PËRHAPJA E ISLAMIT NË TOKAT SHQIPTARE

0
460
Bazat historike të fenomenit të përhapjes së islamit

Kontaktet e para të shqiptarëve me arabët datojnë që nga kohërat e lashta, madje sipas disa mendimeve, kontaktet e tilla kanë ekzistuar edhe para lindjes së Krishtit.[1] Duke marrë parasysh pozitën e lakmueshme gjeo-strategjike, lidhjet e drejtpërdrejta tregtare dhe të ndryshme me vendet arabe dhe turke për qëllime tregtie ose për përhapjen e Islamit janë vërejtur qysh herët, në periudhën paraosmane.[2]

Nëse e pranojmë këtë fakt, atëherë mund të themi se depërtimi dhe përhapja e Islamit në këto vende ka filluar së pari me tregtarët dhe vizitorët e tillë. Kur osmanlinjtë i çliruan këto vende, përhapja e Islamit fillon të intensifikohet më shumë dhe më gjallë në mesin e individëve.[3] Muslimanët shqiptarë përbënin pjesën dërmuese të banorëve të Ballkanit në krahasim me popujt e tjerë. Muslimanët banonin në katër vilajete shqiptare: Vilajeti i Kosovës, Vilajeti i Shkodrës, Vilajeti i Manastirit dhe Vilajeti i Janinës.[4]

Ekzistojnë mendime të ndryshme mbi mënyrat e përhapjes së Islamit në këto territore, posaçërisht në mes të shkrimtarëve dhe historianëve shqiptarë. Disa janë të mendimit se Islami është përhapur me forcë, dhunë e shpatë,[5] por, kjo ide krejtësisht është e pavërtetë, ngase pjesa dërmuese e historianëve janë të mendimit se Islami është përhapur në këto troje nëpërmes paqes dhe sjelljes së mirë,[6] pra me bindje dhe vullnet të lirë, me dëshirë [7] pa kurrfarë dhune ose presioni fetar,[8] dhe kjo e dhënë është plotësisht e vërtetë historikisht. Mendimit tjetër është se Islami është përhapur herë me forcë e fuqi dhe herë me paqe.[9]

Në këtë kontekst, disa historianë thonë: “Islami është përhapur me të madhe në vendet ballkanike në kohën kur është pozicionuar dhe shtrirë pushteti osman. Popujt ballkanikë kanë hyrë në Islam në mënyra të ndryshme.

Pjesa dërmuese e boshnjakëve kanë hyrë në Islam përnjëherë, duke e pranuar edhe pushtetin osman pa kurrfarë rezistence,[10] dhe në fillim të shek. XVI në tërë Bosnjën dhe Hercegovinën dominonte feja Islame,[11] për shkak se boshnjakët i takonin sektit të krishter heretik bogumil, mësimet e të cilit  sekt ishin në kundërshtim me mësimet fetare ortodokse dhe ishin më afër Islamit.

Edhe pse boshnjakët e pranuan Islamin, pra edhe pse hynë në fenë e re islame, ata nuk u bënë turq, por e ruajtën gjuhën dhe traditën e tyre”.

Pjesa dërrmuese e serbëve, malazezve, bullgarëve, maqedonasve dhe grekëve nuk e pranuan Islamin për shkak të ndikimit të madh të kishës ortodokse dhe natyrës së tyre fanatike. Prej tyre pranuan Islamin vetëm disa individë, dhe këta që e pranuan Islamin u asimiluan në rrjedhën turke brenda kohës, ngase ishin pakicë dhe kisha assesi nuk i pranonte si serbë, për shkak të konvertimit të tyre në katolicizëm dhe në Islam. Islamizimi i shqiptarëve u zhvillua shumë shpejt, gradualisht dhe në mënyrë të vazhdueshme për shkak të ndikimit të faktorëve politikë, ekonomikë, shoqëror dhe psikik, si dhe për shkak të faktorëve tjerë që do t’i theksojmë më vonë.[12]

Dhe kështu, në fillim të gjysmës së dytë të shek. XVI, gjysma e popullatës shqiptare që jetonte nëpër qytete e kishte pranuar Islamin, ndërsa në shek. XVII e pranuan edhe fshatrat shqiptare. Islami në përgjithësi nuk ka ndikuar negativisht në gjuhën, traditat dhe adetet e shqiptarëve, përkundrazi, ai madje i ka përforcuar dhe i ka ruajtur edhe më shumë ndjenjat kombëtare të shqiptarëve.[13]

Sa i përket përhapjes së Islamit në paqe, ekzistojnë fakte që kon-firmojnë një gjë të tillë, madje edhe nga armiqtë e Islamit. Një historian i njohur serb Vladislav Shkariq thotë: “Uzurpatori osmanli karakterizohej me tolerancë fetare dhe rrallë herë i detyronte njerëzit me dhunë të pranonin Islamin. Të krishterët pranonin Islamin me vullnet dhe dëshirë të lirë. Ata që e kishin pranuar Islamin me forcë ishin fëmijët e të krishterëve që shërbenin në ushtrinë osmane dhe që merreshin qysh kur ishin fëmijë!”[14]

Pra, siç shihet, Islami është përhapur me paqe dhe njerëzit konvertoheshin në grupe dhe ndiheshin të lumtur e të kënaqur nga ky veprim i tyre, ngase e shijonin besimin apo imanin pas vuajtjeve nga kisha dhe pas maltretimeve shtazarake, si dhe pas vuajtjeve që i përjetonin brenda në shpirt dhe nga nënçmimi social para pranimit të Islamit.

