DELEGACIONI I PARË TE PEJGAMBERI [ALEJHIS SALATU VES SELAM]

0
125

 

Në kohën kur Muhammedi [alejhis salatu ves selam] dhe shokët e tij po përjetonin tmerrin në Mekë, një delegacion nga jashtë Mekës erdhi për të mësuar diç për fenë e tyre. Ishin pak më shumë se 30 burra, të krishterë nga Etiopia, të cilët erdhën me Xhaferin kur ky u kthye në Mekë. Kur u takuan me Muhammedin [alejhis salatu ves selam], dëgjuan fjalët e Kur’anit dhe panë virtytet dhe tiparet e tij, që të gjithë e pranuan Islamin. Kjo gjë nuk e gëzoi Ebu Xhehlin, kështu që shkoi tek ata dhe iu tha: ‘Nuk kam parë delegacion më mendjelehtë se ju. Populli juaj iu dërgoi të mësoni për këtë njeri, ndërsa ju me të qëndruar një herë me të, i besuat atij dhe e braktisët fenë tuaj.’ Ata iu përgjigjën: ‘Paqja qoftë mbi ju! Nuk po iu injorojmë, por ne kemi këtë në të cilën jemi dhe ju keni atë në të cilën jeni. Ne nuk e privojmë veten nga mirësia!

Mësimet, domethëniet dhe këshillat

  1. Rasti i këtij delegacioni duhet të zgjojë interesimin tonë për dy gjëra:
  2. Ardhja e tij qe në kohën kur muslimanët përjetonin tmerrin dhe dhunën e paraparë të kurejshëve ndaj tyre. Kjo rastësi, kuptohet jo e paqëllimshme, është mësim për të gjithë thirrësit se vuajtjet dhe mundimet e tyre në rrugën e lartësimit të Fjalës së Allahut nuk nënkuptojnë dështimin dhe shuarjen dhe, rrjedhimisht, ata nuk duhet të nënshtrohen, dorëzohen apo të heqin dorë nga thirrja dhe misioni i tyre. Ndëshkimi është rrugë që duhet përshkuar patjetër për të ardhur tek fitorja…
  3. Ky delegacion përbëhej nga 30 ose 40 burra të krishterë, të cilët kishin ardhur nga ana tjetër e detit, vetëm e vetëm që të njiheshin me fenë e re. Kjo, nënkupton se armiqtë e Islamit le ta bllokojnë sa të duan atë, ngase kurrë nuk do t’ia dalin që ta shkulin me rrënjë apo të privojnë të tjerët prej mirësive të saj. Ata nuk do të mund ta ndalin kurrë përhapjen dhe shtirjen e saj ankand botës. Ebu Xhehli e dinte këtë, dhe këtu qëndron sekreti pse ai i tha ato fjalë urrejtjeje dhe zilie…
  4. Çfarë besimi morën këta pjesëtarë të delegacionit? A është besimi që i nxjerr nga errësira në dritë, apo çfarë? Realisht, besimi i tyre ka qenë vazhdimësi e besimit paraprak. Sipas historianëve, ata i përmbaheshin strikt udhëzimeve të Inxhilit, i cili i urdhëronte ta pasonin pejgamberin që do të vinte pas Isait [alejhis salatu ves selam]]. Inxhili fliste dhe e përshkruante pejgamberin e ri pas Isait [alejhis salatu ves selam], kështu që nuk ka qenë e vështirë për ta pranimi i kësaj feje. Apo thënë më mirë, besimi i tyre i pastër ka paraparë besimin dhe pasimin e Pejgamberit Muhammed [alejhis salatu ves selam].
  5. Besimi i tyre nuk ka qenë kalim nga një fe në tjetrën, për shkak të favorizimit të kësaj të dytës ndaj të parës, por ka qenë vazhdimësia e besimit tek Isai [alejhis salatu ves selam]. Kjo është edhe domethënia e ajetit:

 “Dhe kur u lexohet atyre, thonë: “Ne i kemi besuar atij, ajo është e vërtetë prej Zotit tonë, ne edhe para tij kemi qenë muslimanë!” (el-Kasas: 53)

Pra, ishim muslimanë dhe besonim në këtë që po predikon Muhammedi [alejhis salatu ves selam] qysh para dërgimit të tij, ngase kjo, në fakt, është ajo në të cilën thërret edhe Inxhili.

  1. Kështu është puna me të gjithë besimtarët e sinqertë të Musait dhe Isait [alejhimas selam], ngase besimi në Teurat dhe në Inxhil nënkupton dhe thërret edhe për besimin tek Kur’ani dhe Muhammedi [alejhis salatu ves selam].
  2. Mu për këtë, Allahu e urdhëroi Muhammedin [alejhis salatu ves selam] që të ftonte çifutët dhe të krishterët në Islam duke kërkuar prej tyre që ta praktikonin vetëm atë që kishin në librat e tyre:

 “Thuaj: “O ithtarë të librit, ju nuk jeni asgjë (në fe) derisa të mos zbatoni Tevratin, Inxhilin dhe atë që ju zbriti nga Zoti i juaj. E kjo që t’u zbrit ty nga Zoti yt do të shtojë te shumica prej tyre rezistencë e mohim. Po ti mos u keqëso për popullin që nuk beson.” (el-Maide: 68)

  1. Kjo nënkupton edhe vërtetimin e asaj që e kemi potencuar shumë herë se feja e vërtetë është një, që nga Ademi [alejhis salatu ves selam] e deri tek pejgamberi i fundit, Muhammedi [alejhis salatu ves selam]. Kjo nënkupton, po kështu, se shprehja apo terminologjia (në shumës) ‘fe qiellore’ nuk ka kuptim.
  2. Është e vërtetë se ka pasur legjislacione (sheriate) qiellore të mëhershme, sikurse që është e vërtetë se çdo legjislacion është anuluar nga legjislacioni vijues, por ajo që ne synojmë këtu është të mos krijohet një paqartësi rreth termave ‘fe’ (ar. din), që nënkupton besimin dhe ‘legjislacion’ (ar. sheriat), që nënkupton dispozitat që kanë të bëjnë me dhurimet, moralin etj.

 

 

Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA

LEKSIONE METODOLOGJIKE NGA SIRE-ja (Biografia e të Dërguarit të Allahut, alejhis salatu ves selam)