Ummeti Islam ka kulturën, e cila e formëson personalitetin e individit dhe shoqërisë si dhe e bën atë të dallohet nga popujt e tjerë. Distancimi nga kultura dhe ligjet e veta do ta arkivonte Ummetin Islam në sirtarët e pluhurosur të historisë. Muslimanët, pa fenë dhe kulturën e tyre, janë asgjë. Ndërsa sa i përket kulturave të tjera, puna qëndron ndryshe. Përderisa janë të krijuara nga njeriu, atëherë ka mundësi që në to të ketë të mira dhe të këqija, të qëlluara dhe të gabuara. Ndodh, madje shumë shpesh, që për shkak të kësaj natyre ato të kenë kundërthënie të mëdha, pikë kjo që evidenton dobësinë dhe avarinë e këtyre kulturave. Allahu i ka qortuar ata që kërkojnë udhëzime dhe burime për ligjet e tyre tjetërkund përveç Islamit. Ai ka thënë:
“A thua mos po kërkojnë gjykimin e kohës së injorancës, po për një popull që bindshëm beson, a ka gjykim më i mirë se ai i All-llahut?“ (el-Maide, 50)
“Dhe se kjo është rruga (feja) Ime e drejtë (që e caktova për ju), pra përmbajuni kësaj, e mos ndiqni rrugë të tjera e t’ju ndajnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju, ashtu që të ruheni.“ (el-En’amë, 153)
“Është e vërtetë se ky Kur’an udhëzon për atë rrugë që është më se e vërteta, e besimtarët që bëjnë vepra të mira i përgëzon se ata pa dyshim do të kenë shpërblim të madh.“ (el-Isra, 9)
“O ithtarët e librit, përse, duke qenë se ju e dini të vërtetën e ngatërroni me gënjeshtrën dhe e fshihni realitetin?“ (Ali Imran, 71)
Nga ajetet e mësipërme kuptojmë se muslimani është i obliguar (urdhëruar) të pasojë programin hyjnor, që është i shprehur në Kur’an dhe Sunnet, në jetën e tij publike dhe private. Ajetet, po kështu, flasin edhe për vlerën e Kur’anit dhe rëndësinë e tij në udhëzimin e njerëzve në atë që është më e mira, sikurse që shpalosin të vërtetën përkitazi me Ithtarët e Librit, respektivisht idetë dhe bindjet e tyre.
Shumë dijetarë dhe mendimtarë mbrojnë mendimin se kulturat e popujve të tjerë janë subjekte me mundësi ndryshimi dhe zhvendosjeje (zëvendësimi). Kjo është një e vërtetë historike, e dëshmuar në të kaluarën dhe tanishmen. Kjo gjë ndodhi në arkipelagun melaj, gjatë sundimit të kolonialistëve portugezë dhe spanjollë. Këtë të vërtetë e kemi vërejtur edhe në shek. e XX-të në vendet që kanë vuajtur nga luftërat e brendshme dhe nga kolonizimet, siç ishte për shembull fati i BeH-së dhe Kosovës, në të cilat ndryshimi kulturor erdhi si pasojë e përhapjes së kulturës së demokracisë, ofrimit të ndihmave nga KB-ja si dhe nga shoqatat misionare, e po kështu dhe nga forcat paqësore shumetnike që veprojnë dhe operojnë (vepruan dhe operuan) në këto vende. Pas mbarimit të luftës, kemi parë dukuri degjeneruese tek muslimanët e këtyre vendeve, dukuri këto të vëna re edhe në Lindjen Arabe gjatë kolonizimit anglez dhe francez. Këto dukuri janë vënë re, po kështu, edhe pas rënies së Perandorisë Osmane, sikurse që janë vënë re edhe kohëve të fundit në Afganistan, Irak, e edhe në vendet e Pranverës Arabe. Konsideroj se ia vlen shumë të shkëpus një paragraf nga fjalët e bukura të thëna nga rahmetliu Omer Sulejman el-Eshkar, i cili në librin ‘Nahve thekafetin islamijjetin esileh’ thotë:
“Kulturat e popujve janë subjekte ndryshimi dhe zhvendosjeje. Islami e ndryshoi kulturën e arabëve paraislamikë, ndërsa të krishterët e ndryshuan kulturën e muslimanëve. Ndryshimi kulturor ka disa shkaqe, si: bindjen e një populli apo një grupi të caktuar njerëzish për të përqafuar fenë apo kulturën e një populli tjetër, ashtu siç ndodhi me arabët dhe popujt e tjerë që përqafuan Islamin; ushtrimi i ndikimit të liderëve dhe shkencëtarëve, siç ndodh në Perëndim, ku për pasojë sot, p.sh. aborti, prostitucioni, homoseksualizmi, lesbicizmi, shkurorëzimi, etj., janë të lejuara. ”
Kur’ani Famëlartë ka aluduar për këtë lloj kolonialistësh. Allahu ka thënë:
“Ajo tha: “Kur sunduesit e pushtojnë ndonjë vend, ata e rrënojnë atë e parinë më të zgjedhur të atij vendi e nënshtrojnë. Kështu ata veprojnë!”“ (en-Neml, 34)
Me të vërtetë, faraoni ka ngritur kokën lart në tokë, e popullin e saj e grupëzuar dhe një grup prej tyre e shtyp, ashtu që djemtë e tyre ua mbyt, e gratë e tyre ua lë të jetojnë. Vërtet, ai ishte prej më shkatërrimtarëve.“ (el-Kasas, 4)
Ata thanë: “O Dhulkarnejn, vërtet Jexhuxhi dhe Mexhuxhi janë duke bërë shkatërrime në tokë, a bën që ne të japim ty një kontribut (në formë tagri a tatimi), e që të bësh një pendë mes nesh dhe mes tyre?”“ (el-Kehf, 94)
Aspekti i argumentimit nga ajetet e mësipërme është konfirmimi i shkaktimit të trazirave dhe shkatërrimit si cilësi e përhershme e shkatërrimtarëve, mendjemëdhenjve dhe pushtuesve.
