Në rrëfimin e Musait me të vëllanë, Harunin a.s, ne kemi shembullin më të mirë në fushën e lidershipit këshillues se si zgjidhet lideri apo ndihmësi (zëvendësi) i tij dhe si jepen këshillat dhe udhëzimet.
Kur’ani rrëfimin e këtyre dy vëllezërve pejgamberë e ka trajtuar detajisht në tre kaptina A’rafë, Hûd dhe Tâha.
Rrëfimi është ky;
Musai a.s. i kishte kërkuar Allahut xh.sh. një ndihmës nga familja, përkatësisht vëllanë Harunin a.s. për ta ndihmuar në punët e fesë dhe në punët tjera. Këtë na e rrëfen Kur’ani nëpërmjet lutjes së Musait a.s:
“Më jep një ndihmës nga familja ime, Harunin, vëllanë tim! Ma rrit fuqinë nëpërmjet tij, dhe ma bëj bashkëpuntor (ortak) në punë” [Taha: 29-32]
Allahu xh.sh. iu përgjigj lutjes së tij, ia përmbushi dëshirën dhe Harunin a.s. e bëri ndihmës të tij, pra pejgamber.
Mufessirët kanë përmendur se kur Allahu xh.sh. ua plotësoi mirësinë duke i shpëtuar nga armiku dhe duke i bërë mëkëmbës në tokë, deshi t’u dhurojë (japë) dhe një mirësi tjetër – atë të shpalljes së një libri, me ligje e norma të besimit të tyre fetar. Kështu ia caktoi Musait a.s. tridhjetë netë, të cilat i plotësoi me dhjetë të tjera për tu bërë gjithsej dyzet, në mënyrë që Musai a.s. të përgatitej për premtimin e Allahut xh.sh që shpallja e Librit të ishte diçka e veçantë për popullin (e Musait a.s.) dhe të ngjallte ndjenjë dashurie e malli për të. Dhe Musai a.s. shkoi për të takuar Allahun xh.sh. Nga përkushtimi dhe respekti për popullin, porositi Harunin a.s. që të ishte pasues i tij dhe të vepronte njësoj si ai, pra të ndiqte rrugën e drejtë, atë të Zotit dhe jo rrugët e gabuara[1].
Kur’ani konfirmon këtë në kaptinën A’rafë:
“Ne i premtuam Musait se do t’i flisnim pas tridhjetë netësh, të cilat ia shtuam edhe për dhjetë të tjera, kështu që takimi me Zotin e tij u bë pas dyzet netësh. Musai i tha vëllait të vet, Harunit: “Më zëvendëso te populli im, mbaj rregull dhe mos ndiq rrugën e ngatërrestarëve!” [A’rafë: 142]
Ashtu ndodhi. Allahu xh.sh. e nderoi Musanë a.s. dhe i foli atij ashtu siç e udhëzoi madhëria e Allahut xh.sh. Këtë na e rrëfejnë dy ajetet në vazhdim:
“Pasi erdhi në kohë të caktuar te Zoti, Musai a.s. tha: “O Zoti im, shfaqu të Të shoh” Zoti tha: “Ti nuk mund të më shohësh! Por shiko në atë mal: nëse ai mbetet në vendin e vet, atëherë ti do të më shohësh Mua”. E kur Zoti i tij iu shfaq malit, e thërrmoi atë dhe e bëri pluhur- e bëri rrafsh me tokë – ndërsa Musait i ra të fikët. Kur erdhi në vete, ai tha: “I lavdëruar qofsh Ti o Zot! Kthehem tek Ti i penduar. Unë jam i pari i besimtarëve!”” [A’rafë: 143]
“Për disa të dërguar të kemi treguar më parë dhe për disa të tjerë nuk të kemi treguar. Sa për Musain, Allahu i ka folur atij drejtpërdrejtë.” [Nisa: 164]
Detaje të këtij bashkëbisedimi të Allahut xh.sh. me Musanë a.s. janë shpalosur edhe në kaptinat Kasas, Tâha dhe Nâziat. Kjo është një e vërtetë Kur’anore me peshë të madhe historike.
