Shqyrtim dhe analizë nga prof. Sejjid Kutubi mbi të vërtetat historike të da’vetit në Zot

0
149

Zbërthimi i mundësisë së parë 

Prof. Sejjid Kutubi thotë:
“Pejgamberi a.s. është dërguar me këtë fe kur pjesa më e pasur e territorit arab nuk  ishte në duart e arabëve, por në duart e të tjerëve. I tërë territori i Shamit në veri ishte në  duart e romakëve. I tërë territori i Jemenit në jug ishte nën kontrollin e persianëve, të cilët  po ashtu i kontrollonin prijësit arabë. Ai kishte mundësi të thërriste në nacionalizmin arab  për t’i bashkuar fiset arabe, që ishin lodhur nga kryengritjet e përleshjet, për ta shpëtuar  tokën arabe nga perandoritë kolonizuese. Sikur Pejgamberi a.s. të thërriste në këtë parim, të gjithë arabët do t’i përgjigjeshin ftesës së tij dhe ai nuk do të vuante vjet nga  udhëheqësit e Siujdhesës Arabe. Muhammedi a.s. do të ishte udhëheqësi i arabëve, pasi  ata t’i përgjigjeshin thirrjes së tij, por urtësia e Zotit të Madhëruar, i cili është i  Gjithëdijshëm dhe i Mençur, nuk e udhëzoi Pejgamberin a.s. në këtë drejtim, por e  udhëzoi që të luftojë me “S’ka zot tjetër përveç All-llahut!” Pse të përjetonte ai, dhe  pakica që i besoi, tërë këtë mundim? Zoti i Madhëruar nuk dëshiroi që Pejgamberi a.s.  dhe besimtarët të shkonin në atë rrugë (në rrugën e nacionalizmit arab), sepse e tërë toka  është e Zotit dhe duhet të kthehet vetëm në drejtim të Zotit. Kur të jenë drejtuar sinqerisht  nga Zoti, do të ngrihet flamuri “S’ka zot tjetër përveç All-llahut”.

Nuk ishte qëllimi që të  shpëtojë toka nga perandori romak apo persian e të përfundojë në perandorinë arabe,  sepse të gjithë djajtë janë të njëjtë. Njerëzit duhet të adhurojnë vetëm Zotin dhe ata do të  jenë besimtarë të vërtetë vetëm nëse e lartësojnë flamurin: “S’ka zot tjetër përveç All llahut!”, ashtu siç e kuptonte arabi gjuhësisht se s’ka pushtet tjetër përveç atij të Zotit, se  s’ka sheriat përveç atij të Zotit dhe se s’ka pushtet askush tjetër përveç Zotit.
Nacionaliteti i Islamit është ai i besimit, ku është i barabartë arabi, romaku, persiani  dhe të gjithë njerëzit, me të gjitha ngjyrat, nën flamurin e Zotit. Pra, kjo është rruga…!

Mundësia e dytë
Pejgamberi a.s. u dërgua me këtë fe në shoqërinë arabe, ku as pasuria e as drejtësia  nuk ndahej në mënyrë të drejtë, sepse vetëm një grup i vogël posedonte edhe pasurinë  edhe tregtinë, madje punonte me kamatë për ta shtuar pasurinë dhe për të rritur tregtinë.  Ndërsa pjesa dërmuese s’kishte gjë dhe jetonte në uri e varfëri. Ata që kishin pasurinë,  posedonin edhe autoritetin e nderin, ndërsa populli asgjë. Pejgamberi a.s. kishte mundësi  që të ngrinte flamurin social dhe t’iu shpallte luftë të pasurve. Ai kishte mundësi të  thërriste në ndryshimin e situatës, duke ua marrë pasurinë të pasurve për t’ua dhënë të  varfërve. Sikur Pejgamberi a.s. të thërriste në këtë drejtim, atëherë njerëzit do të  ndaheshin në dy grupe: shumica dërmuese do të ishte me lëvizjen e re kundër palës tjetër  dhe i tërë populli do të qëndronte përpara flamurit “s’ka zot tjetër përveç All-llahut”,  përpos një grupi të vogël.

