BLLOKADA EKONOMIKE

Bojkoti i gjithëmbarshëm[1]

Kurejshëve u ndodhën katër ngjarje të paharrueshme brenda një kohe shumë të shkurtër, vetëm prej katër javësh. Hamza pra­noi Isla­min, pastaj këtë e bëri Umeri, pastaj Muhammedi [alejhis salatu ves selam] e re­fuzoi pazarllëkun e tyre rreth fesë islame dhe, më në fund, ven­dimi i përbashkët i Benu Ha­shi­mitëve dhe Benu Abdu-l-Muttalibëve, i besimtarëve dhe jobesim­ta­rëve, për ta mbrojtur dhe për ta për­kra­hur Muhammedin [alejhis salatu ves selam].

Mushrikët ishin të shqetësuar, të hutuar dhe të habitur. Nuk di­nin çka të bënin. Nëse e mbytnin Muhammedin [alejhis salatu ves selam], në luginën e Mekës do të derdhej shumë gjak për shkak të tij. Kjo mund t’i rrezikonte edhe më tepër ata dhe fenë e tyre, prandaj, për një kohë të shkurtër, hoqën do­rë nga vrasja e Muhammedit [alejhis salatu ves selam]. Por së shpejti do t’i shohim me mari­fet­llëqe të reja dhe me tortura të llojit tjetër.

Kontrata mbi torturimin dhe armiqësinë

Kurejshët u tubuan në shpatet pjellore të fisit Benu Ken’aneh dhe u përbetuan kundër familjeve Benu Hashim dhe Benu El-Mutta­lib. Ata vendosën që të mos martoheshin me ta, të mos tregtonin dhe të mos flisnin me ta derisa ta dorëzonin Muhammedin [alejhis salatu ves selam] për ta mbytur. Ata e shkruan kontratën në një faqe letre, duke shtuar se kurrë nuk do të lidhnin paqe me benu hashi­mitët.

Ibnu-l-Kajjimi shënon: “Ata thonë se këtë kontratë e ka shkruar Men­sur b. Ikrime b. Amir bin Hashimi”, kurse të tjerët thonë Nadar b. El-Ha­ri­thi. E vërteta është se shkrues i kontratës ka qenë Bagia b. Amir b. Hashimi. Resulullahu [alejhis salatu ves selam] i është lutur Allahut që ta ndëshkonte për këtë dhe atij iu paralizuan duart.[2] Pas nënshkrimit të këtyre vendimeve të rëndësishme për kurejshët, fletën e varën në brendi të Ka’bes, kurse benu hashimitët, benu muttalibët, të gjithë me radhë, përveç Ebu Xheh­lit, i dërguan në izolim. Këtë e bënë më një muharrem në vitin e shtatë të pejgamberisë, kurse vendi i izolimit ishte Shu’ab-i – pronë e Ebu Talibit.

Tre vjet izolimi

Pasi fqinjët i përforcuan kufijtë e vendit të rrethuar “Shu’­ab Ebu Talib”, ata ndërprenë çdo kontratë me të izoluarit. Nda­luan hyrjen e ushqimit në Mekë, e nëse ndonjë mall paraqitej në treg atëherë nguteshin që ta blinin të tërin për vete që të mos arrinte te të izoluarit. Këta u gjendën në situatë të vështirë. Nuk kishin ush­qim, andaj filluan të hanin gje­the, lëkura etj. Ndërsa jashtë mureve të kampit të përqendrimit dëgjo­he­shin klithmat e fëmijëve, gjëmat e gra­ve dhe njerëzve të uritur. Ngandonjëherë furnizoheshin përmes kanaleve të fsheh­ta me ushqim sa për të mbetur gjallë. Nga kampi i përqendrimit mund të dilnin vetëm në muajt e shenjtë. Herë-herë dilnin të blinin ndonjë deve nga tregtarët që ktheheshin, por mekasit e rritnin çmimin aq sa këta hiqnin dorë nga bler­ja, sepse nuk kishin me çka të paguanin.

Nganjëherë Hakim bin Hizami i dërgonte fshehtazi drithë kushë­rirës së vet, Hatixhes radijAllahu anha. Një herë Ebu Xhehli e zuri dhe deshi ta varte, por Ebu-l-Buhturi i ndau dhe i mundësoi Hakimit t’ia dërgonte drithin kushërirës.

