MIGRIMI I MUHAMMEDIT [ALEJHIS SALATU VES SELAM] NË TAIF

0
393

 

Në muajin shevval[1] të vitit të dhjetë të pejgamberisë, Resulullahu doli nga Meka dhe vajti në Taif[2]. Taifi është qytet afro gjash­të-dhjetë milje larg Mekës. Këtë distancë Resulullahu e kaloi në këmbë. Së bashku me të u nis edhe robi i tij i liruar, Zejd b. El-Ha­rithi. Gjatë rrugës, Resulullahu i thërriste në Islam fiset që haste. Por asnjë fis nuk iu për­gjigj thirrjes së tij. Kur arriti në Taif, takoi tre djemtë e prijësit të fisit Thekaf. Këta ishin: Abdu Jalijel, Mes’udi dhe Hubejbi, djemtë e Amër b. Umejr Es-Thekafit.

Resulullahu u ul me ta dhe i thirri në Islam, i thirri që t’i besonin Allahut dhe t’i ndihmonin fesë së Tij. Njëri prej tyre tha: “Unë do ta shkul mbulojën e Ka’bes, po qe se me të vërtetë të ka dërguar Allahu. “I dyti tha: “A thua Allahu nuk pati tjetërkënd përveç teje?” E i treti tha: “Për Zotin, kjo është hera e parë dhe e fun­dit që jam duke folur me ty. Nëse ti vërtet je Pejgamber, atëherë mua nuk më ka hije të flas me ty, e nëse nuk je, ti gënjen për Zotin, atë­herë as që duhet të flas me ty.” Resulullahu u ngrit dhe tha: “Ju thatë çka pa­tët për të thënë, por mos i tregoni askujt për mua.”

Resulullahu qëndroi në Taif dhjetë ditë. Asnjërin nga njerë­zit auto­ritarë nuk e thërriste në Islam pa shkuar per­so­nalisht tek ai e të fliste me të. Ata thanë: “Lëshoje vendin tonë dhe ik,” dhe i nxitën ho­rrat e vet kundër tij. Duke dalë nga Taifi, horrat dhe skllevërit e përcollën duke e sharë dhe duke bërtitur. Kështu rreth tij u mblodh një mori njerëzish, të cilët u renditën në dy radhë, nga ana e majtë dhe e djath­të e tij. E gjuanin me gurë dhe e ofendonin me fjalë fyese.

Dikush e go­diti në kordhë mbi thembër dhe gjaku i rridhte në këpucë. Zejd bin El-Harithi e mbronte me tru­pin e vet. Resulullahu ndiente dhembje në kokë nga zhurma e madhe, britmat dhe goditjet. Ai dhe Zejdi u mbësh­te­tën në gardhin e një kopshti, pronar i të cilit ishin Utbe dhe Shejbe, djem­të e Re­bia’s, të cilët jetonin tri milje larg Taifit. Pasi u fshehën pas këtij gardhi, vagabondët u kthyen në Taif. Resulullahu hyri në kopsht dhe u ul nën një hardhi afër një muri. Pasi pushoi pak dhe u këndell nga ajo çka i ndodhi, këndoi duanë (lutjen) e njohur e cila dëshmon për pi­kë­lli­min dhe dhembjen që ndiente në zemër pas ngjarjes së tmerrshme. Resulullahu ishte i pikëlluar sepse askush prej tyre nuk e pranoi Islamin.

Duaja e njohur e Taifit është kjo:

“O Zoti im, të lutem të më japësh fuqi dhe të më nxjerrësh nga kjo situatë tejet e rëndë në të cilën gjendem. Të lutem të më mbrosh nga posh­tërimi njerëzor. O më i Mëshirshmi! Ti je Mbroj­tës i të dobëtëve. Ti je Mbrojtësi im. Të lutem, mos më lër në mëshi­rën e të huajve, të cilët më pritën armiqësisht. O Zoti im, mos më lër në duart e tyre!

