GADISHULLI ARABIK PARA SHPALLJES SË ISLAMIT

0
632

 

  1. Shtresat shoqërore të arabëve

Arabët, sipas vjetërisë, ndahen në:

  • Arabë baide [1]
  • Arabë aribe[2], dhe
  • Arabë musta’rebe apo mutearrebe[3].

Sipas gjenealogjisë ndahen edhe në:

  • Kahtanijjë, vendbanimet e para të të cilëve ishin në Jemen, dhe
  • Adnanijjë, vendbanimet e para të të cilëve ishin në Hixhaz.

Disa i marrin Kahtanijjët si autoktonë, ndërsa të tjerët, sidomos në kohën bashkëkohore, anojnë nga mendimi se në fakt autoktonë ishin Adnanijjët. Kahtanijjët dhe Adnanijjët ishin në armiqësi shekullore. Ismaili [alejhis salatu ves selam] ishte gjyshi më i lartë i arabëve të llojit të tretë (Arab musta’rebe apo mutearrebe). Ata u quajtën me këtë emër ngase Ismaili [alejhis salatu ves selam] fliste sirianishten, ndërsa kur fisi xhurhum zbriti në Mekë dhe filluan lidhjet shoqërore me ta (martesat), atëherë Ismaili [alejhis salatu ves selam] dhe bijtë e tij mësuan arabishten, gjë për të cilën ata morën edhe këtë emërtim.

Zoti e di më së miri, por duket se ky mendim nuk është më i qëlluari. Kjo për shkak se koha e Ibrahimit [alejhis salatu ves selam] dhe të birit, Ismailit, [alejhis salatu ves selam] ishte kohë origjinale arabe. Ibrahimi dhe Ismaili [alejhimas selam] iu përkisnin fiseve aramite arabe të lashta, koha e të cilëve nuk kishte asnjë lidhje me kohën e çifutëve. Në këtë të vërtetë aludon edhe Kur’ani:

 “Ibrahimi nuk ka qenë as jehudi as i krishterë, por ai ishte larg besimeve të kota, ishte musliman dhe nuk ishte prej idhujtarëve.” (Ali Imran, 67)

Pastaj, Ibrahimi [alejhis salatu ves selam] pati lindur në Irak dhe kishte qëndruar në qytetin Ur Kaldaja, ndërsa idhujtarët u përpoqën ta digjnin atë në një fshat të Kufës. Vetëm më pas Ibrahimi, [alejhis salatu ves selam] do të shkonte në Harran, në veri të Gadishullit. Pas kësaj kohe, Ibrahimi [alejhis salatu ves selam] bashkë me gruan e tij, Sarën dhe nipin (djalin e vëllait), Lutin [alejhis salatu ves selam], do të shkonin në Palestinë, më pas në Egjipt, për t’u kthyer më vonë prapë në Palestinë. Këtu në fakt ata edhe do të ndaheshin. Luti [alejhis salatu ves selam] do të qëndronte në jug të Detit të Vdekur, ndërsa Ibrahimi [alejhis salatu ves selam] me gruan e dytë, Haxheren dhe të birin, Ismailin [alejhis salatu ves selam], do të shkonin në Mekë. Ibrahimi [alejhis salatu ves selam] do të qëndronte vetëm pak dhe do të kthehej në Palestinë, ku edhe do të vdiste në qytetin Hebron[4].

