ARSYET QË NDIKUAN TE SHQIPTARËT PËR TË PRANUAR ISLAMIN

0
1081

Çështja e arsyeve dhe shkaqeve[1] që ndikuan dukshëm te shqiptarët për ta pranuar Islamin dhe për t’i njohur qëllimet dhe synimet e kësaj feje është shumë e vështirë të zbërthehet, ndaj, dhe për këtë shkak, këtë çështje ia lëmë Zotit të Madhërishëm, i Cili i di fshehtësitë dhe të dukshmet dhe Ai është i Vetmi që di se çka fshihet në zemrat e njerëzve.

Natyra e kësaj çështjeje është e ndërlidhur ngushtë me rrethanat shoqërore, kombëtare, politike, gjeografike dhe nacionale, pastaj duke u nisur edhe nga fakti se burimet e tilla janë të pakta e të kufizuara, jemi të detyruar që të mos japim ndonjë mendim kategorik mbi arsyet e shqiptarëve rreth kësaj çështjeje. Siç thashë edhe më sipër, të vërtetën e kësaj e din më së miri vetëm Zoti i Madhërishëm.[2]

Edhe pse kjo temë është e vështirë, hulumtuesit dhe ekspertët shqiptarë të historisë së shtetit osman dhe historisë shqiptare, janë përpjekur që gjatë studimeve të tyre të historisë njerëzore dhe qytetërimeve tjera, të përfitojnë disa rezultate mbi arsyet e konvertimit të shqiptarëve në Islam. Mendimet e tilla mund të reduktohen në pikat vijuese:

Sipas disa historianëve, ekzistonte një arsye shumë e fuqishme që i ka shtyrë shqiptarët ta pranojnë Islamin, dhe kjo arsye ishte psikike dhe shpirtërore, e cila kishte lidhje të ngushtë me historinë e luftërave fetare, heretike kryqtare që zhvilloheshin kundër Islamit në vendet ballkanike, që nga shek. X, pastaj konfrontimi i vazhdueshëm historik i mosmarrë-veshjeve në mes të kishës greke dhe asaj latine-katolike në mes shekujve XII dhe XIV, që zhvillohej për t’i dominuar dhe nënshtruar popujt e Ballkanit. Këto ngjarje dhe luftëra kishin nxitur urrejtjen e shqiptarëve dhe largimin e tyre nga kisha, dhe për rrjedhojë, kishin filluar të kërkonin rrugëdalje në fenë e re,[3] ngase vetëm në fenë islame gjenin prehje shpirtërore dhe trupore për t’i plotësuar nevojat e kësaj bote dhe të botës tjetër, dhe për këtë shkak e pranuan krahëhapur Islamin si fe natyrore të tyren.

Ndikimi i Islamit te shqiptarët ishte shumë i madh dhe padyshim që ka luajtur një rol të madh dhe aktiv në jetën e tyre, posaçërisht në çështjen e unitetit kombëtar, kulturor, politik. Islami me parimet dhe karakteristikat tolerante, humane e shoqërore, nuk ka qenë vetëm besim, por ka qenë edhe mënyrë e jetesës individuale dhe shoqërore, shembull për të tjerët dhe kulturë dinamike me karakteristika hyjnore, morale, fetare, edukative, etike, kritike, shoqërore, juridike, teknike, shkencore, filosofike…

Islami nuk ishte fe e turqve apo e arabëve, por ishte fe botë-rore dhe mesazh botëror për të gjithë njerëzit, pa dallim ngjyre, feje, race apo kombi, përfshirë këtu edhe shqiptarët. Besimi në Zotin e Madhërishëm dhe të Plotfuqishëm i ka nxitur që të largohen nga adhurimi i putave, idhujve dhe personave. Këto arsye i nxitën arabët më parë të besojnë në Zotin e Madhërishëm dhe po këto arsye ishin ato që më vonë i nxitën edhe shqiptarët ta pranojnë Islamin. Parimet e tilla të Islamit ishin më afër trurit të shqiptarëve se sa filosofia, besimet e kota dhe fetë e tjera pozitive njerëzore e të komplikuara.[4]

