NGA LINDJA DERI NË PEJGAMBERLLËK

0
531

 

Prejardhja: Muhammed Ibn Abdullah Ibn Abdu’l Muttalib [thirrej Shejbetu’l hamdi] Ibn Hashim Ibn Abdu Menaf [quhej Mugire] Ibn Kusaj [quhej Zejd] Ibn Kilab Ibn Murreh Ibn Ka’b Ibn Luej Ibn Galib Ibn Fihr Ibn Malik Ibn Nadr Ibn Kinaneh Ibn Huzajmeh Ibn Mudrikeh Ibn Iljas Ibn Mudar Ibn Nezzar Ibn Meadd Ibn Adnan. Origjina e Adnanit mbaron tek Ismaili [alejhis salatu ves selam].

Abdu’l Muttalibi kishte dhjetë djem, ndërsa më i miri ndër ta ishte Abdullahu. E martoi me Aminen, të bijën e Vehbit, zotërisë së Beni Zehreve. Muslimi transmeton në Sahihun e tij se Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:

Vërtet, Allahu nga bijtë e Ismailit zgjodhi Kinanen, e prej tij zgjodhi Kurejshët, prej Kurejshëve zgjodhi bijtë e Hashimit ndërsa prej tyre më zgjodhi mua!

Lindja: Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] lindi ditën e hënë, më 12 Rebiu’l Evvel të vitit të elefantit, që sipas kalendarit gregorian i bie 20.04.571 apo 22.04.571. Ishte ajo sigurisht dita më e mirë dhe më e lumtur në të cilën ka lindur dielli.

Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] lindi jetim. Babai i kishte vdekur ende pa lindur. Kështu, në përkujdesje e mori gjyshi, Abdu’l Muttalibi, i cili sipas zakonit  e dërgoi tek një grua e fisit Benu Sa’d Ibn Bekër, që quhej Halime bint Ebi Dhuvejb, për ta ushqyer me qumësht gjiri. Tek Halimeja qëndroi dy vite…

Gjatë kohës që qëndroi tek Halimeja ndodhi pastrimi i gjoksit të tij. Atij i erdhën dy melekë, të cilët ia çanë barkun dhe i nxorën nga zemra një copë të zezë, të cilën më pas e hodhën. Ata e pastruan zemrën dhe më pas e kthyen trupin në gjendjen që kishte qenë më parë.

Në moshën 6 vjeçare atij i vdiq nëna, Aminja, në një vend ndërmjet Mekës dhe Medinës dhe komplet kujdestarinë për të tani do ta merrte gjyshi, Abdu’l Muttalibi.

Por vetëm dy vjet më vonë, Abdu’l Muttalibi vdes. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] do ta shijonte prapë të qenët jetim. Për të tani do të përkujdesej xhaxhai, Ebu Talibi.

Në moshën nëntëvjeçare [apo dymbëdhjetë siç thuhet në disa transmetime] xhaxhai e mori për tregti në Sham. Gjatë rrugës ndaluan tek qyteti Busra, ku takuan priftin Buhajra, i cili ishte njohës i Inxhilit dhe fesë së krishtere. Kur Buhajra pa gjurmët e pejgamberisë u interesua për ta dhe, jo si zakonisht, u përgatiti gosti. Ai e porositi Ebu Talibin që të kthehej menjëherë me nipin në Mekë dhe ta ruante atë nga çifutët, ngase e ardhmja do të rezervonte një pozitë të veçantë për të. Hulumtuesit dhe ekspertët islamë kanë folur për vërtetësinë e këtij rrëfimi, por, siç mund ta vërejmë, rrëfimi vazhdon të ekzistojë dhe madje shumica e librave e përmendin atë, gjë që të bën të bindesh për vërtetësinë e tij.