Ebu Talibi kujdesej shumë për sigurinë e Resulullahut. Kur njerë­zit niseshin për të fjetur, e urdhëronte atë të flinte në vendin e vet, por kur të gjithë binin në gjumë, i thoshte të ndërronte vendin. E mbron­te kështu që të mos e rrëmbenin. Nganjëherë afër shtratit të tij ven­doste djemtë apo vëllezërit e vet të bënin rojë. Gjatë ko­hës së Haxhit, Resulullahu dhe muslimanët dilnin dhe i thërrisnin njerëzit në Islam.

Prishja e kontratës mbi izolimin

Kaluan tre vjet e situata e muslimanëve të izoluar nuk ndryshoi fare. Në muajin muharrem[3] të vitit të dhjetë të pejgamberisë ndodhi ndërprerja e kontratës.

Në mesin e kurejshëve kishte njerëz që ishin të kënaqur me nën­shkri­min e kontratës, por kishte edhe nga ata që nuk ishin të këna­qur me ­të. Këta të fundit e ndërprenë fjalën e dhënë dhe i anuluan nënshkrimet e veta në letër. Nismën për ndërprerjen e kontratës e mori Hisham b. Amri nga familja Benu Amir b. Lu’j. Ky dërgonte fshehtazi, edhe natën, ushqim në kampin e përqendrimit. Një natë shkoi te Zuhejre b. Ebi Umejjeh El-Mahzumi dhe i tha: “A je i kënaqur duke ngrënë e duke pirë, ndërsa dajat e tu janë në asi gjendje që e di edhe vetë?” Ai përgjigjet: “Vaj ha­lli për ty nëse mendon kështu, por ç’të bëj unë i vetmuar? Sikur të ki­sha pranë  qoftë edhe një njeri të vetëm, do ta thyeja premtimin.” Ky thotë: “Ta kam gjetur një nje­ri.” “Kush është ai?” “Unë”, – përgjigjet Zuhejre, – “ti gjeje edhe njeriun e tretë.”

Hishami shkoi te Mut’am b. Adijj, i përkujtoi lidhjet farefis­no­re me benu hashimitët dhe benu el-muttalibët, gjyshi i përbashkët i të cilëve është Abdu Menafi. Pastaj e qortoi për pranimin e tij të kësaj mënyre të keqtrajtimit. Mut’ami pyet: “Më trego se çfarë të bëj? Unë jam vetëm. Njëri nuk mund të bëjë kurr­gjë vetëm.” Hishami i thotë: “E kam gjetur njërin.” “Kush është ai?” “Unë vetë.” Pastaj Mut’ami thotë: “Gjeje të tretin!” Hishami përgjigjet: “Këtë e kam bërë.” “E kush është ai?” “Zuhejre b. Ebi Umej-je,” – përgjigjet ky. “Kërkoje pra edhe të katërtin,” – thotë Mut’ami.

Hishami shkoi tek Ebu-l-Buhturije b. Hishami. Edhe këtij ia për­sëriti të gjitha ato çka i kishte thënë Mut’amit, përkitazi me lidh­jet farefisnore dhe padrejtësinë që u ishte bërë. Pastaj Ebu-l-Buh­turi e pyeti: “Po a ke përkrahje?” “Po.” “E kush janë këta?” “Zuhejre b. Ebu Umejje, El-Mut’­am b. Adijji dhe unë,” – iu përgjigj Hishami. “Gjeje edhe të pestin,” – thotë Ebu-l-Buhturi.

Hishami shkoi te Zum’ah b. el-Esved b. El-Muttalib b. Esedi. Foli me të për familjet e tyre, për obligimet farefisnore dhe për të drejtat e tyre. Pastaj Zum’ati e pyeti: “A ke bashkëpunëtorë për këtë punë?” Hishami i për­gjigjet pastaj i numëron njerëzit me të cilët kishte bi­seduar. “Thirri të gjithë,” – tha Zum’ati. Më vonë të gjithë tubohen tek El-Huxhuni dhe me­rren vesh për ndërprerjen e kontratës. Zuhej­re thotë: “Unë do t’ju përfaqësoj dhe do të flas i pari.”

Të nesërmen u nisën ku e kishin ndërmend. Me ta vajti edhe Zu­hej­re i veshur me baldakin (uniformën) e bukur. Ky e kreu tavafin rreth Qabesë, pastaj u kthye nga njerëzit dhe tha: “O banorë të Mekës! Deri kur do të hamë dhe do të vishemi mirë, ndërsa benu hashimitët janë duke u shkatërruar, as që blejnë e as që shesin diçka? Pasha Allahun, nuk do të ulem derisa ta grisni atë letër të mallkuar!”