Sipas disa historianëve, të parët nga shqiptarët që pranuan Islamin ishin elita shqiptare (aristokracia) që kishte për qëllim të ruajë pozitën e tyre të lartë në shoqëri, dhe për të marrë pjesë në elitën ushtarake pushtetare të shtetit osman. Kishte edhe shqiptarë të tillë që kishin ambicie për të fituar pasuri dhe pushtet e pozita të larta në shtetin osman, që ishte fuqia më e madhe botërore e asaj kohe”.[5] Sipas mendimit tim, këta njerëz ishin të paktë dhe njiheshin në gishta dhe nuk mund të prezantojnë shumicën e atyre që kishin pranuar Islamin për arsye dhe shkaqe të lartëpërmendura.

Sipas disa historianëve të krishterë shqiptarë, mungesa e teologëve ortodoksë dhe katolikë ka ndikuar që të ketë zbrazëtirë shpirtërore te njerëzit që nuk ishin krejtësisht të bindur në fenë e tyre, dhe për këtë shkak janë larguar nga feja e tyre dhe e kanë pranuar Islamin.[6]

S’do mend që një konstatim i tillë është një gënjeshtër e kulluar historike, ngase Papa i Vatikanit ka qenë në lidhje të përhershme me ta dhe gjithnjë u ka ndihmuar në aspektin material dhe shpirtëror, dhe në asnjë mënyrë nuk është distancuar prej tyre deri në ditët e sotshme.

Një ndër shkaqet që ndikuan në kalimin e shqiptarëve në Islam, ishte edhe shkaku i natyrës së hapur e tolerante të fesë islame, gjë që nuk gjendej në fenë ortodokse. Islami është fe e lehtë dhe e thjeshtë për ta vënë në praktikën ditore dhe fëmijët e elitës së rëndomtë shqiptare mësonin falas nëpër shkolla. Falë Islamit, populli kishte mundësi të lëvizë prej një shtrese drejt një tjetreje më të mirë, e jo ashtu siç ishte situata në Evropë dhe në sistemin feudal serb.[7]

Pra, Islami u jepte vlerë të madhe njerëzve, u siguronte jetë më të mirë shoqërore në çdo aspekt dhe u siguronte begati si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër. Sa i përket mënyrës dhe metodës së depërtimit të shqiptarëve në Islam dhe ceremonive që zhvilloheshin kur ndokush pranonte Islamin, historianët thonë se transferimi prej fesë së krishterë në Islam bëhej me ceremoni. Ndonjëherë bëhej musliman i zoti i shtëpisë ose e tërë familja apo vetëm ndonjë një anëtar i familjes.

Personi që kishte vendosur ta ndërrojë fenë është dashur të sjellë edhe dëshmitarë me vete, që cilësoheshin të drejtë e muslimanë, e pastaj të gjithë shkonin te gjykatësi i Sheriatit të qytetit (kadiu) dhe para tij i deklaronte të dy dëshmitë. Personi i tillë është deklaruar haptazi para gjykatësit se nuk e ka pranuar Islamin me dhunë, por vullnetarisht ka shprehur dëshirë që të konvertohet nga krishterimi i devijuar në Islamin e drejtë. Pas kësaj deklarate, gjykatësi ia ka përsëritur dëshminë dhe dekleratën ( Shehadetin ne gjuhen arabe )

( أشهد أن لا إله إلا الله و أن محمداً رسول الله )

se “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është Pejgamber dhe i Dërguar i Zotit”– dhe pas kësaj, gjykatësi ka regjistruar emrin e tij në regjistër, dhe ia ka ndërruar emrin me një emër musliman. Në regjistër, nga ana e gjykatësit po ashtu regjistroheshin edhe emrat e dëshmitarëve.[8]