Ana argumentuese në rrëfim qëndron në faktin se, megjithëse Haruni a.s. ishte pejgamber, Musai a.s. e këshilloi dhe e urdhëroi si të vepronte, si të menaxhonte punët në mungesë të tij. Dhe këtë e bëri për këto arsye:
- Myslimani për myslimanin është këshillues besnik, ndërsa këshilla është obligim ndërmjet myslimanëve.
- Musai a.s. kishte përvojë me izraelitët, i njihte ata në karakter prandaj dhe porosit Harunin a.s. që të mos binte në grackën e tyre, të shmangte rrugën e keqbërësve.
Nga ana tjetër, Haruni a.s. nuk e refuzoi këshillën, përkundrazi, e pranoi me dashamirësi sepse këshillat e mira i refuzojnë vetëm shpirtrat e liq, mendjemëdhenjtë dhe fodullët me komplekse.
Musai a.s. në këshillën e vet, me pak fjalë arriti efektin maksimal në atë që konsiderohet bosht i pushtetit dhe ajkë e këshillës, sepse u përqëndrua tek dy gjëra me rëndësi:
- Mbajtja e rregullit dhe disiplinës, dhe
- Shmangia nga rruga e ngatërrestarëve dhe keqbërësve.
Shkuarja e Musait a.s. për ta takuar Allahun xh.sh. dhe kalimi i kompetencave tek i vëllai, Haruni a.s. konsiderohet autorizim i plotë për të ushtruar detyrën e liderit me të gjitha të drejtat dhe kompetencat në mungesë. Natyrshëm, ka qenë e drejtë e Harunit a.s. që të ushtronte çdo të drejtë dhe të ndërmerrte çdo hap në ruajtjen e rendit dhe të harmonisë.
Herezia e izraelitëve që shprehej me adhurim të viçit ishte rezultat i mungesës së një lideri kryesor orientues apo dhe i një zëvendësi.
Haruni a.s. ose siç po shprehemi me terma të fushës që po trajtojmë – lideri kryesor, për të mbajtur rendin dhe për të mos ndjekur rrugën e ngatërrestarëve, nuk ndërmerr asgjë, saktësisht nuk përdor forcë. Në vend të forcës ai pret kthimin e liderit, sepse sipas tij ky ishte veprimi më i mirë në atë situatë. Indiferenca e tij nuk nënkupton pajtim me izraelitët! Zoti mos e dhëntë! Haruni a.s. ishte përpjekur maksimalisht që t’i ndalonte, duke i paralajmëruar se ajo që po bënin ishte mëkat i madh, por siç dihet historikisht për hebrenjtë (ata janë popull temperament dhe nxitës konfliktesh), ata nuk e dëgjuan. Bile, shpërfillja ishte aq e madhe sa deshën dhe ta vrisnin! Kur’ani na shpalosë këtë skenë të dhimbshme mes Musait dhe Harunit a.s. dhe veprimin makabër të hebrenjëve:
“Kur Musai u kthye te populli i tij plotë zemërim e pikëllim, tha: “Shumë e keqe është ajo që bëtë pas ikjes sime! A mos deshët të shpejtonit ndëshkimin e Zotit tuaj?” Pastaj i hodhi pllakat dhe duke e kapur të vëllanë për koke, e tërhoqi drejt vetes. Haruni i tha: “O djali i nënës sime! Këta njerëz më quajtën të dobët dhe gati më mbytën! Mos më turpëro më shumë para tyre, para armiqve, dhe mos më trajto si keqbërës!”. [A’rafë: 150]
Musai a.s. ia përmendi të drejtat në mënyrë të tërthortë, që nënkuptonte mes tjerash se ai kishte dhe të drejtën që të ushtronte forcë po të ish nevoja, për të parandaluar çdo gjë të keqe. Duke konsideruar se ai nuk e kishte kryer detyrën siç duhej dhe i pakënaqur nga mënyra e reagimit të Harunit a.s, Musai a.s. kishte vendosur ta qortonte të vëllanë për veprimet e padrejta të izraelitëve dhe për kaosin e plotë të shkaktuar, që ishte tërësisht në kundërshtim me porosinë paraprake – për të bërë islah (mbajtur rregullin) në tokë.
