Alternativa islame është ilaçi i vetëm i propozuar për zhdukjen e dukurisë së ekstremizmit dhe terrorizmit

0
268
A low angle shot of a Grand Mosque in Abu Dhabi with glowing lights inside of a building during night time

Alternativa islame e përmbledhur në “Mesatarinë dhe ekuilibrin në besimin, adhurimet, marrëdhëniet, mendimet dhe çështjet tona, si dhe në largimin nga ekstremizmi, dhuna dhe agresiviteti me të gjitha format dhe mënyrat” – është bari shërues që i ofrojmë ne rinisë sonë dhe institucioneve tona.

Mesatarja në Kur’anin Fisnik

Islami është fe e cila balancën dhe ekuilibrin e kërkon në të gjitha çështjet fetare e të jetës së përditshme. Islami, sa kohë që urdhëron për adhurimin e sinqertë për Allahun, në njërën anë, ai, në anën tjetër, urdhëron që vetes sonë, fëmijëve dhe familjeve tona, shoqërisë dhe rrethit ku jetojmë, t’u kushtojmë kohë dhe rëndësi.

Po kështu, jemi të urdhëruar që edhe botën e përtejme, Ahiretin, të mos e harrojmë, ashtu sikur nuk e harrojmë fatin tonë prej kësaj bote. Allahu, po ashtu, nëpërmjet gjuhës së të dërguarit të Tij, ndaloi nga vetmia për adhurim dhe largimi nga martesa e xhihadi. Le ta shikojmë së bashku këtë ajet uranor, se si Allahu qortoi dhe ndaloi ithtarët e librit, të krishterët dhe çifutët, nga kjo dukuri fetare e dhunshme, pra nga dukuria e ekstremizmit e u tha:

“O ithtarët e librit, mos teproni në fenë tuaj dhe mos thoni tjetër gjë për All-llahun, përveç asaj që është e vërtetë. Mesihu, Isai, biri i Merjemes, ishte vetëm i dërguar i All-llahut. Ishte fjalë e Tij (bëhu) që ia drejtoi Merjemes, dhe ishte frymë (shpirt) nga Ai. Besojeni pra All-llahun dhe të dërguarin e Tij e mos thoni: “Tre” (trini). Pushoni (së thëni), se është më mirë për ju. All-llahu është vetëm një All-llah; larg qoftë që Ai të ketë fëmijë. Ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë, është vetëm e Tij. Mjafton që All-llahu është planifikues i pavarur“.[2]

Derisa çifutët në librat e tyre të shenjtë kanë fshirë pothuajse tërë aspektin shpirtëror, botës së pastajme nuk i kanë lënë vend, premtimet dhe kërcënimet i kanë përkufizuar vetëm në këtë botë, – të krishterët në Ungjill kanë bërë një ftesë të madhe për eliminimin dhe zhdukjen e vlerës së kësaj dynjaje.

Të kthehemi tek Kur’ani dhe të shohim se çka synohet me “Mesatari“? Cilat janë botëkuptimet dhe aludimet e kësaj shprehjeje?

Thotë Allahu:

“A doni ta pyetni Të dërguarin tuaj sikurse u pyet më parë Musai. Ai që e ndërron besimin me mosbesim, ai tanimë e ka humbur rrugën e drejtë“.[3]

“Thuaj: “A t’ju lajmëroj për një të keqe (të zezë) më të dëmshme (nga ajo e metë që na e shihni) si dënim nga All-llahu? (Ajo është) Mallkimi i atij që e mallkoi All-llahu, dhe hidhërimi ndaj tij, që disa prej tyre i shndërroi në majmunë e në derra, e i bëri adhurues të djallit. Të tillët janë në pozitë më të keqe dhe më të humburit prej rrugës së drejtë“.[4]

“O ju që besuat, nëse keni dalë (prej vendlindjes) për hir të luftës për rrugën Time, duke kërkuar kënaqësinë Time ndaj jush, mos e zini mik armikun Tim dhe armikun tuaj, duke shprehur ndaj tyre dashuri, kur dihet se ata mohuan të vërtetën që ju erdhi juve. Ata e dëbojnë të dërguarin dhe ju, sepse i besoni All-llahut, Zotit tuaj, e ju fshehurazi u ofroni miqësi, po Unë më së miri e di atë që keni fshehur dhe atë që keni publikuar. Ai që punon ashtu nga pala juaj, ai e ka humbur rrugën e drejtë“.[5]