Pra, siç shihet, aty nuk kishte dhunë dhe presion, e as shpatë për t’i detyruar shqiptarët që ta pranojnë Islamin, madje vetë të konvertuarit deklaronin se nuk janë nën asnjë lloj presioni për një konvertim të tillë në fenë islame nga feja e krishterë. Sipas historianëve objektivë, kjo paraqiste nderë për shqiptarët, ngase kështu shpëtonin nga humbja dhe shkatërrimi kulturor, kombëtar e fetar që e përjetonin më parë nga kisha serbe dhe greke, për shkak të dhunës permanente që ata ushtronin për t’i bërë shqiptarët me çdo kusht të të krishterë. Islami ka pranuar shumë tradita dhe adete të trashëguara të shqiptarëve, dhe kur e pranonin Islamin, shqiptarët merrnin llagapin, “arnaut”, me qëllim që të dalloheshin nga muslimanët tjerë.[9]

Sipas historianëve, kisha dhe teologët e krishterë kanë pasur qëndrim armiqësor dhe negativ ndaj interesave kombëtare dhe patriotike të shqiptarëve. Shqiptarët katolikë që nuk e pranuan Islamin, që jetonin në veri të vendit dhe i takonin fisit të njohur “gegë”, u shkrinë në tërësi, përkatësisht u shndërruan në serbë dhe malazezë (pra, u asimiluan plotësisht) dhe vërtetë humbën çdo gjurmë shqiptare dhe u bënë serbë. Edhe shqiptarët ortodoksë “toskë” u asimiluan në fenë ortodokse fanatike greke dhe u shndërruan në grekë. Vlen të theksohet këtu, se edhe hoxhallarët dhe teologët muslimanë shqiptarë ne kohën bashkëkohore janë përpjekur me mençuri dhe urtësi që ta predikojnë Islamin ndër shqiptarët katolikë dhe ortodoksë për t’i shpëtuar nga humbja dhe asimilimi i plotë në gjak tjetër.[10]

Siç vërehet nga këto të vërteta historike nga ana e dijetarëve dhe historianëve, këto ishin rezultatet e përfituara rreth arsyeve dhe shkaqeve të kalimit të shqiptarëve nga Krishterimi ne Islam S’ka dyshim se ka edhe arsye tjera personale te vet individët që pranuan Islamin të cilat i di vetëm Zoti i Madhërishëm. Siç theksova edhe më parë, besimi dhe bindja janë çështje të fshehta që i di vetëm Zoti i Madhërishëm. Ajo që u tha deri më tash bën pjesë në çështje të supozuara, dhe sipas mendimit tim, Zoti i Madhërishëm me Urtësinë dhe Mëshirën e Tij ka dashur që t’i udhëzojë e t’i shpëtojë nga humbja, mosbesimi, idhujtaria e t’i drejtojë kah drita e Islamit dhe udhëzimi i Kur’anit, dhe në këtë kontekst, në Kur’anin Fisnik, Zoti i Madhërishëm thotë:

Atë që do Zoti e udhëzon dhe ia hapë zemrën për Islamin”.[11]

Është më se e vërtetë se Zoti ua ka hapur zemrat që ta pranojnë Islamin. Ata e pranuan Islamin, ngase vërejtën në të karakteristika dhe parime të vlefshme, si p.sh.: Universalizmi i ligjeve te sheriatit islam ( Shumulijetul Islam ) në jetë, në të gjitha aspektet, thjeshtësia në praktikë dhe në parimet moderative(Al vasatijetu ). Parimet e tilla moderative të sheriatit islam vërehen në parimet dhe principet islame që janë permanente, te pandryshuara – si p.sh. pesë shtyllat islamit, gjashtë shtyllat e besimit islam, parimet morale islame, etj,- dhe poashtu verehet aspekti moderativ i islamit në parimet që janë fleksibile dhe sekondare, që janë dinamike dhe mund të pësojnë ndryshime sipas vendit dhe kohes,  në çështjet e lehta dhe të vështira, në përmbushjen e kërkesave të shpirtit dhe trupit, të kësaj bote dhe ahiretit. Kjo fe është hyjnore, ka qëllim hyjnor dhe natyrë hyjnore.[12]