Sa i përket ndryshimit kulturor që Islami bëri tek popujt, ky ndryshim ishte i madh, ndërsa ato që nuk pësuan ndryshime ishin:
- Parime dhe vlera që përputheshin me Islamin
- Gjëra që feja i shihte si të lejuara, pra kishte hapësirë për to, siç mund të jenë – ta zëmë – stili i veshjes, ushqimeve, banimit e të ngjashme.
Islami, po kështu, ka ndryshuar edhe shumë bindje, ide dhe vlera të popujve paganë, si: adhurimin e idhujve, varrosjen e vajzave të gjalla, zhveshjen e grave etj. Islami miratoi disa parime dhe norma që gjendeshin në shoqërinë e mëhershme joislame, si: besimi në një Zot (arabët besonin se ekzistonte një Zot, por i përshkruanin shok), tavafi rreth Qabesë, Safaja dhe Merveja, ndërsa urtësia e kësaj, siç shpjegohet nga disa dijetarë, ka të bëjë me atë se devijimi nuk mund të jetë absolut; patjetër se popujt do të kenë diç të mirë. Por, e mira pështillet me të keqen, e vërteta maskohet me të kotën dhe, në këto raste, intervenimi me ligj hyjnor për të kthyer gjendjen në natyrshmëri, ashtu siç duhet të jetë, është domosdoshmëri. Islami nuk i ka zhveshur popujt tërësisht nga traditat me të cilat kanë qenë të familjarizuar, ngase vlerat janë të shumta, ndërsa hapësira që përfshin ‘e lejuara’ është shumë e gjerë, gjë kjo që flet për korrektësinë e Islamit, drejtësinë dhe transparencën e tij në raport me kulturat e tjera. Islami e ka ruajtur identitetin kombëtar nga humbja dhe shkrirja, sikurse që i ka ruajtur karakteristikat etnike të popujve që e kanë pranuar Islamin. Metoda e spastrimit etnik nuk është pjesë e programit islam, sikurse që nuk është as vrasja kolektive, zhveshja totale, ndryshimet topografike, në kuptimin e ndërrimit të emrave të njerëzve, vendeve dhe monumenteve historike. Islami nuk ka kërkuar t’i zhveshë popujt as nga vetitë dhe tiparet e trashëguara të tyre, siç kanë vepruar p.sh. të krishterët në Spanjë apo ortodoksët serbë në Bosnjë dhe Kosovë.
Islami nuk ka vepruar kësisoj dhe ky nuk e ka synuar kurrë këtë, me përjashtim të rasteve kur disa tradita të caktuara kenë rënë ndesh me parimet dhe principet e tij të konfirmuara nga tekstet e qarta kur’anore dhe pejgamberike.
Prof.Dr.Hfz Hajredin Hoxha: KULTURA E MUSLIMANIT BASHKËKOHOR
Bibliografia:
- Ferraxh, Ahmed dhe të tjerë. Hasaisu-th-thekafeti-l-arabijjeti ve-l-islamijjeh, f. 5-17; Kardavi, daijehJusuf. (2005) , f. 141-145.Thekafetuna bejnel infitahi vel ingilak , f. 19-22; Kardavi, Jusuf. (2010)
- Shatibi, Ebu Is’hak el-Garnati. (2004) El-muvafekat fi usuli-sh-Sheriah, f. 63-86.Kardavi, Jusuf. (1997) El-Hasais el-ammeh li-l-Islam, f. 9-54.
- Xhurejsheh, Ali. (1979) Esalibu-l-gazvi-l-fikrijj li-l-alemi-l-islamijj, f. 70-74.
- El-Eshkar, Omer Sulejman. (2001) Nahve thekafetin islamijjetin esileh, f. 33-34.
- El-Eshkar, Omer Sulejman. (2001) Nahve thekafetin islamijjetin esileh, f. 36-40; Kardavi, Jusuf.
- (2005) Thekafetuna bejnel infitahi vel ingilak, f. 19-31.