O Krijuesi im, nëse Ti nuk je i hidhëruar me mua, atëherë nuk mër­­zi­tem për të gjitha këto vuajtje. Kujdesi Yt ndaj meje është te­jet i madh, i mbështetem dritës së fytyrës Sate, me të cilën ke shpërndarë errë­sirën, dhe me ndihmën e së cilës qeveris në këtë bo­të dhe në botën e ardh­shme, dhe të lutem hiqe hidhërimin Tënd nga unë! Më pajis me mëshirën Tën­de gjersa nuk arrij kënaqësinë Tënde. Askush nuk ka fuqi dhe forcë, për­veç Teje!”

Kur e panë djemtë e Rebia’s në këtë gjendje aq të mjerë, tek ata u zgjuan ndjenjat e mirësisë, andaj thirrën robin e tyre, djalo­shin e krish­te­­rë të quajtur Addas, e i thanë: “Çoja këtë vesh rrushi atij njeriu.” Dja­­loshi iu afrua Resulullahut dhe ia dha, ndërsa Resulullahu e zgjati dorën, tha ‘Bismilahi’ – në emër të Allahut, e pastaj e hëngri. Addasi tha: “Kështu nuk flet populli i këtyre anëve.” Resulullahu e pyeti: “Prej nga je ti dhe cilës fe i takon?” Ai tha: “Unë jam i krishterë nga Niniva.” Resulullahu shtoi: “Ti qenke, pra, nga fshati i njeriut të mirë, Junus b. Metait.” Ai tha: “E nga e di ti se kush është Junus b. Metai?” Resulullahu u përgjigj: “Ai është vëllai im. Ai është Pejgam­ber, e edhe unë jam Pejgamber. “Addasi e përqafoi Resulullahun dhe filloi t’i puthte kokën, duart dhe këmbët, ndërsa djemtë e Re­bia’s e shikonin tërë këtë dhe i thanë njëri-tjetrit: “Ai atje do ta prishë djaloshin. Nuk do të të dëgjoj më!”

Kur u kthye Addasi, e pyetën: “Vaj halli për ty, çfarë të ndo­dhi?” Ai u përgjigj: “O zotëri, ky njeri më tregoi diçka që nuk mund ta dijë askush që nuk është Pejgamber.” Që të dy i bërtitën: “I mjeri ti, o Addas, do të të nxjerrë nga feja jote e do të të shpjerë në fenë e vet, e feja jote është më e mirë se e tij.”

Pas kësaj ngjarjeje, Resulullahu doli nga vendstrehimi dhe u nis për në Mekë, me zemër të shkallmuar, plot mërzi dhe pikëllim. Kur iu afrua vendit Karnul-Menazil, afër qytetit, Allahu i dërgoi Xhibrilin, së bashku me engjëllin e kodrave, i cili i tha se nëse ai e urdhë­ronte engjëllin e kodrave që t’i rrëzonte dy kodrat – El-Ahsheban – (të quajtura Ebu Ku­bais dhe el-Ahner) mbi bano­rët e Mekës, ky do ta bënte.

Buhariu e transmeton gjerësisht këtë rrëfim me senedin (vargun e tran­s­metuesve) e vet nga Urvete b. Zubejri, të cilit i ka treguar Aishja radij­Allahu anha se ajo i kishte thënë Resulullahut: “A ke pa­sur ditë më të vësh­tirë se ajo në Uhud (beteja në Uhud)?” Ai u për­gjigj: “Gjithçka kam përjetuar nga ky popull, por më së keqi më kanë pritur në Taif, ku e kam vënë veten në ultësi ndaj Ibni Abdi Jalili-mit. Ai nuk iu përgjigj dëshirës dhe thirrjes sime që të pranonte Shehadetin, e pasi nuk e bëri këtë, u largova prej tij i brengosur dhe i shqetësuar. Kam qenë në dre­mitje (kllapi) derisa arrita te ven­di Karnul-Menazil.