  1. Unifikimi gjuhësor

Gadishulli Arabik, me gjithë gjerësinë dhe shtrirjen e madhe, si dhe me gjithë dallimet ndërmjet fiseve, shquhej për gjuhën e unifikuar ndërmjet malësorëve dhe qytetarëve, kahtanijjëve dhe adnanijjëve, edhe pse dialektet mund të kenë qenë të ndryshme deri diku. Gjuhët dallonin në dialekte për shkak të distancave dhe ky unifikim gjuhësor në Gadishull hapi rrugën për një përhapje të shpejtë të Islamit në të…[5]

  1. Marrëdhëniet e Gadishullit me fetë paraprake

Gadishulli Arabik është djep i shumë pejgamberive. Është vendi në të cilin janë dërguar shumë pejgamberë. Allahu ka thënë:

Përkujto vëllain e Adit (Hudin) kur popullin e vet në Ahkafë e qortoi, megjithëqë qortime pati edhe para edhe pas tij, (u tha): “Të mos adhuroni tjetër vetëm se All-llahun, pse unë i kam frikë dënimit tuaj në ditën e madhe!” (el-Ahkaf, 21)

Sipas historianëve, Adi (si popull) ishte prej arabëve tiranë, arabëve baide. Ata qëndronin në Ahkafë, vend me rërë të shumtë, në jug të Gadishullit apo më konkretisht në jug të Rubu’l Halit, afër Hadramevtit.  Allahu i shkatërroi me një erë të fuqishme, e cila erdhi si tufan me rërë. Vetë ajeti dëshmon se Hudi ishte paraprirë dhe pasuar me të dërguar:

 “Përkujto vëllain e Adit (Hudin) kur popullin e vet në Ahkafë e qortoi, megjithëqë qortime pati edhe para edhe pas tij” (el-Ahkaf, 21)

Ndërsa tek Themudi, që banonin Gadishullin apo më saktë Hixhrin, një vend ndërmjet Hixhazit dhe Tebukut, u dërguar Salihu [alejhis salatu ves selam]. Kur’ani na rrëfen për këtë: 

“Edhe populli i “Hixhres” i përgënjeshtroi të dërguarit. 81. Ne u patëm parashtruar atyre argumentet (mrekullitë) Tona, por ata i kundërshtonin ato. 82. Ata skalisnin shtëpia në kodra shkëmbore për të qenë të sigurt. 83. E ata në mëngjes i goditi gjëmim i tmerrshëm e shkatërrues.” (el-Hixhr, 80-83)

  1. Marrëdhëniet e misionit të Muhammedit [alejhis salatu ves selam] me misionet e mëparshme qiellore

Imam Muslimi transmeton se Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:

“Vërtet, shembulli im dhe shembulli i pejgamberëve të dërguar para meje është sikurse shembulli i një njeriu që ndërton një shtëpi të mirë e të bukur, vetëm se ka lënë pa vendosur një tullë në një qoshe. Njerëzit e vizitonin dhe iu pëlqente shtëpia, por nga kureshtja pyesnin: Ah, sikur të ishte vënë edhe kjo tullë! (Vini re!) Unë jam ajo tullë dhe unë jam vula e pejgamberëve!

Duke u bazuar në këtë hadith, misioni i Muhammedit [alejhis salatu ves selam] është vërtetues por edhe plotësues. Për ta sqaruar më mirë këtë themi se çdo fe është e ngritur mbi dy baza:

  1. Besimi (kredoja), dhe
  2. Legjislacioni dhe morali.

Sa i përket bazës së parë, përmbajtja e saj nuk ka ndryshuar që nga Ademi [alejhis salatu ves selam] e deri tek Muhammedi [alejhis salatu ves selam]. Secili nga pejgamberët që vinte vërtetonte pejgamberësinë e të dërguarit paraprak. Kështu, ata kanë pasuar njëri-tjetrin duke i ftuar njerëzit që adhurimet dhe lutjet t’ia dedikojnë vetëm Allahut. Këtë na e ka treguar Allahu në Kur’an:

 “Ai ju përcaktoi juve për fé atë që ia pat përcaktuar Nuhut dhe atë që Ne ta shpallëm ty dhe atë me çka e patëm porositur Ibrahimin, Musain dhe Isain. (I porositëm) Ta praktikoni fenë e drejtë e mos u përçani në të. Për idhujtarët është rëndë kjo në çka ju i thirrni ata. All-llahu veçon për të (për besim të drejtë) atë që do dhe e udhëzon në të atë që i drejtohet Atij.” (sh-Shura, 13)

Nuk është e logjikshme që pejgamberët të ftojnë ndryshe nga njëri-tjetri në akide-besim, përderisa kjo e fundit është prej llojit të lajmërimit, që nuk guxon të mos jetë e ngjashme tek të gjithë pejgamberët. P.sh. nuk lejohet apo është e pamundur që një pejgamber – ruana Zot! – të proklamojë trinitetin, ndërsa tjetri që vjen pas tij të proklamojë njëshmërinë.

