ARSYET E SHKATËRRIMIT TË SHTETIT OSMAN, SISTEMI ADMINISTRATIV DHE NDIKIMI TE SHQIPTARËT

Kjo pjesë e hulumtimit ka një rëndësi shumë të madhe, dhe siç theksuam edhe më parë, historia apo çështja e shqiptarëve ka lidhje të ngushtë me historinë e shtetit osman. Historia jonë ka vërtetuar se një numër i personaliteteve shqiptare ka ushtruar poste të larta dhe profesione të rëndësishme në shtetin osman:

Disa prej tyre kanë qenë vezirë, sadriazemë (kryeministra)[1] dhe Shejhul-Islamë në shtetin osman. Sipas studimeve dhe statistikave të disa dijetarëve të mëdhenj, gjatë pushtetit osman, afër dyzetë personalitete të njohura shqiptare kanë ushtruar detyra dhe pozita të larta në hierarkinë e shtetit osman, dhe për këtë shkak, çdo zhvillim apo ndryshim që ndodhte në shtetin osman, qoftë ai pozitiv apo negativ, reflektohej dukshëm tek shqiptarët si në aspektin politik ashtu edhe në atë ekonomik, shoqëror e fetarë.

Ndaj, nisur nga kjo, do të përqëndrohemi plotësisht në këtë pikë, me qëllim që t’i studiojmë rrethanat politike e shoqërore që mbizotëronin në atë kohë.

Aspekti tjetër dhe më i rëndësishëm në këtë hulumtim është revolta dhe kryengritja kundër shtetit osman nën udhëheqjen e disa personaliteteve fetare islame, që kishte arritur kulmin në periudhën e dobësimit dhe shkatërrimit të Perandorisë. Dobësimi i shtetit osman sa vinte e rritej dita- ditës dhe në të njëjtën kohë dobësoheshin edhe shqiptarët dhe Shqipëria.

Shtetet fqinje katolike dhe ortodokse, si p.sh. Greqia, Serbia dhe Mali i Zi, orvateshin për t’u bërë shtete të pavarura me ndihmën e shteteve fqinje si dhe dëshironin që t’i zgjeronin territoret e tyre në dëm të tokave shqiptare si nga Veriu ashtu edhe nga Jugu e Lindja. Kjo periudhë po ashtu dallohet me lëvizjet e ndryshme evropiane kundër shtetit osman, për shkak të dobësimit të tij, ndaj, nisur nga kjo ai (shteti osman) pranonte çdo marrëveshje e kontratë që kërkohej prej tij, si p.sh.: Tanzimatet dhe reformat administrative që i kishin futur brenda shtetit. Përveç situatës politike, aty ekzistonte edhe rrezik nga aspekti gjeografik, politik dhe kombëtar ndaj shqiptarëve.

Pasi e kuptuam këtë të vërtetë, vlen të thellohemi edhe pak më tepër që ta kuptojmë më mirë këtë problematikë, përkatësisht arsyet dhe faktorët që ndikuan në shndërrimin e shtetit të madh, të fortë e gjigant osman në shtet të dobët e të shkatërruar, pas një periudhe të gjatë gjashtë shekullore.

Mendoj se është e rëndësishme që të fillojmë me fjalët historianit te famshëm irakian, prof. Dr. Imaduddin Halilit, i cili në këtë kontekst thotë:

“Dobësimi nuk nënkupton rënie përfundimtare dhe tërheqje nga mejdani, dobësimi nuk vjen menjëherë ose pas një periudhe të shkurtër kohore, por ai vjen si rezultat i faktorëve të ndryshëm përgjatë shekujve. Në këtë fenomen nuk ndikon vetëm një faktor, por shumë faktorë që kanë raporte të ndërlidhura, të cilat duhet të analizohen veçmas, nëse dëshi-rohet të kuptohet e vërteta. Fenomeni i shkatërrimit të qytetërimit formo-het ngadalë dhe qetë për shkak të ndikimit të faktorëve të ndryshëm fetarë, politikë, administrativë, ekonomikë, socialë, gjeografikë dhe etikë”.[2]

Në bazë të studimeve dhe hulumtimeve të mia të burimeve të  literaturës përkatëse, faktorët e tillë mund t’i reduktojmë në pikat vijuese:

  • Sipas disa mendimeve, regresi shkencor industrial dhe ushtarak ishte faktori më i madh i dobësimit të shtetit osman.[3]
  • Sipas disa të tjerëve, krenaria dhe ndjenjat kombëtare që lindën në mesin e popujve të lashtë që jetonin në shtetin osman ishin faktorë më me ndikim, ngase e ndienin veten më superiorë se muslimanët. Kjo lëvizje kombëtare ka filluar me revolucionin grek në vitin 1821.[4]
  • Sipas një mendimi tjetër, zgjerimi ushtarak, politik e fetar rus apo lëvizja ruse fetare ortodokose-pansllaviste, ka luajtur rol goxha të madh në shkatërrimin e shtetit osman për t’i çliruar të krishterët e Ballkanit, përkatësisht të krishterët që jetonin nën ombrellën e shtetit osman.[5]
  • Përhapja e ryshfetit dhe korrupsionit te disa guvernatorë lokalë,[6] ishte po ashtu faktor që ndikoi në këtë çështje. Në periudhën e sulltanëve të fundit, morali fetar kishte rënë, nuk aplikoheshin rregullat e Sheriatit, dhe për rrjedhojë këto faktorë dukshëm ndikuan në shkatërrimin e shtetit osman, posaçërisht kur dihet se vetëm dhjetë sulltanët e parë ishin sulltanë të drejtë me plotë kuptimin e fjalës, të cilët aplikonin dhe i praktikonin ligjet e Sheriatit.[7]
  • Humbja e kontrollit të plotë për shkak të luftërave të vazhdu-eshme, zgjerimit politik e ushtarak të shtetit osman në tri kontinentet e botës, gjegjësisht në Azi, Evropë dhe Afrikë, ngase një zgjerim i tillë e kishte koston mjaft të shtrenjtë, në individë dhe mjete. Historia e shtetit osman është përplot luftëra e çlirime, përveç 28 vjetëve që kishin kaluar pa luftë, në tërë periudhën e gjatë pesëshekullore.[8]
  • Imitimi i jetës perëndimore nga ana e disa sulltanëve, si p.sh. ndërtimi i fortifikatave, jetesa luksoze dhe harxhimet e mëdha, gjithashtu dukshëm ndikuan në dobësimin e shtetit, ngase këta individë me sjelljet e tyre grykësore, e futën shtetin në borxhe të mëdha, gjersa edhe bankrotoi në kohën e Sulltan Abdul-mexhidit.[9]
  • Largimi nga obligimet fetare dhe administrative, si dhe mospërfillja e këshillave të dijetarëve dhe ulemave nga ana e disa sulltanëve konsiderohen[10] po ashtu faktorë që dukshëm ndikuan në dobësimin e shtetit osman.
  • Sipas disa dijetarëve, qysh me vdekjen e Sulltan Sulejman Kanunit të famshëm, në vitin 1566, fillon periudha e dobësimit dhe shkatërrimit të pushtetit osman.[11]
  • Sipas disa dijetarëve, shteti osman, gjatë periudhës së fundit, ngërthen idenë kombëtare dhe politikën e turqizmit, ide kjo e lansuar dhe përkrahur nga hebrenjtë e Ballkanit, që jetonin brenda shtetit osman dhe që kishin emra muslimanë. Kjo ide shpërtheu si bombë me sahat, brenda trupit të shtetit osman dhe shkaktoi ndarjen e tij në pjesë më të vogla. Muslimanët akoma sot e kësaj dite janë duke i vuajtur pasojat e një ideje të këtillë.[12]
  • Dhe në fund sipas mendimit tonë, mund të shtojmë se proklamimi zyrtar i reformave administrative dhe tanzimateve kushtetutare, konsiderohet një ndër faktorët më me ndikim që dobësuan dhe shkatërruan shtetin osman, dhe që nga fillimi i kësaj periudhe, shteti osman veçmë filloi të rrënohet.

Këto ishin ca faktorë të brendshëm dhe të jashtëm që ndikuan në dobësinë dhe shkatërrimin e Perandorisë Osmane. Të vërtetën absolute rreth kësaj tragjedie fetare dhe humane e di vetëm Zoti i Madhërishëm!