Mufessirët e kanë trajtuar këtë ngjarje (të këtyre dy Pejgamberëve të nderuar), në mënyra të ndryshme. Ne do të përzgjedhim atë të komentatorit të njohur Reshid Rida, në Tefsiru el- Menar, ku në mes tjerash thekson:
“Kuptimi i ajetit është: O vëlla, mos u ngut për t’më qortuar ashpër sepse unë nuk jam kursyer nga asnjë lloj mundi për ta këshilluar popullin dhe për t’i ndaluar nga e keqja. Ata më nënçmuan, më shpërfillën dhe nuk iu bindën këshillave dhe urdhërave të mia.
Madje tentuan edhe të më vrisnin! Prandaj mos më poshtëro në praninë e tyre dhe mos më trajto njësoj me të padrejtët. Pra, mos i bëj armiqtë të qeshin me ne dhe mos më rreshto përkrah atyre (të padrejtëve) që adhurojnë viçin sepse unë nuk kam asgjë të përbashkët me ta!.., Kaq sa i përket vendosmërisë dhe qëndrimeve. Ky është qëndrimi unanim i dijetarëve të fesë sonë dhe të ithtarëve të Librit[2].
Ajo që do të shtonim këtu është se, në rast se lideri kryesor, zyrtarisht lë ndonjë zëvendës, atëherë ai duhet ose t’ia delegojë kompetencat e plota ose pjesërisht, varësisht nga rrethanat dhe interesi, ndërsa zëvendësi duhet të ndihet i lirë në zgjidhjen e problemeve ekzistuese. Njëherit vendimet duhet ti marrë konform unitetit, besës dhe mbështetjes nga lideri kryesor. Ndryshe, çfarë dobie do të kishte emërimi i tij si zëvendës? Nëse zëvendësi më pas gabon, lideri kryesor nuk duhet ta qortojë!
Disa mufessirë kanë parë një dozë paksa të tepruar të qortimit të Harunit a.s. nga Musai a.s sepse Haruni a.s. nuk ishte distancuar nga detyra dhe nuk e kishte shpërfillur besën e dhënë. Ai kishte bërë çmos që të ndalonte të keqen, madje duke e rrezikuar dhe jetën. Veprimet e tij qenë konform rastit dhe rrethanave.
Atij nuk i kishte shkuar ndërmend që të ngjitej në kodër dhe ta informonte Musanë a.s. se një pjesë e izraelitëve kishin qenë idhujtarë (adhurues të viçit). Ky veprim i Harunit a.s. që dëshmon pafajsinë e tij –e zëvendësit të liderit – e shtyri Musanë a.s. që të pendohej dhe të pranonte se sjellja e tij qe paksa e ashpër me të vëllanë dhe se ishte nxituar para Allahut xh.sh. kur kishte hedhur pllakat, ndaj dhe u lut për falje dhe mëshirë për veten dhe për Harunin a.s.:
“Musai u lut: “O Zot! Më fal mua dhe vëllanë tim dhe na prano në mëshirën Tënde! Ti je më i Mëshirshmi i mëshiruesve”. [ A’rafë: 151]
Reshid Rida, duke interpretuar këtë ajet, thotë: “[Më fal] për fjalët dhe veprimet e mia të ashpra në raport me Harunin! [Fale atë]për lëshimin që ka bërë në mos vërejtjen dhënë popullit nga frika e keqtrajtimit dhe vrasjes që mund t’ia bënin. [Na fut edhe neve në mëshirën Tënde] ku përfshihet çdo gjë, na mbulo me të. Kjo formë e shprehjes “na fut në mëshirën Tënde!” është më domethënëse se shprehja “na mëshiro!” Sepse [Ti je Mëshirues më i madh] thurje e lavdit për Zotin dhe shprehje shtesë e besimit në Zotin dhe në faljen e Tij.