Ndërsa sa i përket ligjeve dhe dispozitave, ato ndërroheshin për nga lloji dhe sasia dhe ato nuk ishin të llojit informues siç ishte rasti tek besimi. Këtë do ta kuptojmë më mirë kur të kemi parasysh edhe faktin se ligjet miratoheshin në varësi me rrethanat kohore. Zaten, ligjet nxirren për interesin e njerëzve.

Pastaj, dërgimi i çdo pejgamberi në të kaluarën bëhej për një popull të caktuar, me tradita dhe karakteristika të ndryshme, kështu që ishte e domosdoshme të nxirreshin ligje që përputheshin me këto tipare dhe veçori të tyre. Le të marrim si shembull për këtë legjislacionin e Musait [alejhis salatu ves selam]. Në të ligjet nxirreshin jo në bazë të lehtësimeve (err-rruhas), por në bazë të atyre që ishin më të forta (el-azaim[6])… Ishte një legjislacion i rëndë. Ndërsa Isai [alejhis salatu ves selam], pejgamberi pasues, erdhi me një legjislacion më të lehtë. Këtë na e tregon edhe Kur’ani. Në kaptinën Ali Imran, ajetet 3 dhe 50, Allahu thotë:

 “Ai ta zbret ty (Muhammed) librin me argument që është vërtetues i librave të mëparshëm. Ai e zbriti më parë Tevratin dhe Inxhilin.

 “Dhe (kam ardhur) që t’ju vërtetoj Tevratin që e keni para duarsh, t’ju lejoj disa që u ishin ndaluar juve, kam ardhur me argument nga Zoti juaj, pra kini frikë All-llahun dhe më dëgjoni mua.

Duke u bazuar në këtë, misioni i çdo pejgamberi përbëhej nga besimi dhe legjislacioni; besimi për të vërtetuar misionet e mëhershme, ndërsa legjislacioni në shumicën absolute të rasteve ka anuluar atë të mëparshmin, edhe pse ka raste kur ndonjë aspekt i legjislacionit të mëparshëm mund të jetë përkrahur (përvetësuar) apo mund të jetë lënë në heshtje, gjë që mund të kuptohet si aprovim i saj.

Nga ky prezantim mund të kuptojmë se nuk bëhet fjalë për një pluralizëm fesh qiellore, por për një pluralizëm legjislacionesh qiellore, që, për interesa të popujve ku janë dërguar, kanë ndërruar nga populli në popull, dhe këtë derisa ka ardhur Muhammedi [alejhis salatu ves selam], pejgamberi misionin e të cilit Zoti e zgjodhi që t’i anulonte të gjitha legjislacionet e mëparshme, por edhe të mos kishte më legjislacion pas tij. Pra, feja në fakt është një. Kjo është feja me të cilën u dërguan Ibrahimi, Ismaili, Ja’kubi, Musa, Isa [alejhimus selam].

