE TERRORIZMIT – Terrorizmi ndërmjet aktualitetit dhe shpresës  – Shërimi i kësaj sëmundjeje


[1] Transmeton Buhariu ndërsa përkthimi i hadithit është bërë bazuar në Tuhfetu’l ahvedhijj, komentin e Sunenit të Tirmidhiut, hadithi nr.: 2067.

[2] Transmeton Buhariu. Në koment të këtij hadithi të shënuar te Sherhu suneni’n Nesaijj, hadithi nr.:4948, në mes tjerash qëndron: Në veprat tuaja ndiqeni mesataren e as mos bëni lëshime por as mos kaloni në ekstravagancë. Përkthyesi.

[3] Buhariu.

[4] Transmetim unanim.