Thuhet se sikur Pejgamberi a.s. të vepronte sipas kësaj ideje, ai  do ta përfitonte shumicën dhe pastaj do të shfrytëzonte pozitën si udhëheqës për të  përhapur besimin monoteist që ia shpalli Zoti i Madhëruar, gjegjësisht, pas nënshtrimit  ndaj tij, ata do t’i nënshtroheshin Zotit të tyre, por Zoti i Madhëruar i cili është i Lartë dhe  i Gjithëdijshëm nuk e udhëzoi në këtë mënyrë. Zoti i Madhëruar e ka ditur se kjo nuk  është mënyra më e mirë, sepse drejtësia shoqërore duhej të mbështetej në parimin e  besimit të përgjithshëm, që mbështetet tërësisht në Zotin e Madhëruar. Në këtë shoqëri do  të pranohet drejtësia që urdhërohet nga Zoti i Madhëruar dhe që përhap solidarizimin. Në  shoqërinë e tillë nuk do të ketë urrejtje dhe lakmi, e as që punët do të udhëhiqen me  shpatë e shkop, me frikë e trishtim. Kështu zemrat nuk do të prishen dhe shpirtrat nuk do të ngufaten, ashtu siç ndodh kur situatat udhëhiqen nga ndonjë parim tjetër përveç “s’ka  zot tjetër përveç All-llahut!”

Mundësia e tretë
Pejgamberi a.s. u dërgua në kohën kur niveli i moralit në Siujdhesën Arabe ishte në  shkallën më të ulët, përpos disa vlerave që ekzistonin te beduinët. Sistemi shoqëror ishte  shumë i ashpër, sistem për të cilin poeti Zuhekr ibën Ebi Selma thotë:
Kush nuk mbron nderin me armën e vet shkatërrohet dhe kush nuk i dëmton njerëzit, dëmtohet!
Kjo përputhet me thënien e njohur: “Ndihmoje vëllanë tënd, qoftë dëmtues ose i  dëmtuar!”
Alkooli dhe lojërat e fatit ishin traditat me të cilat krenohej ajo shoqëri. Edhe shtëpitë  publike të të gjitha formave ishin të përhapura në atë shoqëri, dhe këtë fenomen më së  miri e përshkruan Aisheja r.a. e cila thotë: “Kurora në periudhën e xhahilijjetit bëhej në  katër mënyra, dhe një lloj i kurorës është njësoj si kurora e njerëzve sot”.57 Pejgamberi a.s. kishte mundësi që të shpallte thirrje përmirësuese me të cilën do të  përforconte moralin, do të pastronte shoqërinë, do të kthjellonte shpirtrat dhe do të  ndryshonte parimet dhe vlerat… Ndokush mund të thotë se Pejgamberi a.s. kishte  mundësi që të bëhej i pari i grupit të njerëzve që do t’i përgjigjeshin thirrjes së tij, e pastaj t’i thërriste në besim, në vend që të ballafaqohej me rezistencën e fortë kundër thirrjes  “S’ka zot tjetër përveç All-llahut!” Por Zoti i Madhëruar, i cili është i Gjithëdijshëm dhe i  Urtë, nuk e udhëzoi në atë rrugë, sepse Ai e dinte se morali mund të mbështetet vetëm në  parimin e besimit dhe se vetëm në këtë mënyrë do të formohen vlerat, virtytet e pushteti.  Pra, vetëm kjo platformë do t’i shpërblejë të sinqertët dhe do t’i ndëshkojë kundërshtarët.  Një besim i tillë do të formojë vlera dhe do të përhapë moral, pa pasur nevojë që ndokush  t’i kontrollojë me anën e forcës, pushtetit ose dënimit!

Kur përforcohet besimi (pas një mundi të madh), forcohet edhe pushteti në bazë të  këtij besimi. Kur njerëzit ta njohin Zotin e tyre dhe kur ta adhurojnë vetëm Atë, atëherë  ata do të çlirohen nga të qenët robër, e do të largohen nga pushteti i epsheve. Kur u  përforcua “S’ka zot tjetër përveç All-llahut”, Zoti i bëri njerëzit që ta pastrojnë tokën nga  romakët e persianët, jo për të sunduar arabi, por vetëm Zoti.