Mufessirët e Kur’anit, si Imam Taberiu, Imam Kurtubiu, Imam Ibni Kethiri, e të tjerë, në komentimet e këtyre ajeteve, respektivisht të “Rrugës së drejtë“, në ajetin e parë dhe komenteve të përgjithshme në ajetet vijuese, kanë thënë: “Rruga më e qëlluar“; “humbje nga rruga e vërtetë“; “humbje e rrugës së Muhammedit, alejhi’s selam“; “dalje nga rruga e së drejtës dhe devijimi e lajthitja në rrugë të mashtrimit dhe humbjes“.

Ajo që përfitojmë nga ajetet uranore, është se ilaçi i propozuar për këtë sëmundje është “Mesataria dhe largimi nga dukuria e ekstremizmit dhe radikalizmit fetar“.

Kur’ani na fton që t’i përmbahemi këtij parimi duke na rikujtuar se ne, pikërisht në bazë të këtij parimi, u shquam si populli më i mirë i dalë në sipërfaqe të tokës. Ne si popull mesatar, popull i balancuar, me urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja, si dhe me besimin tek Allahun Një, merituam një epitet të tillë. Islami është fe e maturisë, tolerancës, dhe siç thotë Allahu: “Dhe ashtu (siç ju udhëzuam në fenë islame) Ne u bëmë juve një popull të drejtë (një mes të zgjedhur) për të qenë ju dëshmitarë (në Ditën e Gjykimit) ndaj njerëzve, dhe për të qenë i dërguari dëshmitar ndaj jush…”.[6]

Islam bën thirrje për mesatari dhe maturi edhe për shpenzime për të tjerët. Për ta ruajtur këtë parim, Islami ne nuk na lejon që pasurinë tonë ta shpenzojmë e ta harxhojmë ashtu siç të na teket neve. Thotë Allahu:

“Edhe ata që kur shpenzojnë nuk e teprojnë e as nuk janë dorështrënguar, por mbajnë mesataren e janë të matur”.[7]

Mesatarja ishte metodologji profetike, të cilën e ushtronin profetët edhe në adhurimin e tyre për Allahun. Ata jetonin në mes frikës për ndëshkim dhe shpresës për falje. Thotë Allahu:

“…Ata përpiqeshin për punë të mira, Na luteshin duke shpresuar dhe duke u frikësuar, ishin respektues ndaj Nesh”.[8]

Nëse studiojmë tekstet profetike dhe biografinë e Muhamedit, alejhi’s selam, do të shohim se ai ishte një predikues i madh i këtij programi hyjnor, madje edhe nga vetë praktika e tij reflektonte një ftesë e tillë. Ai, alejhi’s selami, hante po edhe agjëronte, martohej, e adhuronte Allahun po edhe pushonte, vizitonte fqinjët e tij, çifutë e të krishterë, kishte raporte edhe me hipokritët nga radhët e myslimanëve…

Bazuar në këto, myslimani duhet të gjejë mesataren ndërmjet konservatorëve dhe modernistëve, politikanëve myslimanë me edukatë islame dhe atyre që mohojnë tërësisht politikën me pretekst të angazhimit vetëm për edukim dhe vetëdijësim të myslimanëve, duke mos ditur asgjë për gjërat rreth tyre dhe gjërat që e kërcënojnë Islamin, mesatar ndërmjet atyre që thithin kulturën perëndimore pa asnjë kusht, dhe në mes atyre që mohojnë atë me çdo kusht, e kështu me radhë.

 

Doc.Dr.Hfz. Hajredin Hoxha

DUKURIA E EKSTREMIZMIT DHE TERRORIZMIT – Terrorizmi ndërmjet aktualitetit dhe shpresës  – Shërimi i kësaj sëmundjeje


[2] en-Nisa, 171.

[3] el-Bekare, 108.

[4] el-Maide, 60.

[5] el-Mumtehine, 1.

[6] el-Bekare, 143.

[7] el-Furkan, 67.

[8] el-Enbija, 90.