Shqiptarët që e kishin pranuar Islamin ishin të shkathtë dhe inteligjentë, dhe kur vërejtën se Islami ka për qëllim formimin dhe ruajtjen e njeriut  dhe të individit, familjes, shoqërisë, ummetit dhe shtetit të mirë, shfrytëzuan çastin dhe e pranuan pa kurrfarë hezitimi dhe luhatjeje,[13] ngase në vete ndjenin nevojë psikike dhe shpirtërore për këtë ligj hyjnor. Ata vërejtën se Islami siguronte paqe për njerëzit, u ndihmon kur hasin në vështirësi dhe përçarje, u mundëson që t’i realizojnë qëllimet e tyre, i bashkon kur kanë mendime të kundërta, gjejnë udhërrëfyes, si dhe i shpëton nga frika, i qetëson në momentet e dëshpërimit, i bën ta dallojnë të mirën nga e keqja, të dalin nga errësira në dritë me lejen e Zotit, dhe i nxjerr në rrugën e shpëtimit, rrugën e Zotit të Madhërishëm e të Plotfuqishëm.[14]

Disa hulumtues shqiptarë priftërinj, mendojnë se shqiptarët kishin pranuar Islamin sipërfaqësisht dhe jo me bindje dhe se e kishin braktisur në shumë raste pas një kohe të shkurtër, për shkak të besimit të dobët të tyre. Sipas tyre, ata e kishin pranuar Islamin edhe për arsye të interesave personale, dhe se ata janë popull që shpejt e ndryshojnë mendjen dhe fenë e tyre etj.[15]

Them se ndoshta mund të ketë diçka të vërtetë në këto trillime e gënjeshtra dhe kjo është normale  në raste konkrete individuale, por nuk ka mundësi dhe është e pamundur që të ketë dyfytyrësi dhe hipokrizi në mesin e gjithë myslimanëve shqiptarë që pranuan islamin. Po ashtu them se ky fenomen nuk ekziston vetëm te shoqëria shqiptare, por mund t’i ndodhë çdo individi në çdo shoqeri  që pranon Islamin rishtazi, dhe s’ka afër tij ndonjë udhëzues, mësues dhe përkrahës të besimit të tij.

Sahabët e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) kur e pranuan Islamin kishin shokë muslimanë që i këshillonin, i udhëzonin, i urdhëronin në të mira dhe i ndalonin nga të këqijat dhe u nënshtroheshin plotësisht rregullave të Zotit dhe Pejgamberit të Tij. Edhe pse ekzistonte një atmosferë e tillë, në mesin e tyre megjithatë, ekzistonin edhe hipokritë që janë të njohur në historinë tonë islame.

Shqiptarët muslimanë në fillim nuk gjenin shokë, e si mund të gjenin kur ata jetonin në mesin e familjeve jobesimtare ose në mesin e prindërve apo vëllezërve të krishterë?! Si të përforcohet imani i këtij të mjeri dhe si të largohet nga dyshimet?! Ne besojmë në fenë islame dhe në atë se besimi i muslimanit rritet e përforcohet në bazë të veprave të mira dhe adhurimeve, ndërsa pakësohet dhe dobësohet nga mëkatet dhe veprat e shëmtuara. Pra, nuk është për t’u habitur nëse ka disa raste gjatë historisë së shqiptarëve kur janë larguar nga Islami.