Pra, toka u pastrua nga djajtë romakë, persianë e arabë, ashtu siç u pastrua nga tirania  shoqërore. Sistemi islam përhapte drejtësinë e Zotit dhe i trajtonte gjërat në bazë të  peshores së Zotit. Ai e lartësoi drejtësinë shoqërore në emër të Zotit dhe e quante atë  flamur të Islamit, pa i ngjitur ndonjë emër tjetër, përveçse fjalët: “S’ka zot tjetër përveç  All-llahut!” Kështu u spastruan shpirtrat dhe morali, u spastruan zemrat e shpirtrat, pa  dhunë e forcë, përpos në disa raste të rralla, sepse në ndjenja u mboll mbikëqyrja dhe  vetëkontrolli. Ata kërkonin pëlqimin dhe sevapin e Zotit të Madhëruar dhe frikësoheshin  nga hidhërimi dhe dënimi i Tij dhe vetëm frika e tillë ishte mburojë e sigurt nga çdo  vepër e keqe. Autoriteti i njerëzve, morali dhe sistemi u lartësuan në çdo sferë të jetës aq  lart, saqë asnjëherë më parë nuk kishin qenë në atë nivel. Kjo ndodhi sepse feja aplikohej  si shtet, si sistem, si ligj dhe si parim.

Ata e kishin ngulitur këtë fe në ndjenjat dhe në  jetën e tyre, në formën e besimit, moralit, adhurimit e sjelljes. Kur Zoti ua mësoi të  gjithëve këtë gjë, ata e merituan që të jenë bartës të këtij amaneti të madh, gjegjësisht të  amanetit se vetëm Zoti ka pushtet në zemra, në ndjenja, në sjellje, në vepra, në shpirtra,  në pasuri, në pozita dhe në situata të ndryshme. Nuk do të kishte gjë nga kjo metodë e  bukur sikur të mos fillonte ashtu siç filloi, sikur të mos ngrihej vetëm flamuri i tillë,  gjegjësisht flamuri: “S’ka zot tjetër përveç All-llahut” e asgjë tjetër. Ky da’vet  sipërfaqësisht duket i vështirë, por në brendi është i bekuar dhe i lehtë. Metoda e bekuar  nuk do të ishte për Zotin sikur të bëhej në emër të nacionalizmit, socializmit ose  moralizmit ose nëse i ngjitej edhe ndonjë simbol tjetër flamurit: “S’ka zot tjetër përveç  All-llahut!” Prof. Sejjid Kutubi (Zoti e mëshiroftë!) është zhytur thellë në shkencën e ajeteve  mekase e medinase (filozofia e periudhës mekase dhe medinase) duke i kuptuar të gjitha  aspektet intelektuale, psikike e sociale të kësaj periudhe në da’vetin në Zot, dhe këtë ai  dëshiron që t’ua sqarojë atyre që punojnë në da’vet e që përshpejtojnë në përfitimin e  rezultatit.

Ai, po ashtu, thekson edhe rëndësinë e funksionalizimit të një shkence tjetër nga  shkencat e Kur’anit, të cilën e theksova më parë, gjegjësisht ndikimin e shembujve dhe  ilustrimit në shpirtin e njerëzve. Në këtë kontekst, ai thotë:
“Natyra e kësaj feje e ka caktuar një gjë të tillë, sepse kjo fe mbështetet e tëra në  parimin hyjnor të Zotit Një. Të gjitha rregullat dhe ligjet e saj grafullojnë nga ky burim i  madh. Sikurse druri i lartë, i madh e i trashë që ka degë të shumta të gërshetuara e të  degëzuara në ajër dhe rrënjë të thella në tokë e sipërfaqe të gjerë sipas madhësisë që ka,  po ashtu, e njëjta gjë vlen edhe për këtë fe, sepse sistemi i saj mbizotëron në këtë jetë, i  kaplon të gjitha çështjet e njerëzve të mëdhenj e të vegjël, e sistemon jetën e njeriut jo  vetëm në këtë dynja, por edhe në botën e ahiretit, jo vetëm në botën e dukshme, por edhe  në botën e fshehtë, jo vetëm në marrëdhëniet e dukshme materiale, por edhe në brendi të  ndjenjave dhe në botën e fshehtësirave e qëllimeve.