“E kush largohet prej fesë së Ibrahimit përveç atij që e poshtëron vetveten? Ne atë e bëmë të zgjedhur në këtë botë, kurse në botën tjetër ai është njëri prej të lartëve. 131. Kur Zoti i vet atij i tha: “Dorëzohu”! Ai tha: “Iu kam dorëzuar Zotit të gjithësisë”! 132. E Ibrahimi i porositi bijtë e tij me këtë (fe), e edhe Jakubi. (u thanë) “O bijtë e mi, All-llahu ua zgjodhi fenë (islame) juve, pra mos vdisni ndryshe, por vetëm duke qenë muslimanë”! “ (el-Bekare, 130-132)

 “Ata (që besuan) thanë: “S’ka dyshim, ne jemi të kthyer te Zoti ynë”. 126. Ti nuk hakmerresh ndaj nesh vetëm pse besuam në argumentet e Zotit tonë, pasi që na erdhën ato. Zoti ynë, na dhuro durim (për dënimin që do të na e bën faraoni) dhe na bëjë të vdesim muslimanë!” (el-A’rafë, 125-126)

“E kur e kuptoi Isai vendosmërinë e tyre në mosbesim (dhe qëllimin që ta mbysin), tha: “Kush janë ndihmëtarët e mi për në rrugë të All-llahut”? Havarijjunët thanë: “Ne jemi ndihmëtarë të fesë së All-llahut, ne i besuam All-llahut, e ti dëshmo për ne se jemi muslimanë (të bindur, të dorëzuar) !” (Ali Imran, 52)

Kësisoj, të gjithë pejgamberët janë dërguar me Islam, fenë e vetme që Allahu e pranon, ndërsa ithtarët e librit e dinë fare mirë se pejgamberët janë dërguar për të vërtetuar njëri-tjetrin, por ata shpifën për pejgamberët e tyre atë që ata fare nuk e kanë thënë…[7]

  1. Xhahilijjeti (periudha e injorancës) dhe pjesë të mbetura të fesë së pastër (el hanifijjeh)

Konsideroj se studimi i kësaj pike, para se t’i qasemi Sires, është me rëndësi të veçantë. Si konkluzion mund të themi se Islami (i Muhammedit [alejhis salatu ves selam]) në fakt është shtrirja horizontale e fesë së natyrshme të Ibrahimit [alejhis salatu ves selam]. Allahu na e shtjellon shumë qartë në Kur’an një gjë të tillë:

Luftoni me një luftë të denjë për hir të All-llahut, se Ai ju zgjodhi ju (ju përcaktoi për të luftuar për rrugën e Tij) dhe nuk ju obligoi në fé me ndonjë vështirësi, në fenë e babait tuaj, Ibrahimit. Ai edhe më parë, e edhe ky (Kur’an) ju quajti muslimanë, e për të qenë i dërguari dëshmitar juaji dhe për të qenë ju dëshmitarë ndaj njerëzve, pra falni rregullisht namazin, jepni zeqatin, përmbahuni me All-llahun se Ai është ndihmëtari juaj. Sa mbrojtës i mirë dhe sa ndihmëtar i madh që është.” (el-Haxh, 78)

Me kalimin e kohës, e vërteta filloi të njollosej apo të pështillej e kota me të, kështu që depërtoi idhujtaria dhe njerëzit filluan të adhuronin putat dhe të përvetësonin tradita të shëmtuara. I pari që e futi në mesin e tyre idhujtarinë ishte Amr Ibn Luhaj, gjyshi i Huzaëve. Ky ishte i pari që devijoi nga feja e Ismailit [alejhis salatu ves selam] dhe vendosi putat. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] për të ka thënë:

E kam parë Amr Ibn Luhaj Ibn Kam’ah Ibn Hindifin, babanë e tyre Beni Ka’bëve, tek tërhiqte zorrët e tij (zvarrë) në Xhehenem!” (Muslimi)

Ngjarja se si e solli idhujtarinë është e njohur. Thuhet se në njërin prej udhëtimeve të tij jashtë Mekës kishte parë disa njerëz tek adhuronin putat. I kishte pyetur për ata idhuj që i adhuronin dhe kishte marrë përgjigje se kur i lusnin për shi, ua sillnin atë, kur kërkonin fitore, iu ndihmonin… Amri kishte kërkuar një idhull prej tyre që ta dërgonte tek arabët. Ata ia dhanë dhe kur arriti në Mekë i urdhëroi njerëzit që ta adhuronin dhe madhëronin putin që kishte sjellë, i cili quhej Hubel. [Tregimin me detaje të tjera mund ta gjeni tek Siretu Ibni Hisham, 1/76-77]