Lutja në këtë rast qetëson më shumë Harunin a.s. sesa kërkimfalja, sikur që shuan më shumë dhe shpresën e dashakëqijve dhe të armiqve që mezi prisnin të shihnin të keqen që do të ndodhte mes dy vëllezërve. Zemahsheriu ka thënë: Musai a.s. është lutur që në një anë të kënaqë vëllanë dhe në anën tjetër të shfaq para armiqve respektin ndaj vëllait. Kërkoi falje për vete për sjelljen jo të mirë me të vëllanë dhe kërkoi falje për të vëllanë për mangësitë në kryerjen e detyrës si zëvendës. Kërkuan që të mbesin përherë nën mëshirën e Allahut, në dynja dhe në ahiret!…[3]”
Këto që i ndodhën Musait a.s; ashpërsia, zemërimi, gabimi në gjykim (në çështje jofetare) mund t’i ndodhin çdokujt, është njerëzore. Pra, shkalla e lartë e dijes (inteligjenca) nuk është garancë e pagabueshmërisë! Në këto çështje (që kanë të bëjnë me gjykime e vlerësime personale) mund të gabojnë edhe pejgamberët por në rastin e tyre ndërhynë vahji-shpallja qiellore për t’i korrektuar ata (nëse gabojnë në qështje fetare).
Pra gabojmë sepse si njerëz, nuk jemi të përsosur. Por ajo që duhet ta bëjmë si njerëz, kushdo qofshim: mbret, president, emir, komandant, drejtor, baba, bashkëshort… është t’i kthehemi rrugës së vërtetë dhe të mos të vazhdojmë në rrugën e gabuar! dhe Allahu e di më së miri!
Emërimi i Harunit a.s., në detyrën e zëvendësit të Musait a.s.
- Izraelitët u larguan nga besimi dhe adhuruan viçin
- Musai a.s., kërkoi nga Haruni a.s. ruajtjen e rendit dhe rregullit
- Kërkoi po kështu të mos ndiqte rrugën e ngatërrestarëve
- Haruni a.s. kuptoi se delegimi i kompetencave ishte bërë në tërësi
- Haruni a.s. nuk shpërfilli detyrën dhe as që u kursye nga mundi për t’i rregulluar punët
- Musai a.s. qortoi të vëllanë duke menduar se ai kishte shpërfillur porositë e tij për mbajtje të rendit dhe për mos ndjekje të hapave të keqbërësve
Rezultati:
- lidershipi musajian është dalluar për ashpërsi
Kur’ani na ofron dhe një model tjetër të lidershipit – musajian sa i përket nxitjes dhe motivimit të ushtarëve për të qëndruar të pathyeshëm përballë armikut, deri në fitore.
Musai a.s. që ishte pejgamber por njëherit dhe komandant i ushtrisë popullore, bashkëndjente me dhimbjet e njerëzve, me hallet dhe brengat e tyre, u jepte zemër dhe kurajë dhe i përgëzonte për fitore të premtuar nga Allahu xh.sh. Ushtrisë së vet i thoshte të hynte në tokën e shenjtë – Kudsi (sot Palestina e okupuar). Kur’ani na përcjellë këtë mesazh nga ky rrëfim:
“O populli im! Hyni në Tokën e shenjtë që Allahu e ka caktuar për ju dhe mos u zmbrapsni sepse atëherë do të ktheheni të humbur!” [Maide: 21]
Ajeti shpalos rëndësinë që kanë rekomandimet dhe motivacioni. Musai a.s. ua bëri të qartë fitoren e shpejtë sepse Allahu xh.sh. ua kishte premtuar tokën e shenjtë, dhe kjo do të ndodhte, padyshim.
Imam Alusi duke interpretuar këtë ajet, thotë:
[O populli im! Hyni në Tokën e shenjtë…]: thirrja (o populli im) është përsëritur (edhe këtu, si në ajetin paraprak) duke ia shtuar edhe atributin personal (populli im) për nder dhe respekt, për të shtuar kështu vlerësimin për ta dhe për t’i inkurajuar.