S’do mend se ligji më i rëndë dhe më i vështirë për shqiptarët ishte ai i shërbimit ushtarak të obliguar, të cilin ata e refuzonin në çdo mënyrë. Ky ligj po ashtu shoqërohej me nënligje dhe taksa për mbrojtjen e strukturës së ushtrisë së re.[13] Idetë mbi fillimin e reformave administrative lindën nga disa osmanlinj të shkolluar në shtetet evropiane.[14]

 

Koncepti i reformave në shtetin osman në sferën politike nënkuptonte formimin e pushtetit qendror, ndërsa në sferën ekonomike nënkuptonte depërtimin e industrisë në shtetin osman.[15]

Mund të thuhet se reformat e tilla politike shoqërore ndihmuan që të depërtojë mendimi evropian perëndimor në shtetin osman në përgjithësi dhe në mesin e muslimanëve në veçanti. Përveç kësaj, komploti, projektet cioniste-hebraike dhe ato të krishtera-kryqtare ishin faktorë fshumë të rëndësishëm që ndikuan në rënien e shtetit osman.

Reformat e tilla shtetërore ndikuan edhe te shqiptarët, por në aspektin negativ, ngase sipas mendimit të disa dijetarëve, reformat e tilla i dëmtuan shumë shqiptarët… P.sh. administrata civile dhe ushtarake para reformave administrative ishin pothuaj tërësisht në duart e shqiptarëve, kurse pas aplikimit të reformave, nëpunësit vinin nga pushteti qendror osman dhe nga popujt tjerë joshqiptarë.[16] Një veprim i tillë ndikoi që shqiptarët të reagojnë ashpër dhe të grinden me të huajt joshqiptarë, të cilët Porta e Lartë osmane i dërgonte në territoret shqiptare.

Nga pasojat negative për shqiptarët ishte edhe dëmtimi i madh i të drejtave të punëtorëve dhe të varfërve shqiptarë, si p.sh. anulimi i pagesës ushtarake, ngase para sjelljes së këtij ligji, shërbimi ushtarak mund të paguhej. Pastaj para këtyre ligjeve të reja, ushtria vazhdonte dhe zgjaste në bazë të luftërave, kurse pas reformave, periudha e shërbimit ushtarak ishte “prej shtatë deri në dymbëdhjetë vjet”.[17]

Më pëlqejnë mendimet dhe idetë objektive të historianit shqiptar Hysamedin Ferajt, i cili në këtë kontekst thotë: “Natyra e reformave komentohej si antishqiptare, gjë që ndikoi në lindjen, formimin dhe cytjen e idesë (së bashkimit kombëtar (H. Hoxha). Po ashtu, ata ndikuan negativisht edhe në traditat shqiptare e që kishin rëndësi dhe vlerë të madhe në rregullimin e mosmarrëveshjeve dhe konflikteve në vendin e tyre. Ata mendonin se reformat ishin sulm ndaj shqiptarëve.

Pra, siç vërehet nga kjo që u tha më sipër, tërë kjo situatë ndikoi në përforcimin e idesë së unitetit kombëtar kundër armikut të përbashkët. Ideja e unitetit kombëtar për shqiptarët ishte forma më e mirë dhe më e fuqishme për realizimin e sigurimit kombëtar dhe politik shqiptar, dhe kjo ide ngërthente në vete të gjitha fraksionet shoqërore e fetare që ekzistonin. Në bazë të kësaj ideje, sipas tyre mund të realizoheshin interesat politike të të gjitha shtresave në të gjitha sferat gjuhësore, historike, qendrore e kulturore shqiptare. Ideja e tillë krijoi bashkim politik dhe kulturor, dhe në bazë të këtij parimi lindi ideja e nacionalizmit kombëtar shqiptar.[18]

Këto ishin vetëm disa faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, të cilëve hulumtuesi u bëri një përmbledhje të shkurtër, në bazë të studimit dhe hulumtimit të historisë shqiptare, dhe këto ishin disa pasoja negative që i përjetuan shqiptarët pas rrënimit të shtetit osman. S’ka dyshim se ekzistojnë edhe faktorë tjerë, por uroj që ata t’i studiojë ndonjë hulumtues tjetër, për shkak të hapësirës së kufizuar që kam në këtë disertacion.

 

Prof. Dr. Hfz. HAJREDIN HOXHA

TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE
(SHEK 19-20)
TOKAT SHQIPTARE NGA ASPEKTI POLITIK DHE FETAR NË KOHËN BASHKËKOHORE

 


[1] Sadriazem (Sadri Azam) është personalitet që mund të krahasohet me postin e sotshëm të kryeministrit dhe ka pasur edhe disa emra të ndryshëm, si p.sh. “Sadru-Ali”, “Sahibud-Deuleti”, etj. Shih: Suhejl Shaban, “El-Mu’xhem el-Meusu’ij lil Mustalahat el-Uthmanije et-Tarihije”; Rijad, Biblioteka El-Melik Fehd-el-Vatanijje, bot. I, 2000, f. 143.