Pastaj, erdhi periudha e rinisë, në të cilën do ta gjejmë Pejgamberin [alejhis salatu ves selam] tek interesohet për fitimin e jetesës. Ruante delet. Buhariu transmeton nga Ebu Hurejre se Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:

 “Allahu nuk ka dërguar ndonjë pejgamber që nuk ka qenë paraprakisht bari delesh. Shokët i thanë: A edhe ti?! Po, – u përgjigj dhe shtoi: – Ua ruaja mekasve për ca para [ose në Kararit, nëse ky është emër vendi siç është komentuar nga disa.]”

Në moshën 14 ose 15 vjeçare përjetoi dhe luftën ‘harbu’l fuxh-xhar’ ndërmjet kurejshëve dhe kajsive. Xhaxhallarët e morën me vete dhe aty u njoh me luftën, kalorësinë, djemurinë…

Në moshën 25 vjeçare u martua me Hatixhe Bint Huvejlidin, zonjën e grave kurejshite, gruan e shquar për mendjemprehtësi, nder, moral dhe pasuri. Ishte e vejë. Burri i saj, Ebu Hale, vdiq ndërsa ajo i kishte dyzet vjet. Kur u njoftua për besnikërinë e Muhammedit, [alejhis salatu ves selam], ajo e dërgoi si kryesues të karvanit të saj, bashkë me shërbëtorin e saj, Mejseren. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] e pranoi ofertën dhe shkoi në Sham, prej nga u kthye me fitime të mëdha. Hatixheja i ofroi martesë. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] pranoi. Me të i pati të gjithë fëmijët, me përjashtim të Ibrahimit [alejhis salatu ves selam], të cilin e kishte me Marijen.

Ndërtimi i Qabesë: Kur Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ishte 35 vjeç, kurejshët qenë tubuar për ndërtimin e Qabesë. Kur punimet po i afroheshin ruknit, atëherë u shfaqën mospajtime se kush duhet ta vendoste Gurin e Zi. Kundërshtitë ishin aq të thella saqë gati u vranë ndërmjet vete. Pas disa ditë mosmarrëveshjeje, më në fund u pajtuan se çështjen do t’ia linin në dorë atij që do të hynte i pari në derën e Qabesë. Dhe qëlloi që i pari të ishte Muhammedi [alejhis salatu ves selam]. ‘Ky është emin (besnik). U pajtuam. Ky është Muhammedi…’ Pra, ishte Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ai që e zgjidhi këtë problem madhor.

Hilf fudul: Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] përjetoi dhe Hilf Fudulin. Shkak i kësaj ishte se një njeri nga Zubejdi kishte ardhur për tregti në Mekë. El-As Ibn Vail, një nga të parët e Mekës, kishte blerë diçka prej tij, por nuk ia kishte paguar hakun. Zubejdi u ankua tek paria mekase, por nuk mori përgjigjen e duhur. Por, nuk ngjau kështu edhe me burrat e vërtetë, të cilët nga xhelozia e madhe për nderin dhe burrërinë u tubuan në një punim darke në shtëpinë e Abdullah Ibn Xhedanit, ku ranë dakord që të bëhen bashkë për t’iu ndihmuar atyre që iu bëhej padrejtësi kundër të padrejtëve. Si hap konkret, shkuan tek el-Asi dhe ia morën mallin e Zubejdit. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] shprehte simpatinë e tij për atë marrëveshje, madje edhe pasi që u dërguar pejgamber dhe, siç rrëfehet, kishte thënë: “Në shtëpinë e Abdullahut kam qenë pjesëmarrës i një marrëveshjeje, për të cilin po të thirresha edhe (tash) në Islam do t’i përgjigjesha (pozitivisht).[1]

Mësimet dhe porositë e dala nga këto ngjarje

  1. Sa i përket origjinës së Pejgamberit [alejhis salatu ves selam], në të ka argument se Allahu i veçoi arabët nga të gjithë njerëzit, ndërsa kurejshët nga të gjitha fiset. Këtë e dëshmon edhe hadithi, të cilin Tirmidhiu e shënon në Sunenin e tij nga el-Muttaleb Ibn Ebi Vedah se Ibni Abbasi kishte shkuar tek Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] dhe i kishte thënë diç në fshehtësi, gjë pas së cilës Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] kishte hipur në minber dhe kishte thënë:

 “Kush jam unë?- i pyeti njerëzit. Ti je i Dërguari i Allahut, paqja qoftë mbi ty! – iu përgjigjen njerëzit. Unë jam Muhammedi, i biri i Abdullahut, birit të Abdul Muttalibit. Vërtet, Allahu i ka krijuar krijesat, ndërsa mua më ka bërë më të mirin e tyre. Pastaj i ndau njerëzit në dy grupe dhe mua më vendosi në grupin më të mirë. Pastaj ata i ndau në fise dhe mua më vendosi në fisin më të mirë. E pastaj i ndau edhe në shtëpi dhe mua më vendosi në shtëpinë më të mirë dhe shpirtin më të mirë.” [Albani në el-Mishkah, 5757, e cilëson autentik.]

  1. Dashuria për Muhammedin [alejhis salatu ves selam] parasheh edhe dashurinë për popullin dhe aq më parë për fisin në të cilin u lind, kuptohet, jo për të gjithë, por për ata që nuk iu shmangën të vërtetës kurrë…
  2. Vdekja e babait dhe gjyshit nuk janë rastësi. Gjithsesi se në këtë vendim të Allahut fshihen urtësi, ndoshta më e rëndësishmja prej tyre është që njerëzit të mos thonë për misionin e tij se ka marrë udhëzime dhe këshilla prej babait dhe gjyshit.
  3. Halimes iu shpagua mundi i saj për shkak të marrjes së Muhammedit [alejhis salatu ves selam] për ta ushqyer me gji. Allahu i dha të mira të shumta dhe për këtë nuk ka asgjë për t’u çuditur kur kemi parasysh faktin se, nga pikëpamja fetare, lejohet që ta lusim Allahun për sjelljen e bereqetit nëpërmjet ndonjë njeriu të mirë të gjallë, siç bënë sahabët pas vdekjes së Pejgamberit [alejhis salatu ves selam]. Ata thirrën Abbasin, xhaxhain e tij, të lutej për shi dhe Allahu iu lëshoi shi.
  4. Ndodhia e çarjes së gjoksit llogaritet ndër parashenjat e pejgamberisë dhe përgatitjes për misionin e madh. Kjo nuk ka kuptimin e rëndomtë të heqjes së një cope mishi nga trupi për t’u bërë mirë, ndryshe operacionet e tilla do të ishin më të njohurat në histori, por kjo nënkupton përgatitjen e Muhammedit [alejhis salatu ves selam] që nga vegjëlia për mision e ardhshëm, vetëm se kjo është bërë me gjëra që njerëzit mund t’i perceptojnë më lehtë, për ta besuar – rrjedhimisht – edhe atë më lehtë. Pra, çarja e gjoksit është operacion abstrakt, kuptimor, që ka marrë këtë formë ndijore. Ne, këtë dhe të vërtetat e ngjashme me të, i pranojmë duke përfillur kriteret e transmetimit dhe duke aplikuar domethëniet dhe rregullat e gjuhës arabe.
  5. Rasti i priftit Buharja gjithsesi se është një dëshmi se ithtarët e feve të mëparshme qiellore, pra të krishterët dhe çifutët, kishin njohuri për dërgimin e Muhammedit [alejhis salatu ves selam]. Ose më saktë, në librat e tyre kishin parashenjat e dërgimit dhe shenjat e këtij pejgamberi. Madje çifutët jo rrallë iu thoshin fiseve Evs dhe Hazrexh se gati ishte koha e dërgimit të një pejgamberi, me të cilin do t’i sulmonin ata. Për këtë ka aluduar edhe Kur’ani:

“E kur u erdhi atyre prej All-llahut libri (Kur’ani) që është vërtetues i atij, që e kishin pranë, e që para se t’u vinte e kërkonin ndihmën e tij kundër mosbesimtarëve, e mohuan atë (Muhammedin) që e njihnin, kur u erdhi. Pra mallkimi i All-llahut qoftë kundër mosbesimtarëve!” (el-Bekare, 89)

Selman Farisiu e kishte pranuar Islamin për shkak se kishte përcjellë shenjat dhe përshkrimin e tij në Inxhil.