 

Aty ngrita kokën dhe pashë një re të vogël që më bënte hije, prandaj shikova më mirë dhe pashë se në të qëndronte Xhibrili, i cili m’u drejtua: “Allahu ka dëgjuar çfarë u ke thënë atyre dhe ç’përgjigje të kanë dhënë. Allahu të dërgon engjëllin e kodrave, të cilit mund t’i urdhërosh t’u bëjë çka të duash atyre.” Pastaj dëgjova zërin e engjëllit, i cili më tha: “O Mu­­ham­med, ja ku jam, çfarë dëshiron të bëj? Nëse dëshiron t’i rrëzoj këto dy kodra – El-Ahsheban – mbi ta, vetëm thuaj.” Resulullahu tha: “Dëshiroj që Allahu t’i shpjerë në rrugë të drejtë ata që duan të besojnë Allahun e Lartësuar, Një të Vetmin, dhe nuk do të bëjnë shirk, d.m.th., nuk do t’i bëjnë Atij shok në adhurim.”[3]

Në këtë përgjigje të Resulullahut pasqyrohet personaliteti i tij i jashtëzakonshëm, i pajisur me vlerat më të larta morale. Resulullahu u këndell plotë­sisht dhe zemra iu qe­tësua nga gëzimi për ofrimin e ndihmës nga Allahu prej sferave qiellore.

Pastaj vazhdoi rrugën për në Mekë. Kur mbërriti në luginën Na­hël, u ndal dhe aty qëndroi disa ditë. Në atë luginë gjendeshin dy ven­de të përshtatshme për qëndrim: përroi i madh malor dhe fusha pjellore. Ne kemi hulumtuar nëpër libra, por nuk kemi mundur të përcaktojmë se ku gjendet saktësisht ky vend. Gjatë qëndrimit në këtë luginë, Allahu i dërgoi Resulullahut një grup xhinësh. Për këta xhinë Allahu flet në dy vende në Kur’an:

Në suren El-Ahkaf:

 “Dhe, (kujtoju atyre kohën) kur t’i dërguam ty disa xhinë për të dëgjuar Kur’anin. Kur morën pjesë (në të dëgjuarit e Kur’anit), ata i thanë (njëri-tjetrit) “Heshtni!” E, kur përfundoi (të lexuarit), u kthyen te populli i tyre si paralaj­më­rues. Ata thanë: “O populli ynë! Ne dëgjuam Librin, të shpallur pas Musait, i cili vërteton se janë të vërteta edhe ato para tij, i cili udhëzon te e vërteta dhe në rrugën e drejtë. O populli ynë, përgjigjuni të dërguarit të Allahut dhe besojini Atij! Ai do t’jua falë disa mëkate dhe do t’ju shpëtojë prej dënimit të dhimbshëm.” (El-Ahkaf: 29-31).

Në suren El-Xhinn:

“Thuaj (o Muhammed!): Mua m’u ka shpa­llur se disa prej xhinëve kanë dëgjuar dhe kanë thënë: “Me të vërtetë, kemi dëgjuar (një) Kur’an të mrekullueshëm, i cili udhë­zon në rrugën e drej­­të – e ne kemi besuar në të, dhe assesi nuk do t’i bëjmë shok askënd Zotit tonë.” (El-Xhinn: 1-2).

Nga këto ajete të cekura, si dhe nga traditat të cilat kanë rezul­tuar nga komentimi i këtyre bisedave, na bëhet e qartë se Resulullahu nuk ka qenë i njoftuar për ekzistencën e xhinëve. Për ta ka mësuar vetëm pas shpall­jes së këtyre ajeteve. Kjo ka qenë hera e parë që është gjetur në sho­qërinë e xhinëve. Teksti i traditave të mëvonshme na bën të ditur se ata kanë ardhur më shpesh pas këtyre ngjarjeve.

Në të vërtetë, Kur’ani ia ka zbuluar Resulullahut botën e xhin­ë­ve dhe i ka bërë të ditur aspektin e ri të ofrimit të ndihmës dhe thesarin e panjohur të gajbit (të panjohur dhe të pakuptueshëm për ne). Ndih­ma me ushtri, të cilën nuk e di as nuk e sheh askush për­veç Tij, është vër­tetuar në ajetet e shpallura, në të cilat para­lajmërohet suksesi i da’vetit të Resulullahut.