Qëllimi që potencohet nga këta hulumtues priftërinj shqiptarë, fshihet në faktin se ata dëshirojnë t’i bindin shqiptarët muslimanë se e kaluara e tyre ka qenë e krishterë, dhe sipas tyre shqiptaret muslimanë duhet të kthehen në krishterizëm ! Fatkeqësisht idetë e tilla kohëve të fundit kanë marë përmasa te mëdha në vendin tonë, kështu duke e çuar ujin në mulli të qarqeve të ndryshme kryqtare perëndimore antishqiptare, por

Zoti e plotëson dritën e Tij edhe nëse e urrejnë jobesimtarët dhe idhujtarët në çdo kohë dhe në çdo vend.

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE
(SHEK 19-20)

 


[1] Më gjerësisht mbi arsyet e konvertimit të shqiptarëve në Islam shih veprën: Abib Ahmeti, “Theranda-Prizreni ndër shekuj”; 84-90; Mark Krasniqi, “Aspekte mitologjike-besime e bestytni”; 70-81.

[2] Muhamet Pirraku, “Shkaqet e kalimit në Islam të shqiptarëve”; në revistën shkencore Përparimi, Prishtinë 1991; (viti XLV 2), 185-186.

[3] Muhamet Pirraku, “Roli i Islamit në integrimin e Shqipërisë etnike dhe të kombit shqiptar”; në: Feja, Kultura dhe Tradita Islame ndër Shqiptarët, 42, 44.

[4] Shih artikullin e historianit tonë prof.Dr. Muhamet Pirraku mbi arsyet e pranimit të Islamit nga shqiptarët, në: Muhidin Ahmeti, “Rreth përhapjes së Islamit ndër shqiptarët”; Penda, Prizren, bot. II, 25-34.

[5] Skender Rizaj, “Kosova gjatë shekujve XV, XVI, XVII, administrimi, ekonomia, shoqëria dhe lëvizja popullore”; 463; Don Shan Zefi, ”Islamizimi i shqiptarëve gjatë shekujve”; 62-63.

[6] Stavro Skendi, “Zgjimi kombëtar shqiptar”; 22-23.

[7] Skender Rizaj, “Kosova gjatë shekujve XV, XVI, XVII, administrimi, ekonomia, shoqëria dhe lëvizja popullore”; 473-474.

[8] Skender Rizaj, “Kosova gjatë shekujve XV, XVI, XVII, administrimi, ekonomia, shoqëria dhe lëvizja popullore”; 470-472. Më gjerësisht rreth kësaj çështjeje shih librin e autorit; Muhidin Ahmeti: “Rreth përhapjes së Islamit ndër shqiptarët”; Thomas W. Arnold, “Përhapja e Islamit në Shqipëri”; f., 5-24.

[9] Po aty, f. 474.

[10] Po aty, f. 475.

[11] El En’amë, 125.

[12] Më gjerësisht shiko në traktatet e martirit islam, Shehid Hasan El-Benna, “Mexhmuatu resailil Imamish-Shehijd Hasan El-Benna “; Kajro, Darut Tenzil li neshril Islami, 1992, f. 113, 155, 223, 243; Dr. Jusuf Kardavi, “El-Med’hal lidirasetis-Sunnetin-Nebevijjeti”; bot. 3, 1992; “Med’hal li Ma’rifeti Fehmil-Islam”; Kajro, Mektebetu Vehbe, bot. 3, 133-190; “El-Merxheijjetul-ulja fil-Islam lil-Kur’an ves-Sunneti-Davabit ve Mehadhijr fil-fehmi vet-tefsiri”, Kajro, MektebetuVehbe, f. 240.

[13] Po aty, f. 190-269.

[14] Dr. Jusuf El-Kardavi, “El-Merxheijjetul-ulja fil-Fslami lil-Kur’ani ves-Sunneti”; 340; Isam Tulejme, “El-Kardavi fekijhen”; Bur Se’id, Darut teuzi’i ven-neshri el-Islamijjeti ; bot. I, 2000, f. 57-87.

[15] Muhamet Pirraku, “Kultura kombëtare shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit”; 279, 283, 289; Nathalie Clayer, “Islam State and Society in post-communist Albania”, at: “Muslim Identity and the Balkan State”; 115-138.