[…në Tokën e shenjtë…]: toka e shenjtë, siç interpretohet nga Ibn Abbasi r.a, Suddiu dhe Ibn Zejdi, është Kudsi. Ndërsa Zuxhaxhi mendon se është Damasku, Palestina dhe Jordania (e sotme). Është quajtur tokë e shenjtë për arsye se është e pastër nga shirku. Ajo tokë ka qenë vendbanimi i shumë Pejgamberëve. Apo është e shenjtë dhe sepse është e pastër nga sëmundjet. Pushtimi i saj nga tiranët nuk ia zbeh shenjtërinë. Ka edhe mendime të tjera përse është quajtur e shenjtë. Disa konsideronin që këtë vend asnjëherë nuk e godet thatësia dhe uria apo sepse është vendi ku ndodhë shenjtërimi (pastrimi nga mëkatet).
[…Allahu e ka caktuar për ju…]: jua ka caktuar apo ndarë, apo e ka shkruar në Leuhi Mahfudh se ajo tokë do të jetë vendbanimi juaj[4].
Edhe në këtë ajet shprehet nevoja për një lidership udhëzues dhe motivues për ushtrinë, për ndarjen e problemeve dhe brengave të përbashkëta, pjesëmarrjes aktive të komandantit në luftë dhe stimulimit deri në fitore. Kësaj i nënshtrohen të gjithë ata që Allahu xh.sh. i ngarkon me ndonjë përgjegjësi shoqërore.
Në kuptimin kohor, nëse këtë dispozitë e transferojmë në ditët e sotme, kjo vlenë për presidentët e shteteve, komandantët ushtarakë, prindërit karshi fëmijëve, familjet në përgjithsi, drejtorët përballë punëtorëve, profesorët kundruall studentëve, dekanët me stafin akademik e kështu me radhë. Në fund, Allahu e di më së miri!
Në përmbyllje të modelit musajian të lidershipit këshillues dhe motivues, nga rrëfimi i Musait a.s. me të vëllanë Harunin a.s. dhe popullin e tyre, do të donim të nënvizonim disa mësime bazë, si vlerë e shtuar.
Mësime të përfituara nga lidershipi i Musait a.s.
- Lideri (komanadanti) duhet të njohë moralin dhe karakterin e atyre që i udhëheqë, në mënyrë që ti ketë parasysh pritjet (pra të jetë vigjilent, syçelë, që të mos tradhëtohet).
- Këshilla nuk i jepet vetëm injorantit. Çdokush tjetër madje edhe Haruni a.s. që ishte pejgamber, pranon këshilla (për të parandaluar rrugën nga nuk shkohet, atë të keqbërësve).
- Komandanti duhet të jetë i butë dhe i mëshirshëm me ushtrinë, veçmas me bashkëatdhetarët. Ai duhet të punojë me përkushtim të plotë në interesin dhe mirëqenien e tyre. Haruni a.s. vetëm nga mëshira që pati për popullin dhe nga frika e përçarjes së mundshme, zgjodhi të mos përdorte forcën për ta shuar ngatërresën (fitnen) e adhuruesve të viçit.
- Marrja e vendimeve të prera dhe të rëndësisë së veçantë duhet të bëhet nga lideri kryesor, jo nga zëvendësi i tij.
- Pozita e nënës është e veçantë në zemrat e besimtarëve. Haruni a.s. u mundua të qetësonte Musanë a.s. duke ia kujtuar se ishin bijtë e një nëne.
Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA
LIDERSHIPI I SUKSESSHËM (sipas vizionit kur’anor dhe studimeve bashkëkohore)
[1] Shih: Tefsiru es-Sa’dij, 1/587.
[2] Shih: Tefsiru el-Menar, 9/178.
[3] Shih: Tefsiru el-Menar, 9/178.
[4] Shih: Tefsiru el-Imam el-Alusi, 6/106.