Megjithëkëtë, një grup njerëzish vazhduan ta ruanin traditën e pastër të besimit; besonin në ringjallje dhe llogari dhe se Allahu i shpërblen me të mira adhuruesit e sinqertë, ndërsa i ndëshkon mëkatarët. Prej tyre, si më të njohurit, ishin: Kis ibn Saide el-Ijjadijj, Riab esh-Shenijj, prifti Buhajra etj.

Po kështu iu kishin mbetur edhe disa nga traditat fetare, edhe pse të devijuara dhe shtrembëruara, si fjala vjen, respektimi i Qabesë, Tavafi, Haxhi, Umreja, qëndrimi në Arafat etj. Zanafilla e tyre kthehet tek koha e Ibrahimit [alejhis salatu ves selam], vetëm se ata i praktikonin gabimisht dhe iu vishnin gjëra apo i demonstronin jo ashtu siç ishin në të vërtetë. P.sh. në telbijjen e Haxhit, në të cilën haxhilerët shprehin besimin e tyre të pastër tek Allahu, ata bënin të kundërtën. Siç transmetohet [në Sahihun e Muslimit], ata telbijjen e bënin në këtë formë:

Lebbejke Allahumme lebbejke! Lebbejke la sherike leke il-la sheriken huve leke, temlikuhu ve ma meleke…

“Të përgjigjemi o Zot, të përgjigjemi! Të përgjigjemi Ty që nuk ke shok, përveç njërit, që Ti e posedon atë, ndërsa ai jo!”[8]

 

Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA

LEKSIONE METODOLOGJIKE NGA SIRE-ja (Biografia e të Dërguarit të Allahut, alejhis salatu ves selam)

 


 

[1] Arabët baide, sipas gjenealogëve, janë banorët autoktonë të Gadishullit Arabik. Këtu bëjnë pjesë populli Ad, Themudi, fisi Xhurhum, etj.

[2] Janë nga bijtë e Kahtanit. Kanë qenë bashkëkohës të arab baidëve.

[3] Këta e kanë origjinën nga Ismaili, [[alejhis salatu ves selam]] dhe njihen ndryshe edhe si arabët adnanitë. Shih: Mubarekfuri, SafijuRrahman. (1999) Nektari i Vulosur i Xhennetit. Nun: Shkup, f. 13.

[4] Shih: Nedevi, Ebu’l Hasen. Es-Siretu en Nebevijjeh, f. 66-67; Atlas es sirtin nebevijjeh, f. 23-24.

[5] Ibid, f. 67.

[6]El-Azaim’ janë dispozitat që nuk ndryshojnë, por mbesin ashtu siç janë ligjësuar në fillim. Ato janë obligim për të gjithë dhe askush nuk lirohet prej tyre, p.sh.: namazi, që është ligjësuar për të gjithë dhe në çdo gjendje. Ndërsa ‘err-rruhas’ janë të kundërtat. Për më shumë shih:

http://www.islamweb.net/newlibrary/display_book.php?idfrom=96&idto=101&bk_no=99&ID=126

[7] Buti, Muhammed Seid Ramadan, Fikhu’s Sire, f. 34-36.

[8] Në komentimin e pjesës së fundit ose më konkretisht pjesëzës ‘ma’ disa kanë thënë se ajo është pjesëz mohuese, e që i bie të përkthehet: Ti e posedon atë ndërsa ai nuk posedon asgjë, ndërsa disa të tjerë mendojnë se kjo është një pjesëz lidhëse, e që sipas tyre kuptimi duhet të jetë: ‘e posedon atë dhe tërë çka ai posedon.’ Përkthyesi.