Pra, kjo fe është një institucion i  gjerë, i madh, i shtrirë dhe i përhapur, dhe për këtë shkak ka nevojë për rrënjë të thella ashtu siç është e gjerë, e madhe, e thellë dhe e përhapur. Kjo është një anë e fshehtësisë  dhe natyrës së kësaj feje. Ajo përcakton metodën e formimit dhe vazhdimit, formon  ndërtimin e besimit duke e përhapur dhe ngulitur në thellësi të shpirtit. Kjo është një  nevojë e formimit të drejtë, garanci e mundësive dhe solidaritetit në mes anës së dukshme  të drurit në ajër dhe rrënjëve në thellësi të tokës.

Kur përforcohet besimi: “S’ka zot tjetër  përveç All-llahut!” në thellësi të madhe, në të njëjtën kohë përforcohet edhe sistemi i cili  ka të bëjë me “S’ka zot tjetër përveç All-llahut!” Ky është sistemi i vetëm që e pranojnë  shpirtrat, pasi që të përforcohet besimi. Shpirtrat e tillë e pranojnë këtë besim edhe para  se të vijnë detajet e sistemit dhe para ardhjes së ligjeve. Dorëzimi i plotë është rezultat i  këtij besimi. Këto shpirtra i pranojnë sistemet dhe ligjet e Islamit me pëlqim dhe  zemërgjerësi të plotë, pa refuzuar asgjë dhe tentojnë t’i aplikojnë ato me një vrull të  madh. Pra, në këtë mënyrë u kuptuan vera, kamata, lojërat e fatit dhe traditat e  xhahilijetit, përmes ndikimit të ajeteve të Kur’anit ose të haditheve të Pejgamberit a.s.

Pushtetet tokësore orvaten të bëjnë një gjë të tillë përmes ligjeve e vendimeve, pushtetet e  propagandës, por kot, sepse dështojnë në çdo aspekt dhe shoqëria vazhdon t’i praktikojë  gjërat e ndaluara dhe të këqija.” Profesor Sejjid Kutubi vazhdon të sqarojë edhe një fshehtësi nga fshehtësitë e  periudhës mekase dhe medinase, duke thënë:
“Muslimanët në Mekë nuk e kontrollonin veten e as shoqërinë. Zoti i Madhëruar në  fillim ka shpallur vetëm besim dhe moral, dhe nuk ka shpallur ligje e sisteme, të cilat formohen vetëm pas përforcimit të besimit të tillë në thellësi… Kur u formua shteti në  Medinë, filluan të shpallen ligjet dhe sistemi që përputheshin me nevojat reale të  shoqërisë islame, dhe për të cilat garantonte edhe pushteti. Zoti i Madhëruar nuk donte që  ligjet dhe sistemi të shpalleshin për t’u praktikuar në Mekë, para se të formohej shteti në Medinë, sepse kjo nuk është në natyrën e kësaj feje. Kjo fe është maksimalisht objektive  dhe nuk paramendon problematika për të paramenduar zgjidhje, por vepron sipas  realitetit dhe, në bazë të realitetit të tillë, i formon dhe sistemon ligjet, varësisht nga  natyra e problemeve.”

Zoti e mëshiroftë imamin, dijetarin dhe shejhun e njohur Muhamed ibën Salih El Uthejmin, i cili kur thekson, në tefsirin e tij të Kur’anit Fisnik, dobitë nga njohuritë rreth  ajeteve mekase dhe medinase, thotë se ka rëndësi:
Paraqitja e elokuencës së Kur’anit në formën më të përsosur, duke iu drejtuar  njerëzve ashtu siç ndihej nevoja reale.
Edukimi i thirrësve në Zotin e Madhëruar dhe udhëzimi i tyre që të përcjellin  metodën dhe mënyrën e Kur’anit ndaj njerëzve, duke filluar nga e rëndësishmja në më të  rëndësishmen e kështu me radhë, herë në mënyrë të fuqishme e herë në mënyrë të lehtë  varësisht nga nevoja.61 Zoti e mëshiroftë profesorin dhe shehidin Sejjid Kutub dhe imamin, dijetarin e  shejhun Muhamed ibën Salih El-Uthejmin dhe Zoti na furnizoftë me kuptimin e mirë të  Librit të Tij Fisnik!
Dhe kështu, falë Zotit të Madhëruar, e përfundova këtë punim shkencor dhe lus Zotin  e Madhëruar që të ma pranojë, sepse vetëm për hir të Tij e kam bërë dhe të më shpërblejë  Ditën kur asgjë nuk mund të shpaguhet me pasuri e as me lidhje, përpos me zemër të  shëndoshë.

Lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve!
Përfundimi, rezultatet më të rëndësishme dhe disa këshilla
Falënderoj Zotin që më mundësoi përgatitjen dhe përfundimin e këtij hulumtimi rreth  funksionalizimit pozitiv të shkencës së ajeteve mekase e medinase, dhe pas shfletimit,  hulumtimit e kërkimit në shumë fjalë e punime të dijetarëve të njohur, po shënoj  rezultatet më të rëndësishme të cilat arrita në përfundim të këtij studimi, për t’ia ofruar  lexuesit të respektuar: Studimi vërtetoi se ekziston një nevojë e madhe për studime të tilla rreth  funksionalizimit të shkencave të Kur’anit, dhe se ata që punojnë në shkencat e Kur’anit,  duhet ta ringjallin këtë lloj të studimeve kur’anore për funksionalizimin e tyre pozitiv.

Gjatë studimit konstatova se pjesa dërmuese e dijetarëve të vjetër e bashkëkohorë  nuk janë marrë me këtë lloj studimi për ringjalljen e funksionalizimit të shkencave të  Kur’anit, përpos disave prej tyre që e kanë theksuar këtë domosdoshmëri.
Gjatë këtij studimi kuptova se shumica e orientalistëve të vjetër dhe bashkëkohorë  kanë praktikuar funksionalizimin negativ të shkencave të Kur’anit, posaçërisht shkencën  e ajeteve mekase e medinase, për të mbjellë dyshime dhe hutime rreth Kur’anit Fisnik.

Kam arritur në rezultatin shkencor se çdo shkencë që i shërben Kur’anit Fisnik  është po ashtu mrekulli, sepse ka lidhje direkte me librin mrekullues dhe i sherben atij. 5. Studimi zbuloi se disa të rinj entuziastë të da’vetit, në të gjitha vendet, janë larg  metodologjisë kur’anore dhe udhëzimeve të sunnetit pejgamberik për sa i përket mënyrës së zbërthimit të çështjeve të besimit, intelektit e moralit në periudhën mekase dhe  medinase.
Studimi është përqendruar në çështje të rëndësishme të besimit, së pari për të  formuar një shoqëri të pastër islame nga aspekti i besimit dhe sjelljes, duke mos anuar nga çështjet sekondare, të cilat trajtohen vetëm pas formimit dhe përforcimit të besimit të  sinqertë monoteist që mbështetet në Kur’an dhe sunnet.

Ky studim shpresoj të jetë i dobishëm sepse zbulon se diapazoni i da’vetit islamik  në mbarë botën është i ngushtë dhe në mesin e thirrësve ka paqartësi dhe kaos, sepse nuk  ka harmonizim konkret në mes aktiviteteve të da’vetit që sistemohen në institucionet e  da’vetit në nivel të shtetit apo popullit që të aplikojnë metodologjinë e sistematizuar për  t’i shqyrtuar çështjet e da’vetit, mendjes dhe moralit. Pra, çdo thirrës ose hulumtues  punon në vete, dhe për këtë shkak këshilloj që të formohet një union qendror  ndërkombëtar për da’vet në Zot, sepse kështu do të përcillen aktivitetet e thirrësve në fe  dhe, në këtë mënyrë, do të sistematizohen e programohen për të ecur me prioritetet e  da’vetit në çdo periudhë kohore.

 

Prof.Dr.Hfz. Hajredin Hoxha
SHQYRTIMI ANALITIK I FUNKSIONALIZIMIT TË SHKENCAVE TË KUR’ANIT NË DA’VET (Shembull konkret – shkenca e ajeteve mekase dhe medinase)