Ebu Xhehli, i cili qëndronte mënjanë mesxhidit, tha: “Gënjen, për Zotin, nuk do ta grisësh.” Zum’ah b. El-Esvedi i tha: “Ti gënjen, për Zotin! Ne as që kemi dashur që ajo kontratë të shkruhet ashtu në letër. Kjo është vepër e jotja.” Ebu-l-Buhturi briti: “Zum’ah tho­të të vërtetën. Ne nuk kemi dashur që kjo të shkruhet në letër e të nënshkruhet.” Mut’am b. Adijji tha: “Ju jeni duke thënë të vërte­tën, e kush flet ndry­she, ai gënjen. Kërkoj mbrojtje prej Zotit nga ajo (kontratë) dhe nga për­mbajtja e saj.” Hisham b. Amri foli diçka të ngjashme. Ebu Xhehli tha: “Për këtë sigurisht jeni marrë vesh mbrë­më në ndonjë vend tjetër.”

Ebu Talibi gjatë gjithë kohës rrinte ulur në fund të mesxhidit dhe shi­konte se ç’po ndodhte. Këtu kishte ardhur sipas porosisë së Resulullahut, sepse Allahu e kishte informuar Resulin për kontratën e shkru­ar në një copë letër, e cila rrinte varur brenda Qabesë dhe se Allahu kishte dërguar një krimb që ta brente tërë atë që ishte shkruar në letër, përveç emrit të Allahut. Resulullahu e njoftoi për këtë xhaxhanë e vet dhe ky erdhi në mesin e kurejshëve. Pasi Ebu Talibi e dëgjoi tërë bisedën, u ngrit dhe u tregoi atyre se ç’kishte porositur Resulullahu, nipi i tij. Nëse gënjen atëherë veproni ndaj nesh siç keni vepruar gjer më tani, por nëse thotë të vërtetën, ndërpriteni izolimin dhe tor­turimin ndaj nesh. Kurejshët thanë: “Ke folur drejt.”

Pas kësaj, Ebu Xhehli filloi të konsultohej me popullin, kurse El-Mut’­ami vajti të sillte copën e letrës – kontratën – për ta grisur. Por mbeti i shastisur kur pa se krimbi e kishte brejtur tërë tekstin përveç fjalëve: “Në emrin Tënd o Allahu im” dhe emrin “Allah” në vetë tekstin e kontratës.

Pas kësaj u ndërpre izolimi dhe Resulullahu me shoqërinë e tij dolën nga kampi i përqendrimit Esh-Shu’ab. Mushrikët patën një argu­ment të mrekullueshëm për t’u bindur për pejgamberinë e Resulullahut, por edhe më tutje mbetën të atillë siç i ka thënë Allahu:

“Po, kur shohin ndonjë mrekulli, ata kthejnë kokën e thonë: “Kjo është magji e vazhdueshme!” (El-Kamer: 2)

Ata, me gjithë vërejtjen, nuk e përfillën këtë ajet, por e për­for­cuan edhe më shumë mosbesimin e tyre.[4]

Mësimet e marra nga këto rrjedha dhe ngjarje

Këto rrëfime gjithsesi se flasin për vuajtjet dhe mundimet që përjetoi Muhammedi [alejhis salatu ves selam] bashkë me besimtarët muslimanë përgjatë tri viteve. Pamë se si bijtë e Hashimit dhe Muttalibit u solidarizuan me muslimanët në përballimin e tyre dhe nuk pranuan të hiqnin dorë nga i Dërguari i Allahut.

  1. Motivi i përkrahjes së Muhammedit [alejhis salatu ves selam] prej Beni Hashimëve dhe Beni Muttalibëve nuk qe për shkak të pejgamberësisë së tij, por për shkak të afërsisë familjare. Këta njerëz preferuan që të mos largohen nga idhujtaria por njëherësh, nga fanatizmi familjar, ta mbrojnë familjarin, i drejtë qoftë apo jo. Pra, ajo që neve na intereson këtu është të kuptojmë se përkrahje dhe mbrojtja e Pejgamberit [alejhis salatu ves selam] nga ana e tyre nuk ka qenë pse ai ishte i Dërguar i Allahut, por për shkak se ishte i afërm i tyre.
  2. Muslimanët, bashkë me Pejgamberin [alejhis salatu ves selam], i përballuan këto sprova për të shprehur gatishmërinë për zbatimin e çdo urdhri të Allahu dhe për favorizimin e ahiretit ndaj dynjasë. Kjo nënkupton se ata që e cilësojnë misionin e tij si një lëvizje të majtistëve (fukarenjve) kundër djathtistëve (të pasurve) e kanë gabim.