Me këtë njohuri të re është vërtetuar gjithashtu se asnjë fuqi e kësaj bote nuk është në gjendje t’ia zërë rrugën Islamit dhe suksesit të tij. Allahu, thotë:

“E ata që nuk i përgjigjen të dërguarit të Allahut, të atillët nuk do të mund t’i ikin Atij në Tokë dhe për ta s’ka mbro­jtës, përveç Allahut. Ata janë në humbje të madhe.(El-Ahkaf: 32).

“Dhe ne e kemi ditur se nuk do të mund t’i shpëtojnë Allahut në Tokë dhe nuk mund ta lodhin Atë duke ikur (në qiell).” (El-Xhinn: 12)

Pas kësaj ndihme, pas kësaj fitoreje dhe pas këtyre paralaj­më­ri­me­ve, u shpërndanë retë e errësirës, të trishtimit dhe të pikë­lli­mit, të cilat e përcillnin Resulullahun të demorali­zu­ar dhe të pikëlluar që nga dalja prej Taifit, dhe ai u kthye në Mekë me bindje të the­llë që të vazhdonte misionin e filluar rreth interpretimit të Islamit dhe pranimit të Shpalljes së amshueshme të Allahut, me elan, fuqi, vull­net dhe entuziazëm të ri.

Atëherë, Zejd b. Harithi i thotë Resulullahut përafërsisht kësh­tu: “Si do të shkosh përsëri në Mekë, pasi të kanë dëbuar prej andej?” Ai u përgjigj: “O Zejd, siç po e sheh edhe vetë, Allahu ka zgjidhje për çdo gjë dhe sjell lehtësime. Ai do ta ndihmojë Fenë e Vet dhe do ta lartësojë Pejgamberin e Vet.”

Pastaj Resulullahu vajti në shpellën Hira, prej ku e dërgoi një njeri nga familja Huza’ah tek Ahnes b. Shurejke që ta merrte nën mbroj­tje. Ai u përgjigj: “Unë nuk jam vendas, vetëm vendasit mund të marrin dikë nën mbrojtjen e vet.” Pastaj dërgoi njërin te Suhejl b. Amri, e ky tha: “Vërtet, familja Benu Amir nuk mund ta mbrojë fa­miljen Benu Ka’b.” Pastaj e dërgoi tek El-Mut’am b. Adijji, e ky u përgjigj: “Po, unë e marr atë nën mbrojtjen time.” Mandej ky thi­rri djemtë dhe fisin e vet dhe u tha:

“Armatosuni që të gjithë dhe shpërndahuni nëpër qoshet e Ka’bes, sepse e kam marrë Mu­ham­medin nën mbrojtjen time.” Pastaj dërgoi që të thërrisnin Resulullahun e të hynte në Mekë. Resulullahu u paraqit me Zejd b. Harithin dhe kaloi gjer në mesxhidul-Haram, ku u ndal. Mut’­am b. Adijji u ngrit mbi devenë e vet dhe bërtiti: “O kurejshë, unë e kam marrë Muhammedin  nën mbrojtjen time, prandaj askush prej jush nuk guxon ta ofendojë.” Në atë moment Resulullahu, i cili bënte tavaf rreth Ka’bes, arriti te qoshja dhe këndoi duanë.[4] Pas­taj i fali dy rekate namaz dhe vajti në shtëpinë e vet, gjersa Mut’­ami dhe njerëzit e tij të armatosur e përcollën deri aty.

Rrëfehet se Ebu Xhehli e ka pyetur Mut’amin: “A je mbroj­tës i tij apo ithtar i tij?” Ai i përgjigjet: “Vetëm mbrojtës.” Atëherë Ebu Xhehli tha: “Atë që e mbron ti edhe ne do ta konsi­de­rojmë të mbrojtur.”[5]

Resulullahu nuk e ka harruar kurrë këtë vepër të mirë të Mut’­­amit, andaj në Bedër, përkitazi me robërit e luftës, ka thënë: “Po të ishte gjallë Mut’am b. Adijji e të ndërmjetësonte për këta këtu, të gjithë kë­ta do t’ia lija atij.”[6]