Kur u bindën në të vërtetën e fesë islame, u bënë të respektuar, pasi që ishin të nënçmuar, u bënë të fuqishëm, pasi që ishin të dobët, u bënë pushtetarë dhe udhëheqës, pasi që ishin robër dhe të pushtuar, u bënë të pasur, pasi që ishin të varfër, e panë dritën dhe udhëzimin hyjnor, pasi që jetonin në errësirën e trinisë dhe idhujtarisë, në errësirën e varfërisë dhe të mjerimit nga padrejtësia sociale. Pra, vuajtjet e tyre ishin të llojllojshme dhe nga më të ndryshmet!

Me plot bindje them dhe pohoj se shqiptarët e donin Islamin, ndaj edhe e pranuan atë si fe të tyren, ngase në Islam ndiheshin plotësisht të qetë dhe të shpëtuar nga ata që i dëmtonin. Falënderimi i qoftë Zotit të botëve, kurse ata që janë tiranë, s’do mend se do ta përjetojnë ashpër dënimin e Zotit!

Ata që supozojnë dhe zhurmshëm trumbetojnë se gjoja Islami është përhapur me fuqi dhe dhunë në mesin e shqiptarëve, janë ose marksistë-leninistë, ateistë ose priftërinj katolikë fanatikë që janë edukuar në qarqet e Vatikanit në Romë. E gjithë kjo fushatë çmendurake kundër muslimanëve shqiptarë ishte dhe vazhdon të jetë pjesë e projektit kryqtarë të krishterë misionarë evropian, me qëllim që të mbjellë dyshim dhe luhatje në zemrat e muslimanëve.

 

SITUATA FETARE NË TERRITORET SHQIPTARE
NË KOHËN BASHKËKOHORE

[1] Muhamed Mufaku, “Shqiptarët në botën arabe”; 7.

[2] Nexhat Ibrahimi, “Islami në Ballkan para shek. XV”; Zëri Islam, Prizren 2000; 6; Noel Malcolm, “Kosova një histori e shkurtër”; 96-119, 120-143.

[3] Ferit Duka, “Momente të kalimit në Islam të popullsisë shqiptare në shek. XV-XVI”; në: Simpoziumin Ndërkombëtar “Feja, Kultura dhe Tradita Islame ndër Shqiptarët”-Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Prishtinë 1995; Selami Pulaha, “The Albanians in Kosova in the 12th -18th centuries, : Truth on Kosova”; 33-44.

[4] Po aty, Kristaq Prifti, “Popullsia Muslimane Shqiptare në Ballkan në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX”; Në: Truth on Kosova, 153-166.

[5] Don Shan Zefi, “Islamizimi i shqiptarëve gjatë shekujve”; Drita, Prizren 2000; 57-86, 96, 102, 122, 123, 147, 148.

[6] Stavro Skendi, “Zgjimi Kombëtar Shqiptar”; 21-22.

[7] Dr. Muhamet Pirraku, “Roli i Islamit në integrimin e Shqipërisë etnikë dhe të kombit shqiptar”; në: Feja, Kultura, dhe Traditat Islame ndër Shqiptarët, 41-54-58.

[8] Dr. Ali Hadri, “Historia e Popullit Shqiptar për shkollat e mesme”; Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore, Prishtinë 1967; 76.

[9] “Historia e Popullit Shqiptar”; grup autorësh, për vitin e katërt të shkollës së mesme, vëll. 4-104; Petrika Thëngjilli, “Historia e Popullit Shqiptar”; 306-312; “Historia e Popullit Shqiptar”– vëll. 1, 342-344; Akad.Mark Krasniqi, “Aspekte mitologjikebesime e bestytni”; Rilindja, Prishtinë 1997, 70-81.

[10] Po aty, f. 70, 92.

[11] Po aty, f. 70, 92.

[12] Për shkaqe ligjore dhe juridike, por jo edhe për shkaqe fetare-kështu supozojnë disa hulumtues priftërinj shqiptarë.Shih më gjerësisht librin e Don Zef Shanit: “Islamizimi i shqiptarëve gjatë shekujve”; f.  88, 101.

[13] Skender Rizaj, “Kosova gjatë shekujve XV, XVI, XVII, administrimi, ekonomia, shoqëria dhe lëvizja popullore”; 460-461.

[14] Po aty, f. 461-462.