Të gjithë ata që janë njoftuar, qoftë edhe kalimthi, me vuajtjet dhe persekutimet që iu janë bërë muslimanëve, e dinë se nuk ka qenë në pyetje revolucioni ekonomik dhe as urrejtja ndaj tregtarëve të pamëshirshëm mekas. Kurejshët i ofruan Muhammedit [alejhis salatu ves selam] pasuri, pushtet dhe luks që ta linte misionin, por ky refuzoi. Ndryshe, po t’i kishte këto ambicie, ai nuk do t’i refuzonte ofertat aq serioze të kurejshëve.

Pastaj, Muhammedi [alejhis salatu ves selam] dhe shokët e tij u bojkotuan, përjetuan një izolim dhe bllokadë ekonomike. Nuk mund të bënin tregti dhe as të blinin ushqime. Nga varfëria hanin edhe gjethe pemësh. A thua vallë kjo mund të bëhet për shkak të ambicieve për pasuri?!

Po kështu, si dëshmi, mund të merret edhe Hixhreti. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] dhe shokët e tij, për hir të fesë, lanë pasuritë e tyre në Mekë, gjë që nuk do ta bënin po të ishte vetëm për ambicie materiale.

Nëse muslimanët, për një periudhë relativisht të shkurtër, arritën të çlironin madje edhe Persinë dhe Romën, dhe këtë si reflektim i forcës shpirtërore që kishin, a thua vallë kjo mund të komentohet si ambicie për pushtet dhe pasuri, apo si diç se, pas Islamit të tyre, fshihet dëshira për epshe dhe dëfrim?! Po të ishin të tillë, ata nuk do t’i arrinin kurrë këto fitore historike.

Po të kishin aspirata të tilla, muslimanët do t’i shfaqeshin ndryshe Rustemit, në betejën e Kadisijes. Siç transmetohet, Rebi’j Ibn Amiri kishte shkuar tek Rustemi dhe i kishte thënë: Nëse pranoni Islamin, iu lëmë në tokat dhe pasurinë tuaj… A kështu shprehen plaçkitësit dhe të pasionuarit pas pasurisë?!

  1. Megjithëkëtë, ata edhe pse nuk vrapuan pas dynjasë dhe kënaqësive të saj, Allahu prapë iu dha të mira të shumta, jo për tjetër, pos për vërtetimin e ligjit hyjnor:

 “E Ne duam t’i lartësojmë ata që u shtypën në tokë, t’i bëjmë udhëheqës dhe t’i bëjmë trashëgues.” (el-Kasas, 5)

 

Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA

LEKSIONE METODOLOGJIKE NGA SIRE-ja (Biografia e të Dërguarit të Allahut, alejhis salatu ves selam)


[1] Kjo pjesë është marrë nga Nektari i vulosur i Xhennetit, f. 127-130.

[2] Zadu-l-Me’ad: I/46.

[3] Ebu Talibi ka vdekur gjashtë muaj pas ndërprerjes së kontratës, në muajin rexheb, e jo në ramazan.

[4] Ne kemi mbledhur fragmente të ndara nga: Sahihu-l-Buhari, kaptina: vajtja e Resulullahut në Mekë: I/216 dhe kaptina: komploti i mushrikëve kundër Resulullahut: I/548; Zadu-l-Me’ad: II/46 – Ibni Hisham: I/350-351, 374-377; Rahmetun li-l-Alemin: I/69, 70; Muhtesar Siretu-r-Resul nga Nexhdi, f. 106-110; Muhtesar Siretu-r-Resul nga Abdul-Vehhabi, f. 68-73. Ekzistojnë disa mospajtime në këto vepra, por kemi marrë atë që është përafërsisht e njëjtë te të gjithë.

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

Related Stories

Na ndiqni në Youtube

spot_img

Tema të tjera

قضايا دينية، اجتماعية، سياسية معاصرة في ميزان القرآن: قراءة...

قضااي دينية اجتماعية سياسية معاصرة يف ميزان القرآن قراءة حتليلية يف تفسري األستاذ سيد قطب ورقة...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح القاضي مع الأستاذ إغناز غولد:...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث: التجربة الكوسوفية...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث التجربةالكوسوفيةمع الصربنموذج ورقة علمية قدمت في املؤتمر العاملي بعنوان: "...

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام ورقة علمية معدة للندوة العلمية يف امللتقى...

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية د/خيرالدين خوجة(الكوسوفي)

دراسات لأسلوب القرآن الكريم

سلسلة عرض وتقديم أعلام الدراسات القرآنية (3) دراسات لأسلوب القرآن الكريم للشيخ الأستاذ الدكتور محمد عبد الخالق...

Kategoritë më të popullarizuara

Comments