Mësimet e përfituar nga ndodhia e Hixhretit në Taif

Meditimi i kësaj ndodhie do të na bënte të përfitonim mësime të rëndësishme, nga të cilat veçojmë:

  1. Vuajtjet, mundimet, torturat dhe persekutimet, me të cilat u ballafaqua Muhammedi [alejhis salatu ves selam], janë pjesë përbërëse e misionit për kumtim. Ai ashtu sikurse ua mëson njerëzve besimin e vërtetë tek Krijuesi dhe dispozitat e adhurimeve, po kështu erdhi t’ua kumtojë praktikisht atyre durimin, ballafaqimin dhe format përkatëse të demonstrimit të tyre. Erdhi ta demonstrojë në praktikë atë që Allahu na urdhëroi:

 “O ju besimtarë, bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini të përgatitur dhe, që të shpëtoni, ruajuni dënimit të All-llahut.” (Ali Imran: 200)

Po kështu, Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Merrini prej meje ritet tuaja!

Me këtë Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] sikur thotë: ‘Duroni ashtu sikur kam duruar unë.’

Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ua mësonte sahabëve artin e durimit në rrugën e Zotit, duke mos u hakmarrë ndaj atyre mendjelehtëve që e provokuan, ani pse kishte mundësi hakmarrje sidomos kur i erdhi meleku i kodrave me Xhibrilin [alejhimas selam] dhe i tha se ishte në dispozicion të tij. Në fakt, ai vetëm priste urdhrin që të hidhte mbi ta një kodër të tërë, por, jo. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] tha: ‘Kam shpresë se Allahu do të nxjerrë nga pasardhësit e tyre gjenerata që do ta adhurojnë vetëm Allahun dhe nuk do t’i shoqërojnë Atij askënd!

  1. Ankesa e Pejgamberit [alejhis salatu ves selam] tek Allahu nuk nënkupton plogështinë, ngase ajo në relacion me Allahun është një lloj adhurimi dhe përulje. Sprovat dhe fatkeqësitë kanë urtësi të shumta, një prej tyre është se e shtyjnë të sprovuarin drejt derës së Allahut. Nuk ka kundërthënie ndërmjet durimit të sprovave dhe ankimit tek Allahu. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] na i mësoi të dy çështjet. Shpirti i njeriut, sado të jetë i lartësuar, nuk mund të dalë jashtë njerëzores. Ai, nga vetë natyra, ndien kënaqësinë e begative dhe dhimbjen e ndëshkimit. Qetësohet me të parën dhe frikësohet nga e dyta. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] favorizonte këtë të dytën, për ta kënaqur Allahun dhe për ta kryer obligimin e adhurimit ndaj Tij.
  2. Nëse thellohemi pak në këtë ndodhi nga jeta e Pejgamberit [alejhis salatu ves selam], do të gjejmë se Allahu nuk ka dashur që, për shkak të dhimbjeve dhe problemeve, Muhammedi [alejhis salatu ves selam] të goditej nga pesimizmi apo plogështia. Pas torturave që ia bënë mendjelehtët, ne hasim në mirësinë e Allahut. Në këtë gjendje atij i vjen një argument mbështetës se feja e tij ishte feja e vetme e qëlluar. Addasi i krishterë erdhi i solli rrush dhe ia puthte kokën, duart, këmbët, për shkak se Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] e lajmëroi se ishte pejgamber, ashtu sikurse pejgamberi Junus Ibn Meta. Po kështu, edhe dy bijtë e Rebiah Ibn Utbes, që ishin armiq të përbetuar të tij, më në fund i qëndronin përpara me rrush.
  3. Qëndrimi i Zejb Ibn Harithes, për ta mbrojtur Pejgamberin [alejhis salatu ves selam] nga torturat e mendjelehtëve taifasë, duhet të shërbejë si mësim se si duhet të sillemi me liderët tanë fetarë, kur atyre iu kanoset ndonjë rrezik.