  1. Ruajtja e deleve ishte një simbolikë me të cilin Muhammedi [alejhis salatu ves selam] dëshironte t’ia lehtësonte sadopak xhaxhait mbajtjen e tij. Pra, është një simbolikë falënderimi, sikur që është edhe një aludim për jetën të cilën Allahu e pëlqen për robërit e Tij në këtë botë.

Sigurisht se Allahu ka pasur mundësi që t’ia krijonte kushtet për një jetë luksoze, por me këtë aludohet se pasuria më e mirë për njeriun është ajo që e fiton me dorën e vet. Në këtë, po kështu, ka mësim edhe metodologjik se çdo thirrje a mision që nuk zhvillohet në baza vetjake, por është i varur, nuk do të ketë sukses. Që njeriu të jetë dhe mbetet i lirë duhet të ketë një burim të ndershëm të të ardhurave, me të cilin mund ta proklamojë lirshëm të vërtetën dhe të mos ketë frikë nga askush…

  1. Puna si mbikëqyrës në pasurinë e Hatixhes ishte vetëm vazhdimësi e fitimit të jetesës. Vlera dhe pozita e Hatixhes tek Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] mbeti përgjithmonë e rëndësishme. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë faktin e të qenit të saj si gruaja më e mirë e të gjitha kohëve. E po kështu këta transmetojnë edhe rastin e Aishes, e cila thoshte se nuk xhelozonte asnjë nga gratë e Pejgamberit, [alejhis salatu ves selam] sa xhelozonte Hatixhen, për shkak se shumë shpesh Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] e zinte në gojë. Një ditë Aisheja qe hidhëruar dhe i kishte thënë Pejgamberit [alejhis salatu ves selam]: Hatixheja! (Sikur vetëm atë po e përmend…) Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] i tha: “Unë jam begatuar me dashurinë e saj..” Ndërsa në një version tjetër: “…Jo, pasha Allahun, Allahu nuk ma ka kompensuar atë me ndonjë më të mirë; ajo më besoi kur njerëzit më mohuan, më vërtetoi kur njerëzit më përgënjeshtruan, më ndihmoi kur njerëzit më privuan, dhe Allahu më dha fëmijët me të e jo me gratë e tjera…”
  2. Ndërsa sa i përket martesës së Pejgamberit [alejhis salatu ves selam] me Hatixhen, natyrisht se gjënë e parë që mund ta vërejmë është martesa e tij nuk ishte për qëllime epshore, ngase ajo ishte shumë më e vjetër se ai. Motiv për atë martesë ishte, para së gjithash, nderi dhe morali i saj. Madje, sa ishte gjallë ajo, Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] nuk qe martuar me grua tjetër. Padyshim se ky është një fakt zhvleftësues për bindjet e orientalistëve dhe të tjerëve përkitazi me Muhammedin [alejhis salatu ves selam]. Ata u përpoqën ta paraqisnin Muhammedin [alejhis salatu ves selam] si njeri të zhytur në epshe, por, siç dihet, orientalistët janë njerëz që shpifjen e kanë profesion.
  3. Tregimi i ndërtimit të Qabesë fsheh në vete shenjtërinë e kësaj shtëpie, ndërtimin e së cilës pati nderin ta bëjë babai i pejgamberëve, Ibrahimi [alejhis salatu ves selam] me të birin, Ismailin [alejhis salatu ves selam]. Po cila është rëndësia e saj? Kur Allahu e urdhëroi Ibrahimin [alejhis salatu ves selam] t’i thyente putat, ishte më se normale që njerëzit të ndienin nevojën për t’iu drejtuar dikujt, të kishin një qendër të monoteizmit, një vend i cili do ta bashkonte tërë njerëzimin nga të gjitha anët e botës. Ky dhe është kuptimi i fjalës së Allahut:

 “Dhe kur shtëpinë (Qabenë) e bëmë vendkthimi dhe vendsigurie për njerëzit, (u thamë): Vendin ku qëndroi Ibrahimi pranojeni për vendfaljeje! Ibrahimin dhe Ismailin i urdhëruam: ju të dy pastrojeni shtëpinë Time për vizituesit, për ata që qëndrojnë aty dhe për ata që falen aty.” (el-Bekare, 125)

  1. Ndërsa sa i përket historisë së ndërtimit të Qabesë, mbështetur në versionin më të saktë, ajo është ndërtuar katër herë përgjatë gjithë historisë:
  • Në kohën e Ibrahimit dhe Ismailit [alejhimas selam.]
  • Në kohën paraislamike, kur kurejshët e ndërtuan atë, ndërtim në të cilin mori pjesë edhe Muhammedi [alejhis salatu ves selam].
  • Në kohën e Jezid Ibn Muavijes, i cili e kishte rrethuar me ushtrinë e tij Abdullah Ibn Ubejrin në Mekë, në v. 36 sipas hixhrit. Ata e kishin sulmuar shtëpinë me katapultë dhe e kishin demoluar dhe djegur. Abdullahu në sezonin e haxhit u konsultua me njerëzit për ndërtimin e saj, kështu që u këshillua të mos e rrënonte atë por ta rinovonte. Abdullahut nuk i pëlqeu ky mendim dhe tha se sikur të digjeshin shtëpitë tuaja sigurisht se do t’i ndërtonit nga fillimi, por unë po marr mendimet tuaja e më pas do të vendos pasi që ta kem lutur Allahun për tri ditë me radhë. Pas tri ditësh e filloi ndërtimin e saj që nga themelet dhe ia la dy dyer, njërën për të hyrë e tjetrën për të dalë…
  • Pas vdekjes së Abdullahut (Ibn Zubejr), Haxh-xhaxhi i kishte shkruar Abdul Melik Ibn Mervanit për këtë ndërtim që kishte bërë Abdullahu. Abdul Meliku e kishte pranuar ndërtimin e bërë lart por i kishte refuzuar gurët e shtuar dhe e kishte mbyllur derën e (dytë të) hapur… Harun Rreshidi, siç thuhet, kishte dashur ta rikthente atë ashtu siç e kishte ndërtuar Abdullahu, por Malik Ibn Enesi e kishte lutur të mos e bënte një gjë të tillë ngase mbretërit do ta bënin shprehi rindërtimin e saj pas tij dhe kështu Qabesë do t’i humbte madhështia dhe respekti ndër njerëz.
  • Për këtë ndërtim, që në fakt do të duhej të ishte në krye të listës, thuhet se e bëri Ademi [alejhis salatu ves selam] e pas tij Nuhu, por transmetimet janë të dobëta dhe nuk qëndrojnë.
  1. Alternativa e ofruar nga Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] për zgjidhjen e konfliktit të arabëve rreth vendosjes së Gurit të Zi gjatë rindërtimit të Qabesë flet për zgjuarsinë dhe mendjekthjelltësinë e Muhammedit [alejhis salatu ves selam], që sigurisht se ishin fryt i të qenit pejgamber…
  2. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] gëzonte një autoritet dhe famë të madhe në mesin e kurejshëve. E quanin Emin – besnik… Të gjithë e donin…

 

Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA

LEKSIONE METODOLOGJIKE NGA SIRE-ja (Biografia e të Dërguarit të Allahut, alejhis salatu ves selam)


[1] Shih: Nedevi. Es-Sire en-Nebevijjeh. F. 99-144; Buti. Fikhu’s Sire. F. 44-59.