DITURIA E VËRTETË – BAZAMENT I MORALIT DHE BESIMIT

0
606

 

Allahu xh.sh. në Kur’anin famëlartë thotë: 

“Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të parët dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi.” [Suretu El-Israe, 36.]

Allahu xh.sh., me këtë ajet kur’anor, na ndalon qartazi që të ndjekim ndonjë ide apo besim përderisa nuk kemi argument të fortë dhe të sigurt rreth çështjes në fjalë, qoftë ai argument në aspektin e besimit apo të moralit.

Ky ajet kur’anor përmban edhe një ligj tjetër, e ai është që dituria e saktë dhe e vërtetë duhet të jetë kriter për të gjitha problemet, në tërë sferat e jetës.

Çka do të thotë fjala dituri (Ilm), apo ç’është dituria?

Dituri është të dish ose të kuptosh diçka ashtu si është në realitet, qoftë ajo çështje konkrete apo abstrakte. Pa dyshim, supozimet nuk mund t’i quajmë dituri, mirëpo këto janë rrugët që na shpien drejt diturisë, e ne ende nuk i kemi kaluar këto rrugë.

Ku qëndron mençuria në këtë çështje dhe çfarë dëmi i shkaktohet njeriut nëse ai i mbyll sytë e tij para realitetit dhe argumenteve të vërteta?

Përgjigjja është se ky ligj (vendim) ka lidhshmëri të fortë me vendimin themelor, e ai është domosdoshmëria e besimit në Allahun xh.sh. dhe nënshtrimi ynë ndaj ligjeve të Tij.

Për të arritur deri te besimi në Allahun xh.sh. duhet të ndiqet rruga e diturisë së saktë dhe e bindjes së fortë. Ne duhet t’iu shmangemi supozimeve dhe mendimeve të pabaza, përndryshe ndjekja e kësaj rruge të dyshimtë kishte për të qenë  tejet e rrezikshme.

Ky është shkaku i devijimit të ateistëve në çështjen e ekzistencës së Allahut xh.sh., pra bazimi i tyre në supozime dhe ide të pabaza (dhunun ), e jo në dituri të vërtetë.

Ndërsa shkaku i mosdevijimit të besimtarëve dhe i besimit të tyre në Allahun xh.sh. është se ata kanë qenë dhe janë bazuar në dituri të vërtetë (ilmul-jekijm). Këta të tillët Allahu xh.sh. i ka përmendur në Kur’an.

Përveç mençurisë që u cek më lart, një mençuri tjetër është se njeriu influencohet nga ambienti ku jeton dhe, në të shumtën e rasteve, ai i nënshtrohet mendimeve dhe supozimeve të ndryshme që janë të pabaza, si p.sh. fjala vjen: dyshimi i tij për dikë tjetër, rezistenca e tij ndaj dikujt tjetër, egoizmi, epshet dhe qëllimet e tij të ndryshme. Me kësi lloj problemesh ballafaqohen popujt dhe njerëzit.

E shpëtimi i njeriut nga këto kurthe dhe gracka është që ai ta pastrojë kokën dhe zemrën e tij nga këto mendime të dyshimta dhe të pabaza. Ndonjëherë njeriu e urren dikë tjetër, i nënshtrohet ligjeve të mendjes së vet dhe fillon të flasë kundër tjetrit. Kurse ndonjë tjetër ballafaqohet me ndonjë problem të kësaj jete dhe fillon ta gjykojë me mendjen e tij se si të shpëtojë nga ky preokupim.

Ndërsa ndonjë tjetër e mundon fanatizmi familjar ose fisnor dhe lufton kundër dikujt tjetër për këtë fanatizëm familjar ose fisnor, duke mos u bazuar tek realiteti dhe tek e vërteta (hak) etj. Kjo dukuri apo kjo sëmundje, pra kur logjika e vërtetë dhe mendja e kulluar nuk gjykon sipas diturisë së vërtetë por robërohet dhe i nënshtrohet problemeve të kësaj jete, konsiderohet një lloj robërie nga më të rrezikshmet. 

Si të lirohemi nga kjo robëri dhe si të shërohemi nga kjo sëmundje? Lirimi nga kjo robëri vjen kur njeriu mbështetet dhe bazohet në peshojën e diturisë së vërtetë dhe kërkon ndihmë me mjetet me të cilat Allahu xh.sh. e pajisi njeriun: mendja, të  dëgjuarit, të shikuarit dhe shqisat e tjera.

Kur njeriu fillon t’i përdorë këto mjete, duke e pasuruar dhe zgjeruar diapazonin e tyre, atëherë si rezultat i kësaj do të jetë se efekti i atyre problemeve, në ambientet e ndryshme që i thamë më lart, do të reduktohet dhe ato nuk do të ndikojnë negativisht.

S’do mend se ata, të cilët janë të dyshimtë dhe labilë, janë më larg nga fusha e diturisë së vërtetë, ndërsa ata të cilët ballafaqohen dhe merren me dituri dhe me qëllime të sinqerta janë më afër hakut dhe janë më stabilë.

Shkaku i rëndësisë së mendjes dhe i shqisave të tjera ka qenë se njeriu është obliguar me amanetin më të madh, për të cilin, nëse e humb atë, do të përgjigjet para Allahut xh.sh., gjë për të cilën flet qartazi edhe ajeti kur’anor, dhe se ai person do të llogaritet nesër për këto të mira nga Allahu xh.sh. Allahu xh.sh. thotë

pse të dëgjuarit, të parët dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi.” [Suretu El-Israe, 36.]

 

Përktheu dhe përshtati nga arabishtja: Prof.Dr. Hfz. Hajredin Hoxha

Prof.Dr.Muhamed Said Ramadan el Buti – FSHEHTËSITË E DISA LIGJEVE KUR’ANORE