[2] Imaduddin Halil, “Haule Avamili Tedehvuril-Hadaretil-Islamijjeti”; në jurnalin shkencor “El-Texhdid”, që botohet në Universitetin Ndërkombëtar Islamik, Malajzi, viti VIII, 2000, f. 9-49.

[3] Justin McCarthy, “Death and Exile”; 5-6; Hough Poullton, “Muslim Identity and the Ballkan State”; 15.

[4] Shiko në dy titujt e mëparshëm dhe në të njëjtat faqe.

[5] Shiko në dy titujt e mëparshëm në f. 13, 14, 18.

[6] John Swire, “Albania the rise of a Kingtom”; 17; Elez Biberaj, “Albania a socialist maverick”; 13.

[7] Mehmet Maksudoglu, “Ottoman history based mainly on Ottoman sources”; 340-346.

[8] Hysamedin Feraj, “Skicë e mendimit politik shqiptar”; 68-77.

[9] Po aty, f. 95.

[10] Georges Castellan, “Histori e Ballkanit, shek. XIV-XX, 217-218”; Nexhip P. Alpan-Nesim Koci, “Shqiptarët në Perandorinë Osmane”; 22-23.

[11] Po aty, f. 176.

[12] Ky mendim ishte i mentorit dhe profesorit tim ( Allahu i Madhërishëm e mëshiroftë ) prof.dr. Muhamed Behaud-din Husejn, nga Duhuku- Kurdistani i Irakut, profesor në departamentin e studimeve kur’anore dhe të hadithit në Universitetin Ndërkombëtar Islamik në Malajzi. Zoti i Madhërishëm më nderoi kur ai u caktua anëtar i komisionit shkencor për mbrojtjen e doktoratës sime, dhe s’mund ta përshkruaj me fjalë ndihmën dhe përkrahjen e tij të madhe që ma ofroi me anë të udhëzimeve e këshillave shkencore. Unë e çmoj shumë kontributin e tij dhe lus Allahun e Madhërishëm që ta mëshirojë si dhe ta shpërblejë me shkallën më të lartë në Xhen-net, dhe mua të më bëjë si ai!

[13] Tajar Zavalani, “Histori e Shqipnisë”; 170.

[14] Skender Rizaj, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”; 51; Georges Castellan, “Histori e Ballkanit…”; 219; Mehmet Maksudoglu, “Ottoman history based mainly on Ottoman sources”; 328-329.

[15] Hysamedin Feraj, “Skicë e mendimit politik shqiptar”; 68; Skender Rizaj, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”; 95; Hough Poulltan, “Muslim identity and the Balkan state”; 15.

[16] Shih më gjerësisht Hysamedin Feraj,   “Skicë e mendimit politik Shqiptar”; 68-77.

[17] Po aty.

[18] Hysamedin Feraj, “Skicë e mendimit politik shqiptar”; 68-77; Stavro Skendi,  “Zgjimi kombëtar shqiptar”; 17-83.

Related Stories

Na ndiqni në Youtube

spot_img

Tema të tjera

Katekizëm bektashian 

  1-Nëse pyesin ç’është namazi, thuaju: Gatimi i gjërave të papjekura  طبخ الاشياء و الأطعمة الطازجة...

Mesatarja në çështjet civile dhe në marrëdhëniet shoqërore

  Imam Buhariu shënon, në Sahihun e tij, nga Enes Ibn Maliku: Pastaj erdhën tre veta...

MESATARJA, EKUILIBRI DHE MATURIA SI HAPAT MË TË DUHUR...

  Për ta luftuar dukurinë e shëmtuar të terrorizmit, të rinjve tanë dhe të gjitha...

Funksioni socio-edukativ

  1- Vargje të shumta të Kur’anit që merren me figura dinamike kanë theksuar shumë...

Funksioni psikologjik

  Kur’ani Fisnik është një libër jete dhe feje, që i drejtohet njerëzimit në perceptim...

Detyrat e lidhura me Tarikatin

  1 –Marrja e dorës së Pirit për pendesë (Kur’an, 3:98) 2- Të bërit murid nën...

Kategoritë më të popullarizuara

Comments