Kjo po kështu nënkupton se muslimanët duhen gjithnjë të kenë liderë, në çdo kohë dhe vend, të cilët marrin përgjegjësitë e kumtimit të fesë. Besimtarët duhet të jenë në shërbim të tyre dhe të tregojnë gatishmëri kurdoherë që shfaqet nevoja e mbrojtjes së tyre.

  1. Rrëfimi i dëgjimit të Kur’anit nga xhinët është argument, së pari, për ekzistimin e tyre, së dyti, për ngarkimin e tyre me besim dhe obligime, dhe së treti, se prej tyre ka besimtarë dhe jobesimtarë.

Kjo ndodhi është e vërtetë dhe Kur’ani e ka trajtuar atë në kaptinat el-Xhinn dhe el-Ahkaf.

Besimtarët duhet të besojnë se xhinët ekzistojnë dhe se ata janë të obliguar me adhurimin e Zotit sikurse ne, porse ne nuk mund t’i shikojmë me sytë tanë.

Besimtarët janë unikë sa i përket asaj se mohimi i ekzistimit të xhinëve është kufër dhe dalje prej feje, ngase kështu po mohohet diç që duhet pranuar patjetër.

  1. Gjatë kthimit për në Mekë, Zejdi e pyeti Pejgamberin [alejhis salatu ves selam]: “Si po kthehesh në Mekë kur ata të nxorën me dhunë prej saj?!”, ndërsa Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] iu përgjigj: “O Zejd! Ke për të parë se si Allahu do të na bëjë zgjidhje dhe rrugëdalje. Allahu do ta ndihmojë fenë e Tij dhe do ta përkrahë të Dërguarin e Tij!

Me gjithë këto vuajtje dhe mundime që pati, prapë asgjë nuk mundi ta dobësonte lidhjen e tij me Allahun. Ky besim i madh tek Allahu ishte sigurisht fryt i pejgamberisë.

Duke u bazuar në këtë, sprovat dhe problemet nuk duhet t’i zmbrapsin thirrësit nga rruga e përhapjes së fjalës së Allahut. Thirrësit, me shtimin e problemeve dhe barrierave, duhet të shtojnë zellin dhe aktivitetet, ngase ai që ka për burim fuqie Allahun, nuk duhet të ndiejë lodhje kurrë. Derisa Allahu është Ai që urdhëron për kumtim, padyshim se ndihma dhe përkrahja e Tij janë me thirrësit. Lodhja, përtacia dhe zmbrapsja janë imazhe vetëm të atyre që burim të fuqisë së tyre nuk e kanë Allahun dhe fenë e Tij, por mbështeten në potencialet dhe kapacitete e tyre. E duke e ditur se fuqia e njeriut është e kufizuar, atëherë nuk ka vend për çudi kur të shohim se si, në rast ballafaqimi me sprova dhe vështirësi, njeriu dëshpërohet dhe dështon.

 

Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA

LEKSIONE METODOLOGJIKE NGA SIRE-ja (Biografia e të Dërguarit të Allahut, alejhis salatu ves selam)


[1] Mendimi i Nexhib Abadit në veprën “Historia Islamit”: I/122, e që edhe unë e kam pranuar.

[2] Shih: Nektari i vulosur i Xhennetit, f. 147-152.

[3] Sahihu-l-Buhari, libri mbi fillimin e Krijimit: I/458 – kaptina: Çfarë ka përjetuar Resulullahu prej mushrikëve dhe munafikëve.

[4] Pasi të kryhet rrethi i tavafit rreth Ka’bes, qëndrohet në këndin nga ku ka filluar tavafi, kthehen pëllëmbët e duarve nga këndi – Rukna – dhe këndohet duaja, pastaj vazhdon rrethi i dytë, e kështu me radhë. (shën. i përkth.).

[5] Ibni Hisham: I/419, 420, 441, 442; Zadu-l-Me’ad: II/46, 47; Muhtesar Siretu-r-Resul nga En-Nexhdi, f. 141-143; Rahmetun li-l-Alemin: I/71-74; Tarihu Islami nga Abadi: I/123, 124.

[6] Sahihu-l-Buhari: II/573.